‘E kanë vra’

    Merita Bërdica

    E kanë vra…
    Në qytetin rranjë gurësh,
    thuhet se,
    “Grueja ka lindë
    prej brinj’s burrit!”
    Sa herë nanen e pyeste
    buza b’za i dridhej
    e short me heshtjen
    shtati hidhej si gardhi
    tek shiltja tanë gunga dhimash.
    Tërhekte pak nga pak degërminë,
    që dihatja rrêke krahanori
    t’ia shtrengonte fort ballicen
    me mbajtë në kambë rrudhat
    si kapërthim thinjash,
    “Marrja asht mëkat
    tek dera Zotit, bijë!”

    E kanë vra…
    Në qytetin gema avullie,
    thuhet se,
    “Vajza lind në shtëpinë e huej
    e (v)des në shtëpinë e vet!”
    Sa herë baben e kqyrte
    pyetja ambël ta merrte,
    cungut në oxhak
    mashen ia ngulte n’âsht,
    sa zjermi e kapërdinte me një hûrth.
    Kutisë duhanit i vinte hakut
    e në nêje gishtash
    ajo far’ letret e hollë shkyhej,
    kur pshtyma ngjitej në tê.
    Fillonte me trû vedin,
    “Të hangër mordja,
    këtij pragu asnjë korî
    s’ka m’i mbetë, bijë!”

    E kanë vra…
    Në qytetin,
    dielli sa një pash tokë,
    thuhet se,
    “Kur lind vajza
    qajnë trenat e shtëpisë!”
    Sa herë lodronte kopshnish
    me erë bari punue fije drandofili,
    atje nalt’
    tjegullat kendonin një kangë.
    Një kangë të hershme,
    sa pullazi ligshtohej,
    hana zverdhte arkitranët
    e tek darka e dreqit
    mungonte gjithmonë një çinî,
    rrëfim nates vorrit,
    “Kështu e ka shkrue Zoti, bijë!”

    E kanë vra…
    Në qytetin,
    çinari sa gulshi qiell,
    thuhet se,
    “Burri asht çadra e grues!”
    Sa herë shiut ia çilte sytë
    çadra u kaçavjerrte
    tek shpina xhaketë burrit.
    U donte rruges me ecë
    shtatë hapa mbrapa,
    me krye poshtë,
    pa ia pâ beben e synit rrebeshit.
    Bile as bubullimes
    m’ia ndigjue rrahjen ré.
    S’ban,
    se masandaj shprishet rruzarja,
    “Shtatë shpitra ka Grueja!”
    E monologu ndër gropa grushti
    kthehet mbrasht,
    “S’ke ku shkon
    tek dera e babes, vajzë!”

    E kanë vra…
    Në qytetin
    blini sa një pëllambë piacë
    thuhet se,
    “Nderi i grues peshohet
    me gram,
    ndërsa i burrit lahet
    me një pikë ujë!”
    Sa herë baules
    ia hapte bulshitë,
    fisheku në pajë
    qepte ditët me arrna t’errta.
    E në çdo nyje
    varte fatin
    si Krishti në gozhdë.
    Kaq frymë ke për sot,
    e për nesër shofim e bajmë.
    E në tanë këto bri
    që i “zhgulen” burrit
    testamenti vulos,
    “Duhet me durue, bijë!”

    E kanë rrejtë,
    e kanë pré në besë,
    e kanë vra…
    A thue kush
    ka me përkundë këtë gjâm? 

    Lajmi Paraprak

    Kjo është përbërja e kabinetit të ri të Qeverisë Rama

    Lajmi i rradhës

    TRAGJEDI NË TETOVË | Për një javë, vdiqën nga Covid-19 katër anëtarë të së njëjtës familje – u infektuan në dasmë

    Lajme tjera

    “Plak budalla”

    Alberto MoraviaPërktheu Zija Vukaj Duke pasur zakonin t’u vardisesh femrave, është e vështirë ta kuptosh, kur ajo kohë…
    Më tepër

    QIELLI BLU

    Poezi nga: Tom LeonardPërktheu: Maksim Rakipaj Qielli është blu, a diçka e tillë. Gjithsesi, ja ku është.Fjalët e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë