Sa larg është RMV nga një jetë më e mirë?

    Fotografia: Prizma

    Javën e kaluar publikuam raportin vjetor mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në cilësinë e jetës gjatë vitit 2025, në kuadër të projektit converge2.eu. Në raport krahasojmë 48 tregues të cilësisë së jetës, të ndarë në tetë fusha, me treguesit përkatës të Bashkimit Evropian, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Mbi këtë bazë, llogarisim indeksin e përgjithshëm të cilësisë së jetës, si dhe numrin e viteve që do të nevojiteshin për të arritur nivelin evropian.

    Gjetja kryesore është se cilësia e përgjithshme e jetës në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2025, ishte në nivelin 64% të asaj në BE. Me këtë rezultat, vendi renditet i treti në rajon, pas Malit të Zi dhe Serbisë, por përpara Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

    Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë është fakti se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend i rajonit që ka shënuar përkeqësim gjatë vitit 2025, me një rënie prej 0,1 pikë përqindjeje. Ndërkohë, Shqipëria ka mbetur në stanjacion, kurse të gjitha vendet e tjera kanë shënuar përparim. Rritjen më të madhe e ka regjistruar Mali i Zi, me 1,1 pikë përqindjeje.

    Duke marrë parasysh nivelin aktual të cilësisë së jetës dhe ritmin e përparimit gjatë pesë viteve të fundit, Maqedonisë së Veriut do t’i duheshin 52 vjet për të arritur nivelin e BE-së. Vetëm Bosnjë-Hercegovina ka një perspektivë më të pafavorshme, me 59 vjet. Ndërkaq, Malit të Zi dhe Shqipërisë do t’u duheshin përkatësisht 32 dhe 35 vjet.

    Si qëndron Maqedonia e Veriut në tetë fushat e cilësisë së jetës?

    Dy fushat në të cilat Maqedonia e Veriut shënon rezultatet më të mira janë shëndetësia dhe digjitalizimi. Në shëndetësi, vendi arrin 80% të mesatares së BE-së, ndërsa në digjitalizim 77%. Rezultati relativisht i mirë në digjitalizim lidhet me sektorin e zhvilluar të teknologjisë së informacionit në vend.

    Sa i përket shëndetësisë, rezultati pozitiv vjen kryesisht nga shkalla e ulët e vdekshmërisë foshnjore, tregues në të cilin Maqedonia e Veriut qëndron më mirë se mesatarja e BE-së. Megjithatë, në segmentet e tjera të sistemit shëndetësor, gjendja nuk është po aq e favorshme.

    Dy fushat më problematike janë infrastruktura, e cila arrin vetëm 43% të nivelit të BE-së, dhe mjedisi, me 54%. Në infrastrukturë, praktikisht nuk ka asnjë tregues ku Maqedonia e Veriut shënon rezultate të mira.

    Në fushën e mjedisit, problemi më i madh mbetet ndotja e lartë e ajrit.

    Ekonomia dhe sektori social qëndrojnë në rreth 60% të nivelit të BE-së. Në ekonomi, pothuajse të gjithë treguesit janë relativisht të dobët, me një përjashtim të pjesshëm te pagat, të cilat kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit. Gjendja është e ngjashme edhe në sektorin social, ku veçanërisht shqetësues mbetet niveli i ulët i investimeve në mbrojtjen sociale.

    Arsimi dhe qeverisja paraqesin rezultate disi më të mira, duke arritur rreth 70% të nivelit të BE-së. Rezultati relativisht pozitiv në arsim është kryesisht trashëgimi e së kaluarës, pasi vitet e fundit nuk është shënuar ndonjë përmirësim i dukshëm.

    Në qeverisje, rezultati relativisht i mirë lidhet me stabilitetin e lartë politik. Sipas këtij vlerësimi, VMRO-DPMNE pritet ta ruajë pozitën dominuese në pushtet edhe për një periudhë të caktuar. Nga ana tjetër, korrupsioni dhe sundimi i ligjit mbeten pikat më të dobëta.

    Pse Maqedonia e Veriut është i vetmi vend i rajonit që ka shënuar përkeqësim në vitin 2025?

    Tri fusha kanë regjistruar përkeqësim të ndjeshëm gjatë vitit 2025: shëndetësia, digjitalizimi dhe arsimi. Pikërisht këto zhvillime kanë ndikuar në regresin e përgjithshëm të vendit.

    Shëndetësia ka shënuar rënien më të madhe, kryesisht për shkak të rritjes së vdekshmërisë foshnjore, e cila megjithatë mbetet më e ulët se mesatarja e BE-së. Përkeqësim është regjistruar edhe në treguesit që lidhen me numrin e shtretërve spitalorë dhe të mjekëve.

    Edhe digjitalizimi ka shënuar një rënie të konsiderueshme, kryesisht për shkak të përdorimit më të ulët të shërbimeve publike digjitale.

    Gjithashtu, është regjistruar përkeqësim në vlerën e shtuar të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), çka mund të jetë një sinjal se inteligjenca artificiale tashmë po ndikon negativisht në këtë sektor në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht kësaj rënieje, digjitalizimi vazhdon të mbetet një nga fushat me rezultatet më të mira në vend.

    Në arsim, përkeqësimi më i madh lidhet me rritjen e përqindjes së të rinjve që nuk janë as të punësuar dhe as të përfshirë në arsim apo trajnim. Kjo nxjerr në pah një nga problemet kryesore të sistemit arsimor: mungesën e njohurive dhe aftësive që do t’u mundësonin të rinjve të hynin në tregun e punës.

    Përkeqësim është shënuar edhe në rezultatet e testeve që matin njohuritë e nxënësve.

    Nga ana tjetër, dy fusha kanë regjistruar përmirësim gjatë vitit 2025: ekonomia dhe qeverisja.

    Përmirësimi në ekonomi lidhet kryesisht me rritjen e pensioneve dhe pagave, ndërsa treguesit e tjerë kanë mbetur kryesisht në stanjacion, veçanërisht produktiviteti.

    Në qeverisje, përmirësim është shënuar pothuajse në të gjithë treguesit, me përjashtim të efektivitetit të qeverisë.

    Fushat e tjera përgjithësisht kanë mbetur në stanjacion, megjithëse disa tregues të veçantë kanë shënuar përmirësime ose përkeqësime.

    Në sektorin social është regjistruar përmirësim në treguesit e punësimit dhe papunësisë, por përkeqësim në hendekun gjinor, shpenzimet sociale dhe pabarazinë.

    Në fushën e mjedisit është përmirësuar efikasiteti energjetik, ndërsa ndotja dhe riciklimi kanë shënuar përkeqësim, duke mbetur ndër problemet më serioze.

    Infrastruktura vazhdon të jetë pika më e dobët. Vetëm qasja në ujë paraqet rezultate të mira, ndërsa treguesi i kanalizimeve arrin vetëm 13% të nivelit të BE-së.

    Çfarë duhet bërë?

    Në fushën e mjedisit, përparësi mbetet ulja e ndotjes | Foto: Robert Atanasovski


    Qëllimi i raportit dhe i këtij teksti nuk është thjesht të konstatohet se gjërat nuk po funksionojnë. Qytetarët e dinë shumë mirë këtë edhe pa analizat tona. Qëllimi është të identifikohen masat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen.

    Në ekonomi, rekomandimi kryesor është që rritja e pagave, e cila ka nxitur përparimin në këtë fushë gjatë viteve të fundit, të vazhdojë, por të shoqërohet me masa për rritjen e produktivitetit, kryesisht përmes politikave industriale.

    Kjo nënkupton që shteti të identifikojë sektorët që mund të shërbejnë si motorë të zhvillimit ekonomik në vitet e ardhshme dhe t’i mbështesë ata përmes masave konkrete.

    Në një nga raportet tona të mëparshme kemi veçuar industrinë ushqimore, industrinë e modës, industrinë automobilistike, sektorin e teknologjisë së informacionit, turizmin dhe energjetikën si fusha që meritojnë mbështetje të veçantë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

    Në sektorin social, përparësi duhet të jetë rritja e investimeve në mbrojtjen sociale, të cilat në Maqedoninë e Veriut përbëjnë vetëm rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me 6% në BE.

    Rritja e këtyre investimeve do të ndihmonte në uljen e varfërisë dhe, nëse shoqërohet me tatim progresiv, do të kontribuonte edhe në zvogëlimin e pabarazisë.

    Një tjetër problem serioz është hendeku gjinor, përkatësisht fakti që shkalla e punësimit të grave është më e ulët se ajo e burrave.

    Për ta përmirësuar këtë gjendje, është e nevojshme të rritet numri dhe qasja në çerdhe, si dhe në qendrat e kujdesit për të moshuarit, në mënyrë që më shumë gra të kenë mundësi të përfshihen në tregun e punës. Gjithashtu, nevojiten masa të veçanta dhe të orientuara drejtpërdrejt drejt mbështetjes së punësimit të grave.

    Në shëndetësi, duhet të trajtohen dy problemet kryesore: investimet e pamjaftueshme publike dhe shpenzimet e larta që qytetarët i mbulojnë nga xhepi i tyre.

    Shpenzimet publike për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 4,3% të PBB-së, krahasuar me 6,3% në BE.

    Si pasojë, deri në 40% e shpenzimeve shëndetësore në vend mbulohen drejtpërdrejt nga qytetarët, një përqindje më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së.

    Kjo lidhet kryesisht me spitalet private, të cilat, sipas vlerësimit të autorit, i japin përparësi rritjes së fitimeve në vend të shërbimit ndaj pacientëve.

    Prandaj, krahas rritjes së investimeve në shëndetësinë publike, nevojiten rregullim dhe mbikëqyrje më të rrepta të spitaleve private.

    Në arsim, duhet të adresohet problemi themelor: sistemi arsimor nuk po u ofron të rinjve njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’u punësuar.

    Është e domosdoshme të modernizohen programet mësimore, të përmirësohet cilësia e universiteteve dhe të planifikohen më mirë kuotat e regjistrimit.

    Kjo kërkon edhe bashkërendim me politikat industriale të përmendura më sipër.

    Megjithatë, ky proces nuk duhet të udhëhiqet nga filozofia neoliberale, sipas së cilës arsimi duhet t’i shërbejë ekskluzivisht tregut të punës, por nga nevojat më të gjera të shoqërisë.

    Në qeverisje, vëmendja duhet të përqendrohet në dy fushat më problematike: korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

    Kjo nënkupton ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas, sigurimin e një përfundimi të mirëfilltë gjyqësor për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe transparencë të plotë në prokurimet publike.

    Në mjedis, përparësi duhet të jetë ulja e ndotjes përmes zvogëlimit të përdorimit të qymyrit, rritjes së investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, si dhe përmirësimit të transportit publik.

    Njëkohësisht, duhet të rritet niveli i riciklimit.

    Në digjitalizim, thelbësor mbetet përmirësimi i shërbimeve digjitale të administratës publike për qytetarët.

    Të gjitha procedurat administrative duhet të mund të kryhen në internet, ndërsa shërbimet ekzistuese digjitale duhet të thjeshtohen dhe të bëhen më të lehta për t’u përdorur.

    Në infrastrukturë, nevojat janë të shumta dhe ndërhyrjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

    Vetëm 12% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka qasje në sisteme të sigurta të kanalizimit, krahasuar me 90% në BE.

    Investimet në energjetikë arrijnë vetëm 30% të nivelit të BE-së. Po ashtu, nevojiten investime të konsiderueshme në hekurudha dhe rrugë.

    Për më tepër, nuk mjafton që investimet kapitale vetëm të planifikohen. Ato duhet edhe të realizohen.

    Në vend të një përfundimi

    Është jorealiste të priten përparime në procesin e integrimit në BE | Foto: Robert Atanasovski

    Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian aktualisht është në vendnumëro.

    Kjo ndodh pjesërisht për shkak të BE-së dhe Bullgarisë, por, sipas vlerësimit të autorit, edhe për shkak të qeverisë së vendit, e cila nuk dëshiron ta cenojë pozitën e saj të rehatshme politike në kushtet e një procesi të bllokuar integrues. Një situatë e tillë i mundëson asaj t’ia atribuojë BE-së përgjegjësinë për pothuajse çdo problem.

    Në këto rrethana, është jorealiste të pritet ndonjë ndryshim i madh në të ardhmen e afërt.

    Megjithatë, qeveria mund ta shfrytëzojë këtë pozitë për të nisur reformat e domosdoshme, në mënyrë që qytetarët e vendit më në fund të fillojnë të jetojnë më mirë.

    Këto reforma mund të mos sjellin domosdoshmërisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por mund të bëjnë që jeta e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut t’i afrohet standardit të jetesës së qytetarëve të BE-së.

    Autori është ekspert ekonomik dhe studiues në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

    Lajmi Paraprak

    MATKA – MREKULLI PËR TURISTËT, TURP PËR INSTITUCIONET!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë