Maqedonia e Veriut kërkon rrugëdalje nga labirinti i kushteve politike që prej vitesh e mbajnë të bllokuar procesin e saj të integrimit evropian. Pas ndryshimit të emrit kushtetues dhe një vargu kompromisesh të tjera, Shkupi kërkon nga Brukseli jo vetëm inkurajim për reforma, por edhe garanci se përparimi drejt Bashkimit Evropian nuk do të mbetet peng i mosmarrëveshjeve me fqinjët. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë vizitës së punës në Bruksel, ka kërkuar shqyrtimin e instrumenteve juridike dhe institucionale të BE-së që do të mundësonin lëvizjen e procesit integrues edhe në kushtet e bllokadave dypalëshe. Derisa Bullgaria vazhdon të mbetet pengesa kryesore politike për Shkupin, presidentja kërkon që edhe Bashkimi Evropian të dëshmojë vullnet politik dhe të përcaktojë qartë se çfarë e pret vendin në rrugën drejt anëtarësimit.
Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, Siljanovska-Davkova ka diskutuar për mundësitë e përshpejtimit të integrimit evropian dhe mekanizmat konkretë që BE-ja mund t’i përdorë për të siguruar përparim në rrethana të bllokadave politike.Presidentja ka kërkuar që rezultatet e reformave dhe përmbushja e kritereve evropiane të vlerësohen në mënyrë të drejtë, pavarësisht mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet anëtare.
“Theksova nevojën e shqyrtimit të instrumenteve institucionale dhe juridike në dispozicion të Bashkimit Evropian, me qëllim identifikimin e hapave konkretë që do të mundësojnë lëvizjen e procesit në bazë të rezultateve të reformave dhe kritereve të përmbushura, pavarësisht bllokadave dypalëshe nga vendet anëtare”, ka shkruar Siljanovska-Davkova në Facebook pas takimit.
Sipas saj, është e domosdoshme që gatishmëria teknike dhe reformat e realizuara të marrin vlerësimin e duhur, ndërsa perspektiva evropiane të mos mbetet vetëm premtim politik.“Është e rëndësishme që gatishmëria teknike dhe reformat e zbatuara të vlerësohen në mënyrë përkatëse, ndërsa perspektiva evropiane të shndërrohet në një proces të parashikueshëm, me hapa të qartë dhe rezultate të matshme”, ka theksuar presidentja.
Duke folur në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar nga Euronews më 3 nëntor, Siljanovska-Davkova rikujtoi se Maqedonia dhe Sllovenia kishin marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Badinterit në vitin 1992 për përmbushjen e kushteve të njohjes ndërkombëtare, veçanërisht lidhur me rregullimin kushtetues dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.Sipas presidentes, fakti që Sllovenia prej kohësh është anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të presë përparim në procesin e saj integrues, dëshmon për ndikimin që ka pasur mungesa e vullnetit politik të disa vendeve fqinje.Ajo rikujtoi edhe Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, me të cilën vendi ndryshoi emrin kushtetues në Maqedonia e Veriut.
Presidentja theksoi se në atë kohë qytetarëve u ishte paraqitur ndryshimi i emrit si pengesa e fundit në rrugën drejt integrimit evropian, por se më pas vendi u përball me kushte të tjera.
Në intervistën për televizionin Sitel, Siljanovska-Davkova deklaroi se, pas ndryshimeve të shumta kushtetuese dhe kërkesave të vazhdueshme që Maqedonia e Veriut të dëshmojë vullnet politik, tani është radha e Bashkimit Evropian të tregojë vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje.
Presidentja e përshkroi si paradoksale situatën në të cilën ndodhet vendi, duke theksuar se Sofja dhe Brukseli japin mesazhe të ndryshme për mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjes.“Ne ndodhemi në një situatë paradoksale. Ndërsa nga Bullgaria na paralajmërojnë se çështja ose problemi është evropian, nga BE-ja na thonë se duhet të negociojmë. Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të negociojmë”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Ajo tha se zgjidhjet mund të gjenden kur bëhet fjalë për çështje racionale, ku palët mund të vlerësojnë se çfarë fitojnë dhe çfarë humbin.
Megjithatë, sipas saj, është problematike që pas një numri ndryshimesh kushtetuese, vendit t’i kërkohet sërish një ndryshim i tillë si zgjidhje vendimtare për përparimin evropian.“Mund të gjendet zgjidhje për çështje racionale dhe atëherë të matet se çfarë humbni dhe çfarë fitoni. Por, pas kaq shumë ndryshimeve kushtetuese, të thuhet përsëri se ky është vendimi kyç dhe të kërkohet vullneti ynë politik, mendoj se është problematike”, theksoi ajo. Presidentja kërkoi që të përcaktohen qartë kushtet sipas të cilave do të vazhdojë procesi integrues. “Duam të dimë se në çfarë kushtesh do të vazhdojnë gjërat më tej”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Si një nga mundësitë për tejkalimin e pasigurisë në procesin integrues, presidentja përmendi përgatitjen e dispozitave sqaruese në nivel evropian.Sipas saj, Këshilli Evropian dhe institucionet përkatëse evropiane, në konsultim me Komisionin Evropian, mund të shqyrtojnë formulime juridike që do të sqaronin çështjet e hapura dhe pritshmëritë ndaj Maqedonisë së Veriut. “Është e mundur që Këshilli Evropian dhe Këshilli i Evropës, në konsultim me Komisionin Evropian, të krijojnë dispozita sqaruese, me të cilat do t’u jepet përgjigje çështjeve që janë më të rëndësishme për BE-në”, tha presidentja.
Ajo theksoi se zgjidhja duhet të kërkohet në bashkëpunim me shërbimet juridike të Bashkimit Evropian. “Ka mënyrë. Me shërbimet juridike të Bashkimit Evropian duhet të përcaktohet se çfarë do të thotë ‘çfarë’, që ne ta dimë historinë tonë, ku po hyjmë dhe me çfarë pritshmërish”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Një qasje e tillë, sipas qëndrimit të saj, do të ndihmonte që procesi të bëhej më i qartë dhe i parashikueshëm, pa mbetur vazhdimisht i ekspozuar ndaj interpretimeve dhe kërkesave të reja politike.
Ndryshe, çështja e bllokadave dypalëshe në procesin e integrimit evropian nuk është problem vetëm i Maqedonisë së Veriut. Edhe Mali i Zi po përballet me kërkesa të Kroacisë, e cila u ka dorëzuar vendeve anëtare dhe institucioneve evropiane një dokument me tetë kërkesa që pret të përmbushen nga Podgorica përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit.
Qeveria malazeze deri tani ka zgjidhur dy nga çështjet e ngritura. Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, gjatë përgjigjeve në Parlament, deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë ultimatume dhe zgjidhje të imponuara paraprakisht.“Në negociatat me Kroacinë, Mali i Zi nuk do të pranojë ultimatume dhe zgjidhje të imponuara paraprakisht”, deklaroi Ibrahimoviq.
Ai theksoi se mbrojtja e interesave kombëtare përbën vijën e kuqe të diplomacisë malazeze. “Nëse u themi ‘jo’ kërkesave që nuk janë racionale dhe nuk bazohen në ligj, kjo nuk do të thotë se i kemi thënë ‘jo’ Bashkimit Evropian, por se i kemi thënë ‘po’ respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, deklaroi ai.
Sipas Ibrahimoviqit, të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, e jo përmes kushtëzimeve.Ai shtoi se perspektiva evropiane e Malit të Zi nuk duhet të bëhet peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe, duke theksuar njëkohësisht se Kroacia mbetet vend mik dhe partner, mbështetja e së cilës për integrimin evropian vlerësohet lart. “Në Evropë nuk hyhet me shtëpi të përçarë”, ishte mesazhi i shefit të diplomacisë malazeze.
Duke krahasuar mosmarrëveshjen e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe atë të Malit të Zi me Kroacinë, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se ekziston dallim në qasjen ndaj zgjidhjes së çështjeve dypalëshe.Ajo përshëndeti deklaratën e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, sipas së cilës ekziston hapësirë që çështjet e hapura me Malin e Zi të zgjidhen deri në vitin 2028. “Për bisedime dhe negociata duhen dy palë. Vetë fakti që zoti Plenkoviq thotë se deri në vitin 2028 do të zgjidhet problemi, hap hapësirë dhe problemi do të zgjidhet”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, një qasje e tillë tregon gatishmëri për dialog dhe kompromis. “Të gjithë e dimë se kjo është qasja e duhur: kemi vërejtje, por do t’i zgjidhim së bashku. Unë nuk kam dëgjuar, në raport me ne, një nxitje apo inkurajim të tillë”, tha Siljanovska-Davkova. Presidentja theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për bisedime, por se dialogu kërkon gatishmëri nga të dyja palët.
Siljanovska-Davkova paralajmëroi se do të iniciojë takim me presidenten e sapozgjedhur të Bullgarisë, me qëllim vazhdimin e komunikimit ndërmjet dy vendeve.Megjithatë, ajo theksoi se problemi qëndron te qëndrimet e ndryshme lidhur me atë se kush duhet të negociojë dhe në çfarë formati. “Problem është kur, nga njëra anë, BE-ja na udhëzon drejt dialogut, ndërsa bashkëbiseduesi thotë se nuk keni punë me të, por me të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, ky qëndrim e vështirëson gjetjen e një zgjidhjeje përmes bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
Presidentja ngriti edhe çështjen e Planit të Veprimit për Pakicat, i cili, sipas saj, është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Evropës dhe fillimisht i është dërguar Bullgarisë për shqyrtim.Ajo pretendoi se vendet e tjera nuk kanë shprehur kundërshtime ndaj dokumentit, ndërsa Bullgaria vazhdon të jetë e pakënaqur. “Të gjitha shtetet janë të kënaqura me Planin e Veprimit për Pakicat, përsëri vetëm Bullgaria nuk është. Nuk e di nëse kjo është në frymën e asaj që kërkon BE-ja”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, problemi thelbësor nuk qëndron te marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian në përgjithësi, por te mosmarrëveshja me Bullgarinë, kushtet e së cilës janë bërë pjesë e kornizës negociuese. “Ne në thelb nuk kemi problem me BE-në, megjithëse në kornizën negociuese është përfshirë një kusht që nuk do të duhej të gjendej kurrë aty. Por, ja që është përfshirë. Ne kemi problem me fqinjin tonë”, deklaroi presidentja. /Koha/




