Çfarë është “teoria e ajsbergut” që përdorte Heminguej

    Nga Spanja e luftës, në Karaibet e peshkimit, deri në Parisin bohem dhe Kubën e tij të dashur, Ernest Heminguej mbetet një nga figurat më karizmatike dhe më të diskutueshme të letërsisë amerikane të shekullit XX.

    Një autor që nuk shkruante thjesht, por që jetonte siç shkruante në kufijtë e rrezikut, pasionit dhe të vërtetës. I lindur më 21 korrik 1899 në Illinois, Heminguej do të rritej mes pyjeve dhe liqeneve të veriut amerikan, ku do të formonte dashurinë për natyrën dhe aventurën. Pas një lëndimi në Luftën e Parë Botërore, ai nisi të shkruante në mënyrë të pandalshme, duke i sjellë botës një stil krejtësisht të ri: të thjeshtë, të prerë, por emocionalisht goditës. Ai e quajti këtë teknikë “teoria e ajsbergut” ku më e rëndësishmja është ajo që nuk thuhet. Romane si “Lamtumirë armë”, “Për kë bie kambana” dhe “Plaku dhe deti” janë tashmë klasike të padiskutueshme, ku përmes personazheve të thjeshtë e dialogëve të ftohtë, Heminguej rrëfen ndjenja të mëdha, dilema ekzistenciale dhe sfida njerëzore. “Plaku dhe deti” i dha çmimin Pulitzer në vitin 1953 dhe ishte arsyeja kryesore pse ai fitoi edhe çmimin Nobel në Letërsi një vit më vonë. Ai nuk ishte vetëm një autor ishte reporter lufte, udhëtar, gjahtar, peshkatar dhe piroman emocional.

    Jetoi në Parisin e viteve ’20, ku frekuentonte rrethet e Gertrude Stein dhe F. Scott Fitzgerald. Raportoi nga Lufta Civile Spanjolle dhe zbarkimi në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore. U plagos disa herë, përfshirë një aksident ajror në Afrikë, dhe mbeti gjithmonë i obsesionuar nga vdekja dhe sfida me të. Jeta e tij e mbushur me drama dhe alkol nuk e kurseu nga dhimbjet mendore. Në moshën 61-vjeçare, në vitin 1961, ai vendosi të mbyllte jetën e tij me një armë gjuetie një mjet që e shoqëroi gjatë gjithë ekzistencës së tij. Vdekja e tij u përjetua si një tronditje kulturore. Por Heminguej nuk vdiq. Ai mbeti në çdo faqe që shkroi, në çdo fjali të qartë, në çdo njeri të zakonshëm që përballet me stuhitë e jetës. Ai na mësoi se guximi nuk është mungesa e frikës, por përballja me të. Dhe ndoshta, përmes rrëfimeve të tij, e kuptuam pak më mirë çfarë do të thotë të jesh njeri

    Vitet e fundit të shkrimtarit, frika, ankthi dhe depresioni që e ndalonin të shkruante

    Në çdo brez shkrimtarësh lind një zë që nuk flet vetëm për kohën e vet, por edhe për një botë të brendshme universale të heshtur, të thyer dhe të pamëshirshme. Për shekullin XX, ky zë kishte një emër: Ernest Heminguej. I gjatë, me mjekër të dendur dhe sy që shihnin drejt e në thelb të gjërave, Heminguej ishte më shumë se një autor: ishte një mënyrë jetese, një filozofi maskiliste dhe ekzistencialiste e përmbledhur në fjali të shkurtra, por që zhurmojnë gjatë në vetëdijen tonë. “Njeriu shkatërrohet, por nuk mposhtet”, shkruante ai një pohim që dukej si besimi i fundit i një njeriu që jetoi gjithë jetën në përpjekje për të mos u thyer, dhe përfundoi duke u thyer vetë. Ai nuk shkroi për të zbukuruar botën. Ai shkroi për ta zbërthyer atë. Stili i tij i ftohtë, i prerë, i zhveshur nga zbukurimet, është cilësuar si “teoria e ajsbergut”: 1/8 shihet, 7/8 janë nën ujë ashtu si ndjenjat, dhimbjet, heshtjet, brishtësitë që ai i shfaqte vetëm në nëntekst. Ai e dinte që njeriu nuk shpëton nga vetja, por të paktën mund ta kuptojë më mirë përmes një historie. Ai kaloi nga fushat e betejës në Parisin artistik, nga Karaibet në Kubë, nga peshkimi me tonelata në biseda të heshtura me veten. Në dukje jetonte jetën që çdo burrë do të kishte zili: me aventura, gra, famë dhe adrenalinë. Por përbrenda, Heminguej ishte gjithnjë në luftë me kujtimet, me depresionin, me trashëgiminë familjare të vetëvrasjeve që e ndiqte si një mallkim i heshtur.

    U martua katër herë, e donte fuqishëm gruan e radhës derisa nuk e duronte më. Kishte nevojë të dashuronte për të shkruar, dhe kishte nevojë të shkruante për të mos u rrëzuar. Gratë e tij nuk ishin vetëm të dashura ishin muza, shpëtim, dështim, pretekst dhe pasqyrë. Ai nuk e përballonte mirë rutinën. Qetësia e vriste, stabiliteti e mërziste. Prandaj kërkonte gjithmonë një tjetër vend, një tjetër luftë, një tjetër rrezik, një tjetër grua. Ishte gjithmonë në kërkim jo të diçkaje që mungonte, por ndoshta të një versioni të vetes që mund ta mbante më gjatë. Në vitet e fundit u përball me ankthin, paranojën, harresën. Kishte frikë se nuk mund të shkruante më. E përjetoi këtë si një fund, jo vetëm të karrierës, por të ekzistencës. Në vitin 1961, në një mëngjes pa shumë fjalë, vendosi të mbyllte llogaritë me jetën jo nga frika, por nga bindja se tashmë kishte dhënë gjithçka.

    Katër dashuritë e dështuara të Ernest Heminguejt, tradhtitë dhe pasionet

    Në letërsi shkroi si askush tjetër. Në jetë dashuroi si i çmendur dhe u rrëzua si legjendë. Ernest Heminguej ishte një nga ata burra që nuk i përkisnin vetëm epokës së tyre, por që e shtrinë hijen nëpër dekada edhe me librat, edhe me jetën e çrregullt, të dhimbshme dhe të paparashikueshme. Nuk është e lehtë të ndash Heminguejn nga mitet që vetë ndërtoi. Por në qendër të gjithçkaje, ishte një burrë që dashuroi gratë po aq fort sa dashuroi luftën dhe rrezikun. U martua katër herë, dhe të katra gratë qëndruan pranë një njeriu gjenial, por edhe të vështirë, impulsiv, egocentrik, që shpesh ndante më shumë emocione me letrën sesa me njeriun përballë. Hadley Richardson, gruaja e tij e parë, ishte një pianiste e butë nga Çikago, të cilën e njohu në Paris në vitet e “gjeneratës së humbur”.

    Ajo e përkrahu në vitet e para të shkrimit, kur Heminguej jetonte me para borxh, por martesën e tyre e rrëzoi një tjetër grua: Pauline Pfeiffer, një gazetare elegante e “Vogue”, që u bë gruaja e dytë. Ajo i solli edhe suksesin, por edhe një jetë më të ftohtë, më borgjeze, nga e cila ai u mërzit shpejt. Me Martha Gellhorn, gruaja e tretë dhe korrespondente lufte si ai, ndanë jo vetëm fjalë dhe seks, por edhe frikën e vdekjes në vijën e parë të zjarrit në Spanjë dhe Normandi. Ajo ishte ndoshta e vetmja që nuk i duronte kapriçot e tij, dhe në fund ishte ajo që iku. Heminguej, me ego të lënduar, e quajti “grua e padukshme” për pjesën tjetër të jetës. Mary Welsh, gruaja e katërt, ishte e vetmja që qëndroi deri në fund, edhe pse nuk ishte më Heminguej i viteve të lavdisë.

    Në atë kohë, ai ishte një burrë i plakur para kohe, me kujtesë të turbullt, i lodhur nga alkooli, ilaçet dhe frika se nuk mund të shkruante më si dikur. Gratë në jetën e tij nuk ishin thjesht partnere ishin pretekste për të dashuruar, për të urryer, për të frymëzuar apo për t’u arratisur. Ai nuk e kërkoi kurrë stabilitetin; ai kërkonte përjetësinë. Por përjetësia nuk vjen me një grua të vetme. Ai donte gjithçka dhe kur gjithçka nuk mjaftonte më, mbeti vetëm. Përtej martesave, Heminguej kishte një marrëdhënie të ndërlikuar edhe me seksualitetin, që disa studiues e kanë komentuar si të ngarkuar me kontradikta.

    Ai urrente dobësinë, por brenda vetes ndiente krisje që s’mund t’i pranonte dot. Kjo e bënte jo vetëm të paarritshëm, por edhe të rrezikshëm për këdo që e donte vërtet. Ai pinte pa masë, fliste me cinizëm, shkruante si burrë, dashuronte si poet dhe ikte si fëmijë. U përpoq disa herë të vetëvritej përpara se ta realizonte më 1961, duke e mbyllur jetën me të njëjtën armë që e kishte shoqëruar në Afrikë, në peshkim dhe në dhomat e vetmisë. Ernest Heminguej nuk ishte burri ideal. Ai ishte një zjarr që digjte veten dhe të tjerët. Por është e pamundur të flasësh për të dhe të mos ndjesh një përzierje habie, dhimbjeje dhe admirimi. Ai nuk e la pas një martesë të përkryer, por la një jetë që rrëfehet ende, si një roman i madh, i çarë në mes, por i paharruar.

    Lajmi Paraprak

    Paralajmërohet mungesë e prodhimit të rrymës në Kosovë

    Lajme tjera

    Tolstoi i dashuruar

    Tihon Polner Përktheu nga rusishtja Sokrat Gjerasi 1. Një ditë maji të vitit 1856, te daça e doktor…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë