Miratohet Ligji për Prokurimin Publik – mbeten pragjet më të larta për prokurimet pa tender

    Me 63 vota “pro” dhe 20 “kundër”, shumica parlamentare miratoi sot pasdite ndryshimet në Ligjin për Prokurimin Publik, pasi dy ditë më parë kishte miratuar amendamentin për heqjen e nenit 13 të projektligjit, për shkak të të cilit presidentja Gordana Siljanovska-Davkova kishte refuzuar më parë të nënshkruante dekretin për shpalljen e ndryshimeve ligjore, përcjell Nistori.

    Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se, në përputhje me nenin 75, paragrafin 3 të Kushtetutës, meqenëse Kuvendi e miratoi ligjin me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, presidentja e shtetit tashmë është e detyruar të nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.

    Para votimit të ligjit, deputetët e partive opozitare akuzuan se ndryshimet ligjore zvogëlojnë transparencën dhe rrisin rrezikun e korrupsionit.

    Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, gjatë një reagimi procedural, vlerësoi se ky ishte një skenar i pritshëm për miratimin e përshpejtuar të ligjit, megjithëse, sipas tij, mbeten probleme shumë më serioze sesa ai që lidhet me nenin për të cilin reagoi presidentja.

    “Për mua, shumë më të rëndësishme ishin nenet e tjera që po ndryshohen: rritja e pragut për prokurimet pa tender dhe heqja e detyrimit për marrjen e pëlqimit nga Byroja e Prokurimit Publik gjatë prokurimeve me procedurë të shkurtuar, që është veçanërisht e rëndësishme nga aspekti i transparencës. Po hiqet edhe qasja falas në informacione. Nëse nuk paguan, nuk mund t’i marrësh të dhënat për prokurimet publike, as gazetarët, as organizatat joqeveritare dhe as askush tjetër”, theksoi Spasovski.

    Ai kujtoi se pikërisht për shkak të këtyre dispozitave, LSDM-ja dhe koalicioni i saj kishin paraqitur 2.100 amendamente, me synimin për të penguar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Prokurimin Publik.

    “Pavarësisht faktit se presidentja e ka kthyer ligjin, ju, si shumicë parlamentare, duhet ta shqyrtoni seriozisht këtë çështje, pasi nuk është e drejtë që, nga njëra anë, të promovoni transparencën, ndërsa nga ana tjetër, të miratoni dispozita që e shfuqizojnë atë”, tha Spasovski.

    Deputeti Mile Cekov i bëri thirrje shumicës parlamentare që ta trajtojë me seriozitet këtë ligj, duke theksuar se vetëm gjatë vitit të kaluar, nëpërmjet prokurimeve publike, janë shpenzuar 1,6 miliardë euro nga paratë publike.

    Ai iu referua raportit të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin konstatohet se nuk është shënuar përparim në këtë fushë, si dhe vërejtjeve serioze të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) lidhur me rreziqet e korrupsionit.

    Cekov vuri në dukje disa dispozita konkrete të diskutueshme të ligjit. Sipas tij, neni 15 parashikon rritjen e tarifës për procedurën e ankimimit nga 200 në 600 euro, duke ua vështirësuar bizneseve të vogla qasjen në drejtësi.

    Neni 3, sipas Cekovit, parashikon vendosjen e një tarife për qasjen dhe përdorimin e të dhënave publike në një format të përshtatshëm për përpunim, qasje e cila deri më tani ka qenë falas për gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

    Ndërkaq, neni 2, shtoi ai, dyfishon pragun për prokurimet pa tender, nga 5.000 në 10.000 euro, që nënkupton se një zyrtar do të mund të shpenzojë deri në 50.000 euro në vit pa zhvilluar procedurë të prokurimit publik.

    “Pyes veten nëse këto ndryshime bëhen për të pasur më shumë konkurrencë dhe transparencë apo për të pasur më pak kontroll mbi shpenzimin e parave publike”, u shpreh Cekov.

    Kritika të ngjashme shprehu edhe deputetja Ilire Dauti, e cila paralajmëroi se rritja e pragut për prokurimet me vlerë të vogël dobëson mekanizmat e kontrollit mbi shpenzimin e parave të qytetarëve.

    “Problemi tjetër është se kushdo që dëshiron të sigurojë më shumë të dhëna lidhur me prokurimet publike do të duhet të paguajë një shumë të caktuar, gjë që, natyrisht, e vështirëson punën dhe kontrollin. Këto çështje trajtohen edhe në raportin e Komisionit Evropian, ndërsa ajo që propozohet është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kërkesat e KE-së”, vlerësoi Dauti, duke shtuar se është e papranueshme që një ligj i tillë të miratohet me nxitim.

    Në seancën e mëparshme parlamentare, gjatë së cilës u miratua amendamenti për heqjen e nenit 13 nga projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik, propozuesi i ligjit, Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE-ja, deklaroi se në këtë mënyrë pranohen plotësisht vërejtjet e presidentes.

    Ai shprehu bindjen se ligji tashmë mund të miratohet pa pengesa, me qëllim të thjeshtimit të sistemit të prokurimit publik dhe funksionimit të tij në mënyrë më praktike, ligjore, transparente dhe efikase për të gjithë administratën shtetërore.

    Stojanovski theksoi se ndryshimet ligjore janë pjesë e Agjendës së Reformave dhe synojnë përmirësimin e sistemit të prokurimit publik nëpërmjet përdorimit të mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale, të cilat, sipas tij, do të zvogëlojnë rreziqet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve.

    Më 2 nëntor, presidentja Siljanovska-Davkova njoftoi Kuvendin se nuk do ta nënshkruante dekretin për shpalljen e ndryshimeve ligjore, të miratuara më 26 tetor, pas një analize dhe konsultimeve me ekspertë.

    Në letrën drejtuar Kuvendit, ajo iu referua nenit 75, paragrafit 3 të Kushtetutës, duke vlerësuar se dispozita e nenit 13 të ndryshimeve ligjore ngre dilema serioze lidhur me sundimin e ligjit.

    Për presidenten ishte i diskutueshëm ndryshimi i mënyrës së rregullimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesat në Prokurimin Publik.

    Zgjidhja ligjore në fuqi parashikonte që ata të emëroheshin për një mandat pesëvjeçar, me të drejtën e një riemërimi, duke kufizuar kështu kohëzgjatjen e ushtrimit të funksionit në dy mandate, përkatësisht në dhjetë vjet.

    Formulimi i ri, “me të drejtë riemërimi”, sipas Siljanovska-Davkovës, nuk përcakton një kufi të qartë për numrin e mandateve.

    Presidentja vlerësoi se një formulim i tillë është juridikisht i pasaktë dhe lë hapësirë për interpretime arbitrare, përfshirë edhe mundësinë e një numri të pakufizuar riemërimesh.

    Lajmi Paraprak

    Scorsese, Coppola … dhe May? Pse Holivudi u përpoq ta shtypte regjisoren e tij të parë të madhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë