JETA NË TË DY ANËT E KUFIRIT

    NUK ËSHTË VETËM PËR TARGA, POR PËR JETËN.

    Të dy prindërit e mi janë nga zona e Medvegjës në Serbi. Njëri prej tyre vjen nga një prej fshatrave më të larta të komunës, një zonë shumë e bukur që është e banuar pjesërisht me shqiptarë. 

    Prindërit e mi jetuan për dekada në Prishtinë, por disa vite më parë vendosën ta ndjekin ëndrrën e tyre dhe të gjejnë një vend të bukur në fshat, midis fushave dhe pyjeve, për t’u zhvendosur pasi të jenë plakur dhe të jenë pensionuar.

    Duke e njohur cilësinë e transportit publik që do ta kishin në dispozicion, kishin nevojë për një makinë kur u zhvendosën në fshat. E blenë një në Prishtinë, e cila normalisht erdhi me targa kosovare. Atyre, thjesht nuk iu lejua asnjëherë ta regjistrojnë atë në Serbi, apo të kenë një makinë tjetër. 

    Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes i lejoi që ta ngisnin makinën e tyre në Serbi, por asgjë më tepër. Edhe sot, patentat e tyre kosovare të shoferit nuk mund të noterizohen ose shkëmbehen në Serbi; është thjesht e ndaluar. Dhe sigurisht, pa një patentë shoferi “të vlefshme”, nuk mund ta blinin (apo importonin) një makinë.

    NËSE PËRPIQENI TË HYNI NË SERBI ME MAKINË KOSOVARE, DO T’JU LEJOJNË TË HYNI VETËM NËSE DOKUMENTET TUAJA LËSHOHEN PO ASHTU NË KOSOVË.

    Pra, sa herë që shkojnë me makinë në Serbi, prindërit e mi detyrohen prej vitesh t’i heqin targat e tyre dhe t’i vendosin ato të përkohshmet. Pasi Kosova vendosi ta kërkojë të njëjtën gjë për makinat e regjistruara në Serbi, lehtësisht mund ta kuptoj se sa vështirësi iu krijuan pronarëve të tyre, serbëve dhe shqiptarëve të zakonshëm që jetojnë në të dy anët e kufirit. Regjimi i ri i stikerëve ngjitës është, për dallim, përmirësim i madh.

    Prindërit e mi janë ballafaquar për vite me mosnjohjen e dokumenteve të ndryshme të lëshuara në Kosovë. Edhe gjëja më e thjeshtë, të shijuarit e pronës së tyre në paqe, ku i mbajnë kosheret e bletëve dhe mbjellin kopshtin e tyre, nuk ishte pa pengesa.

    Këto politika i prekën edhe dy fëmijët e tyre. Është e rëndësishme për mua ta përmend se e kam të ndaluar ta drejtoj makinën e tyre, vetëm se patentë-shoferi im është kroat. Duket se, nëse përpiqeni të hyni në Serbi me makinë kosovare, do t’ju lejojnë të hyni vetëm nëse dokumentet tuaja lëshohen po ashtu në Kosovë. Ndonëse kisha dëgjuar thashetheme, përsëri u befasova një herë kur më kthyen prapa në kufi. Ec e kuptoje.

    Për më tepër, kunata, nipi dhe mbesa, të cilët janë shtetas japonezë, as që mund t’i vizitojnë prindërit e mi në fshat, nëse nuk fluturojnë nëpër Beograd. Nëse ndonjë shtetas nga një vend i tretë fluturon në Prishtinë, nuk mund ta kalojë kufirin. Pala serbe e sheh këtë si hyrje ilegale në vend nëse nuk kanë një vulë të kohëve të fundit nga një vendkalim kufitar i “njohur” në pasaportat e tyre.

    Në rastin tonë, kjo i bie që nëse duan t’i vizitojnë, duhet t’i bëjnë të paktën pesë orë ngasje shtesë pa ndonjë arsye. Është e dukshme që kjo rrit kostot e çdo vizite dhe e mundon të gjithë familjen. Asnjëherë nuk kam arritur ta kuptoj nëse ekziston ndonjë shpjegim për këtë.

    E ndiej të domosdoshme të theksoj se gjithë çka na intereson dhe duam është që të na lejojnë të lëvizim lirshëm dhe të ndërveprojmë me bashkatdhetarët tanë në Kosovë dhe Serbi, shqiptarë ose serbë, ose thjesht me cilëndo qenie tjetër njerëzore që duam të kemi kontakte normale.

    Gjatë mosmarrëveshjes për targat, presidenti i Serbisë madje kërcënoi se do t’i bllokojë kalimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, por vetëm për shqiptarët, duke i lënë serbët të kalojnë. Pastaj e riformuloi kërcënimin e tij si një “ide e madhe” ekzistuese që po përhapej, dhe në fund, kurrë nuk e realizoi atë. Sidoqoftë, kjo na shqetësoi seriozisht; perspektiva e këtij kërcënimi që mund të realizohej ndonjëherë na mbajti në mendime dhe shqetësim për orë të tëra.

    Si qytetarët kosovarë ashtu edhe ata serbë duhet të jenë të lirë të lëvizin sipas dëshirës, t’i regjistrojnë makinat e tyre ku të dëshirojnë dhe ta kalojnë kufirin me targa përkatëse. Nuk duhet të ketë nevojë t’i heqin ose mbulojnë me asgjë dhe sigurisht që nuk ka justifikim për asnjë nga pengesat për targat, dokumentet apo qeniet njerëzore.

    SERBIA ZBATON NJË POLITIKË QË I NGJAN SPASTRIMIT ETNIK PËRMES AKTEVE ADMINISTRATIVE, SIÇ ËSHTË “PASIVIZIMI”.

    Nuk mund ta besoj se po kalojmë nëpër këtë edhe tash, 22 vjet pas përfundimit të luftës, me Milosevicin që është larguar dhe ka vdekur përgjithmonë. Është vërtet turp i madh kur e kupton se shpirti i tij jeton ende përmes trupit dhe politikave të Aleksandar Vučić dhe vazhdon të na nxjerr telashe në jetë edhe sot e kësaj dite.

    Më duhet ta ritheksoj se targat e makinave janë vetëm një nga pengesat e shumta me të cilat përballen njerëzit nga kjo zonë kufitare. Do të ishte plotësisht jo realiste të shpresojmë se Serbia do të tregojë vullnet të mirë në këtë rast. E dimë se nëse nuk detyrohet, Serbia nuk do ta njohë asnjë dokument kosovar, nuk do t’u japë shtetasve nga vendet e tjera të drejtën e tyre universale për ta kaluar lirshëm kufirin mes dy vendeve apo ta respektojë lirinë e banorëve për të bërë biznes. 

    Kjo është një gjë, por më e keqja është se si Serbia zbaton një politikë që i ngjan spastrimit etnik në rajonin kufitar. Nuk po e bën me forcë, por përmes akteve administrative në një proces të quajtur “pasivizim”.

    Mijëra shqiptarë etnikë janë fshirë nga regjistrat e gjendjes civile dhe kështu kanë humbur të drejtën për të pasur ndonjë ndikim në çështjet lokale ose bizneset e tyre që do t’u sillnin dobi të gjithëve në komunë. Si rezultat i kësaj praktike, ata as lejohen të marrin pensionet e tyre të fituara me mund pas dekadash kontributi.

    Disa të afërm të mi u “pasivizuan” pasi investuan më shumë se dy milionë euro në Sijarina, një qytet i vogël me banjë në Medvegjë. Rezultati ishte shkatërrues për ta, i gjithë investimi i tyre dhe të gjitha kursimet e jetës së tyre tani janë bllokuar.

    Kjo po ashtu e ka dëmtuar rajonin; vizitorët nuk mund t’i përdorin objektet që i kanë ndërtuar dhe vendasit të kësaj zone të varfër janë të privuar nga mundësitë e punësimit. E gjithë kjo është rezultat i politikave nacionaliste të një regjimi që është më i preokupuar me planet megalomane etno-centrike sesa me mirëqenien e qytetarëve të tij.

    Pjesa më e keqe është se duket se askujt nuk i bëhet vonë. Çështja me targat mori vëmendje, pati ca presion ndërkombëtar dhe gjetën një kompromis, ndonëse vetëm të përkohshëm. Por kur është fjala për problemin rrënjësor, askush nuk sheh ndonjë forcë lëvizëse që mund ta bëjë këtë ndryshim së shpejti./Kosova.2.0/

    Lajmi Paraprak

    VËSHTRIME HISTORIKE TË DËGJUARA RRALLËHERË

    Lajmi i rradhës

    Franca e goditur nga “Covid-19” para sfidës me Spanjën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë