Kur Noli takoi Wilsonin

    Ilir Ikonomi

    4 korrik 1918: 105 vjet më parë, Fan Noli, bashkë me përfaqësues të 33 kombësive, të ftuar nga presidenti [amerikan] Woodrow Wilson në jahtin presidencial, shkuan në Mount Vernon, një bregore e gjelbëruar jo shumë larg Uashingtonit, për të marrë pjesë në festimet e 4 korrikut – ditës së pavarësisë së Amerikës.

    Atje Vilsoni mbajti një fjalim pranë varrit të Presidentit George Washingtonit. Të ftuarit vendosën kurora.

    Në atë kohë, Fan Noli ishte kryetar i Federatës Vatra në Boston. Lufta e Parë Botërore dukej se do të përfundonte shpejt dhe fati i Shqipërisë ishte në fije të perit. Ajo mund të copëtohej mes fqinjëve.

    Gjatë kthimit për në Uashington, Wilsoni bisedoi në jaht me secilin prej të ftuarve.

    Noli gjeti rast dhe i tha Presidentit se po të mbretëronin ato parime që deklaroi në fjalimin e tij, s’ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj.

    Wilsoni iu përgjigj se “ato parime do të mbretërojnë, sepse për ato luftojmë”.

    Pas kësaj, Noli iu afrua Zonjës së Parë, Edith, e cila po shijonte rrjedhën e gjerë të lumit Potomak.

    U zhvillua kjo bisedë:

    Fan Noli: Zonjë, shqiptarët më kanë porositur t’ju lutem që ta kujtoni Shqipërinë, një vend aq i varfër, pa miq dhe pa ndonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.

    Zonja Wilson: Po. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjika e të tjerat.

    Fan Noli: Situata jonë, Zonjë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar.

    Në këtë kohë në bisedë ndërhyri Presidenti Wilson, i cili ishte duke folur me një diplomat aty pranë.

    Presidenti Wilson: Me të vërtetë është shumë e koklavitur.

    Fan Noli: E vetmja shpresë për Shqipërinë është Amerika dhe ju, Zoti President.

    Presidenti Wilson: Unë do të kem vetëm një zë në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.

    Fan Noli: Ai zë është i mjaftë për shqiptarët dhe ata do të jenë vdekërisht të gëzuar dhe fare të sigurt për të drejtat e tyre.

    Presidenti Wilson: (Buzëqesh) Jo, mos ia u thuaj pikërisht ashtu shqiptarëve, se ahere ata do ta lenë punën e tyre në gjumë. Duhet ata paskëtaj të punojnë ca më tepër se kurdoherë.

    Lajmi Paraprak

    Lloga i ashpër ndaj Deskoskës: Jeni shembull i keq për një ministër të drejtësisë

    Lajmi i rradhës

    Kearns: Burimet ushtarake më kanë thënë, armët nga Serbia hyjnë në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë