Andrra e jetës

    Ndre Mjeda

    N’për ograjë po këndojnë bylbylat
    si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
    drandafilleve zymbylat
    t’kandshmen erë dhunti ia çojnë.

    E nalt n’qiell ma e bukur hana
    rreze t’paqta shkon tue shkri;
    maje bjeshkve fillon zana
    n’valle shoqeve m’u pri.

    Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
    si u ba natë, ndej Zoga n’votër;
    ndej m’u xe me dru dullijet
    që kish ba n’për mal, pa motër!

    E kuvendte me nanë-locen
    si përgjumshëm, ndonji fjalë,
    derisa bri votrës gocën
    e muer gjumi dalkadalë.

    Fjet bri votrës: e kur shkëndija
    shndritte at fëtyr’ të patravajë,
    ejëll prej qiellit ulet te shpia
    dukej faret fëtyra e sajë.

    Herë n’at’ gjumë tue qeshun dukej,
    si m’u falë herë dorën çote;
    herë përmallshem n’veti strukej
    e n’fëtyrë gjaku t’tan’ i vëlote.

    (Ngrimun n’ar, mbi ‘i pullali
    nën balkue nji beg kish dalë;
    holl’ e i gjatë porsi selvi
    n’rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

    E nan-bardha tue shikjue:
    “Flej me engjuj, thotë, o bi;
    pusho shtatin me i ndihmue
    Lokes sate nëpër shpi”.


    II

    Prej nën nji tjegllet kish dalë si ‘j tra,
    ku nji mij’ tesha vëloshin pa da;
    përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
    e ushtonte toka

    prej kambësh t’bag’tive. Ka dalë Harapi
    herët, e shpatit delet ja hapi;
    ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
    nëpër ograja.

    Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
    e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
    pau se n’at’ nade poshtë nji lavruer
    kish ba nji shpuer.

    Tue sjellun krahnin këndote me veti,
    e i rridhte krahve si nji valë deti,
    ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
    rrezet e veta.

    Rreze flak’ arit. Por rrotull fëtyra
    e fushës kish nd’rrue; kish nd’rruemun zyra
    e bimës e e pem’ve; përmbi balkue
    deri kish nd’rrue

    erë filcigeni; po vite ‘j tjetër
    erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
    nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
    shkonte tue qitë.

    Nuk e kish vrumun kurr nder dit’ t’veta
    at rrugë n’balkue. Ktheheshin me çeta
    asaj katundsit, tue dalë pa pra
    e ajo s’kish pa.

    U nis te puna mërziçëm. Nisi
    ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
    cirliknë rrotllat posht’ e përpjetë
    nën kambë të shpejtë.

    E vojt n’dritare prap. Ndoshta begu
    ka mbërri te rruga e pret te shtegu
    veshun me t’arta, mbi ‘j pullali
    për bukuri.

    Nuk ishte begu: nën diell t’valtë
    veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
    balt’ e kashtare për çerdhe t’vet,
    se Shën Ejëlli a nget.

    Ndoshta po avitet nji djal’ i ri
    i holl’ e i gjatë porsi ‘j selvi,
    me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
    e ‘j kacatore.

    Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
    nji n’drandofille, nji ndër zymbyla,
    përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
    me kangë gazmojnë.


    III

    Vijnë dallëndyshat porsi era
    përte’ det te çerdhja e vet;
    vijnë bylbylat ku pranvera
    n’pyje t’veshuna po i thrret.

    Se qe pemët kan’ endun lulet,
    e u vesh fusha me blerim;
    lehtas prroni malit ulet
    da prej borës që i nep ushqim.

    E, i dish’ruem, bje për fushore
    me rritë bimën për gjith’ vend,
    ku ‘j erë akullit mizore
    kishte hupë lul’zim e shend.

    Edhe ti prej asaj që t’rriti
    daju, vash’, e mos vajto;
    me nji veshë, që kurr s’ta shndriti
    paras, shtatin hijesho.

    Bashkë me lule len dashtnija,
    me kangë t’shpendit që galdon;
    e pranverës bukuria
    bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.

    Del, o bij’, prej shpisë sate,
    del prei t’vorfënit katund;
    njajo flakë që n’zemër pate
    do t’përvjellin tjetërkund.

    T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,
    pret me tanden m’u ba nji;
    sa jetë t’apin Perëndia
    mos m’u damun kurr prej ‘si.

    T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme
    dora e unazaqë t’ven n’gisht;
    e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme
    a dorzan’ i lumi Krisht.

    Sogjetarë, porsi furia
    e nji rrfes’ që qetat shpon,
    janë të qiellit nalt ushtria
    e n’dorë shpata iu veton.

    E din idhun regj Davidi,
    e dinë lott që pa pra qet,
    kur sheh morten se kositi
    an’ e mb’an krajlninë e vet.


    IV

    E kandshme asht hana
    kur del me zana,
    e n’tokë me dritë përndaret,
    Hyjzit që shndrisin
    e që shetisin
    n’për qiell, jan’ t’bukur faret.

    Kur del agimi
    e rruzullimi
    me ‘j dritë kuqloshe mbëlohet
    e përmbi kashta
    shndritë pika-lashta,
    zemra për mall gazmohet.

    Asht i madh shendi,
    kur ndihet shpendi
    ndër pyje tue pingrue;
    e knaqshme a ‘j lule
    kur iu përkule,
    o fllad i leht’, me e l’mue.

    Por s’i giet qielli,
    nuk i giet prilli
    as fllad që shetitë lulet
    e me erna veshet,
    foshnjës që i qeshet
    nanës, kur mbi ‘të përkulet.

    Lajmi Paraprak

    Fëmija nuk thotë më “mami”, por emrin tuaj – çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje

    Lajmi i rradhës

    Zelensky: Putini po teston europianët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë