Lura Pollozhani
Vrasja e Arlinda Zekajt është një akt i tmerrshëm që na ka tronditur në shpirt. Por ajo që e bëri dhimbjen edhe më të madhe ishte që Arlinda i ndoqi të gjitha hapat e duhur për ta mbrojtur veten dhe fëmijën e saj. E megjithatë, shteti dështoi ta mbronte.
Mendojeni për një çast Arlindën teksa incizon bisedat me një polic që bezdiset ngaqë i duhet ta bëjë punën që ia kërkon ligji. Në lutjet e Arlindës shoh një model thellësisht tragjik, për të cilin kam frikë se nuk flasim sa duhet. Ajo është “viktimë shembull”. Edhe teksa jeta po i venitej, ajo përpiqej t’i bënta të gjitha siç duhet. Tregoi mirësi, konsideratë ndaj të tjerëve, ishte e sjellshme dhe shprehej qartë. Asnjë viktimë e dhunës në familje s’duhet të pritet që t’i ketë këto cilësi. E megjithatë, edhe pse ruajti mirësjelljen dhe trokiti në të gjitha dyert ku duhej (përveç asaj të ministrit, me sa duket), ata që e kishin për detyrë ta mbronin e lanë krejtësisht në baltë. Rasti i saj nuk është përjashtim.
Gratë e njohin mirë ndjesinë e asaj kur bën çdo gjë si duhet dhe të të duhet ende të mundohesh për të marrë një përgjigje. Rritemi me idenë se duhet ta bëjmë mirë çdo gjë, ta dëshmojmë vlerën tonë dhe të mos gabojmë kurrë, e se vetëm atëherë mund të kërkojmë hapësirën që na takon me të drejtë. Nuk është çudi që aktivistet feministe kanë qenë gjithmonë ato që kanë denoncuar një sistem të padrejtë, në të cilin institucionet dështojnë t’u shërbejnë qytetarëve të tyre.

Protestat dhe aktivistet janë përballur me shumë reagime armiqësore. Disa kritikë i kanë akuzuar aktivistet për anshmëri partiake dhe kanë kërcënuar si lirinë e tyre për të menduar e vepruar në mënyrë të pavarur, ashtu edhe autonominë e tyre trupore. Kritikët mbase harrojnë shpejt dhe mbajnë mend vetëm atë që u leverdis. Por unë mbaj mend, sikurse shumë prej nesh. Aktivizmi feminist ka qenë ndër format më të qëndrueshme të aktivizmit në Kosovë. Aktivistet i kanë kundërshtuar publikisht politikat arbitrare të shtetit dhe kanë ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave.
Në vitin 2011, pasi Adnon Jashari vrau Diana Kastratin dhe i iku drejtësisë duke u arratisur në Spanjë, kolektivi artistik Haveit sfidoi Kuvendin e Kosovës me performancën “Kurorëzimi”, duke mbajtur një vello të bardhë nusërie të njollosur me gjak. Më 8 mars 2018, kolektivi vendosi tri tabela të frymëzuara nga filmi fitues i çmimit Oscar Three Billboards Outside Ebbing, Missouri. Tabelat u vendosën përballë monumentit Newborn, përballë Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe rrugës për te stacioni policor në qendër të Prishtinës. Dy prej tyre mbanin emrat e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit, të cilat i kishin denoncuar shumë herë në polici burrat që ushtronin dhunë ndaj tyre. Në tabelën e tretë shtrohej pyetja “Edhe sa thirrje të humbura?”. Kjo pyetje mbetet po aq aktuale edhe sot.

Asgjë nga këto nuk është e re. Gratë ishin në zemër të lëvizjes Ilegale në vitet ’90, duke mobilizuar komunitetet kundër regjimit dhe duke dokumentuar rastet e përdhunimit gjatë luftës, edhe pse kërkesat e tyre liheshin mënjanë për hir të çështjes kombëtare. Pas luftës, atyre iu tha përsëri se “kemi një shtet për të ndërtuar”, një refren që edhe aktorët ndërkombëtarë e përvetësuan me po aq gatishmëri. Çështjet e grave kaluan në plan të dytë. Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës morën aq pak mbështetje, saqë shumë prej tyre u mbyllën në heshtje. Aty ku institucionet nuk vepruan, ndërhynë organizatat e grave. Që atëherë, aktivistet feministe kanë vazhduar të kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës.
Që atëherë, aktivistet feministe kanë organizuar marshe, intervenime artistike, kanë ndihmuar viktimat e dhunës në familje dhe i kanë mbajtur në debatin publik dhunën me bazë gjinore dhe përjashtimin mbi baza gjinore. Aktivistet feministe i kanë kërkuar vazhdimisht llogari shoqërisë, duke e sfiduar të përballet me një sistem që i mban gratë në një pozitë tejet të pasigurt e të rrezikshme. Dhe këtë e kanë bërë me kreativitet, solidaritet dhe duke vepruar të pavarura.
Shteti ka qenë po aq i konsistent në shpërfilljen e këtyre shqetësimeve. Duket se as vuajtja e një “viktime të përsosur” nuk e prek. Ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme kanë treguar një shpërfillje të ftohtë ndaj detyrimit për të dhënë llogari dhe për të marrë përgjegjësi. Kjo e gërryen besimin në vetë sistemin.
Pavarësisht dorëheqjeve dhe largimit të disa punonjësve, Policia e Kosovës i është përgjigjur zemërimit të përligjur të aktivisteve me të njëjtën arrogancë që dëgjohet në regjistrimet e Arlinda Zekajt. Gjatë protestave, policia ka angazhuar police për të ruajtur ministritë dhe ndërtesat publike, duke e përdorur praninë e grave për ta përmirësuar imazhin e vet, në përpjekje për të forcuar legjitimitetin e institucionit dhe për ta zbutur paraprakisht zemërimin e aktivisteve.
Kjo shfaqje e qëllimshme tregon se policia i sheh protestuesit si kundërshtarë. Ajo duhet t’i shohë si partnerë në zbatimin e reformave për të cilat ka nevojë urgjente. Më e rënda është se shteti, edhe një herë, nuk po e merr seriozisht një nga detyrat më themelore ndaj qytetarëve të vet, mbrojtjen e tyre nga cenimi arbitrar. Kur shteti dështon t’i mbrojë gratë nga dhuna në shtëpi, ajo dhunë pushon së qeni çështje private. Ajo bëhet dhunë publike dhe shteti bëhet pjesë e saj.

Kosova është duke i konsoliduar institucionet e saj. Le ta kemi të qartë. Legjitimiteti i shtetit nuk mund të mbështetet kurrë në themele të forta nëse ai dështon t’i mbrojë qytetarët e vet. Kjo është një çështje themelore për Kosovën. Shteti duhet të dëshmojë se mund të na mbrojë. Ne nuk kemi pse të dëshmohemi si të denja (se e meritojmë) për atë mbrojtje. Kontrata shoqërore që lidhim si qytetarë ka për qëllim, para së gjithash, të na mbrojë nga dhuna arbitrare. Për Kosovën, që fitoi pavarësinë pasi përjetoi dhunën arbitrare dhe brutale të regjimit jugosllav, ky detyrim ka edhe më shumë peshë dhe prek vetë thelbin e legjitimitetit të shtetit. Mbajeni mend se kujt i takon barra e provës dhe se si qytetarë, keni të drejtën për ta kërkuar atë mbrojtje.
Për intervenime artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e kulturës, “I am I” frymëzohet nga artisti kinez Ai Weiwei. Në fotografitë e publikuara në Instagram, “I am I” ua tregon gishtin e mesit institucioneve. Në vitin 2018, gratë e kolektivit Haveit u ulën në dyshemenë e një ode me gishtat e mesit të ngritur. Oda ishte një dhomë ku burrat mblidheshin për të biseduar dhe ku gratë nuk lejoheshin. Me këtë gjest, ato iu përgjigjën kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, i cili i ishte referuar Kanunit. E frymëzuar nga këto akte, edhe unë e ngre gishtin e mesit në këtë ese, si ndaj arrogancës institucionale, ashtu edhe ndaj mllefit që u drejtohet grave që kërkojnë mbrojtje. Ato meritojnë empati, solidaritet dhe që të kërkojmë publikisht drejtësi për to. /Sbunker/





