“Marshi për engjëjt” në Koçan: kërkojmë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë

    Familjarët e viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan marshuan sot për herë të 51-të. Siç u shprehën ata, vazhdojnë të marshojnë me të njëjtën dhimbje, me të njëjtën zbrazëti në zemrat e tyre dhe me të njëjtat kërkesa: të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë, raportoi Radio Koçani, përcjell Nistori.

    Ata theksuan se sot nuk marshojnë vetëm për 63 engjëjt e tyre, por edhe për të gjitha viktimat e pafajshme të tragjedive që e kanë veshur Maqedoninë me të zeza.

    Prindërit kujtuan bilancin tragjik të këtyre ngjarjeve: 16 jetë të humbura në Llaskarcë, 14 në spitalin modular në Tetovë, 45 në tragjedinë e autobusit të “Besa Trans” dhe 63 në diskotekën “Pulse” në Koçan.

    “Tragjedi të ndryshme, familje të ndryshme, e njëjta dhimbje. Dhe një pyetje që jehon në të gjithë Maqedoninë: deri kur? Deri kur do të kërkojmë përgjigje vetëm pasi të jenë humbur jetë njerëzore? Deri kur paralajmërimet do të shpërfillen dhe rreziqet do të injorohen? Deri kur, pas çdo tragjedie, do të dëgjojmë se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë, ndërsa më pas do të ndezim sërish qirinj?”, pyeti Valentina Hristovska, nëna e 20-vjeçarit të ndjerë, Pavel.

    Duke folur në emër të të gjithë prindërve, Hristovska tha se ata nuk kërkojnë privilegje apo trajtim të veçantë, por të vërtetën, drejtësinë në sallën e gjyqit dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë të dëshmuar.

    “Sepse pas çdo neglizhence mund të fshihet jeta e dikujt, ndërsa pas çdo jete të humbur mbetet një familje që nuk do të jetë kurrë më e njëjta”, tha ajo.

    Hristovska e përmbylli fjalimin e saj para stacionit policor me kërkesën për drejtësi për Koçanin dhe për të gjitha viktimat e pafajshme, duke theksuar se familjarët kërkojnë përgjegjësi, jo vetëm premtime.

    “Marshi për engjëjt” nisi sot nga Parku i Revolucionit dhe vazhdoi drejt qendrës tregtare, Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), stacionit policor, Gjykatës dhe Prokurorisë.

    Lajmi Paraprak

    Një gisht i mesëm për arrogancën institucionale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë