Një manual i hartuar nga BE dhe KE në ndihmë për mësuesit “Të jetosh me të diskutueshmen”

    Fotografi ilustruese

    Temat e debatueshme, kontroverse… për të cilat ngurrohet të flitet apo në rastin më të keq nuk dihet sesi të shtrohen për diskutim nëpër shkolla janë pjesë e një pakete trajnimi për mësuesit. Me titull “Të jetosh me të diskutueshmen” ky manual për mësimdhënien rreth çështjeve të diskutueshme përmes edukimit për qytetari demokratike dhe të drejtat e njeriut, është hartuar nga Këshilli Evropian dhe Bashkimi Evropian. Për arsye e hapja e temave të diskutueshme është ende një sfidë për mësuesit e shkollave në vendin tonë, ku rreth 86 për qind e nxënësve nuk kanë pasur kurrë mundësi të diskutojnë për çështje aktuale sociale në arsim, manuali është publikuar nga shoqata Lead edhe në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

    “Të rinjtë bombardohen përditë nga informacioni rreth çështjeve të diskutueshme për shkak të përdorimit nga ana e tyre të teknologjive moderne të komunikimit, si telefonat celularë, Twitter, Facebook, etj. Ata kanë nevojë për ndihmë, që të jenë në gjendje t’i kuptojnë dhe të përballen me ato… Shumë shpesh, vetë nxënësit ngrenë çështje të diskutueshme, pavarësisht temës së mësimit. Është më mirë që mësuesi të jetë i përgatitur paraprakisht për mënyrën sesi të përballet kur ndodh kjo, sesa të përgjigjet aty për aty”, sqarohet në paketën e trajnimit. Manuali që ka si qëllim zhvillimin profesional të mësuesve është hartuar për të mbështetur dhe promovuar mësimin e çështjeve të diskutueshme në shkolla, përmes mjeteve dhe teknikave specifike për mësimdhënien dhe mbulimin e një sërë temave që lidhen me fenë, rolet gjinore, familjet me një prind, orientimin seksual, ekstremizmi dhe tema të ngjashme në klasë.

    “Temat e diskutueshme, të cilat ne i përcaktojmë si tema për të cilat ka mendime kontradiktore në shoqëri dhe ngjallin ndjenja të forta tek njerëzit, është e rëndësishme që ato të diskutohen brenda procesit arsimor për të nxitur dialogun rreth tyre dhe për të zhvilluar ndërgjegjësimin për rëndësinë e diskutimit që nga mosha më e hershme. Shmangia e diskutimeve për këto tema dhe mungesa e dialogut konstruktiv për to çon vetëm në ndarje të shoqërisë dhe rritje të intolerancës reciproke”, thotë Ilija Stankovski, drejtor programi i LEAD.

    Kjo qasje në mësimdhënie kontribuon në përmirësimin e njohurive dhe angazhimin në dialog me nxënës me qëndrime dhe vlera të ndryshme, gjë që është thelbësore për procesin demokratik dhe e nevojshme për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Manuali u botua fillimisht nga Këshilli i Evropës dhe u përkthye në mbi 15 gjuhë në Evropë. I zhvilluar në kuadër të projektit “Mësues për Arsimin, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut” zbatuar nga LEAD, financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në kuadër të programit “Kulturë Shkollore Demokratike Gjithëpërfshirëse në funksion”.

    SHEMBUJ POHIMESH PËR DISKUTIM

    “Insistohet shumë për të drejtat e fëmijëve dhe jo mjaftueshëm për përgjegjësitë e tyre”

    “Çiftet homoseksuale duhet të kenë mundësi të birësojnë fëmijë”

    “BE-ja është humbje kohe dhe parash e duhet shkrirë”

    “Prindërit nuk duhet të lejohen të godasin fëmijët”

    “‘Kanabisi duhet legalizuar”

    “Politikanët mendojnë vetëm për veten”

    “Identiteti seksual formësohet nga shoqëria dhe jo nga natyra”/Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Mariçiq: Qeveria mori vendim për stopimin e ndërtimit të qendrës pranuese për të huaj në Bardovcë

    Lajmi i rradhës

    Ollga Schweizer Libohova, aristokratja daneze që shpëtoi 100 shqiptarë nga pushkatimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë