Kronika e zezë dhe siguria e qytetarëve

    PËLLUMB NAKO

    Një nga rubrikat mediatike, e cila ndiqet me vëmendje të veçantë, është kronika e zezë. Interesimi i publikut për këtë tematikë, përveç kërshërisë, lidhet edhe me interesin e çdo individi për sigurinë e jetës dhe të pronës. Në shoqërinë e sotme, me këtë zhvillim mbresëlënës të mjeteve të komunikacionit në raport në shpejtësinë e përhapjes së informacionit, impakti i krimit mbi popullsinë, përveç rasteve kur individi është vetë viktimë e mundshme, perceptohet edhe nëpërmjet kronikës së zezë mediatike. Pikërisht ky fakt merr rëndësi të jashtëzakonshme nisur nga ideja më se normale se cila duhet të jetë cilësia e informacionit që përcjell kronika e zezë mediatike. Është e mira që ajo të jetë e zezë, por jo e nxirë. Kjo, sepse aktualisht në fluksin e madh mediatik që ka realiteti shqiptar, ndodh rëndom që gjërat të ngatërrohen dhe nga e drejta për t’u informuar, qytetari bombardohet me informacion, në shumicë i pasaktë dhe i interpretuar jo korrektësisht, duke u kthyer në një qenie të pasigurt për përditshmërinë e tij.

    Ajo që konstatohet jo pak herë është se në këto kronika tregohen lloj-lloj ngjarjesh të dëgjuara apo të mara konfidecialisht lidhur me këtë apo atë ngjarje që ka tronditur opinionin publik. Është vëmendja e tij e madhe në raste të tilla që e bën median të realizojë objektivin e saj për të qenë në qendër të vëmendjes me audicion të lartë dhe kjo është më se e ligjshme, por ndërkohë ndodh shpesh që pak rëndësi i kushtohet cilësisë së informacionit që përcillet.

    Nëse përgjithësisht në studiot televizive thirren ekspertë për të analizuar një ngjarje konkrete kriminale, gazetari nuk mund të gjykohet për keq, por jo një ish-punonjës i organeve kompetente. Në një kontekst të tillë, roli i këtyre të fundit mbetet mjaft negativ dhe me impakt të keq për sigurinë te qytetarët. Ata nuk mund të marrin përsipër e të analizojnë një situatë apo një ngjarje kriminale konkrete pa qenë të pranishëm as në vendngjarje dhe as të njohur me aktet e hetimit zyrtar e as duke dhënë informacione sensacionale. Nuk ka asnjë mundësi njerëzore për dikë të analizojë e të nxjerrë konkluzione për fatin e një viktime të vrarë që nuk ka autorë apo të një viktime të mundshme që është zhdukur duke folur nga një studio televizive. Tjetër gjë është të skanosh funksionimin e ingranazheve të institucioneve kompetente në raport me ato që deklarojnë publikisht. Kurse nga ana tjetër, mungesa e pranisë së punonjësve të organeve policore dhe të drejtësisë nëpër komunikimet e drejtpërdrejta publike, qoftë edhe studiot televizive, është e pafalshme. Dalja e tyre ka rëndësi jo vetëm për ngjarjet konkrete, por do të shërbente edhe si një lloj pedagogjie për ndjekësi se si duhet t’i kuptojnë gjërat.

    Tjetër akoma. Jo rrallëherë, kronikat e zeza mbushen me informacione të shumta duke u servirur si të vërteta, ndërkohë që për organet policore dhe të drejtësisë nuk ka të njëjtën vlerë ligjore një rrëfim konfidencal (pavarësisht se shumë i vërtetë) i krahasuar me një dëshmi për të njëjtën gjë (po aq e vërtetë). Historitë e ngjarjeve me emra personazhesh konkretë kënaqin kërshërinë, ngopin orekset nëpër tavolina e studio televizive në kurriz të institucioneve, por nuk kanë asnjë vlerë për drejtësinë nëse nuk kanalizohen ligjërisht në shërbim të së vërtetës ligjore, duke krijuar për fat të keq një perceptim të shtrembër për to. Mendimin e mirë apo të keq për Policinë apo për drejtësinë nuk e kanë vetëm ata, të cilëve u është dashur të kenë të bëjnë me to, por edhe të tjerë më të shumtë që nuk janë përballur. Dhe këtu rol madhor ka kronika e zezë. Pra, përveçse të jenë të vërteta, për organet e drejtësisë, informacionet duhen edhe të sigurohen në mënyrë ligjore. Është dëshmia ajo që i vë përballë përgjegjësisë penale autorët e krimeve, sigurisht e plotësuar me prova të tjera.

    Përputhja e një “informimi konfidencial”, ekzaktësisht e njëjtë me një “një dëshmi si provë ligjore”, janë të vështira në mentalitetin tonë si dhe në realitetin e hetimeve të krimit të përditshëm në Shqipëri, pa folur këtu për atë të organizuar. Dhe pikërisht në këtë kontekst bëhet edhe dëmi më i madh nëpër studiot televizive. Me apo pa dashje, aty krijohet ideja se organet kompetente dinë gjithçka, por nuk veprojnë sepse ose janë të korruptuara ose të kapura nga krimi. Në fakt, nuk është gjithmonë kështu. Një punonjës policie e merr vesh shpejt një ngjarje kur dikush ia tregon sepse e ka dëgjuar, por kjo nuk është e njëjta gjë nëse nuk është dikush tjetër që t’i tregojë të njëjtën gjë sepse ka qenë vetë i pranishëm në ngjarje. Sigurisht, faktorët që shmangin dëshmitarët janë të shumtë, por jo vetëm të lidhur me Policinë apo drejtësinë.

    Në thelb, pra, kemi bombardim me informacion nga kronikat e zeza cilësisht të diskutueshme, vënie në pikëpyetje e rentabilitetit të organeve të policisë dhe drejtësisë. Të marra së bashku, më shumë se informim, te publiku ato ngjallin pasiguri. Individi ndihet i pasigurt kur ai ka një eksperiencë të drejtpërdrejtë viktimizimi, pra, objektive, si dhe kur ka frikë se mos bëhet viktima e radhës duke pasur informacion për viktimat, pra subjektivisht. E thënë konkretisht qytetari ndjen frikë vetë personalisht duke qenë viktimë e mundshme e dhunës, edhe duke dëgjuar eksperienca të ngjashme nga të afërmit dhe miqtë e tij si dhe duke ndjekur median në kronikat e tyre të zeza që trajtojnë çështje të krimit dhe drejtësisë. Përjetimi i tij nga impakti i krimit është disaplanesh. Përveç frikës personale që ushqehet nga faktorët e cituar pak më sipër, ai përjeton edhe shqetësim për të afërmit dhe familjen e tij si dhe preokupim për mbarëvajtjen e shoqërisë ku jeton dhe bën pjesë. Frika, e cila ka karakter personal, shqetësimi dhe preokupimi që kanë karakter social, ushqejnë së bashku ndjenjën e pasigurisë. Dhe njëri nga burimet e kësaj ndjesie mbetet edhe kronika e zezë nëpërmjet informacionit të pasaktë e të keqintepretuar.

    Nga ky zinxhir informacioni, janë individët me kufizime për shkak të moshës, gjinisë dhe pasurisë ata vihen poshtë nga ndjenja e pasigurisë duke menduar se në këtë mori ngjarjesh të dëgjuara dhe të ndjekura mediatikisht, ata do të jetë një ditë viktima e radhës dhe atë ditë nuk do të jetë në gjendje të përballen me aktin sepse kanë pikërisht kufizimet e mësipërme. Kjo është ndjenja e pasigurisë që kap jo vetëm individin, por edhe komunitete të tëra duke cenuar rëndë lirinë e lëvizjes dhe duke vështirësuar jetën në përditshmëri. Do të ishte shumë efikas një bashkëpunim i hapur ndërmjet medies dhe Policisë me natyrë edhe operacionale dhe pedagogjike për të rritur cilësinë e informacionit në kronikat e zeza në mënyrë që edhe media të informojë, edhe Policia apo organet e tjera të reklamojnë punën e tyre, edhe popullata të ndjente më pak pasiguri. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Hill: Kur të zgjohen serbët do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën

    Lajmi i rradhës

    Osmani e quan provokim hapjen e qendrës kulturore bullgare në Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë