VËSHTRIME HISTORIKE TË DËGJUARA RRALLËHERË

    Shkëlzen Gashi
    RECENSË E “KOSOVA – PREJARDHJA E NJI LUFTE” TË STEPHEN SCHËARTZ.

    Në bazë të të drejtës ndërkombëtare për të vendosë mbi statusin vetjak politik, Kosova i plotëson të trija kushtet: argumentin e pushtimit me forcë; argumentin e represionit shtetëror ndaj një populli; dhe argumentin e përcaktimit të popullit. Veçmas i pari i këtyre kushteve, pra argumentimi se Kosova është pushtuar me forcë nga Sërbia, është shtjelluar në mënyrën më të mrekullueshme të mundshme në librin “Kosova – prejardhja e nji lufte” të historianit amerikan Stephen Schwartz. 

    I botuar në gjuhën angleze më 2001, në gjuhën shqipe është botuar për herë të parë më 2004 dhe është ribotuar më 2006, e këtë vit po botohet për të tretën herë në shqip. Libri i Schwartz, i cili në mënyrë të detajuar dhe duke ofruar fakte që nuk janë trajtuar deri tani, vë nën objektiv çështjen e Kosovës në një vështrim kronologjik, me fillesë që nga beteja e vitit 1389, por me theks të veçantë prej vitit 1912-13 e këndej, pra që nga pushtimi i Kosovës nga Sërbia. 

    Derisa na i paraqet të bëmat e ushtrisë sërbe mbi shqiptarët gjatë pushtimit të Kosovës më 1912-1913, autori mes tjerash na e dëfton rezistencën e bërë nga shqiptarët kundër pushtimit sërb në vijimësi që nga vitet 1912-13. Këtë e bën përmes nënvizimeve tejet interesante, siç është ta zëmë, pjesa që ai e shkoqit prej programit të kryengritjes së përgjithshme shqiptare në Rrafshin e Dukagjinit në pranverë të 1919: “asnji kryengritës nuk guxon me i damtue sërbët e vendit veç atyne që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar; nuk guxon me djegë shpi e me rrënue kisha; nuk guxon me plaçkitë; nuk guxon me i shëmtue trupat e të vramëve t’anmikut; madje-madje edhe në asht se anmiku u ban zullum shqiptarëve të paarmatosun, luftarët u duhen përmbajtë plotësisht e rreptësisht pikave të naltpërmenduna”.

    Kur flet për marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me regjimin e Ahmet Zogut (1928-1939) dhe atë të mandejmë të Enver Hoxhës (1941-1985) në Shqipëri, Schwartz-i nuk merr anë. Të dyja regjimet i kritikon thuaja njësoj. Për regjimin e Zogut thotë se ishte përkushtuar, me këmbënguljen e jugosllavëve, që t’i likuidonte kaçakët; ta përndiqte Azem Bejtën; ta vrante Bajram Currin. Për më shumë, pohon Schwartz-i, me mija shqiptarë, nën zgjedhën e shovinizmit sërb dhe me përfshirjen e regjimit zogist, e lëshuan Kosovën e shkuan në Turqi, gjatë viteve ‘30 të shekullit të kaluar. 

    Të njëjtin mendim thuaja, Schwartz e ndan edhe për regjimin e Hoxhës, ngase, simbas tij, Partia Komuniste Shqiptare ishte themeluar në fund të vitit 1941 nga dy përfaqësues të degës së komunizmit jugosllav në Kosovë: Dušan Mugoša dhe Miladin Popović. Frymëzimi për këtë ngrehinë komuniste, madje shpirti udhëheqës i saj, ishin jugosllavët dhe rrjedhimisht, shqiptarët mbetën objekt dhe jo subjekt historik. Siç është dëshmuar përmes shërbimeve që Hoxha ua ka bërë jugosllavëve me luftimin e Kryezijve dhe të forcave të Shaban Polluzhës, po edhe me asgjësimin e inteligjencës katolike, sipas autorit, Hoxha nuk ishte atdhetar.

    Autori është kritik edhe ndaj strukturave të komunistëve në Kosovë. Ai na i sjellë ndërmend, ta zëmë, qëndrimet e Ali Shukrisë, i cili menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore, sa kishte qenë gjykatës në Gjykatën e Prizrenit, ndër të tjera e kishte gjykuar edhe Marie Shllakun dhe jo veç gjykuar: ai e kishte sharë e poshtëruar Shllakun gjatë procesit gjyqësor dhe kishte ngulmuar se vetë pushkatimi nuk mjaftonte – atë duhej djegë për së gjalli.

    QËNDRESA QË BËNË SHQIPTARËT E KOSOVËS NË FILLIM TË VITEVE ‘90 NDAJ REGJIMIT SËRB NUK ISHTE GANDIZËM.

    Vend të veçantë në këtë libër zë edhe një prej dekadave më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, okupimi sërb i Kosovës 23 mars 1989-10 qershor 1999. Schwartz-i ka plotësisht të drejtë kur thotë se shqiptarët gjatë viteve ‘90 kanë bërë qëndresë pasive, por, për mendimin tim, nuk ka të drejtë kur thotë se lëvizja shqiptare në Kosovë gjatë kësaj dekade ishte gandiste. 

    Qëndresa që bënë shqiptarët e Kosovës në fillim të viteve ‘90 ndaj regjimit sërb nuk ishte gandizëm, jo veç pse nuk mund të konsiderohet gandiste një lëvizje, lideri i të cilës kërkon pandërprerë intervenimin ushtarak ndërkombëtar, por edhe për shkak se atje ku do të duhej të zgjidhte midis qyqarllëkut e dhunës, Gandi pati thanë se do t’ishte për dhunë. Thelbi i rezistencës gandiste ka qenë dizajnimi i konfliktit. Sa për ta ilustruar këtë, po e përmend një shembull nga rezistenca aktive gandiste: me rastin e eksploatimit të pambukut nga kolonizatorët britanikë në Indi, popullsia vendase e bojkotonte masivisht blerjen e produkteve nga pambuku i vjedhur. Ndërsa, qëllimi themelor i të ashtuquajturës rezistencë në Kosovë ishte shmangia e çfarëdolloj konflikti.

    Schwartz-i, thuaja në fund të kapitullit ku i shqyrton rezistencën civile dhe shoqërinë paralele gjatë viteve ‘90, i kundërshton etiketimet që i janë bërë UÇK-së si një organizatë enveriste, qoftë nga kundërshtarët e saj politikë, qoftë nga gazetarë e diplomatë të huaj, ngase, thotë ai, “Enver Hoxha nuk kishte bërë gjë për ta çliruar Kosovën nga Jugosllavia dhe nuk ishte i pëlqyer ndër shqiptarët e Kosovës”. Porse, autori është realist edhe rreth rolit të UÇK-së, duke thënë: “UÇK-ja si forcë ushtarake, ndryshe nga armatat sllovene, kroate e boshnjake, nuk ia doli të organizojë mbrojtje efektive”. Duke e përmbyllë kapitullin me theksimin e asaj se sa pak mundi të bëjë UÇK-ja për mbrojtjen e popullsisë civile, autori e përshkruan një fotografi të gazetës “New York Times” të datës 8 tetor 1998, që e portretizonte një çikë kosovare 13 vjeçare, të paralizuar qysh nga lindja, ulur në karrocën e saj nën një pemë diku në kamp refugjatësh, ndërsa po lagej nga pika shiu “tue e pritë UÇK-në, tue e pritë botën, tue pritë…”.

    Autori ia kushton krejt një kapitull ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, me ç’rast shprehet shumë kritik ndaj opinioneve të Naom Chomsky-t, historian dhe aktivist politik amerikan dhe të Edward Said-it, akademik dhe aktivist politik amerikan-palestinez rreth kësaj ndërhyrjeje. Chomsky, siç dihet, konsideron se spastrimi etnik është intensifikuar nga bombardimet e NATO-s dhe autori i librit, ç’është e drejta, nuk arrin ta hedhë poshtë këtë mendim të Chomskyt. Por, as idenë e Saidit se shqiptarët e Kosovës nuk besonin që fushata ajrore po bëhej për pavarësimin e Kosovës dhe shpëtimin e jetëve të shqiptarëve. Në këtë libër vërtet përdoren burime (libra, dokumente, intervista e rrëfime) tejet interesante dhe thuaja të shpërfillura deri tash. Të tilla janë edhe burimet që i shpalojnë planet ruse për ta themeluar një zonë të ndarë në Kosovë në kufirin verilindor me Sërbinë, zonë kjo që parashihej të ishte nën administrim rus e që mandej të shkëputej prej Kosovës.

    NË KËTË KAPITULL, SCHWARTZ, KUR FLET PËR UNMIK-UN, DO TË BËNTE MIRË TË FOKUSOHEJ MË SHUMË NË BAZËN E PADREJTË TË KËTIJ MISIONI.

    Schwartz është shumë kritik ndaj administratës ndërkombëtare UNMIK në Kosovë. Në një rast madje e përshkruan lemerinë mbasi kishte mësuar se si autoritetet ndërkombëtare në Kosovë i kishin shpenzuar burimet financiare të shtrydhura nga xhepat e qytetarëve taksapagues të vendeve demokratike. Autori e pahtëson nganjëherë edhe cinizmin e disa shqiptarëve të Kosovës që e kundërshtonin UNMIK-un në Kosovë: “shqiptarët e Kosovës administrimin ndërkombëtar në vendin e tyre e përshkruanin si një sundim sërb, por pa masakra dhe do të parapëlqenin që Milošević-i të mbeste në pushtet derisa bashkësia ndërkombëtare ta konfirmonte pavarësimin e Kosovës si shtet dhe të drejtën e saj për të nxjerrë përgjegjësi sovrane”. 

    Pra, vërehet ashiqare që Schwartz është shumë kritik ndaj punës së ndërkombëtarëve në Kosovë dhe këtë e ilustron mirë edhe ky shembull mjaft interesant që na e ofron: “ndërkombtarët kryesisht e fitojnë dhetëfishin e rrogës së ekspertit a të nëpunësit vendor, dhe ndërsa vendorët duhen me pague taksa, ndërkombtarët nuk duhen. Profesorët universitarë fitojnë shuma modeste prej 150 eurosh në muej, kurse fëmijët e tyre i fitojnë edhe nga 800 euro si përkthyes a shofer”.

    Sidoqoftë, në këtë kapitull, Schwartz, kur flet për UNMIK-un, do të bënte mirë të fokusohej më shumë në bazën e padrejtë të këtij misioni, i cili kishte për qëllim ta zbatonte Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkueme, e kjo rezolutë, siç dihet mirëfilli, parashihte vetëm autonomi substanciale për Kosovën. Po ashtu, në këtë kapitull sikur mungon një përqendrim në ligjin e zbatueshëm në Kosovë – rregulloret e UNMIK-ut, e në bazë të rregullores së parë të UNMIK-ut edhe ligjet që kanë qenë në fuqi në ‘territorin’ e Kosovës para datës 24 mars 1999, konsideroheshin “ligj i zbatueshëm”.

    Për fund, ky libër, që mund të gjendet nëpër të gjitha libraritë në Prishtinë, pa asnjë dyshim, bashkë me librin “Kosova – histori e shkurtër” të autorit Noel Malcolm, përbën referencë të pazëvendësueshme mbi historinë e Kosovës./Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Sot përballja Krasniqi – Boesel

    Lajmi i rradhës

    JETA NË TË DY ANËT E KUFIRIT

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë