Tolstoi i dashuruar

    Tihon Polner

    Përktheu nga rusishtja Sokrat Gjerasi

    1.

    Një ditë maji të vitit 1856, te daça e doktor Bersit në Glebovë të Pokrovskojes mbërriti një karrocë. Tre mysafirë të nderuar u shfaqën në verandë: “xhaxhi Kostja, Islavini (vëllai i të zonjës së shtëpisë), baroni Mengden dhe oficeri konti Lev Tolstoi. Ardhja e papritur shkaktoi turbullim të lehtë. Dreka ishte mbaruar me kohë, shërbëtorët kishin vajtur në kishë, kurse mysafirët ishin të uritur. Vajzat e mirka të dr. Bersit nisën të lëvizin; pasi morën nga nëna e qetë dhe hijerëndë lejën për të shtruar tavolinën, u servirën hajet e mbetura miqve. Dy më të mëdhatë, Liza trembëdhjetë dhe Sonja dymbëdhjetëvjeçare, të kënaqura nga puna e pazakontë, vraponin gjithë merak. Tanja e vogël dhjetëvjeçare gati ia dha të qarit: të motrat nuk e lanë të merrte pjesë në “lojën” interesante.

    Pas drekës i zoti i shtëpisë e pyeti kontin Tolstoi për luftën në Sevastopol. Erdhi fjala për këngën e Sevastopolit, autorësinë e së cilës ia njihnin Tolstoit. Në Petërburg ajo i solli atij kokëçarje jo të vogla.

    Të gjithë deshën ta dëgjonin. Islavini u ul në piano dhe luajti refrenin. Tolstoi nuk pranoi. Atëherë në skenë doli Tanja e vogël, e cila kishte treguar tashmë muzikalitet të mrekullueshëm. I dhanë tekstin e strofave të para dhe Lev Nikollajeviçi nisi të këndonte buzagaz në duet me vogëlushen. Folën gjatë për “Fëmijërinë” dhe “Adoleshencën”. U përmendën personazhet e të dy tregimeve. E gjitha kjo qe diçka mjaft e afërt për të dyja familjet… Vajzat dëgjonin me vëmendje komentet e veprave, që i njihnin dhe i pëlqenin shumë.

    Pastaj dolën të shëtisnin. Miqtë “e nderuar” luajtën me të tjerët si të ishin nxënës shkolle…

    Në mbrëmje, në Moskë, Tolstoi shkroi në ditar: “Me Kostjen hëngrëm drekë te Luboçka Bersi. Na shërbyen fëmijët. Sa vajza të këndshme dhe gazmore!”.

    2.

    Në vitet e mëvonshme, Lev Nikollajeviçi shkonte rrallë në familjen e doktor Bersit.

    Mirëpo në verën e 1861-it ai u kthye në Rusi nga udhëtimi i dytë jashtë shtetit. Megjithëse tejet i ngarkuar me punë, nganjëherë ai shkëputej nga fshati, për të vajtur në Moskë. Se si qëlloi një ditë te Bersët dhe mbeti i habitur me ndryshimet që gjeti atje: “vajzat e këndshme” ishin rritur e bërë zonjusha të bukura. Dy të mëdhatë i kishin dhënë provimet, mbanin fustane të gjata, kishin ndërruar krehjen e flokëve, dilnin në shoqëri. Lev Nikollajeviçi shfaqi interesim për to dhe zuri të vinte më shpesh. Vinte ditën, në mbrëmje apo në kohën e darkës dhe menjëherë u bë i shtëpisë. Me Lizën serioze bisedonte për letërsinë, i jepte temat e shkrimeve për fëmijët e shkollës së vet (“Për Luterin”, “Për Muhametin”), të cilat më vonë i botoi në shtojcat e revistës së tij. Me Sonjën sentimentale luante në piano me katër duar, ulej për ndonjë lojë shah, i fliste me frymëzim për nxënësit e tij më të dashur. Me Tanja “djallushen” luante si shkollar, e merrte “kalaqafë” dhe e shëtiste nëpër dhoma; i jepte detyra, e vinte të recitonte vjersha. Nganjëherë i mblidhte të gjithë (njerëzit e shtëpisë dhe mysafirët) rreth pianos, u mësonte të këndonin romanca dhe psalme … Veçanërisht dallonte zërin e Tanjës së vogël (ajo po mbushte pesëmbëdhjetë), e shoqëronte shpesh në piano, i çonte nota dhe e quante “madamë Viardo”, ose, nisur nga natyra e saj gazmore, “festive”.

    Nganjëherë Lev Nikollajeviçi improvizonte subjekte të operave të vogla dhe i detyronte të rinjtë t’i vinin fjalët vetë (sa më të pakuptueshme, aq më mirë) dhe të këndonin motivet e njohura nga të gjithë.

    Një herë solli me vete tregimin e Turgenievit “Dashuria e parë” dhe pasi e lexoi vetë me zë të lartë u tha vajzave me ton moralisti: “Dashuria e një biri gjashtëmbëdhjetëvjeçar, dashuria e një të riu, ishte dashuria e vërtetë, të cilën njeriu e përjeton vetëm një herë në jetë, kurse dashuria e një babai është ndyrësi dhe shthurje.

    Ai sajonte shëtitje të gjata, me orë të tëra u tregonte të rinjve vendet më interesante të Moskës dhe i lodhte, sa mezi rrinin në këmbë.

    Nganjëherë hynte në dhomat e fëmijëve ose në kuzhinë, llomotiste me shërbyesit dhe shumë shpejt u bë njeriu më i dashur për të gjithë.

    Vizitat e shpeshta të Tolstoit nisën t’i përflisnin. Dikush thoshte që ai do të martohet me të madhen e vajzave, Lizën. Dikush tjetër, që ai sikur i paska thënë një ditë të motrës: “Nëse martohem…, vetëm me njërën nga Bersët”.

    – Po mirë, martohu me Lizën, – qe përgjigjur kontesha, – grua e mrekullueshme do të jetë: e mbajtur, serioze, e edukuar.

    Këto fjalë mbërritën në vesh të Bersëve. Kuptohet, prindërit as ëndërronin diçka më të mirë. Vajza e tyre, pa ndonjë prikë, do të bëhej konteshë, gruaja e një çifligari të pasur, shkrimtari të famshëm. Veçanërisht e dëshironte këtë martesë nëna, e cila shkonte me të motrën e Lev Nikollajeviçit.

    Fjalët dhe thashethemet sikur e zgjuan nga gjumi Lizën e ftohtë dhe të qetë. Ajo nisi t’i kushtonte vëmendje pamjes së saj të jashtme dhe dalëngadalë njerëzit përreth e bindën, që “le comte” (kështu e quanin në familje Lev Tolstoin) ishte dashuruar keqas pas saj.

    Kurse Lev Nikollajeviçi, që e ndjeu situatën e krijuar rreth tij, çka e detyronte të ndërmerrte hapa të caktuar, nisi t’i rëndej e gjitha kjo dhe shkroi në ditarin e tij (6 maj 1861): “Dita që kalova te Bersët qe e këndshme, por me Lizën nuk martohem”. Dhe më vonë (22 shtator): “Liza Bers më josh; por kjo nuk do të ndodhë. Nuk mjafton vetëm përllogaritja, kur ndjenja s’ka”.

    Shumë më tepër e tërhiqnin motrat më të vogla, plot jetë dhe pasion. “Tanjusha” ishte ende fëmijë. Mirëpo Sofia Andrejevna e tërhiqte shumë. Ajo zbukurohej me ditë. Adhuruesi i saj, Polivanovi, “e fejuara” e të cilit ajo e quante veten, tanimë ishte oficer dhe punonte në akademinë ushtarake në Petërburg. Vajzën e merrte malli për të, qante, lexonte me etje letrat që ai i dërgonte motrës së saj të vogël … Tashmë instinkti i femrës i thoshte, që “le comte” interesohej gjithnjë e më shumë, pikërisht për të. E ardhmja e shkëlqyer që hapej para saj, bëri që kujtimi për oficerin e ri të venitej e të shuhej. Ç’është e vërteta, ai e njihte që prej së vogli dhe e donte të tillë siç ishte. Kurse konti Tolstoi ende duhej … fituar. Dhe në lartësinë e shijeve të tij qe aq e vështirë të mbaheshe!… Për më tepër, e mundonte e panjohura, e papërcaktuara: po sikur të gabohej dhe siguria e të gjithëve, që Tolstoi flirton me motrën e saj, të jetë e drejtë? . . .

    Ajo vuante. Mirëpo sedra e femrës dhe ëndrrat krenare e bënë të vetën. Duke e tërhequr me kujdes kontin pranë vetes herë me ëndërrime sentimentale, herë me xhelozi e herë me gjallërinë e saj, ajo iu dha vetë ndjenjës dhe tanimë ishte thuajse gati t’ia pranonte vetes që donte jo Polivanovin, por Tolstoin.

    Në shkurt të vitit 1862, Lev Nikollajeviçi e ndiente tashmë që “pothuajse qe dashuruar”. Se sa të afërta ishin në atë kohë marrëdhëniet e tij me familjen Bers, i tregon ky rast. Prej disa kohësh Tolstoi e kishte vënë nën kontroll pasionin për kumarin, por herë pas here zjarri i shuar ndizej me forcë të re. Njëherë takoi në klub një oficer të ardhur dhe humbi 1000 rubla në bilardo kineze. Borxhi duhej shlyer brenda 24 orëve. Pará s’kishte. Tolstoi i vajti botuesit të “Lajmëtarit të Rusisë” dhe i shiti për 1000 rubla tregimin ende të pakorrigjuar dhe të papërfunduar “Kozakët”. Këtë ia tregoi familjes Bers. Të gjithë ishin të bindur, që çmimi qe shumë i lirë. Atëherë Lev Nikollajeviçit iu desh të pranonte që kishte humbur në bilardo. Vajzat e reja dolën me vrap, u mbyllën në dhomë dhe qanë me hidhërim për sjelljen e “comte’a”.

    Kaluan edhe disa muaj të tjerë. Lev Nikollajeviçi u duk sërish në Kremlin. Ishte i sëmurë, qe ligur dhe kollitej. E dërguan për të pirë kumis. Kur kaloi nga Moska, solli në familjen Bers dy djem fshatarë, të cilët i merrte me vete në stepat e Samarës.

    Në mbrëmje, pasi iku ai, Sofia dukej veçanërisht e trishtuar dhe qëndroi duke u lutur më gjatë se zakonisht.

    – Sonja, tu aime le comte?[1] – e pyeti me zë të ulët motrën e vogël.

    – Je ne sais pas[2], – mërmëriti tjetra që, me sa duket, nuk e habiti pyetja. – Ah, Tanja, – shtoi pas pak. – Atij i kanë vdekur dy vëllezër nga tuberkulozi…

    Atë natë Sonjën nuk e zuri gjumi shpejt, diç mërmëriste nën buzë dhe qante pa zë, që të mos zgjonte motrat.

    3.

    Ajo verë kaloi veçanërisht vrullshëm në vilën në Pokrovskoje. Shtëpia vazhdimisht mbushej me të rinj, të afërt dhe të njohur, të ardhur nga Moska; ata qëndronin aty si mysafirë, ose vinin nga vilat fqinje. Shëtitjet, lojërat, sharadat, spektaklet zëvendësonin njëra-tjetrën dhe gazi e hareja e të rinjve s’kishin të sosur.

    Gjatë kësaj zallahie, Sofia Andrejevna arriti të shkruante një tregim dhe mbrëmjeve ia lexonte në fshehtësi motrës së vogël. Tregimi quhej “Natasha”. Më vonë Tatjana e tregonte kësisoj përmbajtjen e tij:

    Në tregim flitet për dy personazhe: princi Dublicki dhe Smirnovi. Dublicki është mesoburrë, me pamje të shëmtuar, energjik, i zgjuar, me mendime të paqëndrueshme për jetën. Smirnovi, i ri, rreth 23 vjeç, me ideale të larta, me karakter pozitiv, të qetë dhe me të ardhme në karrierë. Heroina e tregimit është Elena, vajzë e re, e bukur, me sy të zinj, të mëdhenj. Ajo ka një motër më të madhe, Zinaida, bionde jo simpatike, e ftohtë dhe një tjetër më të vogël, 15 vjeçe, Natasha, vajzë hollake dhe e gjallë. Dublicki shkon në shtëpinë e tyre pa ndonjë mendim për dashuri. Smirnovi është dashuruar pas Elenës, edhe kjo sikur e simpatizon. Ai i propozon, ajo lëkundet për t’i dhënë përgjigje; prindërit janë kundër kësaj martese, sepse djali është shumë i ri. Smirnovi niset me shërbim. Torturat e tij shpirtërore. Shumë skena hyrëse. Përshkrimi i simpatisë së Zinaidës ndaj Dublickit, “djallëzi” nga më të ndryshmet të Natashës, dashuria e saj ndaj kushëririt etj. Dublicki vazhdon të shkojë në familjen e Elenës. Ajo është e turbulluar, nuk arrin t’i shpjegojë ndjenjat e veta, nuk do të pranojë që ka nisur ta dojë. E mundon mendimi për të motrën dhe për Smirnovin. Ajo lufton me ndjenjën e vet, por nuk ka fuqi për këtë luftë. Duket sikur Dublicki i ka sytë tek ajo dhe jo tek motra dhe kjo natyrisht e tërheq atë më shumë drejt tij. Por pikëpamjet e tij të luhatura për jetën e lodhin vajzën. Mendja e tij vrojtuese e bën atë të druhet. Me mendje ajo shpesh e krahason atë me Smirnovin dhe i thotë vetes: “Smirnovi dashuron çiltër, thjesht, pa kërkuar gjë nga unë”. Vjen Smirnovi. Kur sheh vuajtjet e tij shpirtërore dhe duke ndier njëherit simpatinë e Dubleckit, ajo mendon të mbyllet në manastir. Në fund fare Elena sajon martesën e Zinaidës me Dubleckin dhe më vonë martohet me Smirnovin.[3]

    Në këtë tregim për fëmijë jo gjithçka është e padjallëzuar. Dhe nëse Sofia e shkroi atë për t’ia treguar Tolstoit, ky pikësynim zbulon prakticizmin, shkathtësinë dhe guximin aq të habitshëm për një tetëmbëdhjetëvjeçare; në tregim gjen edhe gjysmëpëlqim, edhe sfidë për çiltërsi, edhe karakteristikë jo për t’u lavdëruar të motrës rivale, edhe shpërthim të xhelozisë, të aftë për “t’i dhënë një dorë” ndjenjës së pavendosur …

    Në fillim të gushtit, Tolstoi u duk sërish në Moskë. Kumisi veproi për mrekulli në organizmin e tij; shëndeti qe përmisuar plotësisht. Por ai dukej jashtëzakonisht i emocionuar. Krenaria e tij kishte marrë goditje të rëndë. Në fillim të korrikut, afër mesnate, në Jasnaja Poljana kishin ardhur xhandarët, çka i trembi për vdekje teton e tij plakë dhe të motrën. Këta … siç i quajti Tolstoi, “banditë me faqe dhe duar të lara me sapun erëmirë”, bënë kontroll të imët dhe lexuan të gjitha letrat intime dhe ditarët e Tolstoit. Shkaqet e kontrollit ende nuk janë sqaruar. Midis të rinjve që Tolstoi i aktivizonte në shkollë, kishte studentë të përjashtuar nga universiteti për protesta dhe trazira. Me që për veprimtarinë e Tolstoit, i cili atëkohë ishte person zyrtar, kishte mjaft denoncime, atë e gjurmonin dhe agjentë të policisë së fshehtë që jetonin në rrethinat e Jasnaja Poljanas. Por, me sa duket, qeveria kishte edhe dyshime të tjera. Më 1861, gjatë qëndrimit në Londër, Tolstoi qe lidhur me Hercenin “e tmerrshëm”, gjatë afër një muaji ata dilnin hapur bashkë, çka s’mund të mbetej e fshehtë për agjenturën ruse jashtë shtetit. Kur në Rusi u shfaqën kopje të proklamatave dhe artikujve të “Kambanës”, policia nisi të kërkonte gjithandej tipografitë ilegale. Jasnaja Poljana e vetmuar me kongreset e dyshimta të mësuesve-studentë tërhoqi vëmendjen e xhandarëve.

    Tolstoi u tërbua. “I them shpeshherë vetes, – i shkruante tetos së oborrit, – sa mirë që nuk u ndodha aty. Po të kisha qenë, me siguri do të gjykohesha si vrasës”. Xhandarët premtuan se do të ktheheshin sërish. Tolstoi i priti me pistoletat mbushur. Ai mundi të dorëzojë te cari një letër ankimi ndaj qeverisë dhe Aleksandri II, nëpërmjet adjutantit, i dërgoi përgjigje me keqardhje të përmbajtur për ndodhinë …

    Por të gjitha këto telashe sikur humbën midis emocioneve të acaruara intime të zemrës së tij. Te Bersët lëmshi i ngatërruar i marrëdhënieve po rritej. Liza “po e bënte të vetin, e qetë dhe e sigurt”. Ajo po bëhej e urryer për Tolstoin, i cili mezi e mbante veten në shoqërinë e saj.

    Në Pokrovskoje, ku Lev Nikollajeviçi shpesh shkonte në këmbë nga Moska (12 vjorsta), u shfaq një fytyrë e re. Familja e Bersëve vetëm pak kohë më parë qe njohur me profesorin Nil Popov. Ky qe një burrë rreth 35 vjeç, i matur, me lëvizje të ngadalta dhe sy gri, mjaft shprehës. Ai me shumë kënaqësi e kalonte kohën në shoqërinë e Sofisë dhe shpeshherë, madje edhe kur bisedonte me të tjerë, nuk ia shqiste sytë figurës hirplotë dhe fytyrës së vajzës së re. Ai mori me qira një daça të vogël dy vjorsta larg Pokrovskoje, dhe nuk e privoi veten nga kënaqësia për të kaluar kohën në familjen e Bersëve.

    E zonja e shtëpisë thoshte:

    – Sonja i pëlqen shumë Popovit.

    Por Sofia Andrejevna e ndiente edhe vetë këtë. Ajo fare thjesht, me kënaqësi dhe gjallëri e mbështeti afrimin me profesorin. Kjo sjellje me sa duket e kënaqte më tepër se çdo naze. Mirëpo ky afrim ndikoi edhe te Tolstoi. Ai u bë xheloz. Ndoshta edhe këtë herë do ta vriste ndjenjën që po i lindte, me dyshime, analiza, arsyetime….. Por s’kishte kohë për t’u menduar; ndjenja po rritej nën kamxhikun e xhelozisë. Sofia qe ulur te shkallët e daças në Pokrovskoje dhe llomotiste për qejf me profesorin e saj, kurse Lev Nikollajeviçi, “duke u shtirur sikur s’donte të dinte, bëhej gjithnjë e më shumë xheloz dhe e dashuronte”[4]

    Ishin këto marifete instinktive apo të vetëdijshme të vajzës së re? Kush e di?

    Një ditë Sofia i tha Tolstoit që kishte shkruar një tregim në mungesë të tij.

    – Tregim? Si ju vajti në kokë diçka e tillë? Dhe çfarë subjekti?

    – Përshkruaj jetën tonë.

    – E kujt ia jepni për ta lexuar?

    – Ia lexoj me zë Tanjës.

    – Po mua do ma jepni?

    – Jo, nuk mundem.

    Ai, natyrisht, këmbënguli…

    4.

    Më 6 gusht Tolstoi vajti në Jasnaja Poljana. Lubov Aleksandrovna Bers me tri vajzat do të shkonte të shihte babain e saj, Aleksandër Islenjevin, për të cilin Tolstoi shkruan te “Fëmijëria”, “Adoleshenca” dhe “Rinia”. Islenjevi, pasi kishte humbur në kumar të gjitha pronat e veta, jetonte në çifligun e gruas së dytë, në Ivica. Çifligu ndodhej 50 vjorsta nga Jasnaja Poljana dhe Lev Nikollajeviçi i mori fjalën Ljubov Aleksandrova Bersit, që rrugës për në Ivica do të kthente të shihte të motrën e tij.

    Ato erdhën në Jasnaja Poljana në mbrëmje. Ishte për të qeshur dhe prekëse të shihje se si Tolstoi vinte rrotull në kuzhinë dhe me duart e pastërvitura ndihmonte shërbyesen të shtronte krevatet për zonjushat mysafire. Të nesërmen organizuan një piknik në “Zasjeka”, një pyll shekullor që rrethonte Jasnaja Poljanën. Në një livadh të madh në mes të pyllit shekullor shtruan qilima. Kontesha Tolstaja dhe Ljubov Aleksandrovna Bers po kujdeseshin për samovarin dhe mezet që kishin sjellë me vete, kurse Lev Nikollajeviçi i vuri të rinjtë të hipnin në një mullar të madh bari dhe në majë të tij organizoi një kor (në piknik kishin ardhur edhe mysafirë të tjerë nga rrethinat), të cilin e drejtonte vetë me shumë kënaqësi dhe frymëzim…

    Në Ivica bëhej qejf; njerëzit vallëzonin, luanin, vraponin. Ditën e tretë, në të ngrysur, para shoqërisë së habitur u shfaq hipur në kalë të bardhë Lev Tolstoi; në Jasnaja Poljanën tanimë të boshatisur ai qe mërzitur. E mori malli për zërat e të rinjve dhe të qeshurat e mysafirëve të tij, prandaj bëri 50 vjorsta me kalë, për t’i parë edhe një herë. Dukej i freskët, i gjallë, i vendosur, duke treguar hapur vëmendje të veçantë për Sofia Andrejevnën. Vajza e re e mirëpriti humorin e tij të këndshëm dhe skuqej dukshëm në prani të tij. Sytë e saj sikur thoshin: “Unë ju dua, por kam frikë…”

    Edhe Liza, zakonisht e përmbajtur dhe e qetë, u trondit.

    – Tanja, – iu drejtua motrës së vogël me lot në sy. – Sonja kërkon të ma rrëmbejë Lev Nikollajeviçin. Nuk e shikon?… Fustanet e saj, vështrimet, përpjekjet për të mbetur vetëm bien qartë në sy…

    Më në fund ndodhi gjysmëshpjegimi.

    Ja si e përshkruan “Tanja-djallushja” këtë skenë në “Kujtimet” e veta:

    – Në mbrëmje vonë, pas darkës, më kërkuan të këndoja. Unë nuk desha dhe vajta në dhomën e pritjes, për t’u fshehur gjëkundi. U futa nën piano. Dhoma ishte bosh, tavolina e letrave të lojës ishte e hapur.

    Disa minuta më vonë në dhomë hyjnë Sonja dhe Lev Nikollajeviçi. Siç m’u duk, të dy ishin të emocionuar. Ata u ulën në tavolinë.

    – Me një fjalë, do të ikni nesër? – tha Sonja. – Përse kaq shpejt? Sa keq!

    – Masha është vetëm, së shpejti do të niset jashtë shtetit.

    – Edhe ju? – pyeti Sonja.

    – Jo. Desha të shkoja, por tani nuk mundem.

    Sonja nuk e pyeti përse. Sikur i ra më të. Nga shprehja e fytyrës së saj e kuptova që tani do të ndodhte diçka shumë e rëndësishme. Desha të dilja nga pusia, por më erdhi zor dhe mbajta frymën.

    – Shkojmë në sallë, – tha Sonja. – Do të na kërkojnë.

    – Jo, prisni, këtu është kaq mirë…

    Dhe diçka vizatoi në tavolinë me shkumës.

    – Sofia Andrejevna, mund ta lexoni çfarë ju kam shkruar këtu, por vetëm me germat e para? – foli ai i emocionuar.

    – Mundem, – u përgjigj e vendosur Sonja, duke e parë drejt në sy.

    Atëherë ndodhi letërkëmbimi, tanimë aq i njohur nga romani “Ana Karenina”.

    Lev Nikollajeviçi: “Mj.r.dh.n.p.n” etj.

    Kurse motra ime lexoi tejet e frymëzuar: “Mosha juaj e re dhe nevoja për lumturi më kujtojnë shumë pleqërinë time dhe pamundësinë e lumturisë”. Disa nga fjalët Lev Nikollajeviçi ia tregoi vetë.

    – Edhe diçka, – tha ai. – “Në familjen tuaj ekziston një mendim i gabuar për mua dhe motrën tuaj Lizën. Më mbroni, ju me Tanjën…”[5]

    Kur do të ktheheshin në shtëpi, Bersët qëndruan edhe dy-tri ditë në Jasnaja Poljana, pastaj bashkë me konteshën M. N. Tolstoja, që do të ikte jashtë shtetit, u nisën për në Moskë.

    Në Tula papritur i doli përpara Tolstoi i veshur me kostum udhëtimi. Për kënaqësinë e të gjithëve, edhe ai … qe nisur për në Moskë.

    Në Moskë për Tolstoin nisën ditë të vështira. Ai u përpoq të punonte për revistën e tij pedagogjike, shkonte në teatër dhe te miqtë. Por gjithnjë e më shumë ia donte shpirti të vizitonte Bersët. Në fillim e bëri zap karakterin e vet dhe shkonte një herë në dy-tri ditë. Pastaj e hodhi tej drojtjen dhe dukej atje thuajse çdo ditë. I dukej sikur ardhja e tij ngjallte habi, madje pakënaqësi te të zotët e shtëpisë. Ndihej në siklet, por prapë nuk rrinte dot mbyllur në shtëpi. Sofia e priste herë me gëzim të pafshehur, herë e trishtuar dhe ëndërrimtare, herë ashpër dhe rreptë. Atë e lodhte pritja, e mundonte e panjohura. Më në fund ajo ia dha tregimin. Por ilaçi nuk e bëri menjëherë veprimin që priste ajo. Tolstoi nuk ngutej, dyshonte, provonte veten. Krenaria e tij i trembej mundësisë së mospranimit. Edhe njerëzit e mëdhenj sëmuren dhe dashurojnë njëlloj, si të gjithë të vdekshmit e tjerë. Vajza tetëmbëdhjetëvjeçare, e gjallë, aspak budallaçkë dhe me karakter, por që nuk dallonte nga niveli mesatar, tanimë e kishte në dorë gjeniun e letrave. Fati dhe rrethanat deshën që ajo të bëhej zonjë e të gjithë jetës së tij të ndërlikuar shpirtërore. Atij i dukej se lumturia tani varej vetëm prej saj dhe dashuria e Sofisë u bë në këtë kohë qëllimi i vetëm i jetës së tij.

    Njëri prej biografëve të tij të përdëllyer ndalon i habitur para pyetjes: përse shkrimtari i madh nuk tregoi edhe në këtë rast mendjemprehtësinë që e dallonte? Përse kërkonte aq shumë në letrat e tij nga Valeria Arsenjeva dhe nuk priste tjetër, veç dashurisë, nga Sofia Bersi?

    Përse?… Sepse Valerian ai rrekej ta edukonte, për ta bërë bashkëshorte të duruar për vete.

    Sofia Bersin e donte dhe me të gjithë pasionin, me gjithë qenien iu dha asaj.

    5.

    Ja disa pjesë nga ditari i Tolstoit, që i përkasin asaj periudhe. Ato më mirë se gjithçka tjetër zbulojnë ndjenjat e tij të atëhershme.

    “23 gusht. Fjeta te Bersët. Fëmijë! Më duket se po! Kurse lëmshi është ngatërruar keq. O, sikur të kisha një gjetje të qartë dhe të ndershme!… Kam frikë nga vetja; po sikur edhe kjo të jetë dëshirë për dashuri dhe jo dashuri?! Përpiqem të shoh vetëm anët e saj të dobëta, por … gjithsesi, ajo është. Fëmijë! Kështu ngjan.

    26 gusht. Vajta në këmbë deri te Bersët. Qetësi, rehati. Gajasjet rinore të vajzave. Sonja është e ligë sot, vulgare, por u mor me mua. Më dha tregimin për ta lexuar. Ç’është kjo energji e të vërtetës dhe thjeshtësisë! Atë e mundon paqartësia. E lexova i qetë, pa shenjë xhelozie apo zilie, por fjalët “me pamje aspak tërheqëse” dhe “gjykime të papërqendrueshme” më prekën. Dhe u qetësova. Nuk ishin për mua…

    28 gusht. Jam 34 vjeç. O surrat shëmtuar, as mos mendo për martesë! Dhuntia jote është tjetër dhe e ke shumë…

    30 gusht. Për Sonjën dhe Popovin nuk bëhem xheloz, nuk e besoj që s’jam unë. Shëtitëm, bisedka, darka në shtëpi, sytë e saj dhe… nata. Ah, çfarë nate!… Budalla! Nuk është shkruar për ty, megjithatë jam dashuruar si me Sonja Koloshinën dhe A. Obolenskën. Kaq.

    2 shtator. Vajta te Bersët… Sa keq, Liza! Sonja qe në formë… Më tha për profesor Popovin dhe bluza… a thua të gjitha të jenë rastësi?

    3 shtator. Tek ata në fillim… çka, pastaj shëtitëm. “Ai është i shëmtuar, ju i shëndetshëm”, monokli, “ju lutem, ejani”. Jam i qetë! Ecja dhe mendoja: ose gjithçka është thjesht rastësi, ose ndien jashtëzakonisht hollë, ose i ka ojna kokete (sot me njërin, nesër me tjetrin), ose edhe rastësi, edhe delikatesë dhe koketëri. Në përgjithësi asgjë, asgjë! Heshtje! Kurrë ndonjëherë, kaq qartë, gjithë gëzim e qetësi nuk më është shfaqur e ardhmja me gruan…

    6 shtator. Jam shumë i vjetër për t’u hallakatur. Ose ik, ose preje…

    7 shtator … Dublicki! Mos fut hundët aty ku janë rinia, poezia, bukuria, dashuria… aty, vëllaçko janë kadetët!…

    Më 10 shtator u zgjova në orën dhjetë… i lodhur nga emocionet e natës. Punova me dembelizëm dhe, siç pret shkollari të dielën, prita mbrëmjen… Në Kremlin. Ajo s’ishte… Kur erdhi, ishte e ngrysur, serioze. Dhe unë ika sërish i pashpresë dhe i dashuruar më shumë se më parë. Au fond rri shpresa. Duhet, duhet patjetër të pritet kjo nyje. Lizën kam nisur ta urrej dhe … ta mëshiroj. O Zot! Më ndihmo, më mëso! Ja dhe një natë tjetër pa gjumë, e mundimshme!… Unë ndiej, unë, që tallesha me vuajtjet e të dashuruarve! Sa plane kam bërë, për t’i thënë asaj, Tanjës… dhe gjithçka më kot! Kam nisur ta urrej Lizën me të gjithë fuqinë e shpirtit. O Zot, më ndihmo, më mëso! Shën Mari, më ndihmo!…

    12 shtator. Jam i dashuruar, siç nuk besoja që mund të dashuroja një ditë. Po shkalloj dhe, po vazhdoi kështu, do të vras veten. Isha tek ata në mbrëmje. Ajo është e mrekullueshme në të gjitha drejtimet. Kurse unë… si Dublicki i pështirë. Më parë duhej të isha ruajtur. Tani nuk mund të ndalem. Dublicki? Gjepura! Por unë jam i mrekulluar nga dashuria. Po. Nesër do të shkoj tek ata që në mëngjes. E pata rastin, por nuk e shfrytëzova. U druajta…

    13 shtator. Asgjë nuk ndodhi… Çdo ditë mendoj që nuk bën të vuaj më gjatë dhe njëherit të jem i lumtur… Çdo ditë marrosem më keq. Sërish dola me mall, pendesë dhe lumturi në shpirt. Nesër do të shkoj sapo të ngrihem dhe do t’ia them të gjitha. Ose… Ora është katër e natës. I shkrova një letër, do ia jap nesër, më 14. O Zot, sa frikë kam të vdes! I lumtur dhe të vuash kësisoj… më duket e pamundur. Ndihmomë, o Zot!…

    15 shtator. Nuk ia thashë, por… i thashë, që kam diçka për t’i thënë. Nesër…”

    6.

    Kjo “nesër” erdhi më në fund.

    Tolstoi vajti te Bersët në mbrëmje. Dukej që ishte i emocionuar, herë ulej në piano, e linte në mes pjesën e nisur, çohej dhe bariste nëpër dhomë, herë e ftonte Sofinë të uleshin bashkë, të luanin me katër duar. Ajo ulej e bindur. Por ai nuk fillonte të luante në piano dhe i thoshte:

    – Ulemi më mirë kështu…

    Ata rrinin ulur pranë para pianos dhe Sofia luajti valsin “Il bacio”, duke e mësuar si të shoqëronte këngën.

    Me sa dukej, turbullimi i Tolstoit e bënte të druhej.

    – Tanja, – iu drejtua të motrës, që kaloi pranë tyre, – provo ta këndosh valsin, më duket se mësova të të shoqëroj.

    Tanja qëndroi në mes të dhomës dhe u përgatit të këndonte.

    Papritur Tolstoi u zymtua në fytyrë; mundësia për t’u shpjeguar sërish po i shpëtonte nga duart. Por në xhep mbante letrën e shkruar, të cilën vendosi t’ia jepte, nëse nuk do të mund të shpjegohej me fjalë edhe këtë herë. Sofia Andrejevna ishte e emocionuar dhe po e shoqëronte keq të motrën. Tolstoi e zëvendësoi pa rënë në sy.

    Ai mendonte me vete: “po e kapi mirë notën e lartë finale, do t’ia jap që sot letrën. Nëse nuk e kap notën, nuk do t’ia jap”.

    – Sa bukur po këndoni sot! – foli Tolstoi me zë të emocionuar.

    Këngëtaren e thirrën të përgatiste çajin.

    Tolstoi, që nuk vendosi dot të fliste, ia dha letrën Sofisë. Dhe i tha se përgjigjen do ta priste lart, në dhomën e zonjës së shtëpisë.

    Sofia Andrejevna e trembur, si “zog i plagosur”, vrapoi për në dhomën e saj dhe e mbylli derën me çelës.

    Ajo lexoi:

    “Sofia Andrejevna! Nuk duroj dot më! Ka tri javë që i them çdo ditë vetes: sot do t’ia them të gjitha dhe do të largohem sërish me po atë pendim, frikë dhe lumturi në shpirt. Çdo natë, si sonte, sjell nëpër mendje të shkuarën, vuaj dhe them: përse nuk ia thashë, si dhe çfarë t’i thosha. E marr këtë letër me vete, për t’jua dhënë, nëse sërish nuk do të guxoj t’i shpreh me gojë të gjitha. Mendimi i gabuar i familjes suaj për mua është, me sa më duket, që unë dua motrën tuaj, Lizën. Kjo është e padrejtë. Tregimi juaj më ka mbetur në mendje, sepse, pasi e lexova, u binda që mua, Dublickit, nuk më takon të ëndërroj për lumturi… që kërkesat tuaja të shkëlqyera poetike të dashurisë… që nuk kam dhe nuk do të kem xhelozi ndaj atij, që do të doni ju. Më dukej se mund të gëzohesha me ju, si me fëmijët. Në Ivica shkrova: Prania juaj më kujton pleqërinë time dhe pamundësinë për të qenë i lumtur dhe pikërisht ju …

    Por edhe atëherë, edhe më vonë gënjeja veten. Që atëherë mund t’i kisha shkëputur të gjitha fijet dhe përsëri të shkoja në manastirin e punës së vetmitarit dhe të përfshihesha nga të shkruarit. Tani nuk bëj dot gjë, por e ndiej që i kam bërë lëmsh gjërat në familjen tuaj. Që marrëdhëniet e thjeshta, të shtrenjta me ju si mik, si njeri i ndershëm, i kam humbur. Tani as nuk largohem, as nuk qëndroj dot. Ju jeni njeri i ndershëm, prandaj me dorë në zemër, pa u nxituar, për hir të Zotit pa u nxituar, më thoni: ç’duhet të bëj, kush qesh me të tjerët, do të përqeshet dikur. Do të kisha vdekur së qeshuri, sikur para një muaji të më thoshin që mund të torturohesh, siç dhe lumturisht po torturohem këto kohë. Më thoni, si njeri i ndershëm, a dëshironi të bëheni gruaja ime? Por vetëm me gjithë shpirt mund të më thoni me guxim “Po”, ndryshe më thoni më mirë “jo”, nëse keni hije dyshimi në vetvete. Për hir të Zotit, pyeteni mirë veten. Do të ishte e tmerrshme për mua të dëgjoja një “jo”, por unë edhe atë e parashikoj dhe do të di të duroj. Ama, po nuk u bëra kurrë burri juaj, po nuk më deshët si ju dua unë, kjo do të ishte e tmerrshme”[6].

    Leximi i letrës u ndërpre nga një e trokitur e fortë në derë.

    – Sonja! – ulërinte motra e madhe. – Hape derën, hape menjëherë! Dua të të shoh.

    Dera u hap.

    – Sonja, çfarë të shkruan le comte? Fol!

    Sofia nuk foli, kurse letrën vazhdonte ta mbante në dorë.

    – Përgjigju, çfarë të shkruan le comte? – i bërtiti Elisabeta Andrejevna me zë të prerë.

    – Il m’a fait la proposition, – u përgjigj Sonja me zë të ulët.

    – Refuzoje! – rënkoi me gulçima me zë motra e madhe. – Që tani refuzoje!

    Sofia heshti.

    Erdhi nëna, e cila me shumë vështirësi i dha fund kësaj skene të rëndë.

    Në dhomën e vogël të pritjes, pjesë e dhomës së zonjës së shtëpisë, rrinte dhe priste Tolstoi shumë i emocionuar. Kishte lidhur duart prapa dhe qe mbështetur te soba. Fytyra ishte serioze, shprehja e syve tejet e përqendruar. Dukej më i zbehtë se zakonisht.

    Më në fund u dëgjuan hapa të lehtë… Sofia Andrejevna iu afrua me të shpejtë dhe i tha:

    – Natyrisht, “po”!

    Disa minuta më vonë nisën urimet.

    Doktori plak ishte i sëmurë dhe rrinte mbyllur në dhomën e tij. Pasi mësoi nga e shoqja për propozimin, në fillim u tregua armiqësor. I bindur që Tolstoi ishte dashuruar me Lizën dhe që kjo dashuri ishte e ndërsjelltë, ai u hidhërua shumë për vajzën e madhe dhe në çastet e para nuk deshi madje të jepte pëlqimin. Por lotët e Sofisë dhe ndërhyrja fisnike e Lizës vendosën shumë shpejt. Pëlqimi i prindërve u dha dhe më 17 shtator Lev Nikollajeviçi do të shënonte në ditar: “Dhëndri, dhuratat, shampanja. Liza duket e rënduar dhe për të ardhur keq; ajo duhet të më urrejë. Më puthi”.

    Me këmbënguljen e Tolstoit u vendos të vinin kurorë pas një jave. Nisi periudha e pështjelluar, e përshkruar saktë te “Ana Karenina”.

    Në ditarin e Lev Nikollajeviçit lexojmë midis të tjerave (më 24 shtator): “Nuk e mora vesh si kaloi java. Nuk mbaj mend gjë; vetëm një puthje pranë pianos dhe shfaqja e satanait, pastaj xhelozia ndaj të shkuarës së saj, dyshimet në dashurinë e saj dhe mendimi që ajo po gënjen veten”.

    Ai shkruan gjithashtu për “frikën, mosbesimin dhe dëshirën për t’u arratisur”, që e pushtuan ditën e kurorëzimit.

    Nga burime të tjera mësojmë edhe më shumë.

    Lev Nikollajeviçi (si Levini tek “Ana Karenina”) i dha të fejuarës ditarët e kohës së tij të rinisë. Në to ajo lexoi për të gjitha pasionet dhe rëniet e tij dhe qau me hidhërim mbi ato fletore “të tmerrshme”.

    Pati dhe hollësi të tjera, që u riprodhuan në përshkrimin e martesës së Levinit.

    Kështu T. A. Kuzminskaja kujton: “Erdhi 23 shtatori. Në mëngjes krejt papritur u duk Lev Nikollajeviçi dhe bëri drejt për te dhoma jonë. Liza nuk ndodhej në shtëpi, kurse unë u përshëndeta me të dhe u ngjita lart. Pak më vonë u takova me nënën dhe i thashë që kishte ardhur Lev Nikollajeviçi. Ajo mbeti e habitur dhe e pakënaqur: dhëndri nuk duhet të vijë te nusja ditën e dasmës. Mamaja zbriti dhe i gjeti të dy bashkë midis dengjeve, valixheve dhe çantave. Sonja qe mbytur në lot. Mamaja s’deshi të dinte, përse qante Sonja; e qortoi Lev Nikollajeviçin që erdhi dhe nguli këmbë, që ai të ikte menjëherë, çka u zbatua në vend. Sonja më tha që ai nuk kishte fjetur gjithë natën, që e kishin munduar dyshimet. Ai e kishte pyetur, në e donte, që ndoshta kujtimet e të shkuarës me Polivanovin (i cili për dreq atë kohë kishte ardhur në Moskë) e turbullojnë ende, që do të ishte më e ndershme dhe më mirë të ndaheshin. Sado u mundua Sonja ta bindë, ajo nuk mundi. . .”

    Këto hollësira të kujtojnë pamjet e njohura nga “Ana Karenina”. Ngjashmëria shkon aq larg, sa edhe historia me këmishën e paradës, që e vonoi kurorëzimin një orë e gjysmë, qenka kopjuar nga natyra. Mbaj mend, kritiku i famshëm anglez Metju Arnold shprehu habinë, përse iu desh autorit kjo skenë; ajo mund të kish ndodhur, por mund edhe të mos kishte ndodhur me të vërtetë. Mirëpo Tolstoi, tek riprodhonte në martesën e Levinit ngjarje të jetës së vet, nuk deshi të linte në harresë edhe këtë hollësi të vogël, e cila dikur i shkaktoi aq telashe dhe shqetësime.

    Në të vërtetë, do të ishte gabim të kërkonim në marrëdhëniet e Kitit dhe të Levinit riprodhimin e saktë të romanit të dashurisë të Tolstoit. Është e vërtetë që një kritik rus (Gromeko) e ndërtoi analizën e vet të “Ana Kareninës” në njëjtësimin e Levinit me Tolstoin. Dhe Lev Nikollajeviçi jo vetëm nuk protestoi, por e pranoi librin e kritikut të ri si analiza më e mirë e romanit. Mirëpo Levini nuk e ka gjenialitetin e Tolstoit, prandaj duhet ta pranojmë që në këtë drejtim është i padurueshëm.

    Kurse portreti i Sofia Andrejevnës në personazhin e Kitit është zbukuruar pak më tepër, sipas zakonit të Tolstoit, i cili, ka shumë mundësi, mendon më mirë të riprodhojë idealin e bashkëshortes, siç e mbante parasysh atëkohë, sa të vërtetën siç ishte. Të ndryshme janë edhe marrëdhëniet e ndërsjella të të dy çifteve: aristokratja e pasur, princesha Sherbackaja, kur u martua me Levinin, mund të udhëhiqej vetëm nga vullneti i zemrës. Shumë më të ngatërruara ishin marrëdhëniet midis vajzës së doktor Bersit dhe shkrimtarit të famshëm, plotësisht të kamur, kontit Lev Tolstoi.

    7.

    Dasma u zhvillua më 23 shtator në kishën e oborrit në Kremlin, të mbushur me të ftuar. Tolstoi thekson se fytyra e nuses së tij dukej e përlotur. Njëri prej kumbarëve të saj ishte Polivanovi. Vëllai i dhëndrit, konti Sergei Tolstoi vajti në Jasnaja Poljana, që të përgatiste gjithçka për ardhjen e të sapomartuarve.

    Pas urimeve, shampanjës, tryezës festive të çajit te doktor Bersi, Sofia veshi fustan udhëtimi në ngjyrë blu. Karroca me gjashtë kuaj të mbrehur, me kallauzin përpara, priste te porta.

    Sipas zakonit rus, para nisjes të gjithë ndenjën ulur në heshtje për disa sekonda.

    Ndarja ishte prekëse. Të rinjtë kishin hipur në karrocë. Nga prapa karrocës qëndronin shërbyesja e vjetër e Bersëve, Varvara dhe njeriu i Tolstoit, Aleksei. Të gjithë njerëzit që kishin dalë për t’i përcjellë, qëndronin majë shkallëve. Puthjet e fundit, urimet… dhe karroca e rëndë, duke u tundur ngadalë, u nis për në udhën e gjatë, duke marrë me vete Tolstoin dhe lumturinë e tij. Ishte errët dhe bënte ftohtë. Binte një shi i mërzitshëm vjeshte. /exlibris/


    [1]  E do kontin? (fr.)

    [2]  Nuk e di. (fr.)

    [3]  T. A. Kuzminskaja. “Jeta ime në shtëpi dhe në Jasnaja Poljana”.

    [4]  Letra të Tolstoit drejtuar gruas.

    [5]  T. A. Kuzminskaja. “Jeta ime në shtëpi dhe në Jasnaja Poljana”, I. Krh. gjithashtu “Martesa e Lev Tolstoit”, nga shënimet e S. A. Tolstajas dhe Raphael Löwenfeld: Gespräche über und mit Tolstoy, Leipzig, 1901.

    [6]  “Letrat e kontit L. Tolstoi gruas”. Skenat e shpjegimit në dashuri të Tolstoit me gruan e ardhshme nuk përmbajnë ndonjë sajesë të autorit të këtij libri; ato janë marrë fjalë për fjalë nga dokumentet. Pjesë nga ditari i Tolstoit përmenden nga dorëshkrimi, ende i pabotuar në rusisht.

    Lajmi Paraprak

    “Open Balkan” apo “Procesi i Berlinit”?

    Lajmi i rradhës

    Javën e ardhshme mblidhet BE-ja, do të diskutohen çështjet e Ballkanit Perëndimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë