Studentët në kohë krize duhet të paguajnë banesa private, konviktet nuk kanë kapacitete

    Foto arkiv*

    Aplikimet e rreth 200 studentëve për qëndrim nëpër konviktet studentore të Shkupit nuk janë pranuar me pretekstin se nuk ka vende të lira, ndërsa studentët u detyruan të gjejnë zgjidhje alternative. Duke patur parasysh se studentët janë kthyer në amfiteatro dhe nuk mund ta ndjekin mësimin online si në kohën gjatë pandemisë, kjo i detyroi të gjenden disi rreth akomodimit.

    Studentët që jetojnë nëpër zona të ndryshme të shtetit dhe studiojnë në Shkup, shpëtimin e vetëm e kanë marrjen me qira të banesave private edhe në këtë kohë krize pasi që, konvikti “Stiv Naumov” po funksionon me gjysmë kapaciteti, ndërsa “Kozman Josifovski-Pitu” është jofunksional pasi pritet renovimi i tij, për të cilin MASH ka njoftuar se do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm dhe do të zgjasë 30 muaj.

    Sipas studentëve interesimi më i madh për të qëndruar në konvikt është tek konviktet shtetërore “Goce Dellcev”, e cila u konfirmua edhe nga MASH, nga ku njoftuan se për qëndrim në konvikt kanë aplikuar 3523 studentë, prej tyre 2452 studentë nga vitet e larta dhe 1071 studentë nga vitet e para. Në konkursin e shpallur gjatë muajit korrik thuhej se në konvikte janë gjithsej 3292 shtretër, që nënkupton se 231 studentë kanë mbetur pa akomodim.

    Kriza me energjinë dhe pasojat e saj kanë prekur edhe studentët të cilët vazhdimisht po kërkojnë zgjidhje më të përshtatshme për nevojat e tyre. Pasi Shkupi konsiderohet qyteti më i shtrenjtë në krahasim me qytetet tjera të Maqedonisë, është bërë një krahasim i kushteve dhe kostos së jetesës të studentëve që jetojnë në konvikte dhe atyre që janë akomoduar në banesa me qira. Edhe pse qiraja në konvikt kushton vetëm 3.695 denarë, studentët në total shpenzojnë nga 200 euro, përfshirë këtu edhe ushqimin jashtë konviktit pasi ajo që ju ofrohet nuk ju mjafton shpjegoi një studente e konviktit “Goce Dellcev”.

    Ankesat më të mëdha të studentëve që qëndrojnë në konvikte ishin rreth ushqimit, pasi paguajnë për tre vakte ndërsa cilësia e ushqimit shpeshherë është e palakmueshme. Se çfarë hanë studentët nëse nuk ju pëlqen ushqimi ose nëse ndonjë studentë është alergjik ndaj një ushqimi, ata thanë se nëse nuk ju pëlqen porosisin nga jashtë dhe nëse është alergjik nuk ha.

    “Mëngjesi dhe darka shpesh janë të këqija, ka raste kur për mëngjes na vjen ushqimi që ka ngelur nga dita e kaluar. Vetëm dreka është e mirë, ndonjëherë ka ëmbëlsirë. Nëse nuk na pëlqen ushqimi porosisim nga jashtë ose blejmë nga marketet, ndërsa sa ju përket alergjive, të gjithë konsumojmë të njëjtin ushqim, nëse dikush është alergjik atëherë nuk ha”, deklaroi një studente nga “Goce Dellcev.

    Përskaj mangësive të tjera, problem të madh ata e kanë edhe mosfunksionimin e ashensorit, pasi sipas tyre nuk është humane të ngjiten me shkallë 14 kate.

    “Padyshim se problem i madh janë edhe ashensorët. Nuk është humane të ngjitemi 14 kate në këmbë, kur dritat në korridore të rrinë të ndezura gjatë tërë ditës. Pastaj duhet të kemi ushqim më të mirë, në shekullin 21 ne hamë byrek që ka mbetur nga dita e kaluar. Interneti është pothuajse nuk kemi, duhet vet të gjendemi që të kemi akses. Kryesisht mësoj në dhomë pasi salla e leximit shpesh është e mbushur dhe nuk ka kapacitet për të gjithë studentët”, tha ajo.

    Sipas saj, arsyet pse do të zgjidhnin të jetonin në banesa private në vend të konvikteve janë, ashensori, ushqimi dhe heshtja që u nevojitet për të mësuar dhe për të bërë gjumë të mirë, pasi në konvikte kjo shpesh është e pamundur për shkak të festave dhe muzikës me zë të lartë. Avantazh i të jetuarit në konvikt për këtë studente është se vazhdimisht je e rrethuar nga të rinjtë ku ka miqësi dhe solidaritet. Për dallim nga ata që jetojnë në konvikte, studentët që jetojnë në banesa me qira paguajnë më së paku 100 euro për person vetëm për qiranë.

    “Unë jam nga Ohri dhe studioj në Shkup, jetoj së bashku me një shoqe dhe paguajmë nga 200 euro qira për person. Kostot e qirasë varet edhe nga madhësia e banesës, vendndodhja e saj, ajo që përdorni për t’u ngrohur, nëse ka ngrohje qendrore apo ngrohje private. Zakonisht gjatë dimrit marrim fatura më të mëdha. Pastaj na nevojiten edhe 200 euro për ushqim dhe nevoja tjera”, tha kjo studente. Se a ofrojnë kushte adekuate për shumën që paguajnë studentët, ata deklaruan se në shumicën e rasteve ofrojnë pasi që Shkupi ka mjaftë banesa dhe mund të zgjedhin sipas mjeteve që kanë.

    “Mendoj se është shtrenjtë, por varet edhe nga të ardhurat. Me dy paga mesatare është e vështirë por jo e pamundur. Pasi nuk kam banesë timen në Shkup kisha dy mundësi, ose të qëndroj në konvikt ose të marrë banesë me qira. Arsyeja që vendosa për banesë ishin kushtet e këqija në konvikt dhe qasja joserioze e të punësuarve ndaj studentëve. Se a do jetonte në konvikt, ajo tha se do të jetoj nëse do të ishte e sigurt se të nesërmen do të kishte ushqim, ngrohje dhe rrymë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    HAPJA E KUSHTETUTËS – Mes izolimit dhe integrimit!

    Lajmi i rradhës

    Zhvillimet urbanistike, po zhdukin mëhallët e vjetra dibrane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë