Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, duke iu referuar raportit të fundit të Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut, deklaroi se vlerësimi sipas të cilit Kuvendi është në gjendje t’i përmbushë përgjegjësitë e tij në mënyrë efektive vetëm pjesërisht, varet nga këndvështrimi dhe metodologjia e përdorur. Sipas tij, nëse merret parasysh numri i ligjeve të miratuara dhe efikasiteti i procesit legjislativ, kjo përbërje parlamentare është ndër më të shpejtat dhe më funksionalet, përcjell Nistori.
Lidhur me vërejtjen e raportit se Kuvendi ende nuk ka miratuar një kalendar vjetor të punës, Gashi theksoi se në praktikë tashmë ekziston një nivel i lartë parashikueshmërie, falë koordinimit të rregullt dhe mbajtjes së seancave disa herë në javë.
Gashi: “Sigurisht, nëse do të ishte e lehtë, kjo do të ishte bërë gjatë 35 viteve të fundit. Parashikueshmëria duhet të vendoset, megjithëse ne tashmë kemi arritur një nivel maksimal të saj. Të gjithë deputetët e dinë përafërsisht dinamikën e punës: të hënën kemi koordinim, të martën mbahen seancat, të mërkurën vazhdojnë seancat, ndërsa mbetet edhe e enjtja. Pra, kemi të paktën tri, katër ose pesë seanca në javë, që do të thotë se ekziston një parashikueshmëri e caktuar. Tani duhet vetëm ta sistemojmë këtë dhe ta shndërrojmë në praktikë të institucionalizuar.”
360 Gradë: “A nuk keni kapacitete të mjaftueshme në shërbimet parlamentare? Sepse dikush duhet të ulet dhe ta hartojë kalendarin vjetor.”
Gashi: “Absolutisht që kemi kapacitete. Gjithçka varet nga vëllimi i ligjeve që arrijnë në Kuvend dhe planifikimi duhet të bëhet duke marrë parasysh këtë dinamikë. Kemi punuar intensivisht për këtë çështje gjatë dy viteve e gjysmë të fundit. Shpresoj që gjatë vitit 2027 ta zgjidhim dhe kjo vërejtje të mos figurojë më në raportin e ardhshëm.”
Duke komentuar kritikat e Komisionit Evropian për përdorimin e shpeshtë të procedurës së shkurtuar për miratimin e ligjeve, veçanërisht kur nismat ligjore paraqiten nga deputetët, Gashi deklaroi se këtë problematikë e ka ngritur vazhdimisht gjatë proceseve institucionale.
Megjithatë, i pyetur nëse disa nga këto nisma parlamentare janë në të vërtetë propozime të Qeverisë, të cilat paraqiten përmes deputetëve për t’u miratuar më shpejt dhe më lehtë, kryetari i Kuvendit nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
Gashi: “Është e mundur. Dikush mund ta thotë këtë, por ne nuk mund ta vërtetojmë. Unë, si kryetar i Kuvendit, së bashku me kabinetin dhe shërbimet parlamentare, shqyrtojmë dokumentacionin zyrtar për të parë se kush është propozuesi. Nëse propozues është Qeveria, veprojmë në përputhje me këtë. Nëse janë deputetët, nuk mund të paragjykojmë. Mund të supozojmë, por nuk mund të pretendojmë diçka pa prova. Prandaj, nismat i trajtojmë ashtu siç paraqiten zyrtarisht.”
360 Gradë: “A është e saktë vërejtja se ky instrument përdoret shpesh?”
Gashi: “Po, është e vërtetë dhe këtë e kam theksuar vazhdimisht. Jo vetëm gjatë takimeve të koordinimit apo në prani të përfaqësuesve të Qeverisë, por edhe nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancave, kur opozita ka ngritur çështje procedurale. E kam konfirmuar se kjo vërejtje është e drejtë dhe se nuk duhet të veprohet në këtë mënyrë. Duhet të përpiqemi që shumicën e ligjeve t’i miratojmë përmes procedurës së rregullt.
Megjithatë, çdo deputet vendos vetë se në çfarë mënyre dhe përmes cilës procedurë do ta propozojë një ligj. Është e drejtë e propozuesit ta përcaktojë procedurën. Ne, si Kuvend, nuk mund ta ndryshojmë atë. Kur një projektligj dorëzohet, procedura është përcaktuar tashmë nga propozuesi dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë si të tillë.”
Pavarësisht vërejtjeve të evidentuara, Gashi vlerëson se raporti i fundit i Komisionit Evropian përmban më shumë vlerësime pozitive për Kuvendin se raportet e mëparshme.





