Patriotizmi i Mark Twainit

    Për Tom Sojerin dhe sfidën për ta dashur Amerikën.

    Nga Ivan Kenneally / The Hedgehog Review
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi

    Mark Twaini i përçmonte pa asnjë rezervë festimet e Katër Korrikut, ato kataklizma të zjarrta të vetëlartësimit – shpërthimet e fishekzjarrëve të të cilave zënë vendin e “bombave që shpërthejnë në ajër”. Siç e shihte ai në Lutja e luftës [The War Prayer, 1905], ato ushqejnë prushin gjithmonë të nxehtë të “zjarrit të shenjtë të patriotizmit” dhe nxisin çlirimin e një nacionalizmi të tërbuar. Ai bënte shaka se mijëra njerëz vdesin çdo vit në këto orgji të shovinizmit patriotik – ai vetë kishte humbur dy xhaxhallarë.

    Ankesa kryesore e Twainit ishte se patriotizmi i lobotomizon ata të cilët e praktikojnë, duke e nënshtruar arsyen me një entuziazëm të pamenduar. Shumica e patriotizmit është “patriotizëm i shumicës”, pohonte ai në Sa i përket patriotizmit [As Regards Patriotism, 1901]: një solidaritet i ngjashëm me atë të tufës, i sajuar me sofizëm prej politikanëve dhe gazetave. Ky nacionalizëm i pamenduar është thjesht një konvencion rutinë i përzier me barut, i ndezur nga një eshkë pasioni dhe mendjelehtësie. Përndryshe, Twaini e përkufizonte patriotizmin e shëndetshëm si patriotizëm “të prodhuar në mjedisin e vetë njeriut … të arsyetuar në kokën e vetë njeriut dhe të provuar me zjarr, të testuar dhe të vërtetuar në ndërgjegjen e tij”.

    Megjithatë, kjo duket kërkesë e madhe për atë që ai, te Jeta në Misisipi [Life on the Mississippi], e quante “komb qyqarësh moralë”, qytetarët e të cilit shfaqin një “ndjeshmëri të skajshme” ndaj kritikës dhe një terror nga sfidimi i ndjenjës së konsensusit, me çdo hap të vogël jashtë qarkut të rehatshëm të konsensusit publik të shpallur si apostazi.

    E gjithë kjo ngre – dhe synonte të ngrinte – pyetjen se çfarë përbën patriotizëm të duhur, një dashuri vërtet racionale për vendin e dikujt. Një dashuri e tillë, së paku, do t’i ofrohej njeriut të dashur që ia kthen dashurinë dhe që e meriton adhurimin. Por, a mund të jetë ndonjë dashuri e vërtetë e vullnetshme në mënyrë kaq të përllogaritur, siç duket se nënkuptojnë nocionet tona të pranuara për një kontratë shoqërore? Edhe partnerët në një martesë të rregulluar nga prindërit e tyre synojnë një bashkim më romantik se ky, një bashkim që nuk mund të reduktohet në një përllogaritje kaq të pandjeshme. Dhe, kontrata shoqërore, si çdo kontratë, nënkupton mosbesim të ndërsjellë, një garanci të interesave vetjake dhe jo zotim të përzemërt besnikërie.

    Ndoshta model më i përshtatshëm për patriotizmin është dashuria që njeriu ka për prindin, jo ajo e fëmijës së vogël, por e njeriut të moshës së mesme që dashuron me sy hapur, tejet i ndjeshëm ndaj dobësive dhe neglizhencave të prindit, madje edhe ndaj tradhtive. Kështu i donte Twaini prindërit e vet, pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme të babait të tij si sipërmarrës – të cilat e mbanin familjen të zhytur në vështirësi financiare – dhe mbështetjes së papenduar të së ëmës për skllavërinë. I duam prindërit tanë sepse janë tanët, lidhje kjo që sfidon çdo shpjegim krejtësisht racional. Nga fati na jepen prindërit, ashtu siç fati na lë trashëgim prejardhjen tonë kombëtare – gjendje po aq e patjetërsueshme sa të drejtat tona.

    Hakëllberi Fini e shpreh këtë nderim me himnin e tij të famshëm e të bukur për lumin Misisipi, duke mbajtur një monolog për kombinimin e dashurisë dhe frikës së tij ndaj një pothuajse-perëndie që është po aq i njohur sa është i largët. Megjithatë, është Tom Sojeri ai që i afrohet më shumë kapjes së asaj që shumica e njerëzve nënkuptojnë me patriotizëm, kur ai i shpjegon Hakut ritet e inicimit të bandës së tij: “Është të betoheni se do t’i qëndroni pranë njëri-tjetrit dhe kurrë të mos i tregoni sekretet e bandës, edhe nëse ju bëjnë copë e grimë, dhe të vrisni këdo që lëndon njërin nga banda, bashkë me gjithë familjen e tij”. Rrëfimi i tij të kujton përkufizimin e drejtësisë që Polemarku jep te Republika e Platonit: t’u bësh mirë miqve dhe t’u bësh keq armiqve. Nuk është e lehtë të formulosh një përkufizim të patriotizmit pa iu drejtuar gjuhës luftarake, dhe pikërisht për këtë Twaini e ekzagjeron qëllimisht përbërësin racional të patriotizmit në kurriz të elementit të tij fisnor.

    Aventurat e Tom Sojerit [The Adventures of Tom Sawyer] e Twainit – që tani po shënon 150-vjetorin e botimit të tij – është paraqitja në formë romani e edukimit të një djali të ri në qytetari të përgjegjshme, në patriotizëm të shëndoshë dhe të matur. Si e tillë, është ripunim amerikan i Emilit [Émile] të Rousseaus, ku kotësia pa fund e Tomit, dëshira e tij për nder e shkëputur në mënyrë fëmijërore nga çdo meritë morale, duhet të shndërrohet në fisnikëri të vërtetë, por që ende është në përputhje me një shoqëri tërësisht egalitare. Në fillim të librit, ai do fitim pa punë, dashuri pa besnikëri dhe veçim shpirtëror pa devotshmëri. Ai madje ëndërron një vdekje “të përkohshme”, pa dhimbje dhe parehati, që do t’i lejojë ta shohë qytetin duke vajtuar vdekjen e tij. Në vend të fisnikërisë, ai mjaftohet me një famë të rreme, një narcizëm të papjekur.

    Për më tepër, Tomi është gjithçka tjetër përveçse i vetëmjaftueshëm nga ana racionale: ai u bindet me përpikëri rregullave – zakonisht vetëm gjysmë të kuptuara – nga romanet të cilëve u është përkushtuar me po aq zell sa një rabin Talmudit. Me gjithë prapësitë e tij të shfrenuara, Tomi digjet nga dëshira për t’u lavdëruar pikërisht nga institucionet që sfidon, ndërsa antinomizmi i tij i rremë nuk është veçse një rrugë e shkurtër drejt suksesit konvencional. Dhe, megjithëse kënaqet në shoqërinë e “të përjashtuarit të ri të fshatit”, ai “nuk donte ta kishte shoqërinë e Hakut në vende publike”. Kur Haku kundërshton të heqë dorë nga ekzistenca e tij “pa ligj”, nga mungesat e tij të përhershme nga shkolla, Tomi kërcënon ta përjashtojë nga banda e tij e piratëve, loja e të cilëve me të qenët jashtë ligjit është krejtësisht e respektueshme.

    Tomi e sheh pasurinë vetëm si mënyrë për të siguruar vendin e tij në shoqërinë e respektueshme, jo si mjet për të blerë lirinë e tij prej saj. Ai rrëfen se, nëse e gjen ndonjëherë plaçkën, do të blejë një kravatë të kuqe dhe do të martohet. Një pjesë e tërheqjes së tij ndaj Bekit, nuk mund të mos mendojmë këtë, i detyrohet faktit se ai “e adhuron” babanë e saj, gjyqtarin Theçër, një shtyllë e nderuar e komunitetit. Megjithatë, vetëm nën ndikimin e Bekit Tomi vepron ndonjëherë me nder pa u shqetësuar për njohjen publike, duke marrë rrahje për të në shkollë pasi rrëfen se kishte kryer një shkelje të cilën e kishte bërë ajo. Për më tepër, ndërsa janë të humbur në një shpellë, ai ia jep asaj pjesën e tij nga ushqimi i tyre që po pakësohej, një akt sakrifice i kryer krejt fjalë për fjalë në errësirë, përtej vëmendjes së admiruesve të mundshëm. Tërheqja e një vajze të respektueshme ka fuqi të jashtëzakonshme për ta përmbajtur ambicien e një djali të ri. Kjo është arsyeja pse, sipas rrëfimtarit të tregimit, martesa është përfundimi i natyrshëm për çdo roman me protagonistë të rritur, sepse bashkon erosin përvëlues me respektueshmërinë morale.

    Megjithatë, Tomi është ende veçse djalë – jo më shumë se trembëdhjetë vjeç – dhe vetëm në një fazë embrionale të formimit moral. Me gjithë krekosjen e tij ekzibicioniste, ai pengohet nga një “frikë e tmerrshme nga skena” kur i jepet mundësia të recitojë një fjalim të famshëm të Patrick Henryt para një audience të detyruar ta dëgjojë. Ashtu siç Tomi nuk arrin t’i deshifrojë plotësisht librat që lexon, ai e ka të vështirë t’i deshifrojë rolet dhe ndalimet e shtresëzuara në mënyrë rigjide të shoqërisë së vet, gjë që shpjegon pse parapëlqen të sjellë ujë – punë kjo e një skllavi si Xhimi – sesa punën shtëpiake të lyerjes së gardhit me gëlqere.

    Shenja më e qartë se Tomi po fillon ta zbusë nevojën e tij për renome është kur, dy herë, ridrejton një pjesë të vëmendjes që tërheq te Haku. Teksa parakalon me hap të shkujdesur drejt funeralit të vet, Tomi e nxit bashkësinë e ngazëllyer ta mirëpresë edhe Hakun. Përveç kësaj, pasi e veja ofrohet ta marrë Hakun në shtëpi dhe t’i mësojë si ta fitojë jetesën, Tomi feston pavarësinë financiare të sapofituar të Hakut, rezultat i gjetjes së plaçkës së gangsterëve. “Hakut nuk i duhet. Haku është i pasur!” Tomi provon pak se si është ta ndajë qendrën e vëmendjes që zakonisht e mban me lakmi për vete.

    Siç vëren gjyqtari Theçër, Tomi e ka potencialin të bëhet avokat ose oficer ushtarak, qytetar produktiv që meriton vlerësimin e fqinjëve të vet. Rreziku i prirjeve çapkëne të Tomit dhe i nënshtrimit të tij ndaj konvencionit është se ai mund të bëhet imperialist krekosës si Theodore Roosevelt. Siç e shprehu Twain te Autobiografia [Autobiography, 1907]: “Z. Roosevelt është Tom Sojeri i shekullit të njëzetë, gjithmonë duke u krekosur; gjithmonë duke kërkuar një mundësi për t’u krekosur; në imagjinatën e tij të tërbuar, Republika e Madhe është një cirk i stërmadh Barnumi, me të si palaço dhe gjithë botën si audiencë; ai do të shkonte në Halifaks për gjysmën e një mundësie që të krekosej dhe do të shkonte në ferr për një mundësi të plotë”.

    Kërkimi i kotë i Tomit për nder dhe njohje bie në sy edhe më fort përballë egalitarizmit të plotë të shoqërisë amerikane. Në mungesë të çfarëdo hierarkie të vendosur, njeriu duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të fituar shquarjen. Por, personi që kërkon dëshpërimisht të shquhet mund të arrijë t’i përçmojë njerëzit ose institucionet që ia japin atë. Shkolla e së dielës është “një vend të cilin Tomi e urrente me gjithë zemër”, por megjithatë ai “digjej për një nga ato çmime” për dije biblike dhe “pa dyshim, e gjithë qenia e tij kishte dëshiruar prej shumë ditësh lavdinë dhe shkëlqimin që vinin bashkë me të”.

    Prirjet konvencionale të Tomit nuk janë askund më të dukshme sesa në përkushtimin e tij ndaj letërsisë romantike sentimentale. Ai dëshiron me zjarr të jetë revolucionar si Robin Hudi, për të cilin deklaron se jo vetëm është “njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë në Angli”, por thjesht “njeriu më fisnik që ka jetuar ndonjëherë”. Robin Hudi vjedh nga të pasurit për t’i ndihmuar të varfrit, një kryengritje filantropike kundër feudalizmit sundues, e bërë edhe më radikale nga statusi i tij si kont – të paktën në portretizimet që nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Megjithatë, Tomi jeton në një botë pa hierarki rangjesh. Në fjalimin e tij të Katër Korrikut, të mbajtur në Londër (1873), Twaini e kremtoi dëbimin e fisnikërisë si pikë të mirëfilltë krenarie për Amerikën. “Ne kemi një formë qeverisjeje që i jep secilit njeri mundësi të drejtë dhe asnjë favor. Te ne, asnjë individ nuk lind me të drejtën ta shohë nga lart fqinjin e vet dhe ta përçmojë”. Megjithatë, riluajtja e melodramës së aventurave të Robin Hudit i lejon Tomit të luajë me radikalizmin politik, ndërsa rebelimi i kusarit të famshëm tashmë është përfshirë në mënyrë të sigurt në ideologjinë zyrtare të kohës. Tomi përfytyron se fiton famë duke u rebeluar kundër një tiranie që nuk ekziston më, duke përjetuar dramën e rebelimit pa tradhtuar besnikërinë e tij të palëkundur ndaj ligjit.

    Një problem i dukshëm me besnikërinë e Tomit ndaj konvencionit është se konvencioni dominohet nga ajo që Twain diku tjetër e quajti një “qull të moraleve të sakatuara”. Amour propre e Tomit është pasqyrim i dekadencës morale të kohës dhe zmadhohet nga fakti se ai nuk përjeton aspak përjashtimin shoqëror me të cilin përballet Haku. Megjithatë, letërsia i ofron Tomit mundësinë të përvetësojë normat morale të një kohe më pak të korruptuar, duke imituar në njëfarë mënyre tjetërsimin që Haku përjeton në jetën reale, për aq sa ajo ngre një pengesë mes tij dhe konvencioneve të kohës.

    Me gjithë ankesat e Twainit për nevojën e një patriotizmi më racional, Aventurat e Tom Sojerit rekomandon një strategji më poetike për edukimin në liri të rinisë më premtuese të kombit. Tomi duhet edhe të ngrihet moralisht, edhe të frymëzohet, dhe edukimi i flashkët të cilit i nënshtrohet, në klasë dhe në kishë, është thellësisht i papërshtatshëm për të dyja këto detyra. Twaini e refuzon veprën si të Fenimore Cooperit ashtu edhe të Ben Franklinit pikërisht për këtë arsye – predikimi i tyre homiletik i ndrydh energjitë rinore në vend që t’i sublimojë ato përmes sfidave që nxisin pavarësinë dhe mbështetjen te vetja. Te Sa i përket patriotizmit, Twaini pohon se ndrojtja jonë e natyrshme mund të kapërcehet përmes një lloj “stërvitjeje”. “Atëherë njerëzit mund të stërviten për ta prodhuar vetë patriotizmin e tyre. Mund të stërviten që ta përpunojnë atë në kokat dhe në zemrat e tyre, dhe në privatësinë dhe pavarësinë e mjedisit të tyre”. Megjithatë, kjo stërvitje ofrohet shumë më efektshëm nga lloji i duhur i letërsisë dhe lloji i duhur i lojës sesa nga çfarëdo kurrikule arsimore programatike.

    Në vitin 1887, Twaini e quajti Aventurat e Tom Sojerit një “himn”, me sa duket për të sugjeruar se ishte një romantizim nostalgjik jo vetëm i pafajësisë rinore, por edhe i kohës dhe vendit brenda të cilëve zhvillohet tregimi. Misuri para Luftës Civile paraqitet si mjedisi ideal për vitet e hershme të një djali, një mjedis që duket homogjen në aspektin fetar dhe kulturor, kryesisht i paprekur nga konflikti klasor dhe përmbysjet shoqërore të kohës. Nuk ka asnjë shenjë të “asaj tronditjeje të madhe”, siç e quante Henry James Luftën Civile, që po afrohet me shpejtësi dhe në mënyrë të pashmangshme. Për skllavërinë pothuajse nuk diskutohet fare. Megjithatë, edhe lexuesi më i pavëmendshëm mund të shohë shenja paralajmëruese të kalbëzimit moral, sado që këto shenja të jenë errësuar nga përqendrimi te aventurat çapkëne të Tomit.

    Të duash vendin do të thotë, ndoshta, ta idealizosh duke i zmadhuar virtytet dhe duke i shpërfillur veset. Miti themelues i vendit tonë mund të përdoret për këtë qëllim. Por, censurimi sentimental duhet të baraspeshohet me kritikë të kthjellët, dhe kjo mund të bëhet duke bërë dallimin mes shpirtit të qëndrueshëm të një kombi dhe cilësdo qeverie që përkohësisht e drejton atë. Henk Morgani, protagonisti i Një jenki i Konektikatit në oborrin e mbretit Artur [A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court] të Twainit, e shpreh mirë këtë dualizëm:

    “E shihni, lloji im i besnikërisë ishte besnikëri ndaj vendit, jo ndaj institucioneve ose mbajtësve të posteve të tij. Vendi është gjëja e vërtetë, gjëja thelbësore, gjëja e përjetshme; ai është ajo për të cilën duhet kujdesur e vigjiluar, dhe ndaj së cilës duhet qenë besnik; institucionet janë të jashtme, ato janë vetëm veshja e tij, dhe veshja mund të konsumohet, të bëhet e leckosur, të pushojë së qeni e rehatshme, të pushojë së mbrojturi trupin nga dimri, sëmundja dhe vdekja”.

    Aventurat e Tom Sojerit është reflektim mbi mënyrën se si duhen rritur djemtë e rinj që të bëhen burra siç duhet, patriotë, ta duan vendin e tyre me gjithë të metat e tij dhe të kërkojnë nder pa i përçmuar ata që ua japin atë. Twaini përfundimisht u pajtua me mikun e tij William Dean Howells, që ta tregtonte si “libër për djem”, por kurrë nuk synoi që të ishte i tillë: parathënia u drejtohet të rriturve, të cilët ftohen të kujtojnë fëmijërinë e tyre tani që u është besuar detyra e rritjes së fëmijëve të tyre. Me vend, Twaini ia kushton librin jo fëmijëve të tij, por Livyt, nënës së tyre dhe gruas së tij.

    Nuk mund të mos e duam vendin tonë, sepse, duke ia mohuar dashurinë, duke e urryer, nuk mund të mos e urrejmë veten. Twaini këshillon që ta duam vendin tonë ashtu siç i duam prindërit: me besnikëri, duke falur, dhe me aq kthjelltësi kritike sa lejon natyra e dashurisë.

    Lajmi Paraprak

    Struga nën peshën e borxheve, 12 milionë euro ia vështirësojnë funksionimin Komunës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë