Geer: Partitë politike t’i mbajnë duart larg gjyqësorit

    Bashkimi Evropian është i zhgënjyer nga zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor. Ambasadori i BE-së në Shkup David Geer tha se shkelja e procedurave nga institucioni që duhet të sigurojë pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit është shqetësuese, përcjell Nistori.

    Në Programin 200 në Alsat, Geer  iu bëri thirrje partive politike dhe grupeve të tjera financiare të interesit t’i mbajnë duart larg gjyqësorit.

    “Ne jemi të zhgënjyer. Kur shikon zhvillime, kur procedurat e brendshme nuk respektohen, natyrisht që ngjall shqetësime. Është shumë e rëndësishme që Këshilli Gjyqësor të mos jetë i kapur nga interesat politike apo interesat financiare prandaj u them të gjitha partive politike, grupeve financiare të interesit, mbajini duart larg Këshillit Gjyqësor por edhe gjykatësve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, që duhet të luani rol të madh, keni përgjegjësi të madhe të ndërtoni gjyqësor që arrin standardet më të larta dhe mbi të gjitha plotëson pritjet e qytetarëve të cilët duan të mbështeten në sundimin e ligjit i cili duhet të jetë i drejtë, qartësisht i pavarur dhe me integritet”, deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup David Geer , në Programin 200 në Alsat.

    Shkupi s’do të bllokohet për çështje të historisë ose identitetit!

    “Ka një zotim, nga ana e BE-së që fokusi të jetë në zbatimin e reformave, sepse rruga drejt BE-së është përmes reformave. Prandaj ndonjë bllokim i mundshëm do të kishte lidhje me reformat dhe jo për çështje të tjera që prekin historinë ose identitetin për të cilat ka shqetësime”, deklaroi Dejvid Gir, në Programin 200 në Alsat.

    Sipas ambasadorit Gir garanci s’ka pasur dhe nuk ka për asnjë shtet që është në procesin e negociatave pasi kjo varet nga plotësimi i hapave të nevojshëm për anëtarësim në BE.

    “Pra, nëse ka garanci? Nuk ka garanci në asnjë proces por nga përvoja e kaluar  kur i sheh shtetet që janë anëtarësuar, janë ballafaquar me çështje shumë serioze, përfshi me fqinjët e tyre. Mendoni Kroacinë me Itali, dhe shumë të tjerë. Çfarë ne kemi parë është se me kalimin e kohës, kur procesi avancohet dhe krijohet besimi, çështjet e vetos fillojnë të zbehen dhe fokusi mbetet te reformat edhe hapat e nevojshëm për anëtarësim në BE, sa më shpejtë që të jetë e mundur”, deklaroi Dejvid Gir.

    Flamuri i BE-së nuk mund të vendoset te ligjet për korridoret

    Qeveria nuk ka të drejtë ta përdorë flamurin e BE-së në ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Ambasadori i BE-së Dejvid Gir tha se qeveria nuk mund të përdorë flamurin e BE-së vetëm se ka probleme me miratimin e ligjeve apo për të shkurtuar debatin. Sipas Gir, flamuri i BE-së mund të përdoret vetëm në ligjet që kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit të BE-së.

    “Sa i përket korridoreve 8 dhe 10D, ne e kemi thënë qartë se janë rrugë strategjike, por në këto ligje nuk ka asgjë me sa e dimë, sa i përket harmonizimit me standardet evropiane. Prandaj ne deklaruam se nuk mund ta përdorni flamurin evropian meqenëse keni vështirësi në procedurat parlamentare apo që të shkurtoni konsultimet”, deklaroi ambasadori i BE-së.

    Ambasadori i BE-së Gir tha se Bashkimi Evropian ndjek nga afër edhe aspektet e tjera lidhur me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D.

    “Sa i përket çështjes lidhur me kontratën me kompaninë Bektel&Enka, ne jemi në kontakt me autoritetet për t’u siguruar se janë në vijë me obligimet që janë marrë në kuadër të raporteve tona bilaterale, në atë që e quajmë Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim por gjithashtu me ligjet dhe standardet evropiane”, deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup.

    Lajmi Paraprak

    Çdo i katërti fëmijë në RMV viktimë e dhunës fizike

    Lajmi i rradhës

    Gjimnazi që ka 11 maturantë dhe 22 profesorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë