Mihajllova pretendon se procedura ndaj saj ndryshoi pasi u deklarua si bullgare

    Iva Mihailova nga Koçani, e cila kërkohet me fletarrest ndërkombëtar pas arratisjes në Bullgari ndërkohë që po gjykohej për aksident trafiku me pasojë vdekjen, ka shpërthyer me akuza ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut. Ajo, në një podcast, nuk i “kurseu” as gjyqësorin dhe prokurorinë, duke pretenduar se procedura kishte ndryshuar për keq pasi ajo ishte deklaruar si bullgare. Ajo pretendoi gjithashtu se prokurori që drejtonte procesin kundër saj ishte “bullgarofob” dhe se kishte kërkuar para në këmbim të një dënimi më të lehtë.

    “ Në fillim, në muajin e dytë, nëse nuk gaboj, ishte nëntor ose dhjetor, prokurori u lidh personalisht me ne dhe më ofroi, kundrejt një shume parash, që çështja të mos arrinte deri në këtë pikë ku ka mbërritur sot. Nuk më ofroi të më shpallte të pafajshme. Më ofroi të më shpallte fajtore, por të më jepte një dënim me kusht, në mënyrë që të mos përfundoja në burg.” – Deklaroi Iva Mihajllova.

    Për aksidentin fatal për të cilin akuzohet, ku humbi jetën Besim Durmishi, ajo fajësoi punëtorët që po renovonin vilën e ministrit Timço Mucunski.


    “Fatkeqësisht, kjo u bë një çështje e madhe sepse personat që ndodheshin në makinën tjetër, punëtorët, në fakt mbrohen nga një person me pozitë të lartë në shtetin e Maqedonisë.
    Gazetari: Kush është ky person?
    Iva: Zoti Mucunski.
    Gazetari: Mucunski? Çfarë funksioni ka?
    Iva: Është ministri i Jashtëm i Maqedonisë.”

    Ajo pretendon se Mickoski financon 90 për qind të mediave për të nxitur urrejtje ndaj bullgarëve,

    “Është mjaft e vështirë, sepse zoti Mickoski personalisht financon më shumë se 90% të mediave në Maqedoni për të përhapur propagandë dhe urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve. Në të gjitha mediat, çdo ditë shkruhen vetëm gjëra negative për bullgarët,” – tha Iva Mihajllova.

    Mihajllova pretendoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në Koçan ndiqej nga persona civilë, të cilët e filmonin në rrugë, në kafene dhe gjatë aktiviteteve të përditshme, ndërsa pretentoi gjithashtu se persona nga shërbimet e sigurisë e mbikëqyrnin gjatë takimeve me gazetarë dhe deputetë bullgarë. Iva u shpreh se nuk do të kthehet më kurr në Maqedoni. Kujtojmë se Iva Mihajllova kërkohet me flet arrest ndërkombëtar për shkaktim të një aksidenti në Shtip, ndërsa ende mbeten të paqarta rrethanat se nga cila pikë kufitare e ka lëshuar Maqedoninë e Veriut.

    Rasti u shënderrua në një kontest tjetër politik mes dy shteteve, ndërkohë që Bullgaria e ka paraqitur si rast diskriminues ndaj saj për shkak të shtetësisë bullgare, përskaj asaj maqedonase. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Sa gra të tjera duhet të vriten?” – Në Shkup u protestua kundër femicidit dhe heshtjes institucionale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë