Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur pjesë të Rripit të Gazës. Sipas ministrit të Shëndetësisë një milion të zhvendosur kanë mbetur pa strehë dhe në gjendje shumë të rëndë.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur pjesë të Rripit të Gazës, duke e vështirësuar edhe më tej jetën e palestinezëve të zhvendosur. Sipas Ministrit të Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez, mbi një milion persona të zhvendosur janë prekur nga përmbytjet dhe kanë mbetur pa strehim të sigurt. Tashmë, edhe kampet e tyre me tenda janë në rrezik.
Pamjet e publikuara nga Rripi i Gazës tregojnë përmasat e katastrofës. Në një video nga Nuseirati, në pjesën qendrore bregdetare të enklavës, uji shihet duke depërtuar deri në nivelin e kyçeve të këmbëve brenda një tende. Një burrë përpiqet të largojë ujin me një kovë, ndërsa balta ka mbuluar gjithçka.
Në Qytetin e Gazës, përgjatë rrugës Al Jalaa, dikur një nga arteriet kryesore të qytetit, Mohammed Badwi qëndron nën një tendë ndërsa shiu vazhdon të bjerë me intensitet. Uji depërton nga të gjitha anët dhe rrobat e lagura të fëmijëve janë shpërndarë në dysheme. Jashtë, banorët përpiqen të hapin kanale të improvizuara për të larguar vërshimin e ujit.
“Siç mund ta shihni, këto janë pasojat e stuhisë”, thotë Badwi. “E gjithë zona është përmbytur. Dyshekët, batanijet dhe të gjitha sendet tona janë shkatërruar. Tenda është shqyer plotësisht. Kemi kaluar shumë vështirësi, veçanërisht me fëmijët e vegjël.”
Më pas ai flet për fëmijët e tij, të cilët janë të lagur dhe të ekspozuar ndaj të ftohtit, duke bërë apel për ndihmë dhe për sigurimin e një tende të përshtatshme.
Ministri: Mbi një milion të zhvendosur janë prekur
Këto janë vetëm shirat e parë të sezonit, ndërsa meteorologët parashikojnë reshje të tjera në muajt e ardhshëm. Për Majed Abu Ramadan, Ministrin e Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez në Ramallah, situata po shndërrohet në një katastrofë humanitare.
“Sipas raporteve, më shumë se 70 mijë tenda janë bërë të pabanueshme, duke i lënë banorët e tyre plotësisht të pambrojtur ndaj shiut dhe stuhive”, tha ai.
“Kjo do të thotë se më shumë se një milion njerëz të zhvendosur, që jetonin në këto tenda, tani kanë mbetur pa asnjë mbrojtje. Ata janë të ekspozuar në qiell të hapur”, shtoi Ramadani.
Ai paralajmëroi se dëmtimi i infrastrukturës, përfshirë furnizimin me ujë, rrugët, strehimin dhe sistemin shëndetësor, ka arritur nivele alarmante.
Frikë për përhapjen e sëmundjeve
Pat Griffiths, zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Jerusalem, paralajmëron se pasojat e motit të keq prekin të gjithë banorët e Gazës, jo vetëm ata që jetojnë në tenda.
Sipas tij, ndërtesat e dëmtuara ku shumë njerëz kanë kërkuar strehim nga shiu dhe përmbytjet janë në rrezik shembjeje. Ai shpreh gjithashtu shqetësim për përhapjen e sëmundjeve.
“Kjo krijon sfida jashtëzakonisht serioze”, thotë Griffiths. “Po shohim përhapjen e sëmundjeve që mund të parandalohen. Njerëzit po humbin jetën nga sëmundje të shkaktuara nga uji i kontaminuar, ndërkohë që këto vdekje mund të ishin shmangur.”
Izraeli: Po zbatohet plani dimëror
Autoriteti izraelitpër Koordinimin e Çështjeve Humanitare (COGAT), që vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, njoftoi se po monitoron situatën dhe se është vënë në zbatim një plan dimëror për Gazën.
Sipas COGAT-it, deri më tani në zonë janë dërguar mbi 91 mijë tenda. Megjithatë, autoritetet izraelite theksojnë se rindërtimi i Gazës nuk mund të fillojë para çarmatimit të plotë të Hamasit.
Pavarësisht këtyre masave, përmirësimi i situatës nuk duket i afërt.
Olfat el-Magdoub, një nënë e vetme që jeton me katër fëmijët e saj në një tendë në Qytetin e Gazës, përshkroi vështirësitë me të cilat përballet.
“Kjo është dita e parë e shiut dhe ne jemi tashmë të përmbytur. Çfarë do të ndodhë nëse bie shi përsëri nesër?”, pyet ajo.
“Dy javë më parë, kur ra shi, fjeta për katër ditë mbi batanije të shtruara në dysheme, sepse uji kishte përmbytur gjithçka. Tani edhe dyshekët janë të lagur dhe na duhet të flemë në tokë.”
Një tjetër dimër i vështirë duket se po i pret banorët e Rripit të Gazës. Me procesin politik izraelit ende të paqartë dhe me Hamasin që vazhdon të mbetet i armatosur, nuk ka sinjale se kriza humanitare do të zbutet së shpejti. DW
Jan-Christoph Kitzler, ARD Tel Aviv,




