“E Majta” apo Gir e ndali grafën etnike që e kërkon Lëvizja Besa”?

    Në 2019, Lëvizja Besa i kushtëzoi ndryshimet kushtetuese me kërkesën e saj për grafën etnike në letërnjoftime. Pas një takimi me Kryeministrin  Zoran Zaev, kreut të Besës Bilall Kasami iu premtua se e njëjta do të realizohet.

    Po kjo çështje mbeti pezull, deri në prag të zgjedhjeve parlamentare, në vitin 2020. Grafa etnike ishte sërish ndër premtimet e Besës, madje kjo ishte edhe pjesë e marrëveshjes së koalicion parazgjedhor me LSDM-në. Po mbushen 3 vite që kur kjo ide doli për herë të parë nga Besa, por realizimi ende askund.

    Kasami thotë se Qeveria mbetet e përkushtuar që kjo zgjidhje ligjore të realizohet, por punën në Kuvend ua ka bllokuar partia “E Majta”.

    “Kemi ligjin për kartat e identiteti që është në procedurë parlamentare dhe i cili është i bllokuar nga një parti ekstreme majtiste maqedonase siç është “E Majta” me më shumë se 1 mijë amendamente, jemi në konsultime e sipër me partnerët e koalicionit që të gjejnë rrugë për tejkalimin e kësaj situate”, tha Kasami në ClickPlus.

    Situatë e ngjashme me bllokime në Kuvend, kishte edhe opozita shqiptare, së cilës ju bllokua ligji për shtetësinë, por ajo u kundërpërgjigj duke bllokuar dhjetëra ligje të tjera me mijëra amendamente. Se çfarë zgjidhje për debllokim do të gjejë Besa ende nuk dihet, por kujtojmë se për grafën etnike kundër nuk është vetëm “E majta”. Edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, ka kritikat e tij, duke thënë se përkatësia etnike, politike dhe fetare në kartat e identitetit do të ndalohet nga legjislacioni evropian dhe se Maqedonia e Veriut si vend që pret datë për negociata duhet ta harmonizojë këtë çështje me ligjet e BE-së. Kasami nuk mendon se kjo pengon integrimet evropiane.

    -Unë pas asaj kam pasur një takim me ambasadorit e BE-së, kam pasur takim edhe me ambasadoren e Gjermanisë, të cilët ishin të interesuar që të kenë qëndrimin e Lëvizjes Besa sa i përket kësaj çështjeje.

    TV21-Po qysh qëndrimin kur ju e kishit qëndrimin publik?

    -Ne e kemi sqaruar qëndrimin tonë…

    TV21-Po publik e keni bërë qëndrimin…

    -Ne kemi sqaruar besoj pozicionin tonë edhe sa i përket institucioneve në fjalë…

    TV21-Vetëm nëse kanë dashur ta dinë a po e leni krejt…

    -Dhe ne edhe sa i përket kësaj çështjeje vlerësojmë që përkatësia etnike në letërnjoftim nuk pengon rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së”.

    Euroambasadori Gir në fillim të vitit pat thënë se nga gushti 2021 në BE do të harmonizohet baza e të dhënave personale për të gjitha shtetet, e ku nuk parashihet të shkruhet përkatësia etnike apo të tjera, gjë që tani shtetet e unionit e rregullojnë secila sipas mënyrës së vet. E duke qenë se Gir e pat përmendur gushtin, pas kësaj Kryeministri Zaev u pat shprehur se duam të jemi anëtar të BE-së dhe natyrisht do të respektohen rregulloret evropiane.

    Për Kryeministrin është e pranueshme që etnia të qëndrojë në letërnjoftime, megjithatë nëse kjo çështje do të bie ndesh me ligjet europiane, me të cilat duhet të harmonizohen ato të vendit, premtimi i Besës ose mund të jetë jetëshkurtër ose të mbetet vetëm përpjekje.

    Lajmi Paraprak

    Osmani: NATO-ja është faktor i pazëvendësueshëm për sigurinë e RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Lëreni fëmijën tuaj të ecë zbathur, arsyeja mahnitëse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë