Drama që afirmoi dhe popullarizoi letërsinë dhe teatrin e absurdit

    Nga: Lirak Karjagdiu

    Në vitin 1996 u botua përkthimi i njërës ndër dramat më të popullarituara të dramaturgut postmodern anglez Semjuell Beketit (Samuel Beckett): “Duke pritur Godonë”. Semjuell Beketi lindi më 12 prill 1906 në Foksrok të Irlandës. Ai ishte biri i dytë i prindëve, Meri dhe Uilliam Beket. Në moshën pesëvjeçare filloi të shkonte në çerdhen e fëmijëve. Një vit më pas filloi t’i mësojë gjuhët e huaja dhe të lozë pianon. Si i ri ai mori pjesë në një mori aktivitetesh sportive dhe njëherësh nisi të merrej me shkrime kreative. Në vitin 1920 botoi disa tregime në fletushkën e shkollës. Më pas, studioi letërsinë në Kolegjin “Triniti”. Pas diplomimit më 1927, fitoi një bursë për studime të larta në Paris. Këtu u njoh dhe u miqësua me Xhejms Xhojsin (James Joyce). Prozat e shkurtra dhe kritikat zuri t’i botonte në revistën “Tranzishën”. Ndërkaq, më 1930 ai fitoi çmimin e parë në një konkurs të poezisë. Po atë vit ai përktheu në gjuhën frenge me Alfred Peronin prozën e Xhojsit “Ana Livia Firabel”. Në vijim, së toku me Xhorxh Pelorsonin ( Georges Pelorson) e shkroi veprën “Kalamai”. Kjo vepër ishte parodi e veprës “Sid” të Korneit. Me këtë rast, atë e sulmoi gazeta e Kollegjit “Triniti”. Ndërkohë, filloi të ligjëronte gjuhën frenge si asistent në Kolegjin Triniti. Në vazhdim, në dhjetorin e vitit 1931 ai magjistroi, kurse një muaj më vonë dha dorëheqje nga Kolegji. Pasi u kthye nga Gjermania në Paris, në maj të vitit 1932, nisi të shkruaj veprën “Ëndrrat e bukura të grave në moshë”. Në të njëjtën kohë, përktheu nga frëngjishtja në anglishte një përmbledhje poezishë të autorëve surrealistë. Pastaj, u kthye në Foksrok. Pas disa muajsh i vdiq i ati, ndërsa trashëgimtari i firmës së babait u bë vëllau i tij.

    Katër vite më vonë, udhëtoi në Paris ku e thelloi miqësinë për një kohë të gjatë me mikun e tij Xhojsin. Këtu i shkroi poezitë e para në frëngjishte. Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu bashkua Lëvizjes së rezistencës franceze. Mbasandej, iku në zonat e lira të Francës dhe për ca kohë punoi si bujk. Gjatë kësaj periudhe ai shkroi veprën “Wat”. Pas një vizite në Irlandë në vitin 1945, e kishte të vështirë të kthehej më në Francë. Më pas ai u punësua në Kryqin e Kuq për t’ju ndihmuar të plagosurve dhe të lënduarve si interpret dhe magazinier në një spital të fushës. Ndërkohë, ai u kthye në Francë, dhe këtu kaloi periudhën më kreative të jetës së tij dhe u afirmua si shkrimtar i shquar. Këtu i shkroi edhe dramat “Duke pritur Godonë” dhe “Fundloja”. Me 1969 e fitoi çmimin Nobel për letërsi. Ndërsa vdiq në vitin 1989.

    Fillet e letërsisë së absurdit

    Do thënë se Beketi ka jetuar në një kohë kur marrin hov drejtime, rryma, shkolla dhe lëvizje letrare postmoderne. Ndër to shquhet edhe teatri i absurdit. Le të përmendim me këtë rast se premiera e dramës “Duke pritur Godonë” është dhënë në vitin 1953 në Teatrin e Babilonisë në Paris. Do thënë se fillimi i shekullit të XX-të u shënua nga dy luftëra botërore, të cilat si pasojë sollën pasiguri, zhgënjim, dëshprim dhe sfida të shumta për njerëzimin. Së këndejmi, fatkeqesitë dhe katrahura e luftërave gjetën një pasqyrim të thellë në veprat e shkrimtarëve të asaj periudhe. Më tej, mundësia e konfliktit global dhe shkatërrimit nuklear ushtruan një ndikim të fuqishëm në mendjen dhe ndërgjegjen e shkrimtarëve. Në veprat e disa shkrimtarëve të asaj periudhe po mbisundonte gjithnjë e më shumë pikëpamja pesimiste e ndërdhurur me sadizmin dhe dhunën, sidomos pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Disa shkrimtarë të asaj kohe filluan ta kërkojnë domethënien e vërtetë të jetës meqë e ardhmja ishte e mjegullt dhe e pasigurt. Kështu, autorët e kësaj periudhe zunë të kërkojnë, të hetojnë dhe të eksplorojnë domethënien e re të jetës dhe mbijetesës në një botë, që kishte ndryshuar plotësisht. Së këndejmi, një frymë shqetësuese e pleksur me mllef dhe dëshprim të hidhur, u bë karaktersitika kryesore e shkrimeve të tyre. Kështu shkrimtarët e absurdit si Jonesko (Eugène Ionesco), Xheneti (Jean Genet), Ollbi (Edward Albee) etj., në saje të përvoje dhe kujtimeve të hidhura filluan të shkruajnë për konfliktet mendore, ideore, vetmin, dëshpërimin, zhgënjimin, ankthin dhe kotësin e jetës. Ndonëse asnjëri prej tyre nuk e imituan njëri-tjetrin, të gjithë dramaturgët e kësaj periudhe kishin në veprat e tyre subjektin, personazhin dhe temën e njëjtë, me ç’rast subjekti nuk ishte më si i dikurshmi ose ishte i cunguar, personazhi nuk i ngjasonte personazhit të mëparshëm, kurse tema mezi dallohej. Prandaj, edhe në mungesë të një modeli kjo rrymë letrare u quajt letërsia e absudrit, prej nga mori emrin edhe drama e absurdit. Në të vërtetë kjo rrymë e postmodernizmit solli një stil postmodern dhe si rrymë novatore u përqendrua në irracionalitetin dhe absurditetin e shoqërisë dhe të botës. Së këndejmi, përfaqësuesit e kësaj rryme kishin shfaqur një përbuzje të papërmbajtur dhe të fuqishme ndaj hipokrizisë dhe meskinitetit të botës.

    Një ndër kompleksitetet e letërsisë së absurdit është se shpeshherë në këtë rrymë është vështirë të definohet tema, meqë vetë absurditeti i veprës zakonisht fokusohet rreth paaftësisë së njeriut që t’u jep kuptim gjërave.Duke mbajtur parasysh këtë fakt megjithatë janë disa fije të ndërthurura temash në dramën “Duke pritur Godonë”. Së pari, kushtet njerëzore janë trishtuese dhe të dhimbshme. Njeriu i braktisur dhe i rrënuar lufton dhe bënë ç’mos që të gjallojë dhe mbijetojë në një botë shpërfillëse dhe armiqësore. Një ndjenjë e amullisë, dëshprimit dhe e mjerimit e kaplon njeriun dhe sa herë ai përpiqet për ta artikuluar vetveten ate e pengojnë dhe e handakosin. Sipas fjalëve të Beketit jeta e njeriut përbëhet nga durimi, vuajtja dhe toleranca në një “jetë të mërzitshme”, e cila shkëmbehet me “vuajtjet dhe katrahurat e jetës”. Këto shprehje flasin për një filozofi të veçantë dhe të realitetit të mjerë dhe të rëndë njerëzor.

    Heqja e paraleles mes Zotit dhe Godosë

    Vlladimiri dhe Estragoni kanë harruar tërësisht dhe pa vetëdije kushtet e tyre të vështira. Ata vërtiten dhe sorrollaten, duke i përsëritur gjestet dhe aktet e tyre monotone vazhdimisht pa marrë parasysh monotonin, robërinë dhe mjerimin e jetës. Pos kësaj, ata nuk e vrasin mendjen për t’i kuptuar dhe sqaruar sjelljet e tyre si dhe motivet dhe shkaqet e sjelljeve të tyre. Është më se e qartë për ta se Zoti ose Fati apo ndonjë krijesë supreme e trajton si lojë fëmijësh jetën e njerëzve. Së këndejmi, vazhdimisht, përditë, njerëzimi pret ndonjë shenjë nga Zoti që t’i jep fund vuajtjeve, sikleteve, halleve dhe brengave të tij. Por, duke pritur nga dita në ditë, Zoti nuk arrinë.

    Heqja e paraleles mes Zotit dhe Godosë nuk është vetëm verbale apo në shqiptimin e emrave, por krahasimi duket edhe në referencat e mjekrave të bardha, barinjve dhe epërsisë (supermacisë). Godo ka një fuqi kursyese; Godo po ashtu i ka përgjigjet për pyetjet që nuk janë bërë. Godo i seleksionin ndëshkimet dhe shpërblimet ashtu si veproi Zoti me Kainin dhe Abelin. Ja se pse kjo temë na rikujton se është pothuajse e pamundur që njeriu të ketë një komunikim ose edhe marrëdhënie të drejtpërdrejta me Zotin.

    Subjekti i dramës “Duke pritur Godonë” konsiderohet si një subjekt paralel dhe qarkullues. Vepra ka vetëm dy akte, kurse çdo akt ka katër seksione identike. Këto seksione mund t’i përshkruajmë me pak fjalë në këtë mënyrë: Estragoni dhe Vlladimiri janë vetëm, Poco dhe Llaki arrijnë dhe largohen, Lajmëtari arrin dhe ikën dhe Estragoni dhe Vlladimiri mbeten vetëm përsëri. Meqë modeli i strukturës përsëritet si në Aktin e I-rë ashtu edhe në Aktin e II-të pa ndonjë ndryshim, mund të themi se drama “Duke pritur Godonë” është një paralele e përkryer. Njëherësh, autori sugjeron se asgjë nuk do të ndryshojë në dramë me vetë faktin se Akti i II-të përfundon tërësisht njësoj si Akti i I-rë. Nga kjo del se struktura e dramës është qarkulluese.

    Ngjarjet në dramë fillojnë në një mbrëmje, në një shteg të braktisur të fshatit, ku shihet një pirg dheu dhe një dru i hollë. Vlladimiri dhe Estragoni janë rrugaçë dhe palaço në një moshë të panjohur dhe bisedojnë pa ndonjë lidhje logjike për jetën e tyre të vështirë dhe të dërrmuar, duke pritur në takim dikë që quhet Godo. Ndërsa e kalojnë kohën duke pritur ia behin dy të panjohur, një çifligar arrogant dhe i vrazhdë i quajtur Poco dhe në fund të litarit të tij është shërbëtori i tij i egër Llaki. Pas një bisede të çuditshme, qesharake dhe mistike, e ndërprerë nga një llomotitje e gjatë, e pakuptueshme dhe e mjegulluar e Llakit, padroni dhe shërbëtori largohen nga skena. Paprimtas ia beh një vogëlush për të bërë të ditur se Godo nuk do të arrijë atë mbrëmje, por mund të arrijë me “siguri të nesërmen”. Dhe kur mërtis nata, Vlladimirit dhe Estragonit iu shkrep mendja të bëjnë vetëvrasje, mirëpo meqë këtë punë e lënë për më vonë, ata vendosin të largohen më tutje. Mirëpo, bie perdja e Aktit të I-rë dhe ata nuk lëvizin fare. Në Aktin e II-të situata është e ngjashme: të nesërmen, në kohën dhe vendin e njëjtë, Vlladimiri dhe Ekstragoni e kalojnë kohën duke pritur; Poco dhe Llaki, tashmë njëri prej tyre i verbër, ndërsa tjetri memec, arrijnë në skenë, por pas një copë here largohen. Vogëlushi duket përsëri dhe transmeton mesazhin e njëjtë se zoti Godo nuk do të vijë atë mbrëmje, por do të vijë “me siguri nesër”. Në vijim, të dy palaçot shestojnë sërish për vetëvrasje, por e harrojnë këtë ide dhe përgatiten për të shkuar, mirëpo perdja finale bie, kurse ata nuk lëvizin nga skena.

    Personazhet simbole të koshiencës dhe trupit të njeriut

    Çdo personazh i kësaj drame ka rolin dhe karakterin e veçantë, por këto personazhe shpalohen jo vetëm përmes dialogut apo fjalëve, por edhe përmes sjelljeve, akteve dhe ideve të tyre. Vlladimiri dallohet fare lehtë nga Estragoni me percepcionet dhe inteligjencën e vet. Ndërsa, Ekstragoni ankohet nga vuajtjet fizike, Vlladimiri i parapëlqenë bisedat për dilemat emocionale, mendimet e rëndësishme për jetën dhe disa parabola dhe tregime të përzgjedhura nga leximi i Biblës. Këto të gjitha i japin kuptim jetës së tij. Ai ushtron një ndikim absolut mbi Ekstragonin, por epërsinë e tij e tregon me butësi, sepse është koshient se është i varuar nga Estragoni. Me një rast, duke u trembur nga vetmia apo vetëvrasja, ai i thotë Estragonit: “Ti je shpresa ime e vetme”. Prandaj, s’është për t’u çuditur se ai është edhe autori i fjalëve të zgjedhura, të urta dhe i botëkuptimeve filozofike. Ai vazhdimisht ia kujton Estragonit se duhet ta presin Godonë. Atij i kujtohen gjërat, që Estragoni i harron fare lehtë. Me pak fjalë, Vlladimiri është simbol i kosheincës së njerëzimit, ndërsa Estragoni është trupi i njerëzimit.

    S’ka pikë dyshimi se Estragoni është një portret fizik i dhimbjes, pikëllimit, nevojës dhe vuajtjes. Në fillim, ankohet nga çizmet që e mundojnë. Ai është vazhdimisht i uritur dhe i etur. Kihet përshtypja se dikush e rrah atë për çdo natë. Ç’është edhe më e keqe për të është se ai nuk e dallon të djeshmen prej të nesërmes. Ai mbetet gjallë falë faktit se Vlladimiri dinë ta dallojë të djeshmen prej shpresës së të nesërmes. Duket sheshit se Estragoni me Vlladimirin janë vërtetë të pandashëm. Prandaj, sa herë që zemërohen dhe fjalosen apo përpiqen të ndahen ata përqafohen me njëri – tjetrin. Është më se qartë se ata duhet të jenë të pandashëm, që të mbijetojnë në këtë botë. Kjo është drama e jetës së tyre.

    Ndërkaq, Poco është një pasanik, i cili ka botëkuptime materialiste për jetën dhe jeton në begati. Ai është shumë i krekosur dhe preokupuar me unin e vet: “Unë e prezantoj veten, unë jam Poco”. Ai mburret me veten, duke theksuar se edhe të tjerët janë njerëz si ai, ndonëse ai e konsideron veten superior ndaj të tjerëve. Nënçmimi dhe përbuzja e tij ndaj Llakit nuk ka kufi. Lëndimet, keqtrajtimet, poshtërimet që i bën ndaj Llakit tregojnë se ai sillet si një shfrytëzues i natyrës së njeriut. Llakin e ka shndërruar në një mekanizëm që nuk e ka zërin e vet. Ai çon një jetë luksoze, duke shfrytëzuar robin e tij. Mirëpo, në Aktin e II-të, Poco kapardisës është verbuar dhe është i detyruar që t’i lejojë robit të tij që ta tërheqë atë. Tani nga një shfrytëzues arrogant dhe të pasur është shndërruar në një njeri të mjerë dhe patetik. Sidoqoftë, personazhi i Pocos nuk mund të shqyrtohet vetëm dhe i ndarë nga personazhi i robit të tij Llakit. Në Aktin e I-të, ata janë të lidhur përmes një litari dhe asnjëherë nuk paraqiten të ndarë. Po kështu, në Aktin e I-rë litari është i gjatë dhe Poco sillet me krenarinë e ndonjë Zoti. Mirëpo, në Aktin e II-të litari është më i shkurtër. Tani robi i prin pardonit, kurse padroni është i verbër i dobët dhe i mjerë.

    Është interesant se Beketi e paraqet Llakin më parë si një palaço sesa si njeri. Ai i shëmbëllen një qenie, që bën truke për ta kënaqur padronin e vet. Ai nuk është vetëm i lidhur me litar për padronin e vet, por me të bën çka të dojë dhe çka t’i thotë padroni i tij. Mbajtja e vazhdueshme e bagazhit simbolizon barrën e rëndë të shpirtit të tij. Ai e mbanë barrën me vullnet dhe me gjithë qejf, ndërsa, ecën sipas kamxhikut të padronit. Ai nuk dëshiron të hakmirret, nuk i do të huajt dhe nuk kërkon kurrfarë mëshire. Ai është robi i përunjët i Pocos, që i nënshtrohet plotësisht vullnetit të padronit. Nëse Poco përfaqëson madhështinë e rënë, Llaki duhet të përfaqësojë dobësinë shpirtërore, mungesën e vullnetit dhe marrëzinë.

    Dramë me atmosferë surrealiste

    Drama hapet me një atmosferë tërësisht surrealiste, me rrugaçin i cili bën përpjekje ta zbathë çizmen skaj një shtegu nën një lis të pagjethe. Në këtë atmosferë nuk ka ndonjë horizont apo shenjë të qytetërimit. Për një çast, kjo skenë duket paksa edhe komike. Mirëpo, veprimi i dramës fillon të shpalohet dhe skenën e gllabëron një disponim i dëshpërimit, zhgënjimit dhe kotësisë. Ndjenja surrealiste nuk ndryshon asnjëherë, por përkundrazi zgjerohet dhe thellohet nga një mori ndjenjash të tjera. Ç’është më bizare, në këtë atmosferë personazhet rrihen, shahen, mallkohen, përplasen, përfyten, lëndohen dhe përleshen pa asnjë shenjë të ngushëllimit. Ndërsa, disa çaste komike katandisen menjëherë nga një ndjenjë e çuditshme e tragjedisë dhe e trishtisë. Në fund, mungesa e shpresës dhe jeta pa shpresë kaplon dhe përshkron çdo aspekt të akteve të dramës.

    Vlladimiri është një lloj vagabondi filozof, i cili kalon kohën duke vrarë mendjen dhe përsiatur për jetën e tij. Ai pret me besim të madh Godonë dhe vazhdimisht ia rikujton Estragonit se ata duhet më parë ta presin Godonë sesa të bëjnë vetëvrasje. Ai ka qejf të flasë për të kaluarën dhe ka njohuri të vagulluara për parabolat dhe kallëzimet e Biblës, të cilat i tregon herë pas here. Atij i pëlqen biseda e mirë dhe këndëshme, por zemërohet kur kupton se Ekstragoni nuk është në gjëndje ta kuptojë atë. Herë pas here ai tregon disa shenja të krenarisë si p.sh. nuk do që Ekstragoni ta lusë Pocon për një asht. Estragoni e ka Vlladimirin prijës intelektual. Kështu së toku të dy vagabondët mbeten në fokusin e ngjarjeve të dramës. Përkundër talljeve dhe ngacmimeve absurde si dhe paraqitjes apo dukjes burleske apo qesharake duket se ata janë në mëshirën e gjithësisë dhe si të tillë të lënë përshtypjen e personazheve simpatike, të cilët dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë. Marrë në tërësi të dy vagabondët mund të quhet protagonistë të dramës, ndonëse ata në të vërtetë përfaqësojnë mbarë njerëzimin. Veprimet e tyre kanë të bëjnë edhe me personazhe të tjerë dhe me hallet, sfidat dhe dilemat e përgjithshme të njerëzimit. Ndonëse kjo nuk është krejtësisht e qartë, janë disa shenja që tregojnë se Vlladimit di më tepër për Godonë dhe ai ia rikujton Ekstragonit fatin e tyre të përbashkët që i bën ata ta presin Godonë. Ndërsa, numri i konflikteve eksterne është tejet i vogël, numri i konflikteve të brendshme është i dukshëm.

    Do thënë se antagonisti kryesor në këtë dramë është Poco, një pasanik, i cili ka pozicionin e urdhëruesit. Ai e trajton shërbëtorin e tij Llakin me përbuzje, nënçmim dhe poshtërim. Pocoja përfaqëson rrethanat absurde dhe armiqësore të jetës. Ai përfaqëson edhe padronin, i cili e kontrollon dhe e shtypë robin, Llakin. Në këtë mënyrë ai bëhet antagonist i veprës. Hera-herës Zoti ose Fati apo çfarëdo Zoti i tërëfuqishëm që mund të ketë gjithësia, mund të jetë po ashtu antagonist, i cili i shtypë dhe i mposhtë të dy vagabondët, duke e bërë jetën e tyre të padurueshme. Në këtë dramë nuk vërehet pothuajse asnjë pikë kulmore. Akti i I-rë ndodhë dhe shoqërohet nga Akti i II-të që është paralel dhe pothuajse identik me Aktin e II-të. Jeta vazhdon për të dy personazhet pa ndonjë ngjarje apo zhvillim dhe nuk ka indikacione se në ditën e tretë do të ketë diçka të re që do të jetë ndryshe nga dy ditët e para. Këtu ballafqaohemi me mesazhin absurd se në të vërtetë në jetë nuk ndodhë kurrfarë ndryshimi. Edhe vetë struktura qarkulluese e dramës na sugjeron idenë e palëvizshmërisë apo të një pritjeje që mbetet pezull gjithmonë. Megjithatë, fundi i dramës mbetet i padeterminuar. Ka të ngjarë se sikur Beketi të vendoste ta shkruante edhe Aktin e III-të të kësaj drame ai do të ishte shumë i ngjashëm me Aktin e I-rë dhe të II-të. Kjo strukturë e pazakonshme është pjesë përbërëse e temës së Beketit.

    Shënimet që na jep Beketi në fillim të dramës përbëjnë në të vërtetë sfondin e kësaj drame: “Një shteg fshati, një lis”. Është edhe një tjetërsim tjetër i mbinatyrshëm në këtë sfond të rrallë. Me fjalë të tjera, sfondi mund të jetë gjithkund, në çdo vend të botës. Nuk ka as horizonte të dukshme të sfondit. Nuk ka as shënues apo shenja të qytetërimit. Megjithatë, sfondi është konstant, kurse ndryshimi i vetëm ndodhë mes Aktit të I-rë dhe të II-të, kur lisi i zhveshur në Aktin e I-rë paraqitet me pesë-gjashtë gjethe në Aktin e II-të. Sfondi historik i kësaj drame është i paqartë. Korniza kohore e dramës është dy ditë, me ç’rast një ditë ka të ngjarë të jetë dita e shtune. Referenca e vetme vizibile e kalimit të kohës ndodhë në Aktin e II-të, kur perëndon dielli dhe kur del hëna. Ka edhe dy, tri referenca për kalimin e kohës, kur personazhet e përmendin ditën e djeshme dhe mbrëmjen e kaluar.

    Absurditeti i kotësisë dhe pritjes

    Në dramën e tij e tij të absurdit dhe të hiçit, “Duke pritur Godonë”, në të cilën nuk ndodh asgjë, Beketi tregon absurditetin dhe kotësinë e shpresës dhe pritjes. Njeriu është gjithmonë duke pritur diçka, por është punë për seri se ai nuk di për çfarë është duke pritur. Drama nuk shpalon ndonjë subjekt të veçantë, por vetëm e eksploron një situatë statike, ku nuk ndodhë asgjë, nuk vjen askush, nuk shkon askush. Sipas autorit, bota mjerisht është e pandryshueshme. Në këtë dramë mizanskena përbëhet nga një lis i zhveshur, në një shteg të braktisur, nga dy palë “personazhesh”, nga një vogëlush dhe nga një “veprim” në të dy aktet, në të cilët dy miqë presin Godonë, por njëkohësisht zbaviten dhe devijojnë me arritjen e çiftit të padronit dhe të robit dhe njoftohen nga vogëlushi se Godo nuk do të mbërrijë sot, por nesër.

    Në këtë dramë Beketi është i preokupuar me shpresën e shpëtimit të shpirtit, duke pritur mëshirën e Zotit. Pritja e Vlladimirit dhe Estragonit është paraqitur këtu si një shpresë dhe besim i plotë, ndërsa mirësjellja e Vlladimirit ndaj shokut me të dy vagabondët e tjerë, duket se tregon ndërvarësinë si një simbol të mëshirës krishtere. Megjithatë, nuk dihet se a është Godo dikush që ka fuqi superiore apo fjala është për ndonjë krijesë misterioze dhe mitike, arritja e të cilit mund ta ndryshojë situatën. Me sa duket, këto nuk kanë ndonjë rëndësi aq të madhe për autorin. Tema e dramës nuk është Godo, por është pritja. Akti i pritjes së dikujt që mungon. Sipas Beketit ky është aspekti më esencial dhe karakteristik i gjendjes njerëzore dhe natyrisht është edhe një pritje e paqëllimtë dhe e kotë për të pritur që të ndodhë diçka. Kështu që, vetëvrasja vagabondëve iu duket një rrugëdalje më e mirë sesa pritja e kotë e Godosë.

    Në fund, do thënë se kjo dramë është përkthyer në shumë gjuhë botërore dhe ende konsiderohet si një nga dramat më të popullarizuara dhe më të shikuara teatrale. Pos kësaj, kjo dramë është shfaqur shpeshherë në teatro të ndryshme në mbarë botën dhe është pritur shumë mirë nga publiku. Kjo vepër është përkthyer në gjuhën shqipe nga Mirela Kumbaro dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “Çabej”. Njëherësh, kjo dramë është shfaqur disa herë edhe në teatrot tona në Kosovë dhe mund të thuhet se është pritur me interesim të madh nga spektatorët tanë.

    Lajmi Paraprak

    Kadare: Shpejtësia e një flote është baras me shpejtësinë e anijes më të ngadaltë, por në letërsi nuk ndodh kështu

    Lajmi i rradhës

    A është poezia edhe në kërkim të Zotit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë