Bruce Lee dhe miti që jehon edhe 50 vjet pas vdekjes së tij

    Steve Rose / The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Triumfi në çmimet Oscar i filmit Everything, Everywhere All At Once, në fillim të këtij viti, është përkujtim, 50 vjet pas vdekjes, se çfarë shtegu ka hapur Bruce Lee. Lee e hapi derën e përfaqësimit aziatik pothuajse i vetëm, edhe pse vdiq shumë shpejt për të qenë përfitues i asaj fame.

    Lee është nga yjet e rralla që është më i madh se filmat e vet. Pavarësisht se la një pjesë të vogël të punës – vetëm katër filma të plotë – praktikisht e krijoi një zhanër të tërë dhe e shkroi librin për aksionin e Hollivudit. Lee e përshkon ADN-në e kulturës globale: videolojëra, hip-hop dhe arte të përziera marciale, për të mos përmendur ngritjen e përgjithshme të idealit fizik mashkullor, me zero dhjam në trup. Fakti që vdiq i ri, në rrethana çuditërisht banale (nga reagimi ndaj një ilaçi kundër dhimbjeve) vetëm sa e shton mitin për të.

    Lee ndërtoi gjithashtu një personazh unik – intensiv, të disiplinuar, fizik por edhe cerebral – vite dritë larg stereotipave perëndimore të maskulinitetit aziatik, kur ai u fut për herë të parë në lojë në Hollivudin e mesit të viteve 1960. Lindi në San Francisko, më pas u rrit në Hong-Kong, përpara se të kthehej në ShBA në moshën 18-vjeçare. Ishte një kohë kur burrat aziatikë lindorë përshkruheshin si shërbëtorë, zuzar të këqij ose bufonë me dhëmbë (shpesh të luajtur nga aktorët e bardhë, si aktori Mickey Rooney në filmin Breakfast at Tiffany’s). Lee u zemërua kur u përdorur si ndihmës i nënshtruar në serialin televiziv The Green Hornet. Pavarësisht se në artet marciale ka trajnuar një listë të aktorëve të famshëm (përfshirë emrat Steve McQueen, James Coburn dhe Sharon Tate), Lee kuptoi se ShBA-ja nuk ishte gati të pranojë një lider aziatik.

    Fyerja e fundit erdhi me serialin televiziv të viteve 1970, Kung Fu. Është e kontestuar përfshirja e tij në zhvillimin e serisë që ndoqi një murg Shaolin në Perëndimin e Vjetër. Sido që të jetë, kaloi në audicion për rolin kryesor, për t’u mundur nga David Carradine i cili nuk kishte as prejardhje kineze dhe as njohuri për artet marciale.

    Pas kthimit në Hong-Kong në vitin 1971, Lee krijoi katër filma në dy vjet dhe shpërtheu si yll global. Përveç shfaqjes së aftësive të tij fizike, filmat e tij ishin tregime të rezistencës. Qëndroi pranë punëtorëve të shtypur të fabrikës dhe kundër korrupsionit kriminal në The Big Boss; në Fist of Fury e nisi një kryqëzatë kundër shtypjes koloniale në Shangain e viteve 1920 (dhe, si rrjedhojë, në Hong-Kongun e viteve 1970 të sunduar nga Britania), duke i detyruar kundërshtarët japonezë të hanë fjalët e veta kur e përshkruan Kinën si “Njeriu i sëmurë i Azisë Lindore”. Te The Way of the Dragon e shpëton restorantin e familjes dhe ai ballafaqohet me Chuck Norrisin në Koloseum. Nuk kishin vetëm audienca vendase; Lee u bë simbol universal i sfidës: një burrë me ngjyrë që kërkonte të shprehej me mjetet që kishte në dispozicion. Kur studentët e Hong-Kongut rezistonin autoritarizmin kinez më 2019, e adoptuan maksimën e tij: “Bëhu ujë”.

    Lajmi Paraprak

    S’ka marrëveshje për rritjen e pagave, Sindikatat me qëndrime të ndryshme

    Lajmi i rradhës

    Temperaturat e larta, ndikim negativ ndaj shëndetit mendor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë