Na ka “gllabëruar” teknologjia kineze

    Lavatriçe, televizorë, dronë, panele diellore dhe shumëçka tjetër. Teknologjia kineze dhe dominimi i Pekinit në produktet e konsumit është pothuajse absolut. Tani ambiciet kineze po shtrihen edhe tek rrjetet e shitjes, me objektivin për të kontrolluar gjithë zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit.

    14 nëntori është një datë që prodhuesit europianë të pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronikës së konsumit duhet ta shënojnë me të kuqe në kalendarët e tyre.

    Deri në atë ditë, Komisioni Europian duhet të japë miratimin përfundimtar për blerjen e Ceconomy nga gjiganti kinez JD.com. Ceconomy është grupi gjerman që kontrollon MediaMarkt, Saturn dhe MediaWorld: rreth një mijë pika shitjeje në 11 vende, krahas faqeve të tregtisë elektronike, platformave të shitjes online, magazinave, pikave të tërheqjes së porosive, shërbimeve të asistencës dhe marrëdhënieve të konsoliduara me miliona klientë.

    Operacioni, me vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë, ka qenë për një kohë të gjatë nën shqyrtimin e Brukselit, për të kuptuar nëse financimet me kushte lehtësuese, përjashtimet tatimore apo forma të tjera ndihme që mund t’i atribuohen Pekinit i kanë krijuar avantazhe JD.com.

    Me këtë blerje, JD.com do të ketë akses në një prej kanaleve më të mëdha të shitjes në kontinent, pikërisht në një kohë kur markat kineze po bëhen protagoniste pothuajse në çdo cep të shtëpisë digjitale.

    Ky është një kapërcim cilësor. Kina nuk synon më vetëm të mbushë raftet e dyqaneve europiane me produktet e saj. Ajo kërkon të marrë në zotërim vetë raftet.

    Teknologjia kineze: Nga prodhimi me kosto të ulët te kontrolli i gjithë zinxhirit industrial

    Kjo strategji përshkruhet qartë në raportin China’s Next-Generation Industrial Policy (“Politika industriale e gjeneratës së re të Kinës”), hartuar nga Rhodium Group, një kompani e pavarur kërkimore dhe analizash ekonomike e politike. Analistët flasin për një industrial policy of everything, pra një “politikë industriale që përfshin gjithçka”.

    Është një politikë që nuk përqendrohet vetëm te mikroçipet, bateritë, inteligjenca artificiale apo teknologjitë e gjelbra, por shtrihet edhe në sektorët tradicionalë: nga pajisjet elektroshtëpiake te tekstilet, nga makineritë te të gjithë zinxhirët e tyre të furnizimit.

    Objektivi nuk është më thjesht prodhimi me kosto të ulët. Synimi është kontrolli mbi lëndët e para, komponentët, fabrikat, patentat, markat, logjistikën, programet kompjuterike dhe, në fund, mbi vetë marrëdhënien me konsumatorin.

    Midea, Haier dhe Gree: gjigantët kinezë që kanë pushtuar shtëpitë tona

    Rezultati i kësaj strategjie gjendet tashmë brenda shtëpive tona. Në renditjen e kompanive më të mëdha të pajisjeve elektroshtëpiake në botë, tri vendet e para mbahen nga prodhues kinezë: Midea, Haier dhe Gree.

    Në veçanti, Haier nuk është më ajo kompani që 20 vjet më parë përpiqej të gjente hapësirë në supermarkete duke ofruar frigoriferë ekonomikë. Ajo ka blerë markën amerikane General Electric Appliances dhe, në Europë, Candy-Hoover.

    Blerja e vitit 2019 kaloi nën kontrollin e Dragoit kinez një prej emrave historikë të industrisë italiane. Në qershor 2025, prodhimi i lavatriçeve në Brugherio, në provincën e Monza-Brianzës, u ndërpre dhe fabrika nisi procesin e shndërrimit në një qendër për pjesë këmbimi dhe shërbime asistence. Haier vazhdon të mbajë në Itali aktivitetet e projektimit, kërkimit, dizajnit dhe shërbimeve. Por vendi humbet kapacitete prodhuese pikërisht në sektorin që Candy kishte ndihmuar të ndërtohej.

    Televizorët: Kina sfidon dominimin e Samsung dhe LG

    Në tregun e televizorëve, sfida është më e re. Për vite me radhë, kompanitë koreanojugore Samsung dhe LG kanë dominuar shitjet dhe, mbi të gjitha, segmentin më të shtrenjtë të tregut botëror.

    Tani grupet kineze TCL dhe Hisense po përparojnë me shpejtësi, edhe në teknologjinë Mini LED, e cila përmirëson kontrastin dhe ndriçimin përmes mijëra burimeve të vogla drite të vendosura pas ekranit.

    Në vitin 2022, Samsung përfaqësonte 76% të dërgesave botërore të televizorëve LCD Mini LED. TCL zotëronte 12%, ndërsa Hisense vetëm 2%. Tre vjet më vonë, panorama kishte ndryshuar rrënjësisht.

    Në vitin 2025, TCL arriti në 31% dhe Hisense në 25%, ndërsa Samsung zbriti në 19%.

    Në tremujorin e dytë të vitit 2026, grupi koreanojugor rifitoi një pjesë të terrenit, por prirja është e qartë: prodhuesit kinezë nuk janë mjaftuar me modelet ekonomike. Ata kanë hyrë në segmentin luksoz të tregut, duke ofruar ekrane gjigante, teknologji të përditësuar dhe çmime me të cilat konkurrentët e kanë të vështirë të përballen.

    Në Itali, Hisense renditet tashmë e treta në tregun e televizorëve për nga vlera e shitjeve dhe synon hapur vendin e dytë.

    Nga GoPro te DJI dhe Insta360: si u përmbys një treg i tërë

    E njëjta dinamikë vërehet edhe në tregje më të vogla, por me rëndësi të madhe simbolike. Deri pak vite më parë, GoPro ishte sinonim i kamerave të aksionit. Në vitin 2015, kompania amerikane shiste 6.6 milionë pajisje dhe zotëronte mbi 70% të tregut. Më pas erdhën DJI dhe Insta360.

    E para hodhi në treg Osmo Action në vitin 2019. Një vit më vonë, Insta360, e cila e kishte nisur aktivitetin në fushën e kamerave me pamje 360 gradë, prezantoi modelin modular One R.

    Sot, dy grupet kineze dominojnë kategorinë më të gjerë të kamerave inteligjente portative, ku përfshihen kamerat e aksionit, kamerat panoramike dhe pajisjet portative me stabilizim të figurës.

    Së bashku, ato përfaqësojnë më shumë se nëntë nga çdo dhjetë shitje. Por kjo nuk është thjesht një histori çmimesh dumping.

    Kushdo që dëshiron të filmojë një udhëtim me motor, një zbritje me biçikletë malore apo pushimet e tij, gjen përpara pajisje kineze me sensorë, stabilizim, programe kompjuterike dhe sisteme montimi që konkurrojnë denjësisht me produktet perëndimore dhe japoneze.

    Avantazhi buron nga zinxhirët e përqendruar të furnizimit përreth Shenzhenit, konkurrenca e ashpër mes kompanive vendase, ritmet jashtëzakonisht të shpejta të zhvillimit dhe një kapacitet prodhues që Europa dhe Shtetet e Bashkuara e kanë humbur në masë të madhe.

    Dronët dhe robotët shtëpiakë: një tjetër fitore kineze

    Dhe kjo nuk është e gjitha. Në tregun e dronëve civilë dhe komercialë, DJI kontrollon tashmë 70% të tregut botëror.

    Ndërkohë, në sektorin e robotëve për pastrimin e shtëpisë, garën e ka fituar Roborock.

    Në vitin 2025, kjo kompani u bë marka numër një në botë, me 5.8 milionë pajisje të shpërndara dhe një pjesë tregu prej 17.7%. Pas saj renditen prodhues të tjerë kinezë, nga Dreame te Ecovacs.

    Ndërkaq, kompania amerikane iRobot, e cila me Roomba kishte krijuar fenomenin e robotëve të pastrimit për konsumatorin masiv, po përpiqet me vështirësi të mbajë ritmin.

    Panelet diellore: Europa bëhet e gjelbër me teknologjinë kineze

    Pastaj vijnë panelet diellore, produkti teknologjik që e ka shndërruar konsumatorin në një investitor të vogël në sektorin e energjisë. Kush instalon panele fotovoltaike në çatinë e një vile apo të një godine industriale, pothuajse në të gjitha rastet blen një produkt kinez.

    Në vitin 2024, 98% e vlerës së importeve nga jashtë Bashkimit Europian për këto sisteme vinte nga Kina. Pekini dominon fazat vendimtare të zinxhirit të prodhimit, nga pllakat e holla të silicit (wafer) te qelizat fotovoltaike dhe modulet e përfunduara.

    Kina e ka bërë energjinë fotovoltaike më të lirë dhe më të aksesueshme, duke i mundësuar Europës të përshpejtojë tranzicionin energjetik. Por, njëkohësisht, ka vënë nën presion fabrikat e pakta europiane që kanë mbetur, të cilat po dërrmohen nga çmime me të cilat e kanë të pamundur të konkurrojnë.

    Paradoksi europian: pavarësi energjetike, por varësi teknologjike

    Pikërisht këtu qëndron paradoksi. Europa dëshiron të çlirohet nga varësia ndaj gazit rus, të elektrifikojë konsumin dhe transportin, të zgjerojë përdorimin e energjive të rinovueshme dhe të digjitalizojë banesat.

    Por një pjesë e madhe e teknologjive të nevojshme për këto objektiva vjen nga zinxhirë prodhimi dhe furnizimi që kontrollohen gjithnjë e më shumë nga Kina. Në vitin 2025, deficiti tregtar i Bashkimit Europian me Pekinin arriti në 359.8 miliardë euro. Kjo përkthehet në rreth 986 milionë euro në ditë.

    Dhe ky deficit nuk lidhet vetëm me telefonat inteligjentë, lodrat apo veshjet. Ai buron gjithnjë e më shumë nga pajisjet elektronike, bateritë, makineritë elektrike dhe produktet e industrisë së përparuar.

    Ana tjetër e teknologjisë kineze: privatësia dhe siguria e të dhënave

    Avantazhi kinez nuk është pa hije.

    Televizorët e lidhur me internetin, kamerat, dronët, robotët fshesë me kamera dhe pajisjet e shtëpive inteligjente mbledhin pamje, harta të ambienteve të banimit, të dhëna të rrjetit shtëpiak, informacione mbi zakonet e përdoruesve dhe oraret kur ata ndodhen në shtëpi.

    Prandaj, shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë kibernetike janë të ligjshme, sidomos kur të dhënat e ndjeshme kalojnë kufijtë dhe përfundojnë në serverë cloud të kontrolluar nga kompanitë prodhuese.

    Për hir të së vërtetës, testimet europiane mbi pajisjet e shtëpive inteligjente kanë zbuluar politika jo transparente të privatësisë, mbledhje të tepruar të të dhënave dhe dobësi sigurie edhe në produkte perëndimore, koreanojugore dhe japoneze.

    Problemi është se pas produkteve kineze qëndron një sistem agresiv, për të cilin shumëkush druhet se është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të siguruar informacione dhe për të zgjeruar pjesën e tij të tregut.

    Konsumatorët perëndimorë zgjedhin çmimin dhe cilësinë

    Por konsumatorët perëndimorë nuk shqetësohen shumë për këto çështje.

    Ata po përfitojnë nga produktet Made in China, të cilat nuk janë më vetëm ekonomike, por tashmë ofrojnë edhe një nivel të mirë cilësie.

    Ajo që u intereson më shumë është jetëgjatësia e produktit, shërbimi pas shitjes, mundësia e riparimit, disponueshmëria e pjesëve të këmbimit, garancitë, përditësimet e sigurisë dhe mënyra se si trajtohen të dhënat personale.

    Rezultati i këtij përparimi kinez është presioni i vazhdueshëm dhe shkatërrues ndaj sektorëve të tërë të industrisë perëndimore, japoneze dhe koreanojugore. Por një pjesë e fajit u takon edhe vetë atyre.

    Shumë produkte që ne i konsiderojmë amerikane ose europiane projektohen në Kaliforni, Gjermani apo Itali, por montohen në fabrikat kineze dhe ndërtohen me komponentë që vijnë nga Shenzheni, Suzhou apo Dongguani.

    Beteja përfundimtare: nga fabrika te konsumatori

    Kamerat GoPro, ashtu si iPhone-t e Apple, varen nga e njëjta makineri industriale kineze. Dallimi është se, për dekada me radhë, Kina fitonte kryesisht duke montuar produkte për llogari të kompanive të huaja.

    Sot ajo kërkon shumë më tepër.

    Dëshiron të zotërojë markën, patentën, programet kompjuterike, marrëdhënien e drejtpërdrejtë me konsumatorin dhe tani, madje, edhe raftin e dyqanit ku klienti do të bëjë zgjedhjen e tij.

    Kina nuk dëshiron më të jetë vetëm fabrika e botës. Ajo synon të kontrollojë të gjithë rrugën e produktit, nga ideja dhe prodhimi deri te shitja përfundimtare.

    Burimi: Panorama Italia. Autori: Guido Fontanelli

    Bota.al

    Lajmi Paraprak

    Hekurudhat e RMV-së me mbi 109 milionë euro borxhe, qindra vagonë jashtë qarkullimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë