Ahmet Selmani: Bredhje e guximshme nëpër labirintin e jetës

    Ahmet Selmani

    Romani i parë i Olivera Jovanovskës me titull “Labirinti i së vërtetës” paraqet një lexim tërheqës ku parakalojnë karaktere të cilat, në periudha të ndryshme të jetës, rrethojnë personazhin kryesor të romanit, Elin. Autorja e romanit i ka përpunuar dhe i ka prezantuar me sukses tiparet e karakterit dhe profilin psikologjik të pjesëtarëve më të rëndësishëm të veprës nëpërmjet ndërveprimeve të ndërlikuara të ndërsjella e të përpunuara në mënyrë të shkëlqyer. Ajo shfrytëzon shaka, intriga, thënie të vjetra, krijon dhe ringjall skena, paramendon vendngjarje që I elaboron në mënyrë të rrejshme që romani të jetë më tërheqës për lexuesin.

    Së pari kemi personazhin e Elit që ndiqet që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën kur u bë nënë e tre fëmijëve dhe kur gjeti dashurinë e vërtetë të jetës së saj. Eli është fëmijë i prindërve të ndarë. Pas një debati të gjatë e të lodhshëm gjyqësor për ndarje, Toma, i ati i Elit, e fiton kujdestarinë, ndonëse Eli e merr vesh këtë në një moshë madhe. Babai i Elit, Toma është një njeri fisnik. Për shkak të keqkuptimeve me nënën që e lindi Elin, ndahet dhe gjatë periudhës së seancës gjyqësore për shkurorëzim, këmbëngulë që me çdo çmim të fitojë kujdestarinë mbi Elin, me çka tregon dashurinë pa mëdyshje të tij ndaj saj. Ai bën një punë të rëndë, vetëm e vetëm që t’i sigurojë Elit fëmijëri të gëzuar. Pas një kohe të shkurtër, martohet përsëri me dashurinë e re të tij, Marën, e cila lind një djalë në këtë martesë. Në fakt, Mara e rrit dhe e edukon Elin dhe e konsideron si bijën e vet. Ndonjëherë ndodhin keqkuptime të cilat e lëndojnë Elin, mirëpo i mbetet lexuesit ta gjejë nëse kjo ndodh për shkak se Eli është tepër e ndjeshme 300 apo bëhet fjalë me të vërtetë për ndonjë gabim rasti të Marës.

    Sidoqoftë, Mara merr Elin nën kujdesinë e vet dhe e mëson të jetë një njeri i mirë dhe i vlerësuar, duke treguar që njerka mund të bëhet edhe nënë e vërtetë. I ati i Elit është njeri që nuk i shpreh hapur ndjenjat, thuajse asnjëherë nuk tregon butësi ndaj saj dhe është i ashpër gjatë edukimit të saj. Gjithashtu Mara padyshim që ndjek shembullin e tij (edhe pse kjo nuk do të thotë që nuk e duan). Pikërisht kjo mungesë e butësisë dhe e përkëdheljes, pra mungesa e dashurisë së nënës, lë te Eli një zbrazëtirë emocionale dhe ndjeshmërie në jetën e mëtejshme emocionale. Këtu kontribuon edhe fakti qëbabai nuk e le të kontaktojë me të afërmit nga nëna që e lindi, madje në vitet e hershme të fëmijërisë.

    Eli është thuajse e përsosur, e edukuar mirë, e bindur, e përmbajtur, nxënëse e shkëlqyer, sportiste e shkëlqyer, aktive në skenën e letërsisë, ndihmëse e mirë e Marës në punët e shtëpisë — bijë që do ta dëshironte secili prind. Që e vogël ka edhe probleme shëndetësore të shoqëruara me dy operacione që, për fat të mirë, i kalon me sukses. Në ditët e hershme të fëmijërisë, Eli gjen ngrohtësi te gjyshja e saj, Kosona, e cila e mëson vazhdimisht për vlerat e besimit të krishterë dhe e këshillon me mençurinë e kohës së shkuar që më vonë do ta ndihmojnë si person i rritur.

    Le të përmendim dhe personazhin e Ketit, shoqja me të cilën Eli ndante sekretet e fëmijërisë dhe të dashurisë. Mirëpo, si një “oaz” shpirtëror (njerëz para të cilëve Eli ndonjëherë tregonte problemet e veta dhe të cilët dinin ta këshillonin), përpos gjyshes, është edhe teta Nukë (me prejardhje turko-shqiptare), e cila ishte shoqe fëmijërie e Tomës dhe e cila gjithashtu e do dhe e këshillon Elin se si të veprojë në situata të caktuara, si dhe fqinja Mira e cila, edhe pse nuk është shumë e afërt me Elin, shfaqet si “ombrellë” që e mbron nga dielli, që mos ta djegë, e nga shiu, që mos ta lagë. Edhe ajo si Eli, nuk e ka njërin prind dhe ky fat ndërthur ndjenjat e tyre të përbashkëta.

    Si shumë të rinj të asaj moshe, edhe Eli përjetoi dashurinë e pare me djalin e quajtur Xhon i cili jeton afër saj. Por si rezultat I intrigave të njerëzve të ligj (shpifjeve të fqinjës, të Sonjës), dashuria e tyre u tha ende pa lulëzuar. Kjo ishte edhe njëra prej arsyeve që Eli u shpërngul te gjyshja, ku u takua me njerëzit që I siguruan vizë për në Australi. Fillimisht, Eli vuan dashurinë e humbur dhe mendon që është periudha më e keqe e jetës së vet, mirëpo ajo nuk është e vetëdijshme që ky është fillimi i kohëve të mira që e presin. Por, derisa të ndodhë kjo, ajo do të duhet të kalojë nëpër një sërë sfidash në labirintin e sprovave.

    Një nga këto sprova është edhe pandershmëria e gjyshes, e Kosanës, e cila bën një ujdi të fshehtë me njerëzit që i siguruan vizë, pa i treguar Elit të vërtetën që viza ishte turistike, por do të duhej të martohej për të qëndruar në Australi. Eli e merr vesh të vërtetën vetëm pas arritjes në Australi, kundërshton hapur dhe shprehet zëshëm që do të kthehet në Maqedoni dhe që nuk do të martohet për një vizë. Por jo shumë gjatë, fati fut duart e veta. Eli njihet me Zoranin me të cilin dashurohet me të vërtetë dhe pas një kohe martohet me të. Gjatë kësaj martese iu lindin tre fëmijë.

    Eli dhe Zorani, së bashku me tre fëmijë, notojnë nëpër ujërat e turbullta të martesës me stuhi sprovash, mungesë financash, humbje të vendeve të punës dhe probleme të tjera. Mirëpo arrijnë t’ia dalin. Ndërkohë Eli kthehet për pushime në vendlindje ku rastësisht takon Xhonin, duke u mundësuar të dyve që t’i sqarojnë njëri-tjetrit atë çfarë ndodhi para shumë vitesh. Duke pasur ndërgjegje, Xhoni kërkon falje, por tregon që tashmë është i martuar dhe i lumtur. Të njëjtën gjë e thotë edhe Eli, duke e mbyllur përgjithmonë këtë faqe të jetës së tyre. Duke i ditur synimet e saj, Zorani i lejon Elit të shkollohet, kështu që ajo punësohet në profesionin e sekretares së ordinances mjekësore. Aty Elit i jepet mundësia që të nisë biznesin e vet. Në të njëjtën kohë ajo detyrohet të punojë disa punë. Një ditë Eli përjetoi fatkeqësi serioze në vendin e punës, duke u futur përsëri në një operacion të vështirë të cilin e përballon. Mirëpo, ashtu siç përparon me shërimin, me shkollimin dhe me biznesin, Zorani ngec vazhdimisht duke humbur vendin e punës ku paguhej mirë.

    Kështu, pritshmëritë e tyre të ndryshme nga jeta, mjediset e tyre të ndryshme të prejardhjes, por edhe ndërhyrja e të afërmve të Zoranit, kontribuuan që të lëkundej e të rrënohej martesa e tyre afatgjatë. Pas kësaj goditje tjetër të fatit, që s’dihet cila është me radhë, Eli vazhdon të luftojë më fort me sfidat e jetës. Jo vetëm që nuk dorëzohet dhe nuk zhgënjehet, siç do të bënin shumë të tjerë, por përjeton sukses më të madh në biznes. Me ndihmën e djemve të vet tashmë të rritur dhe falë inteligjencës e këmbënguljes së vet, arriti të çelë restorant prestigjioz në Melburn nga zinxhiri i njohur botëror i restoranteve “Subway”, pasi më parë kaloi me sukses provimet dhe testet e nevojshme për të marrë leje brenda një konkurrence të madhe kandidatësh.

    Dhe, kur u duk sikur Eli u stabilizua financiarisht, ndodhi edhe një kthesë në jetën e saj — kësaj radhe në aspektin emocional. Toka iu drodh përsëri nën këmbët e veta, por kësaj radhe si pasojë e një takimi të rrallë. Një natë, teksa ishte në një aheng, rastësisht njihet me Buben, një instrumentalist nga Maqedonia i cili luan muzikë në ahengje. Fati i trokiti përsëri në derë. Zoti, të cilit i lutet shpesh dhe e adhuron, gjeti mënyrë për t’ua mundësuar të nesërmen një takim tjetër. Është dashuri në shikim të parë dhe jo shumë gjatë pas këtij takimi, më në fund, “Hirushja” jonë gjeti princin e vet me të cilin (si në përrallë) jeton një martesë të lumtur.

    Autorja Olivera Jovanovska në stilin e saj përdor shpesh arkaizma, përmend adete të vjetra, mençuri dhe këshilla popullore që i tregon më shpesh gjyshe Kosana e cila, me siguri, i ka dëgjuar nga ndonjë i moshuar dhe si traditë, kanë mbetur të tregohen nga brezat e vjetër. Në të njëjtën kohë autorja kupton shpirtin e sistemit të mëhershëm, kur nga njëra anë kishte trysni të caktuar (sidomos mbi fenë), e nga ana tjetër fëmijët edukoheshin më ndryshe — me theks më të madh ndaj vlerave morale (respekti ndaj të moshuarve etj.). Nga disa aspekte, Olivera Jovanovska vëzhgon gjendjen e fëmijëve të cilët u rritën në një martesë me prindër të ndarë. Për fat të keq, në kohën e sotme, thuajse nuk ka familje që është kursyer nga problemet e shkurorëzimit, qofshin të tyre ose të të njohurve të tyre.

    Sido që të jetë, para nesh gjendet një vepër e cila, përveç një narracioni tërheqës e ngazëllues, ofron edhe vrojtime psikologjike të personazheve të përshkruar të cilët mund të jenë në shërbim të çdo lexuesi. Nëse keni uri për të dëgjuar fjalë të vjetra maqedonase dhe dëshironi të kujtoni adetet e moçme, atëherë pikërisht për këtë ia vlen të lexohet ky roman dhe të ecet nëpër këtë labirint i cili, me një ose dy situata, do t’ju prekë dhe do t’ju kujtojë një pjesë të jetës suaj.


    Jetëshkrimi i autores

    Olivera Jovanovska lindi më 21 korrik 1970 në Manastir, Maqedoni. Që nga viti 1986 jeton dhe punon në Melburb të Australisë. Qysh në vitet e hershme të fëmijërisë shfaqi dashuri për fjalën e shkruar dhe në moshën njëmbëdhjetëvjeçare botoi vjersha në “Gazetën Manastirase” (Bitollski Vesnik) dhe në disa revista për fëmijë. Është autore e përmbledhjeve të poezive “Dashuri e parealizuar” (Neostvarena ljubov) (2020), “Fjalët magjike të dashurisë” (2021) dhe e romanit “Labirinti i së vërtetës (2021) (Lavirint na Vistinata). Është vlerësuar disa herë për poezi dhe prozë në konkursin për shpërblimin përliçevian të SHLM “Grigor Përliçev” në Sidnej. Gjithashtu më 2021 u shpërblye në konkursin “Bashkohu” (Splloti se) të TV Sonce, Shkup. Disa poezi të saj u recituan nga interpretues të njohur maqedonas. /exlibris/

    Lajmi Paraprak

    Kush dezinformon me fotomontazh për tank të kapur “Leopard” në Bahmut të Ukrainës? (Video)

    Lajmi i rradhës

    Si përfundoi parcela në Lipjan te tenderuesi joekzistent

    Lajme tjera

    Sundimtari i keq

    Ibrahim Berisha Adem Lika, kur mbyllte sytë e fliste për të sotmen, për me pa më mirë të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë