Huta e hutuar dhe masat e mpira

    Foto: News24 Albania

    GJERGJ META

    A janë njerëzit me ideale dhe dëshira ata që sot janë forca shtytëse e transformimeve të shoqërisë njerëzore? Në çdo epokë kalimi të shoqërisë njerëzore ka pasur njerëz, të cilët kanë ndikuar në një mënyrë apo në një tjetër me mendimin e tyre për të shtyrë përpara proceset shndërruese të shoqërisë apo shoqërive. Këta njerëz të mendimit, Hegeli i krahasonte me Hutën e Minervës që niste fluturimin e saj në muzg. Duke përdorur këtë metaforë mitologjike, idealisti gjerman kishte ndërmend të thoshte se njerëzit e mendimit janë ata që bëjnë analizën e situatës pikërisht në momentin e saj më të errët. Personalisht jam i bindur se jemi në një situatë të tillë kalimi epokal. Edhe pse Profesori i Jenës ishte i bindur se mendimi i “hutave” pa energjinë e masave nuk mund të kishte efekt, ashtu sikundër energjia e masave pa mendimin e filozofëve çonte drejt kaosit. Por çfarë ndodh sot?

    Aktualisht mund të themi pa drojë se transformimi i globit, i natyrës dhe i shoqërisë, mbështetet mbi strategji mirëfilli ekonomike dhe interesi gjeostrategjik (pushteti) e vetëm në pak raste mbi të mirën e njerëzve, të të gjithë njerëzve, si qëllim kryesor. Në përgjithësi, edhe shkenca, teknika, dijet, janë në shërbim të pushtetit dhe financave dhe/ose varen prej tyre. Edhe “Huta e Minervës” duket se me transformimet që kanë ndodhur fluturon kohë e pa kohë, e hutuar pikërisht nga reflektorët e shumtë që nuk e lejojnë të dallojë natën nga dita.

    Po ashtu, kam përshtypjen (qofsha i gabuar) se edhe demokracia është drejt fundit të saj ose së paku ajo po ndryshon. Këtë rrugëtim drejt konsumit të formës që pati në fillimet e saj, demokracia e ka nisur qysh me rënien e murit të Berlinit, që në fakt nuk ishte rënia e komunizmit, por shndërrimi i tij. Duke qenë se marksizmi është e vetmja filozofi me një sens praktik, që pretendon dhe nxit transformimin e shoqërisë, ai ende vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme, tanimë i sponsorizuar nga të pasurit ose nga mendimtarë të sponsorizuar. Ai mendim praktik (mbi)jeton në ideologjitë e të drejtave të individit (jo të njeriut) dhe mbështetet kryesisht në lobet e fuqishme ekonomike këtej e andej Atlantikut dhe jo në klasat e shfrytëzuara të shoqërisë. Në këtë pikë, marksizmi ka dështuar si mendim përkrah klasave më të varfra ekonomikisht ose së paku këto nuk janë më në vëmendjen kryesore të tij, por nga ana tjetër, mbijeton si instrument në duart e pushteteve. Në ditët tona, procesi i dialektikës historike ka gjetur terrene të tjera zhvillimi, por jo më midis një klase të pasur dhe një klase të varfër.

    Fijet që udhëheqin sot ata që drejtojnë popujt e botës (edhe sidomos asaj demokratike), pavarësisht krahut politik këtë herë janë financat dhe pushteti. Nëse këta të fundit duan, ndryshon diçka edhe në jetën e shoqërisë. E ata duan, veçse me paktin që ky ndryshim t’iu sjellë atyre fitime financiare dhe zona influence pushteti. Përndryshe çdo aspiratë për ndryshim bllokohet. Financat dhe pushteti, nga mjete janë kthyer në qëllime e kësisoj po u hapin rrugën regjimeve të tashme dhe të ardhshme.

    Ndryshimet e mëdha, për të cilat shoqëria ka nevojë në çdo kohë, janë në duart e të mëdhenjve që shpesh janë fuqi okulte. Këto të fundit mpijnë çdolloj nisme që mund të vijë nga njerëz me ideale e po ashtu anesteziojnë edhe energjinë e masave. Është e qartë tashmë se edhe idetë revolucionare europiane të lirisë, vëllazërisë dhe barazisë, janë heshtur në emër të së ashtuquajturës “politically correct” apo të ligjit të më të fortit.

    Ka ende megjithatë asish që besojnë se idealet mund të jenë burim ndryshimi dhe përmirësimi i shoqërisë. Janë njerëz të jetës së përditshme që ende besojnë se mund të ndryshojë diçka me ideale, me vullnet të mirë, me solidarizimin me njëri-tjetrin, me një familje të shëndoshë, me besimin në Zot, me kujdesin për njerëzit më vulnerabël midis nesh; që besojnë në një shoqëri të udhëhequr nga ligji i epërm i dashurisë që nuk përjashton, por përfshin; që nuk anashkalon, por kujdeset; që nuk mbyt a prangos, por hap dhe çliron. Ky ligj dashurie është njëkohësisht ligj i epërm drejtësie. Këta njerëz nuk është e thënë që t’u binden logjikave të pushtetit dhe financës: edhe sikur të kushtojë, sado të kushtojë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët, probleme me shikimin | Nga kontrollet, 7 në 10 fëmijë janë dëmtuar nga telefonat

    Lajmi i rradhës

    Pse pranova bakshish nga një shitës në rrugën e Ndroqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë