Eminem, IA-ja dhe unë: pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale?

    Alexander Hurst / The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi

    Në 74 833 fjalët e një libri që po shkruaj, ka gjashtë fjalë të cilat, kur bashkohen në një sekuencë të caktuar prej 12 fjalësh, unë nuk mund t’i përdor. Është një varg i vetëm nga kënga Bloodbuzz Ohio nga grupi The National, i cili thotë: Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh.

    Libri im është një kujtesë personale për ndikimin psikologjik të asaj që unë e quaj “kapitalizëm i dëshpërimit”, sidomos te brezi i milenialëve, dhe se si kjo i ka shtyrë dhjetëra miliona njerëz të përpiqen të dalin nga pasiguria financiare duke u përfshirë në veprimtari me rrezik të lartë financiar. Historia tregohet përmes përvojës sime personale, teksa për 11 muaj radhazi i shndërrova disa mijëra dollarë në më shumë se 1.2 milion, dhe pastaj për 18 muaj të tjerë ndoqa humbjet derisa përfundova me zero. Në fakt, më keq se zero sepse në fund ia kisha borxh  qeverisë amerikane pothuajse 100 mijë dollarë taksa për fitimet “fantazmë” që nuk ekzistonin më.

    Ja ku do të përshtatej në mënyrë të përsosur ai varg nga grupi The National, si një epigraf – por, vetëm në teori. Botuesi më informoi se tekstet e këngëve janë subjekt i një zbatimi famëkeq të rreptë të së drejtës së autorit dhe çmimi për të blerë të drejtat është shpesh astronomik. Pra, as mos e çoni ndër mend të citoni Eminem-in për të treguar se si kënga Lose Yourself depërtoi në psikikën e një brezi, kur ai tha: Ke vetëm një shans, mos e humb shansin për të dështuar, kjo mundësi vjen një herë në jetë.  

    Por, sikur të isha një kompani e inteligjensës artificiale [IA] me një model të madh gjuhësor (LLM), gjithçka do të ishte ndryshe. Do të mund të grumbulloja pa problem gjithë diskografinë e grupit The National dhe të Eminem-it, dhe tekstet e çdo kënge tjetër të shkruar. Pastaj, kur një përdorues do të kërkonte diçka si: “Shkruaj një tekst rep në stilin e Eminem-it për humbjen e parave, duke u frymëzuar nga Bloodbuzz Ohio i grupit The National”, programi im i lidhjes së fjalëve – me qindra miliona klientë që paguajnë dhe një kapital tregu që vlen dhjetëra nëse jo qindra miliarda dollarë – do të mund të përgjigjej:

    Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh
    Por, unë nxjerr ar nga fyti kur pluskoj,
    Prandaj, shko thuaj bankës se mund të marrë çfarë të dojë
    Unë tashmë shpirtin e lash në mikrofon.

    Dhe, kjo, sipas vendimeve të muajit të kaluar nga gjykatat amerikane, është në njëfarë mënyre “përdorim i drejtë” [fair use] dhe çuditërisht nuk përbën shkelje të së drejtës së autorit – edhe pse nuk i është paguar asnjë qindarkë askujt në këtë proces.

    Unë nuk jam as jurist i të drejtës së autorit, as gjyqtar. Jam i sigurt se të dy ata kanë përgjigje të detajuara dhe teknike – si për shembull se ka një kuadër të ndryshëm ligjor për përdorimin e drejtë në trajnimin e IA-së kundrejt riprodhimit të drejtpërdrejtë. Por, le të lëmë mënjanë për një çast të gjitha këto çështje teknike. A po respektohet me të vërtetë fryma e ligjit për të drejtën e autorit – ai ligj që më ndalon mua të citoj një varg të vetëm 12 fjalësh nga grupi The National në një libër, por i lejon ChatGPT-së ta riprodhojë fjalë për fjalë si pjesë e një “këngë” të re të gjeneruar në çast të vetëm?

    Apo është thjesht fjala për pushtet? A do të thotë kjo që Eight Mile Style, kompania diskografike e Eminem-it mund të më shkatërrojë mua për ta cituar në një libër, vetëm sepse unë jam i vogël në krahasim me të, ndërsa Meta mund ta përmbytë Eight Mile Style-n që është po aq i vogël në krahasim me të, me ekipe avokatësh dhe me vite të tëra vonesash?

    (Duhet të theksoj se Eight Mile Style ka paditur vetë Meta-n për shkelje të së drejtës së autorit, duke pretenduar se ky është “një tjetër rast i një kompanie me vlerë prej trilion dollarësh (me ‘T’) që shfrytëzon përfitimet krijuese të artistëve muzikorë për përfitime të turpshme monetare të drejtuesve dhe aksionarëve të saj, pa licencë dhe pa respekt për të drejtat e zotëruesve të pronës intelektuale”. Fort mirë! Shpresoj të fitojnë.)

    E paramendoj që një ekspert i së drejtës së autorit do të më thoshte se ajo që bën ChatGPT është e ngjashme me dikë që shkruan me dorë disa vargje nga The National apo të Eminem-it, në një fletore personale; se nëse ndonjëherë do ta incizoja dhe shisja këtë këngë të krijuar nga AI-ja, që citon drejtpërdrejt prej tyre, atëherë do të isha fajtor për shkelje të materialit të mbrojtur. Por, kur bëhet fjalë për modelet e mëdha gjuhësore, vetë përmbajtja e prodhuar është produkti.

    LLM-të nuk “mendojnë” për atë që prodhojnë. Ato nuk mësojnë, nuk transformojnë dhe nuk janë krijuese në asnjë kuptim të vërtetë të fjalës. Ato identifikojnë marrëdhëniet komplekse (dhe shumë pak kuptojnë) midis fjalëve dhe grupeve të fjalëve, brenda sasive të mëdha të tekstit, bazuar në të dhënat masive të trajnimit (ose, për mua personalisht, ajo që duket si një vjedhje me shumicë e pothuajse gjithë historisë së krijimtarisë letrare dhe artistike të njerëzimit) për të gjeneruar përgjigje që janë mjaftueshëm të mira për të na mashtruar duke menduar se një lloj ndërgjegjeje ka qenë e përfshirë aty.

    Ky nuk është një shpërthim emocional për faktin që nuk mund të përdor një varg kënge në librin tim të ardhshëm. Nëse ky është standardi ligjor, atëherë ai është standardi (për shembull, doktrina e përdorimit të drejtë për median e lajmeve është ndryshe). Por, le të jetë të paktën i njëjti standard për të gjithë.

    Ka dallim midis asaj që është ligj dhe asaj se si ligji duhet të jetë. A janë vendimet që sapo janë marrë për shkrimtarët në rastet kundër Meta-s dhe Anthropic-ut – një tjetër akter i madh në industrinë e IA-së – në të mirë të krijimtarisë njerëzore? Apo po rrëshqasim drejt një bote ku jo vetëm që kapitali sundon, por edhe ku “inteligjencat” e rreme dhe fitimprurëse përballen me më pak kufizime, sesa vetë njerëzit, mbi mënyrën se si përdorin materialin njerëzor?

    Vazhdojmë të dëgjojmë nga themeluesit dhe ekspertët e IA-së se sa revolucionare janë produktet e tyre. Për mënyrën se si IA-ja dhe agjentët e saj do të trazojnë çdo gjë në mënyrë të pakthyeshme. Atëherë ndoshta IA-ja duhet të trazojë edhe ligjin. Nëse ligji po prodhon situata që janë teknikisht të sakta, por të padrejta, të padëshiruara dhe që kërcënojnë vetë ekzistencën e shkrimtarëve, muzikantëve dhe artistëve – profesione jetësore të cilat, në shumicën e rasteve, nuk kanë ndjekur kurrë ndonjë logjikë ekonomike – atëherë ne duhet ta ndryshojmë ligjin.

    Lajmi Paraprak

    A mund të shpëtojmë nga krimet digjitale përmes videolojërave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë