Komisioni Evropian evidenton mangësi në funksionimin e institucioneve dhe pak përparim në dialogun me Serbinë. Kurti pranon vërejtjet e raportit, por ka dhe shpjegimet e tij.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, në pjesën që i kushtohet Kosovës, evidenton se vendi ka ngecur në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Në veçanti përmendet sistemi gjyqësor, i cili nuk ka shënuar përparim, ndërsa lufta kundër korrupsionit vlerësohet se ka dhënë rezultate të kufizuara. Po ashtu, krizat politike të njëpasnjëshme kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.
Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe të dënimeve në rastet e korrupsionittë nivelit të lartë. Megjithatë, dokumenti vë në pah përparimin në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, gjë që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, Kuvendi i Kosovës i ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e qeverisë ka qenë shumë e kufizuar. Sa i përket dialogut me Serbinë, raporti konstaton pak përparim dhe shumë detyrime të pazbatuara.
Raportet me Serbinë
“Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në raport.
Sipas raportit, “dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut vazhdon të jetë i kufizuar”.
Komisioni Evropian paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi pranoi Raportin e Progresit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Dirk Schuebel, tha se Komisioni Evropian e vlerëson secilën fushë sipas dy kritereve.
Kurti për Raportin
“E para është niveli i përgatitjes, pra sa afër standardeve të Bashkimit Evropian janë ligjet dhe institucionet tona. E dyta është progresi gjatë periudhës njëvjeçare, pra sa kemi ecur përpara gjatë 12 muajve të fundit. Në raportin e këtij viti niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund”, tha Kurti.
Sipas tij, “në luftën kundër krimit të organizuar niveli ynë i përgatitjes është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe në lirinë e shprehjes”.
Megjithatë, kryeministri tha se vërejtjet e Raportit të Progresit i merr seriozisht dhe premtoi se paketa e ligjeve për sistemin e drejtësisë do të miratohet.
“Do të miratojmë edhe Ligjin e Punës, Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe Sigurinë Kibernetike, Ligjin e ri për Prokurimin Publik, Ligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare dhe Ligjin për Shëndetin e Kafshëve”, tha Kurti.
Kosova kërkon statusin e kandidates
Megjithatë, ai shtoi se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk pasqyron progresin që vendi ka arritur.
“Gati katër vjet pas aplikimit, po e ritheksoj se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Kosova ka dëshmuar se demokracia, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe sundimi i ligjit, janë pjesë e jetës sonë të përditshme, edhe në vitin më sfidues nga aspekti institucional. Kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë, me vlerat në qendër”, tha Kurti.
Sipas tij, “ne nuk kërkojmë favorizime apo privilegje; kërkojmë vetëm vlerësim për atë që meritojmë dhe që na takon. Prandaj, e ritheksoj kërkesën për dorëzimin sa më parë të pyetësorit për statusin e vendit kandidat dhe për marrjen e vendimit për hapjen e negociatave, i cili nuk duhet të vonojë”. DW




