Pse bërtisni se dolën pagat, çdo e keqe ka të mirën e vet!

    ARTAN FUGA

    Mos u shqetësoni nga hapja e halesë! Ndërsa masa e qytetarëve rri në heshtje, bota mediatiko-politike zien për atë se përse dolën pagat mujore të qindra-mijë njerëzve, vendet e punës dhe ndonjë gjë tjetër e këtij lloji. Mund të mos jetë etike, ndonëse nuk e di se në cilin kod etik është shkruar, në zakone jo njëherë, sepse shqiptari shqiptarit tradicionalisht ia ka dit sa i mbante qesja, prodhimet bujqësore, shtëpia etj.

    Nuk di sa është antiligjore, por mundet, përtoj të hap defterë ligjesh të pluhurosur tani, por ndërkaq çdo punëdhënës na njeh “dhëmbë e dhëmballë” të gjithëve, taksat, agjencitë financiare, e dhjetëra e dhjetëra njerëz.

    E përse e rrezikuaka paqen sociale? Mbase, por nuk shoh ta rrezikojë paqen sociale kur ai që ka vetëm një biçikletë të vjetër sheh ata që kanë vetura e banesa superluksoze, dhe përsëri nuk bën zë!

    Unë di diçka. Ndofta gabimisht, ndofta antiligjërisht, ndofta një dorë e fshehtë i nxori këto.

    E pastaj?

    Aty ka transparencë. Pa dashje, sigurisht!

    Qytetarët nuk vuajnë se të ardhurat e disa grupeve sociale dalin në dritë. Populli vuan ngaqë nuk di asgjë se çfarë bëhet me taksat e tij që përdoren si rroga në shtet. Ai që punon dhe sipas ligjit merr, hallall i qoftë! Të paguajë taksat si qytetar i mirë! Por këtu ka disa kufij që aty fillon maskarallëku.

    Le të dalë maskarallëku në shesh! Parimet e gazetarisë investigative janë që nëse e vërteta është më e rëndësishme sesa ruajtja e ndonjë neni, ligji, që ka se kush e ruan, kjo e vërtetë të dalë qartë në pah!

    Disa paskan të drejtë t’i shohin, kurse nuk ka bir nëne që kërkon llogari për harxhimin e parasë publike në disa institucione publike dhe nuk ia jep njeri!

    Pse nuk bërtet kush: SPAK-uuuuu, skandal, këta fshehin mënyrën si harxhohet paraja publike!

    Hiç o fare, është bërë paraja publike si deti që u bë kos! E harxhojnë minjtë dhe panterat si ua do qejfi!

    Të shohë mileti se a ka punonjës publikë të lartë që në konflikt interesi kanë të punësuar veten, fëmijë apo bashkëshortet në sipërmarrje private duke qenë në konflikt interesi?

    Të shohë mileti nëse gazetarë, opinionistë, liderë opinionesh etj., janë të punësuar në poste në administratën publike ose në privat, nëse janë në konflikt interesi, dhe të dalë kjo?

    Të shohë mileti se çfarë rrogash, dietash, përfitimesh për telefona, pagesa të tjera të ligjshme dhe të jashtëligjshme marrin deputetë, nëpunës shumë të lartë!

    Çfarë të keqeje ka?

    Ndonjë ligj mbase është shkelur, ta ruajë ai që i takon, kurse shoqëria përfiton nga e vërteta!

    Përse bërtisni! Kush ka turp se dalin të ardhurat! Me punë ai që i ka t’i gëzojë! Kush i ka me konflikt interesi në dëm të publikut, të bëhet transparenca!

    Pastaj të shohë publiku se kush punon ku, për të parë se si në shumë institucione publike situata ka ardhur në atë pikë ku janë grumbulluar me dyndje të afërm, fëmijë, bashkëshortë e bashkëshorte njerëzish që kanë poste, influenca e gjithçka.

    Çfarë studimi sociologjik do të dilte të shihej se cilat shtresa shoqërore kapin buxhetin publik si rroga. Jo për të dënuar njeri, por për të parë se si pjesa e madhe e shoqërisë është e përjashtuar nga mundësia që të bëjë karrierë në administratën publike!

    Pse bërtisni?

    Merreni me ngadalë! Ju sikur kërkoni transparencë!

    Tani, pavarësisht ngjyrave politike, bërtasim: Skandaaaaaaal!

    Dakord skandal! Por na shpjegoni ku prishet paqja sociale? Ku dhe cili ligj është cenuar juridikisht? Cili kod etik!

    Se dakord, ka disa që bërtasin dhe u vërsulin Policinë e prokurorinë atyre që e paskan botuar! Por unë nuk përjashtoj edhe ndokënd që bërtet “skandaaaaaal, mbylliniiiii, të drejtat e personiiiiiit”, por në fakt ka në mend të mbajë mbyllur kapakun e WC-së, që kur hapet, lëshon aroma të pakëndshme, por të vërteta!

    Ky qenka një thesar për studime sociologjike. Aman kush e ka ta ruajë, ta përdorim si stok të dhënash për të kuptuar se ku jetojmë dhe se përse disa, përtej ngjyrave të kundërta politike, janë “bythë e brekë” me njeri-tjetrin, përse bërtasin “urrrrrra” pas çdo fjale të një shtetari, se përse disa lehin sepse Radiotelevizioni Publik u paguan rroga sheikësh, pa pikë turpi, se përse disa vishen si të ishin kalamajtë e Kontikacikut dhe ca hanë bukë thatë në mëngjes, bukë me nutella lyer hollë në drekë, dhe nutella pa bukë në darkë!

    Mos e zini halenë e hapur me të bërtitura:

    Policiaaaaaaa!

    Sapakuuuuu!

    Prokuroriaaaaaaa!

    Me ngadalë, më qetë!

    (Askush nuk ka të drejtë ta ribotojë këtë tekst pa lejen direkte të autorit! Ndryshe do të përballet me ligjin e ruajtjes së pronësisë intelektuale!) /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si të ndaloni bulizmin kibernetik | 18 këshilla për prindërit, fëmijët dhe shkollat

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Nuk do të ketë falje të fundvitit për asnjë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë