Pistoletë në shkollë, arrestohet një 15 vjeçar në Tetovë – Këshilltarja Ameti ngre alarmin për sigurinë e nxënësve

    Një 15-vjeçar nga Tetova është privuar nga liria pasi policia i ka gjetur një pistoletë dhe një karikator gjatë një kontrolli në një shkollë të mesme të qytetit. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e nxënësve në institucionet arsimore, përcjell Nistori.

    Sipas Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) në Tetovë, ndërhyrja policore është realizuar të premten, më 13 nëntor, në prani të prindit të të miturit dhe pedagogut të shkollës.

    “Më 13.11.2026, në orën 14:40, në një shkollë të mesme në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë, në prani të prindit dhe pedagogut të shkollës, kanë privuar nga liria një të mitur 15-vjeçar nga Tetova, sepse gjatë kontrollit tek ai janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë ‘Zoraki 918-G’, e kalibrit 9 mm, dhe një karikator”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Nga policia bëjnë të ditur se i mituri është mbajtur në stacionin policor, ndërsa për ngjarjen është njoftuar edhe prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet parashtresa përkatëse.

    Ameti: Kambanë alarmi për çdo familje në Tetovë

    Pas këtij incidenti ka reaguar këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët në Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës, Belinda Ameti, e cila e ka cilësuar ngjarjen si një kambanë alarmi për çdo familje tetovare.

    “Çdo prind që e përcjell fëmijën e tij në shkollë, e bën këtë me bindjen se po e dërgon në një vend të sigurt. Por a mund ta themi ende këtë për shkollat në Tetovë?”, ka shkruar Amiti.

    Ajo ka rikujtuar edhe një rast të mëhershëm në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, ku, sipas saj, një objekt ishte përdorur nga persona që konsumojnë lëndë narkotike.

    “Fëmijët tanë nuk mund të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë së institucioneve. Asnjë prind nuk duhet të jetojë me frikën se çfarë mund t’i ndodhë fëmijës së tij brenda shkollës”, ka theksuar këshilltarja komunale.

    Amiti ka kërkuar që institucionet të japin llogari për sigurinë në shkolla, duke nënvizuar se mbrojtja e fëmijëve nuk mund të trajtohet si çështje dytësore.

    “Siguria e fëmijëve tanë nuk është privilegj. Për këtë përgjegjësi duhet të jepet llogari, jo të heshtet!”, ka shkruar ajo më tej.

    Incidenti rikthen në vëmendje çështjen e sigurisë në shkollat e Tetovës, masat parandaluese dhe përgjegjësinë institucionale për garantimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit.

    Në njoftimin e policisë nuk bëhet e ditur se për cilën shkollë të mesme bëhet fjalë, si dhe në çfarë rrethanash i mituri e kishte siguruar pistoletën. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Banesat sociale në Gostivar presin banorët, banorët presin shtetin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë