REKORD PREJ 754 MILIONË EURO | Trefishohen investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut

    Investimet e huaja direkte në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, kanë arritur në 753.8 milionë euro. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se ky rezultat vjen si rrjedhojë e hyrjeve neto të borxhit ndemjet kompanive (për 457.6 milionë euro) dhe kapitalit vetanak (307.2 milionë euro), si dhe uljen e fitimeve që investohen sërish (11 milionë euro).

    Vetëm përgjatë tremujorit të katërt 2022 apo në periudhën tetor–dhjetor të vitit të kaluar, totali i investimeve direkte në vend shënon flukse hyrëse neto prej 246.4 milionë euro, si rezultat i rritjes investimeve në borxhet ndërmjet kompanive (prej 322 milionë euro) dhe kapitalin vetanak (115.9 milionë euro), me një zvogëlim të fitimit që investohet sërish prej 191.5 milionë euro.

    Krahasimi i të dhënave të Bankës Qendrore për vitet e kaluara, tregon më tej në raport me vitin 2020 janë trefishuar investimet e huaja në vend.

    Vitin 2020 gjithnjë sipas të dhënave dhe metodologjisë së Bankës Popullore, Maqedonia e Veriut e ka përfunduar me investime të huaja prej 240 milionë euro.

    Rritjen e investimeve të huaja për tre herë në vitet e fundit e mbështesin edhe të dhënat e Bankës Popullore, sipas të cilave në vitin 2020 në vend, totali i investimeve direkte kapte shifrën prej 239.8 milionë euro si rezultat i flukseve hyrëse neto të bazuara në borxhin ndërmjet kompanive (128.4 milionë euro), investimeve në kapitalin vetanak (96.7 milionë euro) dhe investimin e serishëm të fitimeve (14.8 milionë euro).

    Nga Banka Popullore sqarojnë se të dhënat për transaksionet e investimeve direkte përfshijnë lëvizjet ndërmjet subjekteve të ndërlidhura bazuar në kapitalin vetanak apo në pronësi të firmave, investimin e serishëm të fitimeve, si dhe instrumentet e borxhit. Instrumentet e borxhit përfshijnë aktivet dhe detyrimet nga shoqëritë e lidhura jashtë vendit bazuar në huat për subjektet e ndërlidhura, kreditë tregtare dhe paradhëniet për subjektet e ndërlidhura, dhe aktivet dhe detyrimet e bazuara në instrumente të tjera borxhi të subjekteve të ndërlidhura.

    Ndër shtetet që dallohen me Investime janë Austria, Gjermania, Turqia dhe Greqia.

    Drejtori i Zonave zhvillimore teknologjiko-industriale, Jovan Despotovski thotë se viti 2022 është përmbyllur me 430 milionë euro investime të reja dhe mbi 2000 vende të reja pune në vetëm një vit, si vitin më të mirë deri më tani që nga ekzistenca e zonave. Vetëm deri në muajin tetor është tejkaluar kufiri më i lartë i eksportit prej tre miliardë eurosh, që ishte rezultati më i lartë i mëparshëm i arritur në vitin 2021, shton ai.

    Ai paralajmëron për vitin 2023 një koncept krejtësisht të ri të funksionimit të kësaj drejtorie që do integrojë institucionet e tjera në shtet që duhet të krijojë një pikë të vetme hyrëse për mbështetjen e shtetit për të gjitha kompanitë e mesme dhe të mëdha, pavarësisht se nga vjen kapitali dhe ku janë vendosur ato. Kështu, Agjencia e Investimeve të Huaja do të integrohet së shpejti në Drejtorinë e zonave dhe do të krijohet një pikë e vetme hyrëse për kompanitë e mesme dhe të mëdha, të huaja dhe vendase. Apo do të krijohet një Shërbim i vërtetë Kombëtar i Investimeve. Ky hap do të na japë më shumë hapësirë ​​për të luajtur dhe për të ofruar kushte dhe shërbime më të mira për investime jo vetëm të huaja por edhe vendase. Qëllimi është të përsëritet koncepti i suksesshëm i zonave në të gjithë vendin, thekson Despotovski.

    Njëherësh është rritur edhe interesimi i investitorëve, jo vetëm të huaj por edhe vendor, ndërsa po zhvillohen negociata më të avancuara për investime mbi 500 milionë euro. Nëpërmjet Ligjit për Investimet Strategjike po punohet për investimin e “Mithylineos” greke në fushën e energjisë, i cili peshon mbi 200 milionë euro. Nuk janë lënë anash as firmat vendore, ku në procedurë qeveritare janë edhe ndryshimet në Ligjin për Zonat Industriale dhe të Gjelbra, me të cilin do të rritet ndjeshëm numri i kompanive që shfrytëzojnë zonat, kryesisht ato vendore. Qëllimi është që modeli dhe mbështetja që deri vonë ishte e drejtë apo privilegj ekskluziv i kompanive të huaja të vihet plotësisht në dispozicion të kompanive vendase. Synimi është që këtë vit të arrihen një miliard euro investime në zonat, në vend se deri në vitin 2024 deri në fund të mandatit të kësaj qeverie.

    Ndryshe, vetëm një javë më parë kompania gjermane Gereshajmer investoi 126 milionë euro dhe do të hapë 180 vende të reja pune me paga më të larta se mesatarja e shtetit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    TË DËNOHET GJUHA E URREJTJES NDAJ GRAVE NË RMV!

    Lajmi i rradhës

    Në spitalin e Tetovës realizohet operacioni i parë i ezofagut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë