Ashtu si anglishtja, edhe spanjishtja po evoluon – por, ne e mirëpresim këtë

    Nga: María Ramírez / The Guardian (titulli: Like English, Spanish is constantly evolving. Unlike some English speakers, we welcome that)

    Edhe vetë gjuha jote mund të të befasojë. Kohët e fundit mora pjesë në një panel në një konferencë gazetarie – me një gazetare dhe një avokate, të dyja nga Kolumbia. U ndjeva e magjepsur nga disa prej fjalëve që përdorën – fjalë që nuk janë, apo më saktë nuk kanë qenë aq të zakonshme në Spanjë. Gazetarja hulumtuese, Diana Salinas, e quajti zanatin e saj la filigrana – filigran. Nuk do ta kisha përdorur këtë term në atë kontekst, por mu duk fjalë përkryer për të përshkruar punën e detajuar e të kujdesshme që kërkon gazetaria hulumtuese.

    Filigrana as nuk konsiderohet një amerikanizëm latin – vjen nga italishtja – por, në Spanjë duket se është harruar në përdorimin e përditshëm. Siç ndodh shpesh me spanjishten në Amerikën Latine, përdorimi dhe konteksti e pasurojnë kuptimin e fjalës.

    Me rreth 600 milionë folës në mbarë botën, spanjishtja ka evoluar përgjatë shekujve dhe tani po shtyhet në drejtime të reja, veçanërisht në ShBA, ku popullsi nga kombësi të ndryshme ndërveprojnë dhe përzihen me folës të anglishtes nga prejardhje të ndryshme. “Spanjishtja është gjuha që nuk përfundon kurrë”, ka thënë shkrimtari nikaraguan, Sergio Ramírez, autor i librave të bukur në këtë gjuhë.

    Sigurisht, si me çdo temë ku kryqëzohen identiteti dhe historia, edhe folësit e spanjishtes kanë mosmarrëveshje dhe debate mbi gjuhën. Por, asgjë nuk i afrohet intensitetit me të cilin disa britanikë reagojnë ndaj përdorimit të anglishtes amerikane. Duke lexuar për kontroversën e fundit mbi got/gotten në Guardian, më erdhi ndër mend se folësit e spanjishtes duket se e pranojnë më lehtë fatin e mirë të të folurit të një gjuhe globale.

    Në të gjitha variantet e spanjishtes, drejtshkrimi mbetet kryesisht i njëjtë – por, ndryshimet në fjalor dhe përdorim mund ta bëjnë të vështirë kuptimin e ndërsjellë. Kushdo që i drejtohet një audience shumëkombëshe hispanofone, mund të hasë në vështirësi për të gjetur fjalët që tingëllojnë njësoj përtej kufijve; në disa raste, një fjalë e vetme mund të ketë kuptime shumë të ndryshme.

    Gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2016, kur punoja në Univision Noticias – një media lajmesh në gjuhën spanjolle me bazë në ShBA – patëm një debat të gjatë për mënyrën e përkthimit të fjalisë famëkeqe të Donald Trumpit në incizimin e [programit] Access Hollywood. Në fund, për shkak të mungesës së një fjale që do të funksiononte për të gjithë folësit e spanjishtes, vendosëm të përdorim origjinalin në anglisht – “pussy”.

    Si shumë spanjollë që punojnë në mediat amerikane, edhe unë u përpoqa – me pak sukses – të neutralizoja theksin tim, që mund të tingëllojë i ashpër për disa, ndërsa shmanga fjalët që nuk dëgjohen shpesh jashtë Spanjës, si coche për makinë, në vend të carro apo më neutralja auto.

    Megjithatë, nuk mbaj mend të kem marrë ndonjëherë ankesa nga kolegët apo publiku për spanjishten time. As kam parë ndonjë letër në redaksinë, ku punoj aktualisht në Spanjë, që të kundërshtojë përdorimin e fjalëve si ameritar (meritor) apo quilombo (rrëmujë), dy nga shumë fjalët e zakonshme në Amerikën Latine që kanë hyrë në fjalorin tonë të përditshëm. Ankesa më e shpeshtë që dëgjoj nga folës të spanjishtes, jashtë Spanjës, është kur i referohemi Shteteve të Bashkuara si América, ose qytetarëve amerikanë si americanos, ashtu siç ndodh shpesh edhe në botën anglishtfolëse.

    E, megjithatë, diskriminimi dhe snobizmi, në bazë të theksit, vazhdojnë të ekzistojnë në Spanjë – jo vetëm ndaj folësve të spanjishtes latino-amerikane, por edhe ndaj atyre nga rajonet jugore të Spanjës të cilat janë më të varfra dhe më rurale se mesatarja në vend. Qëndrimet e brezave më të rinj kanë ndryshuar për të mirë dhe e hedhin poshtë idenë se e vetmja spanjishte “e mirë” është ajo kastiliane – siç flitet në Spanjën qendrore.

    Një projekt afatgjatë i Universitetit të Alkala mbi perceptimet ndaj gjuhës spanjolle, zbuloi se thekset më të vlerësuara, përveç atij të vetë folësit, ishin ato nga Kili dhe Karaibet. Sipas këtij studimi, folësit që vlerësuan theksin e tyre më poshtë se mesatarja ishin nga disa rajone të Spanjës, veçanërisht Madridi, Ishujt Kanarie dhe Andaluzia.

    Falë ardhjes së miliona njerëzve nga Amerika gjatë dy dekadave të fundit, spanjishtja e folur në Spanjë është më e larmishme dhe më shprehëse se kurrë, me një gamë më të gjerë nuancash. Edhe lexuesit në Spanjë po nxisin një bum letrar, veçanërisht të udhëhequr nga shkrimtaret argjentinase. Fatmirësisht, ngulja këmbë te një lloj i vetëm spanjishteje nuk paraqet më problem.

    Akademia Mbretërore e Gjuhës Spanjolle, një institucion i themeluar në shekullin XVIII që është përgjegjës për hartimin e fjalorit zyrtar të spanjishtes, ka adoptuar një këndvështrim gjithnjë e më global mbi gjuhën, megjithëse ende i shënon si “amerikanizma” fjalët më pak të zakonshme në Spanjë. Qasja e saj më gjithëpërfshirëse në aspektin gjeografik, nuk është reflektuar gjithmonë në çështjet e tjera: veçanërisht në debatet për fjalët me ngarkesa gjinore apo maskuline, një fushë ku akademia ka qenë më konservatore sesa vetë shoqëria spanjolle.

    Përtej këtyre debateve, një gjë mbetet e qartë: gjuha u përket folësve të saj, paçka se sa fort përpiqen akademikët dhe puritanët t’i vendosin kufij asaj. Mbrojtja e veçantisë së një gjuhe ose e lidhjes së saj me një territor të vetëm, shpesh fsheh një ndjenjë të brendshme epërsie – një bindje se mënyra e të folurit e një grupi është disi më legjitime apo më e rafinuar. Ky instinkt kontrolli bie ndesh me vetë natyrën e gjuhës, veçanërisht në një botë të përzierjes kulturore dhe të lidhjes globale, ku një video e shkurtër nga matanë oqeanit mund të ketë më shumë ndikim sesa një artikull në gazetën tënde lokale.

    Pasuria që lind nga përdorimi kolektiv, përtej kontinenteve dhe komuniteteve, është ajo që i mban gjuhët gjallë dhe në lulëzim. Kjo vlen edhe për ne, folësit fatlumë të spanjishtes dhe anglishtes. Shumëllojshmëria që ndajmë nuk janë pengesa: ato janë një dëshmi e qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe bukurisë së gjuhëve tona. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Protesta në Serbi, studentët i dërgojnë mesazh Vuçiqit: nëse ne digjemi, do të digjeni edhe ju me ne

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë