Në Tetovë parkohet gjithandej!

    Policia në Tetovë ka shqiptuar gjithsej 2.390 masa për parkim të parregullt të automjeteve gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2026. Sipas të dhënave të Sektorit për Punë të Brendshme -Tetovë, masat janë shqiptuar gjatë kontrolleve të rregullta dhe aksioneve të përforcuara të realizuara nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Tetovë.

    Nga policia bëjnë të ditur se në periudhën prej 1 janarit deri më 30 shtator 2026, shoferët janë sanksionuar për parkim të gabuar dhe të parregullt në rrugë, trotuare, vendkalime për këmbësorë dhe sipërfaqe të tjera ku parkimi është i ndaluar.

    “Stacioni Policor për Sigurinë në Qarkullimin Rrugor Tetovë, gjatë periudhës së kaluar, përmes kontrolleve të rregullta dhe një sërë aksioneve të përforcuara me qëllim zbulimin dhe sanksionimin e kundërvajtjeve që lidhen me parkimin e parregullt dhe të gabuar të automjeteve në zonën e Tetovës, në periudhën prej 1 janarit e deri më 30 shtator, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Qarkullimin Rrugor Tetovë kanë shqiptuar gjithsej 2.390 masa për automjete të parkuara gabimisht dhe në mënyrë të parregullt në rrugë, trotuare, vendkalime këmbësorësh dhe sipërfaqe të tjera të ndaluara në zonën e Tetovës”, njoftoi për Gazetën Koha, zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.

    Nga Policia bëjnë thirrje deri tek vozitësit që të tregojnë kulturë dhe përgjegjësi në komunikacion, duke theksuar se parkimi i kujdesshëm kontribuon në sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion dhe në funksionimin më të mirë të qytetit.

    “Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë u bën një apel serioz të gjithë shoferëve dhe pjesëmarrësve në qarkullim që të respektojnë rregullat dhe normat e komunikacionit dhe t’i parkojnë automjetet e tyre vetëm në vendet e parapara dhe të shënuara për parkim. Automjetet e parkuara gabimisht nuk përbëjnë vetëm kundërvajtje në komunikacion, ato paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt që ngushtojnë ose bllokojnë tërësisht rrugët, pamundësojnë dhe ngadalësojnë kalimin e automjeteve të Ndihmës se Shpejtë Mjekësore, Njësisë Kundër Zjarrit dhe Policisë. Në situata ku çdo sekondë është e çmuar, një bllokim i tillë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes ose të shkaktojë dëme të mëdha materiale”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.

    Përveç kësaj, nga policia rikujtojnë rreziqet tjera që mund të vijnë nga parkimi i gabuar. “Automjetet e parkuara në trotuare i detyrojnë këmbësorët, nënat me karroca fëmijësh, të moshuarit dhe fëmijët të lëvizin në rrugë, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë nga aksidentet e komunikacionit. Gjithashtu, parkimi në afërsi të kryqëzimeve dhe vendkalimeve të këmbësorëve ulë në mënyrë drastike dukshmërinë, krijon bllokime të shpeshta në komunikacion dhe shkakton situata me rrezik”, ka bërë të ditur Rexhepi. Nga SPB-Tetovë, kërkojnë që të tregohet më shumë kulturë në komunikacion dhe kujdes për të tjerët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Bërvenica ia prishi hesapet pushtetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë