Shqipëria në NATO – Nga armiqësia, te bashkëpunimi strategjik

    ALBERT RAKIPI

    Ky vit përkon me 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, si dhe 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë. Është kjo arsyeja që Instituti i Studimeve Ndërkombëtare do të realizojë në këtë vit jubilar një projekt kërkimesh dhe debatesh të posaçme. Projekti ynë synon që në bashkëpunim me kolegët tanë në vendet e tjera anëtare të Aleancës, të inkurajojë një proces reflektimi për çështje të sigurisë, në nivelin kombëtar, rajonal, por dhe atë global.

    Çështjet e sigurisë dhe në mënyrë të posaçme, integrimi euroatlantik i vendit, ka qenë dhe vijon të jetë në fokus të punës së Institutit, përmes kërkimeve, publikimeve, debateve në një bashkëpunim të ngushtë me qendra kërkimi jashtë vendit dhe në një bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante shtetërore. Gjatë njëzetë viteve të fundit, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është rankuar si një nga think tanket më të mira në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, duke zënë pozicionin e 22-të midis disa qindra think tank-esh me përvojë dhe nga vende shumë më të mëdha se Shqipëria. Gjithashtu, instituti është rankuar globalisht, si një nga institutet më të mira në çështjet e politikës së jashtme, çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Nga prilli i vitit të kaluar, AIIS është një anëtar i Kolegjit Europian të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke qenë i vetmi institut që vjen nga një vend ende joanëtar i Bashkimit Europian. Instituti ka pasur angazhime të spikatura në zhvillimin dhe modernizimin e vendit, duke u angazhuar në një numër projektesh strategjike, siç së fundi, është edhe ardhja e Kolegjit të Europës në Tiranë. Kolegji i Europës në Tiranë e vendos Shqipërinë në një hartë politike të rëndësishme dhe është një hap tjetër, që e lidh vendin me Europën, me Perëndimin.

    Në 15-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, ne jemi krenarë për ndihmesën që kemi dhënë për përgatitjen e vendit për anëtarësinë dhe, sigurisht, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi arritur të realizojmë me institucione të Aleancës, apo me qendrat kërkimore, në vendet anëtare.

    Tani, këtu dëshiroj t’i mbyll lëvdatat për institutin, me një vlerësim të Daniel Serwer, të Hopkins University. Serwer thotë se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm gjatë tridhjetë viteve të fundit dhe është duke ecur në mënyrë të mençur, drejt shtëpisë së saj europiane. Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, – thotë Serwer, – është edhe një nga shkaqet, por edhe një pasojë e këtij transformimi të jashtëzakonshëm.

    Qysh nga krijimi i saj, më 1949, NATO është një histori suksesi, një nga institucionet themelore të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, por njëherazi edhe të vlerave të demokracisë dhe lirisë së kombeve dhe shteteve dhe lirisë e të drejtave të njeriut. Përgjatë Luftës së Ftohtë, midis Lindjes dhe Perëndimit, NATO ishte garantuesi i sigurisë dhe paqes për hapësirën euroatlantike. Fundi i Luftës së Ftohtë, fillimisht, përveç të tjerash, solli edhe një shpresë për paqen dhe sigurinë.

    Por, ashtu si ç’thoshte ish-sekretari i përgjithshëm i Aleancës, i ndjeri Manfred Verner, rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Fundi i Luftës së Ftohtë krijoi një paradoks: Më pak kërcënime, por në të njëjtën kohë, më pak paqe.

    Perëndimi dhe Aleanca u ballafaquan me ndryshime substanciale të mjedisit të sigurisë, në rajone të ndryshme të botës, për shkak të një zinxhiri shtetesh të dobëta dhe të dështuara, përshirë shpërthimin e politikave nacionaliste dhe konfliktet brenda shteteve. Ballkani ishte një nga këto rajone që riktheu tmerret e Luftës së Dytë Botërore.

    NATO ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike, përmes angazhimit të saj të mbrojtjes kolektive, duke penguar agresionet potenciale dhe duke promovuar stabilitetin midis vendeve anëtare.

    Aleanca ka nxitur një partneritet të fortë transatlantik, duke promovuar bashkëpunimin dhe solidaritetin midis aleatëve të Amerikës së Veriut dhe Europës, në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

    Zgjerimi i NATO-s ka kontribuar në përhapjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit në Europë, duke integruar vendet e reja anëtare dhe duke promovuar bashkëpunimin e sigurisë, në të gjithë kontinentin.

    NATO ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e krizave dhe operacionet paqeruajtëse, duke u përfshirë në Ballkan dhe Afganistan, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë, në rajonet e prekura nga konflikti.

    NATO është përshtatur vazhdimisht ndaj sfidave të reja të sigurisë, duke përfshirë terrorizmin, kërcënimet kibernetike dhe luftën hibride; duke modernizuar aftësitë dhe strategjitë e saj për të adresuar kërcënimet në zhvillim.

    Në përgjithësi, arritjet kryesore të NATO-s, gjatë 75 viteve të saj përfshijnë: promovimin e paqes dhe sigurisë; nxitjen e bashkëpunimit transatlantik; kontributin në menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e paqes dhe përshtatjen ndaj kërcënimeve të reja të sigurisë, për të siguruar rëndësinë e vazhdueshme të organizatës, në shekullin e 21-të.

    Por, qysh nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, Aleanca ndodhet përpara sfidave dhe kërcënimeve serioze për sigurinë dhe paqen. Agresioni i Rusisë nuk drejtohet vetëm kundër një vendi sovran, që është një shkelje flagrante e Ligjit ndërkombëtar, por kundër rendit europian dhe atij ndërkombëtar, kundër lirisë së popujve dhe vlerave dhe misionit për të cilat Aleanca është krijuar.

    Një muaj më parë u përurua në Shqipëri, në qytetin e vogël të Kuçovës, një bazë ajrore e NATO-s. Kjo nuk është baza e parë ushtarake. Pothuajse gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, në Shqipëri, ka ekzistuar një bazë ushtarake ajrore. Deri në vitin 1990, qyteti i vogël ku ishte vendosur kjo bazë, Kuçova e sotme, njihej me emrin Qyteti Stalin. Deri në vitin 1968, baza ushtarake ajrore në Qytetin Stalin i përkiste Traktatit të Varshavës. Dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, krijoi fillimisht një shpresë dhe një ide të gabuar, sigurisht, se Shqipëria mund t’i hidhte sytë nga Perëndimi. Por, dalja pompoze nga pakti i Varshavës në fakt ishte ndarje nga Lindja, por jo nga stalinizmi. Madje, ishte revizionizmi i stalinizmit si doktrinë dhe praktikë totalitare, nga udhëheqësit e rinj në Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit, që e shtynë regjimin e Tiranës drejt një izolimi ekstrem.

    Shpresa se ky vend mund të tentonte të vendoste një marrëdhënie me Perëndimin dhe me Aleancën u shuan të nesërmen e deklaratave publike të regjimit të Tiranës: Të mund të vizitoje Shqipërinë, 30 vjet më parë, ishte, si ç’thoshte, i ndjeri, profesori austriak, Karl Kaser, sikur të vizitojë një planet tjetër. Qytete gri dhe uniforma të komunizmit, të mbushura me portrete të diktatorit dhe buste të Stalinit. Përndryshe, do të thoshte të vizitoje të vetmin vend stalinist në botë që kishte shpallur armikun numër një NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    NATO dhe sigurisht, SHBA, mbeteshin armiku numër një i Shqipërisë. NATO dhe SHBA, që regjimi komunist në Tiranë i identifikonte me njëra-tjetrën mbetën të tilla: armiku numër një, për gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, deri në rënien e regjimit komunist, më 1992. Dhe, me rënien e komunizmit, fillon një udhëtim i jashtëzakonshëm i Shqipërisë. Pa asnjë dilemë, qeveria e parë jokomuniste kërkoi anëtarësimin në Aleancë. Dhe, sigurisht që motivet drejt anëtarësimit kishin të bënin me kërcënimet e sigurisë kombëtare, deri tek rreziku i përfshirjes në luftë, në një ballafaqim ushtarak që, në vitet nëntëdhjetë, nuk ishte i pamundshëm.

    Por, pavarësisht nga mjedisi i sigurisë në Ballkan dhe kërcënimet reale që motivonin anëtarësimin, motivi themelor i Shqipërisë ishte lidhja e vendit me Perëndimin, pas një izolimi të gjatë, ekstrem. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e lidhte vendin dhe të ardhmen e tij me Perëndimin. Në fakt, gjithë tranzicioni postkomunist është mbështetur te lidhja e vendit dhe e të ardhmes së tij me Perëndimin.

    Anëtarësimi në NATO, 15 vjet më parë, mbetet arritja më e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, qysh nga krijimi i shtetit modern shqiptar. Falë një numri reformash, që nuk lidheshin vetëm me ndryshimet në forcat e armatosura, por me të gjithë procesin e ndërtimit të një shteti demokratik.

    Por, ëndrra e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Aleancë ishte pjesë e ëndrrës së madhe për t’i përkitur Perëndimit. Ajo nuk do të ishte bërë e mundur pa ndihmën dhe mbështetjen e vendeve anëtare dhe në mënyrë të veçantë, pa mbështetjen vendimtare të SHBA. Në qershor 2007, Presidenti Bush, në një vizitë historike në Shqipëri, paralajmëroi anëtarësimin në Aleancë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Kur, 16 vjet më parë, në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO e ku pata rastin e fatin të isha pranishëm, një gazetar austriak më pyeti: Përse ju duhet NATO? Përse i duhet NATO Shqipërisë? Dhe kishte një pritshmëri se do të flisja për sigurinë që Aleanca sjell. Dhe sigurisht që, së pari NATO, është për sigurinë dhe paqen. Por, për Shqipërinë, me trashëgiminë më të rëndë totalitare, ftesa për t’iu bashkuar Aleancës ishte një hap i jashtëzakonshëm për të dalë nga izolimi, përmes ndërtimit të një shteti demokratik, zhvillimit dhe modernizimit të shoqërisë dhe, njëherazi, edhe një pengesë e madhe për të mos rrëshqitur prapa, në një kulturë politike totalitare nga trashëgimia e së cilës duket se ende nuk jemi ndarë në mënyrë përfundimtare.

    15-vjetori i Shqipërisë në NATO është për të festuar, por ndoshta, edhe për të reflektuar thellë për rrugën e ndjekur, arritjet dhe mosarritjet.

    (Ky shkrim është një përmbledhje e
    fjalës që Albert Rakipi mbajti në
    Konferencën Ndërkombëtare për 75-
    vjetorin e Aleancës dhe 15-vjetorin e
    anëtarësimit të Shqipërisë, organizuar nga
    Instituti i Studimeve Ndërkombëtare,
    Ambasada e SHBA në Tiranë dhe
    Fondacioni Konrad Adenauer) /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”, fytyrë apo maskë

    Lajmi i rradhës

    Kështu votoi diaspora e RMV në zgjedhjet presidenciale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë