1 Maji – të bësh pushim një ditë pune, e cila i mbush me frikë kundërshtarët tanë

    Eric Hobsbawm

    Në një shkrim të 1990 mbi Pashkën në gazetën Observer, Michael Ignatieff-i vinte në dukje  se “shoqëritë shekullare nuk ia kanë dalë kurrë të ofrojnë alternativa ndaj ritualeve fetare”. Pastaj shtonte se Revolucioni Francez “mund t’i kishte shndërruar nënshtetasit në qytetarë, të kishte shkruar liri-barazi-vëllazërinë në qemerin e çdo shkolle, të kishte mbyllur manastiret, por hiq 14 Korrikun, nuk ia kishte dalë të cifloste kalendarin e vjetër të krishterë”. Tema që do të trajtoj është me gjasë e vetmja ciflosje e pamohueshme që një lëvizje shekullare i ka bërë kalendarit të krishterë ose çdo kalendari tjetër zyrtar, duke shpallur një ditë feste jo në një a dy vende, por në 107 shtete në vitin 1990. Për më tepër, kjo datë nuk është vendosur nga qeveritë apo pushtuesit, por nga një lëvizje kryekreje jozyrtare e burrave e grave të varfra. E kam fjalën për 1 Majin, festivalin ndërkombëtar të lëvizjes punëtore, njëqindvjetori i të cilit duhej të ishte kremtuar më 1990 meqenëse ka nisur më 1890.

     “Duhet të ishte” është fraza korrekte pasi, hiq historianët, pakkush ka shfaqur interes për këtë rast, madje as partitë socialiste që janë pasardhëset e atyre që, në kongreset përuruese të asaj që u shndërrua në Internacionalen e Dytë, më 1889 thirrën demonstrata punëtore të njëkohshme ndërkombëtare më 1 maj 1890 për të kërkuar miratimin me ligj të ditës 8-orëshe të punës. Kjo është e vërtetë edhe për ato parti, ende ekzistuese, që ishin të përfaqësuara në kongreset e 1890. Këto parti të Internacionales së Dytë ose pasardhëset e tyre janë sot në qeveri ose opozitat kryesore/qeveritë alternative thuajse kudo në Evropën në perëndim të atyre që deri vonë vetëpërshkruheshin si vende të “socializmit real”. Pritej prej tyre që të dëftonin më shumë krenari, ose të paktën më shumë interes për të shkuarën e tyre.

    Reagimi më i fortë politik për njëqindvjetorin e 1 Majit në Britani erdhi nga Sir John Hackett-i, një ish-gjeneral dhe, mjerisht, ish-drejtues i një fakulteti të Universitetit të Londrës, i cili kërkoi heqjen e 1 Majit, pasi me sa duket e konsideronte si njëfarë shpikjeje sovjetike. Sipas tij, kjo datë nuk mund t’i mbijetonte rënies së komunizmit ndërkombëtar. Sidoqoftë origjina e festës së 1 Majit pranveror të Komunitetit Evropian është e kundërta e atij të bolshevikëve, madje edhe të socialdemokratëve. Origjina e tij gjendet te politikanët antisocialistë të cilët, duke kuptuar rrënjët e thella të 1 Majit në truallin e klasës punëtore perëndimore, donin t’i kundërviheshin apelit të lëvizjeve punëtore e socialiste duke e kooptuar festivalin e tyre për ta transformuar allasoj. Le t’i referohemi një propozimi të prillit 1920 në parlamentin francez, të mbështetur nga dyzet e një deputetë, të cilët i bashkonte vetëm fakti që nuk ishin socialistë:

    “Kjo ditë feste nuk duhet të mbartë asnjë element xhelozie dhe urrejtjeje [fjalë e koduar për luftën e klasave]. Të gjitha klasat, nëse mund të thuhet se klasat ekzistojnë, dhe të gjitha energjitë produktive të kombit duhet të vëllazërohen, të frymëzuara nga e njëjta ide dhe i njëjti ideal.”

    Subjektet që, përpara Komunitetit Evropian, shkuan edhe më larg në tentativën për të kooptuar 1 Majin ishin në ekstremin e djathtë, jo në të majtë. Qeveria e Hitlerit ishte e para, pas Bashkimit Sovjetik, që e shpalli zyrtarisht 1 Majin si Ditën Kombëtare të Punës. Qeveria e Vishisë e mareshali Petain e shpalli 1 Majin Festival të Punës dhe Dakordësisë, dhe thuhet se ishte frymëzuar për këtë akt nga 1 Maji falangist i Spanjës së Franco-s, vend ku mareshali kishte qenë ambasador adhurimplotë. Në të vërtetë Komuniteti Ekonomik Evropian që e shpalli 1 Majin festë publike ishte një trupë e përbërë jo nga socialistë, siç mendon zonja Thatcher, por nga qeveri kryesisht antisocialiste. 1 Majët zyrtarë perëndimorë ishin njohje e nevojës për të pranuar traditën e 1 Majëve jozyrtarë dhe për t’ia shkëputur lëvizjes punëtore, ndërgjegjes klasore dhe luftës së klasave. Po pse ishte kaq e fortë kjo traditë, sa edhe armiqtë e saj mendonin se mund ta përvetësonin, edhe kur, si në rastin e Hitlerit, Franco-s e Petain-it, kishin shkatërruar lëvizjen punëtore socialiste?  

    E jashtëzakonshmja e evoluimit të këtij institucioni është fakti që nuk ka qenë i qëllimtë dhe i planifikuar. Në këtë kuptim, nuk është një “traditë e shpikur”, por një traditë që shpërtheu menjëherë. Nuk ka dyshime për origjinën e drejtpërdrejtë të 1 Majit. Bëhet fjalë për një rezolutë të miratuar nga njëri prej dy kongreseve themeluese rivale të Internacionales – atij marksist – në Parisin e korrikut 1889, ku u parashtrua publikisht kërkesa e ditës 8-orëshe të punës. Meqenëse Federata Amerikane e Punës kishte vendosur paraprakisht të organizonte një demonstratë më 1 Maj 1890, kjo ditë u zgjodh për të organizuar demonstrata ndërkombëtarisht. Ironikisht, në SHBA 1 Maji nuk arriti të jetësohej siç ndodhi gjetiu, për shkak se ekzistonte paraprakisht një festë publike e punës, me karakter gjithnjë e më zyrtar, Dita e Punës, që festohej të hënën e parë të shtatorit.

    Natyrisht studiuesit kanë hulumtuar rreth origjinës së kësaj rezolute dhe mënyrës si lidhej me historinë e mëhershme të luftës për ditën 8-orëshe të punës në SHBA e gjetiu, por këto çështje nuk kanë pse na interesojnë në këtë trajtesë. Me rëndësi është mënyra se si ajo që përfytyronte rezoluta ishte ndryshe nga ajo që erdhi më pas. Le të vëmë në dukje tri fakte rreth propozimit origjinal. Së pari, apeli ishte thjesht për vetëm një manifestim, njëditor, ndërkombëtar. Së dyti, nuk sugjerohej kund se duhej të ishte ndonjë rast veçanërisht festiv ose ritual, ndonëse lëvizjet punëtore të të gjitha vendeve u autorizuan ta “realizonin këtë demonstratë në mënyrat që rezultonin të domosdoshme nga situata e vendeve përkatëse”. Sigurisht që diçka e tillë ishte një dalje emergjence për hir të Partisë Socialdemokrate Gjermane, e cila asokohe ishte ende ilegale për shkak të ligjit antisocialist të Bismarck-ut. Së treti, s’ka ndonjë shenjë se kjo rezolutë të jetë konsideruar asokohe si veçanërisht e rëndësishme. Përkundrazi, raportimet e shtypit të kohës mezi e përmendin dhe, me një përjashtim (çuditërisht një gazetë borgjeze), pa përmendur datën e propozuar. Edhe raporti zyrtar i kongresit, i botuar nga Partia Socialdemokrate Gjermane, mezi i përmend propozuesit e rezolutës dhe e printoi tekstin e saj pa ndonjë koment apo tjetërçka që të bënte të kuptoje se bëhej fjalë për diçka me rëndësi. Shkurt, siç kujtonte disa vite më pas Edourd Vaillant-i, një prej delegatëve më të shquar dhe më të ndjeshëm politikisht të Kongresit: “Kush do ta parashikonte… ngritjen e shpejtë të 1 Majit?!

    Ngritja dhe institucionalizimi i shpejtë i tij shpjegohen sigurisht nga suksesi i jashtëzakonshëm i demonstratave të para të 1 Majit më 1890, sidomos në Evropën në perëndim të Perandorisë Ruse dhe Ballkanit. Socialistët kishin gjetur momentin e duhur për të themeluar ose, po të doni, rithemeluar Internacionalen. 1 Maji i parë përkonte me avancimin triumfator të fuqisë dhe vetëbesimit të punëtorëve në vende të shumta. Citojmë vetëm dy shembuj të njohur: shpërthimi i Sindikalizmit të Ri në Britani, që pasoi grevën e dokerëve më 1889, dhe fitoren socialiste në Gjermani, ku Rajhtagu refuzoi mbajtjen në fuqi të ligjit antisocialist të Bismarck-ut në janar 1890, ku për pasojë një muaj më vonë Partia Socialdemokrate dyfishoi numrin e votave të saj në zgjedhjet e përgjithshme dhe arriti në pragun e 20% të votës kombëtare. Suksesi i demonstratave masive në një moment të tillë nuk ishte i vështirë pasi aktivistët dhe militantët punuan me gjithë shpirt, ndërsa masat e punëtorëve të zakonshëm iu bashkuan atyre për të festuar një sens fitoreje, fuqie, njohjeje e shprese.

    Prapëseprapë masiviteti i pjesëmarrjes së punëtorëve në këto demonstrata i habiti nismëtarët, ku spikatën 300.000 pjesëmarrësit që mbushën parkun Hyde në Londër, demonstratë e cila ende sot mban rekordin e pjesëmarrësve. Nga ana tjetër, ndonëse të gjitha partitë dhe organizatat socialiste organizuan demonstrata e mitingje, vetëm disa syresh arritën të kuptojnë potencialin e plotë të këtij rasti dhe u angazhuan me forca të plota. Partia Socialdemokrate Austriake spikati në kuptimin e menjëhershëm të situatës, çka rezultoi në faktin se, sipas vëzhgimeve të Engelsit disa javë më vonë, “në kontinent Austria, dhe brenda Austrisë Vjena, e organizuan këtë festival në mënyrën më të shkëlqyer e të përshtatshme”.

    Ç’është e vërteta, në shumë vende partitë dhe lëvizjet lokale në vend se të punonin me mish e me shpirt për përgatitjen e 1 Majit, ishin brenda qorrsokakëve të debateve dhe ndarjeve ideologjike rreth formës ose formave legjitime të këtyre demonstratave – do t’i kthehemi më poshtë kësaj çështjeje – ose thjesht tregonin kujdes të tepruar. Përballë një reagimi tejet nervoz, në disa raste edhe histerik, të qeverive, opinionit të klasës së mesme dhe punëdhënësve, të cilët kërcënuan me shtypje policore dhe viktimizim, udhëheqësit e përgjegjshëm socialistë preferuan në të shumtën e rasteve të shmangnin trajtat tejet provokuese të përballjes. Kjo ndodhi sidomos në Gjermani, ku ndalimi ligjor i partisë sapo ishte hequr pas njëmbëdhjetë vitesh ilegalitet. “Kemi të gjitha arsyet për t’i mbajtur nën kontroll masat gjatë demonstratës së 1 Majit. Duhet të shmangim konfliktet.” – i shkruante udhëheqësi i partisë August Bebel Engelsit. Dhe Engelsi binte dakord.  

    Çështja kryesore ishte nëse punëtorëve do t’u kërkohej të demonstronin gjatë orarit të punës, pra të hidheshin në grevë, pasi 1 Maji i 1899 i binte ditë e enjte. Në fakt partitë e matura dhe sindikatat më të fuqishme – nëse nuk qëllonte të dëshironin apo të ishin në grevë e sipër, siç ishte plani i Federatës Amerikane të Punës – nuk e kuptonin pse do të duhej të rrezikonin veten dhe anëtarët e tyre në emër të një gjesti simbolik. Kësisoj u prirën drejt organizimit të demonstratave në të dielën e parë të majit dhe jo në ditën e parë të muajit. Ky ishte dhe mbeti opsioni i zgjedhur nga britanikët, çka shpjegon pse 1 Maji i parë i madh u organizua më 4 maj. Sidoqoftë kjo ishte edhe preferenca e partisë gjermane, ndonëse këtu, ndryshe nga Britania, mbizotëroi në praktikë 1 Maji. Në fakt kjo çështje do të diskutohej formalisht në Kongresin Socialist Ndërkombëtar të mbajtur në Bruksel më 1991, ku në këtë pikë britanikët dhe gjermanët ishin kundër francezëve dhe austriakëve, por fituan këta të fundit. Edhe kësaj here, si në shumë aspekte të tjera të 1 Majit, kjo çështje ishte produkt aksidental i zgjedhjes ndërkombëtare të datës. Rezoluta origjinale nuk i referohej çështjes së ndalimit të punës. Problemi lindi thjesht për shkak se 1 Maji i parë qëlloi në ditë jave, siç e zbuluan menjëherë planifikuesit e demonstratës.  

    Mbizotëronte fryma e kujdesit. Po forca e 1 Majit bazohej pikërisht te zgjedhja e simbolit përmbi arsyen praktike. Akti i ndalimit simbolik të punës e bëri 1 Majin më shumë se një ditë demonstrate, madje më shumë se rastin përkujtimor të radhës. Në vendet dhe qytetet ku partitë këmbëngulën në grevën simbolike, edhe kundër sindikatave hezituese, 1 Maji u bë vërtet pjesë qendrore e jetës së klasës punëtore dhe identitetit punëtor, siç nuk ndodhi në Britani, pavarësisht nisjes brilante. Ndalimi i punës në një ditë jave ishte edhe pohim i fuqisë së klasës punëtore – në fakt, shprehje thelbësore e kësaj fuqie – edhe thelb i lirisë, domethënë i të mosqenit të detyruar të punosh me djersën e ballit, por të zgjedhësh të bësh ç’të duash me familjen dhe miqtë. Kësisoj ishte edhe gjest i pohimit klasor dhe i luftës së klasave, edhe ditë feste: njëfarë imazhi i jetës së mirë që do të vinte pas emancipimit të punëtorëve. Afërmendsh, në rrethanat e vitit 1890 ishte edhe festim i një fitoreje, një xhiro nderi e fituesit rreth stadiumit. Në këtë këndvështrim, 1 Maji mbartte një ngarkesë plot me emocione e shpresë.

    Këtë kuptoi Victor Adler-i kur, përkundër këshillës së Partisë Socialdemokrate Gjermane, këmbënguli që partia austriake duhej të provokonte pikërisht përballjen që donte të shmangte Bebel-i. Ashtu si Bebel-i, ai kuptoi frymën e euforisë, të konvertimit në masë, gati-gati të pritshmërisë mesianike që përshkoi tejendanë klasat punëtore të kohës. “Zgjedhjet kanë ndikuar në mendimin e masave më pak të edukuara politikisht. Ato besojnë se mjafton ta duash diçka dhe mund të arrihet.” – shprehej Bebel-i. Ndryshe nga Bebel-i, Adler-i ende shihte nevojën për mobilizimin e këtyre ndjenjave në ndërtimin e një partie masash prej kombinimit të aktivistëve dhe simpatisë në rritje të masave. Veç kësaj, ndryshe nga gjermanët, punëtorët austriakë nuk e kishin fituar akoma të drejtën e votës. Kështu që fuqia e lëvizjes nuk mund të demonstrohej akoma elektoralisht. Edhe skandinavët e kuptuan potencialin mobilizues të aksionit të drejtpërdrejtë kur, pas 1 Majit të parë, votuan pro përsëritjes së demonstratës më 1891, “veçanërisht nëse kombinohet me ndalimin e punës dhe nuk është thjesht shprehje opinionesh.” Internacionalja përqafoi të njëjtën pikëpamje kur më 1891 votoi (kundër mendimit të delegatëve britanikë e gjermanë) për të organizuar demonstratë më 1 Maj dhe “për të ndalur punën kudo që ishte e mundur”.

    Kjo nuk donte të thoshte se lëvizja ndërkombëtare bëri apel për grevë të përgjithshme pasi, pavarësisht pritshmërive të pakufishme të momentit, punëtorët e organizuar ishin të vetëdijshëm për forcën dhe dobësitë e tyre. Çështjet nëse punëtorët do të hidheshin në grevë më 1 Maj apo nëse do të hiqnin dorë nga një ditë page për demonstratën, u diskutuan gjerësisht në pabet dhe baret e Hamburgut proletar, siç dëshmojnë policët civilë të dërguar nga Senati për të përgjuar bisedat e punëtorëve në këtë qytet fort “të kuq”. U kuptua se shumë punëtorë do ta kishin të pamundur të hidheshin në grevë, edhe sikur të dëshironin. Kësisoj punëtorët e hekurudhës i dërguan një telegram 1 Majit të parë të Kopenhagenit, i cili u lexua dhe u prit me brohoritma: “Meqenëse nuk mund të jemi të pranishëm në demonstratë për shkak të presioneve të të pushtetshmëve, ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për kërkesën e ditës 8-orëshe të punës.” Sidoqoftë, aty ku punëdhënësit e dinin se punëtorët ishin të fortë dhe të përkushtuar, shpesh e pranonin në heshtje që kjo ditë të bëhej pushim. Kjo ndodhi rëndom në Austri. Kësisoj, pavarësisht instruksioneve të qarta të Ministrisë së Brendshme se ndaloheshin procesionet dhe se nuk lejohej dita e pushimit; dhe pavarësisht vendimit formal të punëdhënësve se nuk do ta trajtonin 1 Majin si ditë pushimi – madje në disa raste do ta zëvendësonin ditën përpara 1 Majit si ditë pushimi – Fabrika e Armatimeve Shtetërore në Steir, në Austrinë e epërme, e ndali punën më 1 Maj 1890 dhe çdo vit pasues. Tekembramja, në Kopenhagen rreth 40% e punëtorëve të qytetit morën pjesë në demonstratën e 1890.

     Për shkak të këtij suksesi të dukshëm dhe thuajse të papritur të 1 Majit të parë, ishte e natyrshme të kërkohej përsëritja e tij. Siç e kemi nxjerrë në pah, lëvizjet e bashkuara skandinave e kërkuan diçka të tillë në verën e 1890, sikundër edhe spanjollët. Nga fundi i vitit pjesa më e madhe e partive evropiane ranë dakord. Që kjo datë të bëhej një ngjarje madhore e përvitshme mund të mos jetë sugjeruar në fillim nga militantët e Tuluzës, të cilët miratuan një rezolutë për këtë çështje më 1890, por nuk përbën çudi që kongresi i Brukselit i Internacionales vendosi që lëvizja punëtore të identifikohej çdo vit me 1 Majin. Sidoqoftë u morën edhe dy vendime të tjera, duke këmbëngulur, siç e vumë në dukje, që 1 Maji duhej festuar nga një demonstratë në ditën e parë të muajit, kurdo që të binte ajo gjatë javës, për të theksuar “karakterin e vërtetë të saj si një kërkesë ekonomike për ditën 8-orëshe të punës dhe pohimin e përpjekjes klasore”. U shtuan të paktën dy kërkesa ditës 8-orëshe të punës: miratimi i legjislacionit social dhe përpjekja kundër luftës. Ndonëse që prej fillimit ishte pjesë zyrtare e 1 Majit, në vetvete parulla për paqe nuk arriti të integrohej realisht brenda traditës popullore të 1 Majit, përveçse si diçka që përforconte karakterin ndërkombëtar të kësaj ngjarjeje. Sidoqoftë, përveç shtrirjes së përmbajtjes programore të demonstratës, rezoluta përmbante edhe një risi. Ajo kërkonte “festimin” e 1 Majit. Lëvizja i kishte dhënë zyrtarisht kësaj ngjarjeje jo vetëm karakterin e një veprimtarie politike, por edhe të një festivali.  

    Edhe kjo nuk ishte pjesë e planit fillestar. Përkundrazi, krahu militant i lëvizjes dhe, afërmendsh, anarkistët ishin kundër idesë së festimeve, duke përdorur plot pasion argumente ideologjike. 1 Maji ishte ditë përpjekjeje. Anarkistët do të kishin preferuar që kjo datë të ridimensionohej nga një ditë e vetme pushimi që u merret kapitalistëve në një grevë të përgjithshme të madhe e cila do të përmbyste krejt sistemin. Siç ndodh rëndom, revolucionarët më militantë kishin një këndvështrim më të zymtë për luftën e klasave, siç e tregon shpesh ikonografia e flamurit të kuq që herë pas here ndriçon masat e errëta dhe gri. Anarkistët preferonin ta shihnin 1 Majin si përkujtim të martirëve – martirëve të Çikagos së 1886, “një ditë zie dhe jo festimi”, dhe aty ku kishin më shumë ndikim, si në Spanjë, Amerikën e Jugut dhe Itali, aspekti martirologjik i 1 Majit u bë pjesë e kësaj ngjarjeje. Kekët dhe birrat nuk bënin pjesë në planin revolucionar. Në fakt, siç tregon një studim i kohëve të fundit për 1 Majin anarkist në Barcelonë, një prej karakteristikave kryesore të kohës përpara themelimit të republikës ishte refuzimi për ta trajtuar ose quajtur atë “Festa del Traball”, pra festival i punës. Poshtë aksionet simbolike! Ose revolucion, ose asgjë! Disa anarkistë refuzuan madje edhe të nxisnin greva për 1 Maj, pasi mendonin se gjithçka që nuk niste me të vërtetë revolucionin duhej konsideruar thjesht si diversion reformist. Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) me karakter sindikalisto-revolucionar në Francë, nuk e pranoi karakterin festiv të 1 Majit deri pas Luftës së Parë Botërore.

    Udhëheqësit e Internacionales së Dytë mund ta kenë inkurajuar shndërrimin e 1 Majit në festival, pasi donin të shmangnin taktikat përleshëse të anarkistëve dhe sigurisht që ishin për të ndërtuar bazën më të gjerë të mundshme për demonstratat. Po ideja e një dite festive klasore, edhe për të luftuar edhe për t’ia kaluar mirë, nuk ishte në mendjen e iniciatorëve. Atëherë, nga erdhi ajo?

    Fillimisht rol kyç pati zgjedhja e datës. Pushimet e pranverës kanë rrënjë të thella në ciklin ritual të vitit në hemisferën e veriut me mot të butë, dhe muaji i majit simbolizon ringjalljen e natyrës. Për shembull në Suedi 1 Maji prej shumë kohësh ishte thuajse ditë publike pushimi. Meqë ra fjala, ky ishte një prej problemeve të festimit të 1 Majëve dimërorë në Australinë militante. Nga ikonografia dhe literatura e bollshme që zotërojmë, të cilat janë bërë publike vitet e fundit, është krejt e kuptueshme se natyra, bimët dhe mbi të gjitha lulet do të përdoreshin automatikisht dhe anekënd si simbole të kësaj ngjarjeje. Në një prej mbledhjeve më të thjeshta rurale, si ajo e fshatit Stirian më 1890, nuk duken flamuj, por stenda me kurora lulesh ku shfaqen parulla dhe muzikantë. Një fotografi e hijshme e një 1 Maji të mëvonshëm provincial, në Austri, tregon çiklistë-punëtorë socialdemokratë, burra e gra, që dalin në paradë me rrota dhe timonë, të mbuluar me lule, dhe një fëmijë i rrethuar me lule në një tip karroce të vendosur midis dy biçikletave.

    Lulet shfaqen papandehur rreth portreteve të vrazhda të shtatë delegatëve austriakë të Kongresit të Internacionales më 1889, të shpërndara në 1 Majin e parë vjenez. Lulet depërtuan edhe brenda miteve militante. Në Francë, pushkatimi i Furmjesë më 1891, ku u vranë 10 vetë, simbolizohet në traditën e re nga tetëmbëdhjetë-vjeçarja Maria Blondeau, e cila kërcente përpara 200 të rinjve e të rejave, duke valëvitur një buqetë murrizi të cilën ia kishte dhuruar i fejuari, derisa ushtarët e pushkatuan. Në këtë imazh përzien dy traditat e 1 Majit. Ç’lule? Së pari, siç tregon dega e murrizit, kemi të bëjmë me ngjyra pranverore dhe jo politike, ndonëse lëvizja vendosi shpejt që të kalonte te ngjyrat e veta të lulëzimit: trëndafilat, lulëkuqet dhe sidomos karafilat. Sidoqoftë, rëndësi parësore kanë lulet dhe të gjitha simbolet e tjera të lulëzimit të rritjes, rinisë, ringjalljes dhe shpresës, domethënë gratë. Nuk është rastësi që shumica e ikonave më universale të kësaj ngjarjeje, të riprodhuara herë pas here në një larmi gjuhësh, vijnë nga Walter Crane-i – sidomos gruaja e re e famshme frigjase e rrethuar me kurora lulesh. Lëvizja socialiste britanike ishte e vogël dhe e parëndësishme, si dhe 1 Majët e saj, pas viteve të para, ishin margjinalë. Sidoqoftë, nëpërmjet William Morris-it, Crane-it dhe lëvizjes arte-artizanate, frymëzues të “artit të ri” më ndikimplotë të kësaj periudhe, ajo e gjeti shprehjen e vet të duhur në frymën e kohës. Ndikimi ikonografik britanik tregon karakterin internacionalist të 1 Majit.

    Në fakt, ideja e një festivali publik ose dite pushimi të punëtorëve nisi të mbizotërojë, sërish në mënyrë spontane dhe thuajse të menjëhershme – e ndihmuar padyshim nga fakti se në gjermanisht folja feiern do të thotë edhe “të mos punosh”, edhe “të festosh formalisht”. (Përdorimi i “luajtjes” si sinonim i “hedhjes në grevë”, diçka e zakonshme në Anglinë e pjesës së parë të shekullit, sot nuk vihet re njëlloj.) Sidoqoftë dukej e logjikshme që në një ditë kur njerëzit nuk shkonin në punë, mitingjet dhe marshimet politike të pasoheshin me aktivitete të mëvonshme shoqërizuese e argëtuese, aq më tepër kur kujtojmë rëndësinë parësore të haneve e restoranteve si vendtakime të lëvizjes punëtore. Baristët dhe kabaretistët formonin një sektor të rëndësishëm të aktivistëve socialistë në shumë vende.

    Një prej pasojave më të rëndësishme të kësaj duhet përmendur menjëherë. Ndryshe nga politika, e cila asokohe ishte “punë burrash”, ditët e festave përfshinin gratë dhe fëmijët. Burimet vizuale dhe të shkruara dëshmojnë praninë dhe pjesëmarrjen e grave që në zanafillë të 1 Majit. Çka e bënte një demonstrim autentik klasor që, bie fjala, si në Spanjë, nisi të tërhiqte gjithnjë e më shumë punëtorë që nuk ishin politikisht me socialistët, ishte pikërisht fakti se bëhej fjalë për një ngjarje që nuk kufizohej te burrat, por u përkiste familjeve. Nga ana tjetër, nëpërmjet 1 Majit gratë, të cilat nuk ishin të përfshira drejtpërdrejt në tregun e punës si punëtore me mëditje, domethënë në shumë vende pjesa më e madhe e grave të martuara të klasës punëtore, u identifikuan publikisht me lëvizjen dhe klasën punëtore. Nëse jeta e bazuar te puna me mëditje u përkiste kryesisht burrave, refuzimi për të punuar për një ditë i bashkonte të gjitha moshat e sekset në klasën punëtore.  

    Konkretisht të gjitha festat e rregullta përpara kësaj kohe kishin karakter fetar, në të gjitha eventet në Evropë, përveç Britanisë ku në mënyrë tipike 1 Maji i Komunitetit Evropian ishte asimiluar nga Festa e Bankës. 1 Maji ndante me festat e krishtera aspiratën për universalizëm ose, në termat e punës, internacionalizëm. Ky universalitet u bënte shumë përshtypje pjesëmarrësve dhe i jepte forcë apelit të kësaj dite. Këtë e tregojnë edhe gazetat e panumërta të murit të 1 Majit, rëndom të prodhuara në lokalitet, të cilat janë një burim i vlefshëm i ikonografisë dhe historisë kulturore të kësaj ngjarjeje – vetëm nga Italia parafashiste janë ruajtur 308 numra të ndryshëm. Gazeta e parë e 1 Majit e botuar në Bolonja më 1891 përmban jo më pak se katër artikuj që i dedikohen në mënyrë specifike universalitetit të kësaj dite. Dhe, sigurisht, analogjia me Pashkën ose të kremten dukej po aq e qartë sa ajo me festimin e pranverës sipas zakoneve folkloristike.

    Socialistët italianë, të vetëdijshëm për apelin spontan të festës së re të punës ndaj një popullsie gjerësisht katolike e analfabete, përdorën termin “Pashka e punëtorëve” së paku që prej vitit 1892. Të tilla analogji u bënë të zakonshme ndërkombëtarisht në gjysmën e dytë të viteve 1890. Arsyeja kuptohet thjesht. Ngjashmëria me një lëvizje fetare ringjallëse me pritshmëri mesianike ishte e dukshme. E njëjtë, në disa mënyra, ishte edhe ngjashmëria midis trupës së udhëheqësve, aktivistëve dhe propagandistëve të hershëm me priftërinjtë, ose të paktën me trupën e predikuesve laikë. Ekziston një fletushkë e jashtëzakonshme nga Shalëruaja e Belgjikës më 1898, e cila riprodhon çka mund të konsiderohet vërtet si predikim i 1 Majit: asnjë fjalë nuk do t’i shkonte më shumë. Ajo ishte hartuar nga, ose në emër të, dhjetë deputetëve dhe senatorëve nga Parti Ouvrier Belge, padyshim të gjithë ateistë, duke përdorur epigrafin e përbashkët: “Punëtorë të të gjitha vendeve bashkohuni! (Karl Marks)” dhe “Duajeni njëri-tjetrin! (Jezusi)”. Shembulli i mëposhtëm e tregon më së miri këtë frymë:

    “Kjo është koha e pranverës dhe festimit, kur evolucioni i përhershëm i natyrës ndriçon në gjithë lavdinë e vet. Ashtu si natyra, edhe ju duhet ta mbushni veten me shpresë dhe të përgatiteni për Jetën e Re.”

    Pas disa pasazheve me instruktime morale (“Respektoni veten: Kujdes nga pijet alkoolike që ju dehin dhe pasionet që ju degradojnë!” etj.) dhe inkurajimit socialist, mbyllja vinte me një pasazh shprese mijëvjeçariste:

    “Së shpejti kufijtë do të zhduken. Së shpejti do t’u vijë fundi luftërave dhe ushtrive. Sa herë të praktikoni virtytet socialiste të Solidaritetit dhe Dashurisë, do ta afroni më shumë këtë të ardhme. Paskëtaj, në paqe e gëzim, do të lindë një botë në të cilën do të triumfojë Socializmi, me t’u kuptuar siç duhet nga të gjithë detyra shoqërore e zhvillimit reciprok.”

    Megjithatë e veçanta e lëvizjes së re punëtore nuk kishte të bënte me besimin, pavarësisht jehonës së shpeshtë të tonit dhe stilit të ligjërimit fetar, por me faktin se ishte fare pak e ndikuar nga modeli fetar edhe në vendet ku masat ishin thellësisht fetare dhe binte ndesh me qëllimet e kishës. Për më tepër, kishte pak konvergjencë midis besimit të vjetër dhe të ri, përveç disa rasteve (por jo gjithmonë) kur protestantizmi kishte trajtën e sekteve jozyrtarisht opozitare dhe jo të një kishe, siç ndodhte në Angli. Lëvizja socialiste e punëtorëve ishte shekullare dhe antifetare në mënyrë militante, e cila i konvertonte në masë besimtarët ose ish-besimtarët.

    Arsyet janë të kuptueshme. Socializmi dhe lëvizja punëtore u bënin apel burrave e grave për të cilat, si klasë e re e vetëdijshme, nuk kishte vend në komunitetin ku kishat mbizotëruese, veçanërisht Kisha Katolike, ishin shprehëset tradicionale. Ato ishin vendbanime të “të jashtmëve” – bazuar te profesioni si për shembull fshatrat minerarë, protoindustrialë apo fshatrat fabrikë, bazuar tek origjina si shqiptarët në atë që u shndërrua në fshatin “e kuq” të Piana dei Greci në Siçili (sot Hora e Arbëreshëve), ose të bashkuar nga ndonjë kriter tjetër që i dallonte kolektivisht nga shoqëria e gjerë. Këtu “lëvizja” mund të funksiononte si komunitet dhe kësisoj të merrte përsipër shumë nga praktikat e vjetra të fshatit që deri atëherë ishin të monopolizuara nga feja. Sidoqoftë kjo ishte diçka e pazakontë. Në fakt një arsye madhore e suksesit masiv të 1 Majit qëndronte në faktin se nisi të shihej si e vetmja ditë feste që kishte të bënte vetëm me klasën punëtore dhe askënd tjetër, madje ditë e cila ishte fituar nëpërmjet veprimit kolektiv të punëtorëve. Ç’është më e rëndësishmja, në këtë ditë ata që zakonisht ishin të padukshëm në sferën publike, të paktën për një ditë zinin hapësirën zyrtare të sundimtarëve dhe shoqërisë. Në këtë kuptim, galatë e minatorëve britanikë, ku ajo e minatorëve të Durham-it ka mbijetuar më gjatë, i paraprinë 1 Majit, por bazoheshin te një industri dhe nuk përfshinin klasën punëtore në tërësi. Kësisoj e vetmja marrëdhënie midis 1 Majit dhe feve tradicionale ishte mëtimi i të drejtave të barabarta. “Priftërinjtë kanë festivalet e tyre” – shprehej një gazetë muri e 1 Majit në Vogera të luginës së lumit Po, “të moderuarit kanë festivalet e tyre. Ashtu edhe demokratët. 1 Maji është Festivali i punëtorëve të të gjithë botës.”

    Kishte edhe diçka tjetër që e dallonte lëvizjen punëtore nga feja. Fjala e saj kyçe ishte “e reja”, si në emrin e revistës teorike marksiste Die Neue Zeit (Koha e Re), të themeluar nga Kautsky, dhe në këngën e punëtorëve austriakë që ende shkon bashkë me 1 Majin, refreni i të cilit thotë: “Mit uns zieht die neue Ziet” (“Koha e re përparon me ne”). Siç na tregojnë përvojat skandinave dhe austriake, socializmi arriti në fshatrat dhe qytetet provinciale së bashku me hekurudhat, me ata që i ndërtuan dhe mirëmbanin ato, si dhe me idetë dhe kohët e reja që sollën me vete. Ndryshe nga festat e tjera publike, duke përfshirë shumicën e ngjarjeve rituale të lëvizjes punëtore deri asokohe, 1 Maji nuk përkujtonte gjësend – hiq sferën e ndikimit anarkist i cili, siç e vumë në dukje, dëshironte ta lidhte atë me anarkistët e Çikagos së 1886. Ai kishte të bënte vetëm me të ardhmen, e cila, ndryshe nga një e shkuar e cila u sillte punëtorëve vetëm kujtime të këqija (“Du passe faisons table rase” – thoshte me të drejtë Internacionalja), premtonte emancipimin. Ndryshe nga tradita fetare, “lëvizja” nuk premtonte shpërblime pas vdekjes, por një Jerusalem të ri mbi tokë.

    Ikonografia e 1 Majit, e cila zhvilloi shumë shpejt imazherinë dhe simbolizmin e vet, orientohet tërësisht nga e ardhmja. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk është tërësisht e qartë, por dihet që do të jetë e mirë dhe do të vijë medoemos. Fatmirësisht për suksesin e 1 Majit, të paktën njëri prej shtigjeve drejt të ardhmes e ktheu këtë ngjarje në diçka më shumë se demonstratë dhe festival. Më 1890 demokracia elektorale ishte ende tejet e rrallë në Evropë dhe kërkesa për të drejtën e përgjithshme të votës iu shtua asaj të ditës 8-orëshe të punës dhe parullave të tjera të 1 Majit. Është interesant fakti që kërkesa për votën, ndonëse u bë pjesë integrale e 1 Majit në Austri, Belgjikë, Skandinavi, Itali e gjetiu derisa u fitua, nuk u bë pjesë ndërkombëtare zyrtare e përmbajtjes politike si p.sh dita 8-orëshe e punës dhe më vonë paqja. Sidoqoftë, aty ku mund të artikulohej, ajo u bë pjesë integrale e ngjarjes dhe e forcoi shumë domethënien e saj.

    Në fakt, praktika e organizimit apo kërcënimit me grevë të përgjithshme për të fituar të drejtën e përgjithshme të votës, që u zhvillua me njëfarë suksesi në Belgjikë, Suedi e Austri dhe ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit mes partisë dhe sindikatave, erdhi si rrjedhojë e ndalimeve simbolike të punës për 1 Maj. E para grevë e tillë nisi nga minatorët belgë në 1 Majin e 1891. Nga ana tjetër, sindikatat ishin mjaft më të interesuara për parullën e 1 Majit suedez “Më pak orë pune dhe paga më të larta!” sesa për ndonjë aspekt tjetër të kësaj dite të madhe. Herë pas here, si në Itali, ato u përqendruan vetëm te kjo kërkesë dhe ua lanë të tjerëve çështjen e demokracisë. Përparimet e mëdha të lëvizjes punëtore, ku përfshihej edhe udhëheqja efektive e procesit të demokratizimit, nuk bazoheshin në një konceptim të ngushtë ekonomik të interesit vetjak.

    Sigurisht që demokracia ishte element qendror i lëvizjeve punëtore. Ajo nuk ishte thelbësore vetëm për progresin e saj, por edhe e pandashme nga ajo. 1 Maji i parë në Gjermani u përkujtua nga një pllakat që tregonte Karl Marksin më një anë dhe Statujën e Lirisë në tjetrën. Një fletushkë e printuar e 1 Majit austriak më 1891 tregonte Marksin me “Kapitalin” në dorë, që dëftonte me gisht drejt detit ku shiheshin ishuj romantikë të mirënjohur nga bashkëkohësit prej pikturave me karakter mesdhetar, pas të cilave ngrihej dielli i 1 Majit, i cili ishte simboli më jetëgjatë dhe i fuqishëm i të ardhmes. Në rrezet e tij lexoheshin parullat e Revolucionit Francez: Liri, Barazi, Vëllazëri!, të cilat hasen në shumë prej stemave dhe përkujtesave të 1 Majit. Marksi është i rrethuar nga punëtorë, që duken gati të drejtojnë anijet kah ishulli, kudoqoftë, ndërsa në velat e tyre shkruhet: “E Drejtë e Përgjithshme dhe e Drejtpërdrejtë e Votës! Ditë 8-Orëshe e Punës dhe Mbrojtje për Punëtorët!” Kjo ishte tradita origjinale e 1 Majit.

    Kjo traditë zuri vend me shpejtësi të jashtëzakonshme – brenda dy ose tre viteve – nëpërmjet një simbioze interesante midis parullave të udhëheqësve socialistë dhe interpretimit të tyre shpesh spontan nga militantët dhe punëtorët e terrenit. Ajo u formua në ato vite të para të mrekullueshme të lulëzimit të papritur të lëvizjeve dhe partive masive punëtore, ku çdo ditë sillte rritje të dukshme, ku vetë ekzistenca e këtyre lëvizjeve, vetë pohimi i klasës punëtore, dukej si garanci e triumfit të ardhshëm. Për më tepër, ajo dukej si shenjë e triumfit të afërt, ndërsa portat e botës së re po hapeshin përpara klasës punëtore.

    Sidoqoftë, mijëvjeçari nuk erdhi dhe 1 Maji, si shumëçka në lëvizjen punëtore, duhej të rregullohej dhe institucionalizohej, ndonëse diç prej lulëzimit të vjetër të shpresës dhe triumfit u kthye në vitet e mëvonshme pas luftërave dhe fitoreve të mëdha. Këtë mund ta shohim në 1 Majët e çmendur futuristë të Revolucionit të hershëm Rus dhe thuajse kudo në Evropën e viteve 1919-1920, kur kërkesa origjinare e 1 Majit për ditën 8-orëshe të punës u fitua në shumë vende. Mund të vihet re në 1 Majët e Frontit Popullor në Francën e viteve 1935-1936 dhe në ato vende të kontinentit që u çliruan nga pushtuesit fashistë. Prapëseprapë, në shumicën e vendeve me lëvizje punëtore socialiste masive, 1 Maji u kthye në rutinë pak vite pas 1914.

    Është interesant fakti që gjatë kësaj periudhe rutinizimi 1 Maji fitoi dimensionin e vet ritualist. Sipas një historiani italian, kur reshti së konsideruari si paradhoma e menjëhershme e transformimit të madh, 1 Maji u kthye në “një rit kolektiv me liturgjitë dhe hyjnitë e veta”, ku hyjnitë zakonisht merrnin trajtën e grave të reja me flokë të shpupuritura dhe veshje të hapët që u tregonin udhën drejt diellit në ngritje turmave gjithnjë e më pak të shqueshme apo marshimeve të burrave e grave. A mishërohej ai me Lirinë, Pranverën, Rininë, Shpresën apo Agimin e kuqërremtë, apo nga pak prej të gjithave? Kush mund ta dijë?! Nga ana ikonografike ai nuk ka tjetër karakteristikë universale përveç rinisë pasi as kapela frigjase, që është tejet e zakonshme, apo vetitë tradicionale të Lirisë, nuk hasen gjithmonë. Gjurmët e ritualizimit të kësaj dite mund t’i gjejmë te lulet të cilat, siç e kemi vënë në dukje, hasen që në zanafillë, por kanë marrë karakter zyrtar vetëm nga fundi i shekullit. Kësisoj karafili i kuq fitoi status zyrtar në vendet habsburgase dhe në Itali prej vitit 1900, kur simbolizmi i tij u shtjellua me gjallëri dhe talent në gazetën e murit të Firences. (Il Garofano Rosso botohej çdo 1 Maj deri në Luftën e Parë Botërore.) Trëndafili i kuq u zyrtarizua në vitet 1911-1912. Dhe, duke çmeritur revolucionarët e pakorruptueshëm, zambaku i luginës tërësisht jopolitik nisi të futet në 1 Majin punëtor në fillim të viteve 1900, derisa u bë një prej simboleve të rregullta të kësaj dite.

    Megjithatë epoka e madhe e 1 Majëve nuk mori fund, ndonëse ata mbetën edhe të ligjshëm – domethënë me kapacitetin për të nxjerrë në rrugë masa njerëzish – edhe jozyrtarë. Me t’u bërë  ditë feste apo, më keq akoma, me t’u imponuar nga lart, karakteri i tyre medoemos do të ndryshonte. Dhe përderisa mobilizimi masiv publik ishte thelbi i tyre, ata nuk mund të rezistonin ilegalisht, ndonëse socialistët (dhe më vonë komunistët) e Horës së Arbëreshëve krenoheshin, edhe gjatë ditëve të errëta të fashizmit, me dërgimin e disa shokëve çdo 1 Maj në shtegun malor, të njohur ende si shkëmbi i doktor Barbatos, ku apostujt lokalë të socializmit u ishin drejtuar atyre më 1893. Në të njëjtin vend banditi Giuliano masakroi pjesëmarrësit në demonstratën komunitare dhe piknikun familjar pas fundit të fashizmit më 1947. Që prej vitit 1914, dhe sidomos që prej 1945, 1 Maji është shndërruar ose në ilegal, ose në zyrtar. Vetëm në disa pjesë relativisht të rralla të Botës së Tretë, ku lëvizjet punëtore socialiste masive dhe jozyrtare u zhvilluan në kushte që mundësuan lulëzimin e 1 Majit, kemi një vazhdimësi reale të traditës së vjetër.

    Sigurisht që 1 Maji nuk i ka humbur kudo karakteristikat e vjetra. Sidoqoftë, edhe aty ku nuk është shoqëruar me rënien e regjimeve të vjetra që dikur ishin të reja, si në BRSS dhe Evropën lindore, nuk do ta ekzagjeronim po të mëtonim se për shumicën e njerëzve, edhe në lëvizjet punëtore, 1 Maji evokon më shumë të shkuarën se të tashmen. Shoqëria që mundësoi lindjen e 1 Majit ka ndryshuar. Sa të rëndësishme janë sot bashkësitë e vogla proletare në fshatra të cilat kujtohen nga të moshuarit italianë? “Marshuam rreth e qark fshatit. Paskëtaj u shtruam në një drekë publike. Të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e partisë dhe kushdo tjetër që dëshironte.” Çfarë u ka ndodhur në botën e industrializuar atyre që në vitet 1890 ende e identifikonin veten me vargjet e Internacionales “Ngrehuni ju o të munduar!”? Një grua e moshuar italiane më 1980 e kujtonte kështu 1 Majin e 1920: “Unë e mbaja flamurin si punëtore 12-vjeçare e një fabrike tekstilesh, që sapo kisha filluar punë. Sot ata që shkojnë në punë janë të gjithë zonja e zotërinj, të cilët arrijnë çdo gjë që duan.” Çfarë i ndodhi frymës së predikimeve gjatë 1 Majit plot besim në të ardhmen, në marshimin e historisë dhe të progresit? “Arsimohuni! Shkollat dhe kurset, librat dhe gazetat janë instrumente të lirisë. Pini nga burimi i shkencës dhe artit! Kështu do të fuqizoheni për të vënë të drejtën në vend.” Ç’ndodhi me ëndrrën kolektive të ndërtimit të Jerusalemit të ri në tokat tona të gjelbra e të bukura?

    E prapëseprapë, nëse 1 Maji është bërë një ditë e zakonshme pushimi, një ditë kur – duke cituar një reklamë franceze – nuk është nevojshme të pish një qetësues të caktuar, sepse nuk duhet të shkosh në punë, ai mbetet një ditë e veçantë pushimi. Ndoshta nuk është më “një ditë feste jashtë të gjithë kalendarëve”, siç thuhej dikur me krenari, pasi në Evropë ka hyrë në të gjithë kalendarët. Në fakt është dita e pushimit më e përhapur, përveç 25 dhjetorit dhe 1 janarit, duke ua kaluar të gjitha rivaleve të tjera fetare. Po kjo ditë erdhi nga poshtë. Mori formë nga punëtorët anonimë të cilët përmes saj njohën veten, përgjatë vijave të zanatit, gjuhës, madje edhe kombësisë, si një klasë e vetme, duke vendosur që një herë në vit të mos punonin: të shpërfillnin detyrimin moral, politik dhe ekonomik për të punuar. Sipas fjalëve të Victor Adler-it më 1893: “Kjo është domethënia e festës së 1 Majit: të bësh pushim një ditë pune, e cila i mbush me frikë kundërshtarët tanë. Kështu ndihemi revolucionarë.”

    Historianit i intereson njëqindvjetori për një sërë arsyesh. Në njërën anë, ka rëndësi sepse ndihmon në shpjegimin e arsyes pse Marksi u bë kaq i rëndësishëm në lëvizjet punëtore të burrave e grave që nuk kishin dëgjuar më parë për të, por e kuptuan thirrjen e tij për t’u vetëdijesuar si klasë dhe për t’u organizuar si të tillë. Në anën tjetër ka rëndësi sepse dëfton fuqinë historike të mendimit dhe ndjenjave që burojnë nga poshtë, si dhe ndriçon mënyrën se si burra e gra që, si individë, janë të paartikuluar, të pafuqishëm dhe të papërfillur, mundet prapëseprapë të lënë shenjën e tyre në histori. Po mbi të gjitha kjo ditë është për shumë prej nesh, historianë ose jo, një njëqindvjetor thellësisht emocionues, sepse përfaqëson atë që filozofi gjerman Ernst Bloch e quante (dhe e trajtonte gjerë e gjatë në dy vëllimet e mëdha të librit të tij) “Parimi i shpresës”: i shpresës për një të ardhme më të mirë dhe botë më të mirë. Edhe sikur askush të mos e kujtonte më 1990, është detyrë e historianëve ta kujtojnë 1 Majin. /Teza11/

    E përktheu Arlind Qori

    Ky shkrim është riprodhim i një leksioni të mbajtur nga Hobsbawm-i më 1 Maj 1990. Është botuar në vitin 1994 në një libër me ese mbi historinë e punëtorëve “Birth of a Holiday: The First of May”. Këtu është marrë nga një tjetë libër, ku përmblidhen disa artikuj të Hobsbawm-it “Uncommon People: Resistance, Rebellion and Jazz”.

    Lajmi Paraprak

    PEHLIVANËT

    Lajmi i rradhës

    Bakllava në mënyrë vegane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë