Babai im, hero i lirisë sime

    Sibel Halimi

    Babai im, hero i lirisë sime,
    më bëri njësh me veten,
    më mësoi të dua,
    të numëroj yjet në qiell
    pa frikë se një ditë do të shuhen.

    ka më shumë dritë të re që lind,
    në shuarjën e tyre më tha
    si shpirti që s’mbyllet kurrë në hi.

    Ai kurrë nuk pati pushkë.
    Zëri i tij nuk u bë thirrje urrejtjeje,
    mbeti melodi
    që ndërtoi ura mes zemrave.

    Ai rrinte, mendonte, arsyetonte,
    dhe në gjykimin e heshtur
    të botës
    kurrë nuk u përfshi.

    Të bëmën e tjetrit nuk e gjykoi,
    as në të pame nuk shkoi kurrë.
    “Vdekja” thoshte, “është çlirim,
    jo dhembje për shpirtin që fluturon, mall që ndriçon tek ata që mbeten.”

    Në mesditë, kur dielli ndalonte frymëmarrjen,
    ai shkonte në shesh,
    ku njeriu i tij e priste në heshtje.

    Një qindarkë dashurie ia linte,
    jo si dhuratë,
    por si premtim të përditshëm
    se dashuria nuk ka nevojë për zë,
    se zemrat që duan flasin
    në gjuhën e qiellit.

    Ishte aktor pa dërrasat e talias
    poet pa fletë,
    luftëtar pa armë.

    Në shikimin e tij të qetë,
    pashë gjithçka që bota refuzonte të shihte:
    se liria nuk fitohet vetëm me gjak,
    me dhembshuri,
    me mendje të hapur e duar
    të hapura për përqafim
    Ndërtim

    Tani, kur ngre kokën lart
    i vështroj yjet,
    i kujtoj fjalët e tij:
    “Jeta është si një qiell i pafund,
    me humbje dhe fitore,
    me drita dhe hije.
    Por në çdo shuarje ylli,
    shih një lindje të re.”

    Dhe unë ndiej se babai im,
    me heshtjen e tij,
    kishte thyer zinxhirët e botës.

    Kish kriju dritë të re.

    Lajmi Paraprak

    Si mund të shpëtohet gjuha shqipe nga rreziqet e globalizmit?

    Lajmi i rradhës

    13 strategji për të qetësuar fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë