Vladimir Nabokov: Kthimi i Çorbas

    Bashkëshortët Keller dolën vonë nga teatri. Në këtë qytet të qetë gjerman, ku ajri qe paksa i zbërdhylët dhe tash tetë shekuj në lumë drithërima tërthore e ujërave shuante katedralen e pasqyruar; Vagnerin e vinin në sallat verore, me shije, të ngopnin me muzikë gjer në grykë. Pasi dolën nga teatri, Keller e shpuri të shoqen në një tavolinë luksozen, në të cilën shërbehej një nga verërat e bardha më të famshme. Dhe vetëm në orën dy të natës, automobili i ndriçuar mendjelehtësisht përbrenda, i gjezdisi ata nëpër rrugët e vdekura gjer në deriçkën e hekurt të një vile fisnike. Kelleri, një gjerman i moshuar shpatullgjerë, shumë i ngjashëm me presidentin Kjurger, zbriti i pari në trotuar, ku nën dritën e marrtë të fanarit, lëvrinin hijet e spërdredhëta të gjetheve. Drita e mbuloi për një grimë parzmën e kollarisur të Kellerit dhe pikëzimet e mërkurta në fustanin e së shoqes, e cila me të lëshuar këmbën e saj të ngjallme, zbriti nga automotobili. Në paradhomë i priti shërbëtorja dhe, në vrap e sipër, me pëshpërimë të trembur, u kumtoi për vizitën e Çorbas. Fytyra e ngrirë dhe ende e re e Varvara Klimovna Kellerit u drodh dhe u skuq prej trazimit:

    – Ju tha se ajo është e sëmurë?

    Shërbëtorja pëshpëriti dhe më fortë. Kelleri lëmoi me dorën topolake mjekrën e thinjur dhe fytyra e tij e madhe, paksa e ngjashme me atë të një majmuni, me buzën e sipërme të stërgjatur dhe me rrudha të thella, pati një trembje pleqërishte.

    – Nuk mundem gjallë të pres deri nesër. Do të nisemi që tani, nëpërdhëmbi duke tundur kokën Varvara Klimovna dhe rëndshëm u suall rreth vetes, duke rrahur të kapë çipin e vualit, me të cilin qe pështjellë paruka e saj e gështenjtë, – O Zot i madh… Kot nuk qe ajo, një muaj pa një copë letër.

    Kelleri ndreqi me trinën e dorës cilindrin e shkarë shtrembër dhe foli me rusishten e tij të saktë e paksa grykore:

    – Ky njeri s’është në vete. Si guxon, nëse ajo është sëmurë, ta shpjerë prapë në atë hotel të ndyrë…

    Por, sigurisht, ata gaboheshin, kur mendonin se vajza e tyre ishte e sëmurë. Çorba ashtu i kish thënë shërbëtores, thjesht se e kishte patur të lehtë të fliste. Në të vërtetë, ai kthehej nga jashtë shteti fillikat dhe tani e kuptoi që, gjithsesi, duhej të sqaronte se si e qysh vdiq gruaja e tij dhe pse nuk u kishte shkruar asgjë. Kjo ishte krejt e vështirë. Si t’ua shpjegonte që ai dëshironte ta zotëronte fill i vetëm hidhërimin e tij, pa e fëlliqur dhe pa e ndarë atë me askënd tjetër? I qe dukur se vdekja e saj qe një rrethanë tepër e rrallë, rrethanë pothuaj e padëgjuar, që asgjë nuk mund të jetë më e pastër se një vdekje e tillë – prej goditjes së rrymës elektrike, e cila duke u përplasur në xhama, jep dritën më të pastër dhe më verbuese.

    Dhe qëkurse ajo, atë ditë pranvere mbi xhadenë e bardhë afro dhjetë vjorsta larg Nisës, shkeli teksa qeshte telin elektrik të këputur nga shtylla prej stuhisë, – e gjithë bota për Çorban saora shtangoi, u spraps dhe madje kurmi i saj i vdekur, të cilin e mbarti në krahë deri në fshatin më të afërt i dukej tashmë disi i huaj dhe i panevojshëm. Në Nisë ku duhej ta varrosnin, një pastor i shpifur veremli lodhej më kot t’i shkëpuste ndonjë hollësi, – ai veçse buzëqeshte mefshët, gjithë ditën e Zotit rrinte mbi zhurin e plazhit, duke hedhur nga njëra pëllëmbë në tjetrën guralecë laraganë, – dhe befas, papritur të mbarojë varrimi, u nis të kthejë në Gjermani përmes po atyre vendeve, nga patën bujtur së bashku gjatë udhëtimit të martesës. Në Zvicër, ku patën kaluar dimrin dhe ku tani kishin çelur mollët, ai nuk njohu asgjë përveç hotelit; ana në Shvarcvald, tërthor të cilit kishin kaluar që në vjeshtë, pranvera paksa e ftohtë nuk i pengonte kujtimet e tij. Dhe po ashtu si në plazhin e jugut, ai përpiqej të gjente atë guralec të rrumbullt, të zi, me një larë të bardhë e të rregullt nëpërmes, të cilin ajo ia kishte treguar në vigjilje të shëtitjes së fundit, – gjithëpo njëlloj, edhe tashti ai kërkonte për udhe gjithësa ajo pati vënë re nën klithma ngazëllimi; arabeskat e veçanta të shkëmbinjve, shtëpizat e mbuluara me luspa të argjendta, bredhin e zi dhe urën mbi një përrua të bardhë dhe atë çka qe ndofta shëmbëlltyra fatale, – pezhishkën e gjerë rrezatuese që ndehej në telat e telegrafit, të kërrusura nën rruazaret e mjegullës. Ajo e pati ndjekur këtë: çizmet e saj me taka të larta, çapiteshin shkathët dhe gjithçka lëvizte, lëviznin duart, herë duke shkëputur një gjethëz nga shkorreti, herë duke lëmuar shkarazi muret shkëmbore, doçkat e saj të lehta, gaztare, të cilat nuk gjenin prehje. Ai këqyrte fytyrën e saj të vockël, cit me prenka të errëta, dhe sytë e gjerë me një të gjelbër të zbehtë, ngjyrë ciflash qelqi të lëmuar prej dallgësh. I dukej që, nëse i mbledh të gjitha ato çikërrima të cilat i kishin vënë re së bashku, nëse e ringre këtë të tashme të afërt, – imazhi i saj bëhet i pavdekshëm dhe do t’ia zëvendësonte atë përgjithmonë. Netëve, prania e saj vegullore bëhej papritmazi e llahtarshme, ai pothuaj nuk vuri gjumë në sy gjatë kohës së këtij udhëtimi trejavor dhe tani mbërriti krejt i rraskapitur në qytetin e qetë, ku qe takuar e kishte vënë kurorë me të, në stacion, prej nga vjeshtës së kaluar u larguan së bashku.

    Ishte afro tetë e mbrëmjes. Prapa shtëpive kulla e katedrales nxinte shkoqur në brazdën e purpurt të muzgut. Në sheshin para stacionit qëndronin truc gjithëpo ato kaloshina të rrëgjuara. Spikaste po ai gazetashitës me zërin e tij të shurdhët mbrëmjesor. Po ai pudel i zi me sy indiferentë ngrinte putërzën hollake ndanë reklamës së komodinave, drejt e mbi gërmat e kuqe të afishes: “Parsifal”. Çorba kishte me vete nje valixhe dore dhe një sënduk të madh të verdhë. Ai ngau përmes qytetit me kaloshinë.  Karrocieri tundte përtueshëm frerët, duke mbajtur me njërën dorë valixhen. Çorbës iu kujtua që ajo, të cilën ai kurrë nuk i thërriste në emër, pëlqente të udhëtontë në kaloshinë.

    Në rrugicën prapa qoshes së operës, ngrihej hoteli i vjetër trikatësh i një stili bajat, në të cilin jepeshin dhoma edhe për një javë, dhe për një orë, – një ndërtesë e zezë, e zhvoshkur si hartë gjeografike, me perde të ashpra pas xhamave të turbullt dhe me një derë hyrëse të mezidukshme, që kurrë nuk mbyllej me kyç. Një laké i zbehtë e i shpenguar, i priu Çorbës nëpër korridorin gjarpërues, të nginjur me lagështirë dhe erë lakre, dhe Çorba hyri pas tij në numër, njohu saora, për nga vaska e trëndafiltë brenda kornizës mbi krevat, që është po ajo dhomë ku ai pati kaluar me të shoqen natën e tyre të parë të përbashkët. Asaj i dukej zbavitëse atëherë, – dhe trashaluqi pa xhaketë, i cili villte në korridor, dhe fakti, sepse zgjodhën të tillë hotel të gërbulur, dhe ajo që në lavaman gjetën një fije floku tepër të ndritshme, por më fort se të gjitha të tjerat, ajo shkulej gazit nga mënyra se si i fshiheshin shtëpisë. Dhe menjëherë pas kthimit nga kisha, ajo pati vrapuar në dhomë të ndërronte rrobat, – gjersa poshtë mblidheshin të ftuarit për darkën. Kelleri, veshur me një frak prej një cohe të mirë, me buzagazin e butë në surratin e tij majmunor, u rrihte shpatullat herë njërit, herë tjetrit, u servirte vetë shnaps, – ndërsa miqtë e ngushtë Varvara Klimovna i shpinte dy nga dy të sodisnin dhomën e gjumit, të caktuar për të sapomartuarit, – dhe duke përshpëritur me mallëngjim, duke treguar një dyshek gjigand prej puplash ngjyrë portokallí, dhe mbi dy palë pantofla të reja dhome, njëra me katrorthë të mëdhenj dhe tjetra, e veckël me xhufka të vocërra të kuqe, – të vendosura pranë njëra-tjetrës, nëpër të cilën shtrihej mbishkrimi me shkronja gotike: “Bashkë do jemi gjer në dërrasë të varrit”. Mandej, të gjithë iu afruan tavolinave, – ndërsa Çorba me nusen me të rënë në ujdi sakaq, u arratisën nga dalja e fshehtë dhe vetëm në mëngjes, vetëm gjysmë ore para nisjes së trenit-ekspres, kthyen në shtëpi sa për të marrë bagazhet. Varvara Klimovna dënesi gjithë natën e lume; i shoqi, për të cilin Çorba përfaqësonte veçse një emigrant të varfër dhe letrar, – gjithnjë ishte një njeri dyshues, mallkoi zgjedhjen e vajzës, shpenzimet për blerjen e verës, policinë e cila s’arrinte të bënte asgjë… dhe pastaj, kur të rinjtë qenë larguar, plaku dilte të vëzhgonte hotelin pas ndërtesës së operës, – dhe që atëherë, kjo ndërtesë e zezë, e qorruar, u bë diç e neveritshme dhe joshëse, mu si kujtimi për krimin.

    Gjersa bartte sëndukun, Çorba këqyri palëvizshëm oleografinë ngjyrë trëndafilí. Kur dera u hap, ai u përkul mbi sënduk dhe e mbylli. Në qoshk, për nën zhelen e çartallosur të letrës së murit, bridhte një mi. Ai u rrotullua rreth thembrave me një rrënqethje të shpejtë. Një llampë e zhveshur që varej me një sixhim në tavan, memzi kolovitej. Hija e sixhimit rrëshkiste tërthor divanit, duke u kthyer në këndet e lakuara të tij. Mu në këtë divan, ai pati fjetur atëherë. Nusja e tij frymonte prajshëm fëmijërisht. Atë natë ai veçse e pati puthur në gropëzën e fytit, – dhe asgjë më tepër. Miu filloi të lëvrinte sërish. Ka të tillë tinguj të veckël të cilët janë edhe më të tmerrshëm se të shtënat me top. Çorba la sëndukun, përshkoi dhomën dy herë. Një fluturz nate goditej kumbueshëm pas llampës. Ai përplasi derën pas vetes dhe doli. Duke zbritur për shkallësh, ndjeu se sa shumë qe lodhur dhe kur u gjend në rrugicë, koka i vinte rrotull nga bluja e turbullt e natës së majit. Me të kthyer në bulevard, nxitoi hapin. Sheshi. Kalorësi i gurtë. Retë e zeza të parkut qytetas. Tashmë lulëzonin gështenjat, ndërsa atëherë ishte vjeshtë. Ata patën shëtitur gjatë bashkë në vigjilje të dasmës. Sa i këndshëm ish erëmimi i dheut, i vllazhët, me amështinë e vjollcave kundërmonin gjethet e zverdhura, që mbulonin trotuarin… Qielli ato ditë të ngrysura e të hirshme ndodhte të ishte i zgjyrtë dhe përmes sokakut të errët, degët pasqyroheshin në një pellg të vogël, të ngjashme me një fotografi të palarë mirë. Midis vilave të hirta palëvizshëm dhe butësisht zverdhonin pemët, ndërsa para shtëpisë së saj vyshkej një plep dhe gjethet e tij kishin ngjyrën e tejdukshme të rrushit. Përtej kangjellave vizllonin trungjet e mështeknave – herë tjetër në këtë këllëf të plotë shtjellej shermasheku, – dhe ai rrëfen, që në Rusi nuk bën vaki t’i qepet mështeknës shermasheku, ndërsa ajo i thoshte se nuanca e kuqërreme e gjethëzave të tyre të veckla i çonte ndërmend ngjyrën delikate të ndryshkut në të linjtat e hekurosura. Përgjatë trotuarit hidhnin shtat lisat dhe gështenjat; nëpër lëvozhgën e zezë endej gjethnaja e zbehtë dhe e kadifenjtë; herë pas here këputej ndonjë gjethe, pluskonte shkarazi tërthor rrugës, mu si një zhele e shqyer letër muresh.  Ajo rrihte ta kapte atë n’ajrí me ndihmën e një lopatke, të cilën e gjeti rrëzë një pirgu tullash të kuqe, atje ku po meremetonin rrugën. Tutje, nga gypi i furgonit të punës, shtëllungej një tym mavi, zhdredhej, zhdavaritej ndërmjet degëve, – dhe muratori që po pushonte, këqyrte me duar në ije zonjën e lehtë si një gjethe të zbehtë, që vërtitej me lopatën në duart e ngritura. Ajo kërcente dhe gajasej. Çorba, duke u kërrusur paksa, e ndiqte dhe qeshte dhe i dukej se ja, kështu sak, siç kundërmojnë gjethet e zverdhura, kundërmon vetë lumturia.

    Tani ai mezi e njohu këtë rrugë, të gapërruar prej harlisjes mbrëmjesore të gështenjave. Përpara ndriçonte fanari, duke përkulur degët mbi qelq, dhe disa gjethe qenë krejt të tejdukshme, të nginjura me dritë për skajesh. Çorba u avit. Hija e deriçkës me kangjella të thyera u dha drejt tij që nga trotuari, duke i zënë këmbët. Pas kopshtit, pas larës së mjegullt të zhavorrit, u rrit fasada e errët e një ndërtese të njohur. Njëra dritare qe e hapur dhe me dritë. Në këtë gropë të qelibartë shërbëtorja, me një lëvizje të gjerë, shtronte çarçafët me ngjyra të ndezura. Çorba i thirri asaj me zë të lartë e të prerë. Me njërën dorë ai mbahej për shtalke dhe ndjesia e hekurit të vesuar poshtë pëllëmbës, qe më e forta nga gjithë kujtimet.

    Shërbëtorja rendi drejt tij. Siç i pati thënë ajo më vonë Varvara Klimovnës, atë para së gjithash, e kish tronditur fakti që Çorba, vazhdoi të qëndronte duke heshtur në trotuar. Megjithëse ajo menjëherë e kishte mbyllur deriçkën. “Ishte pa kapele, – pati rrëfyer ajo, – dhe drita e fanarit i binte mu në ballë, dhe ballin e kishte të qullur nga djersa, dhe flokët në ballë të ngjitura. Unë i thashë se zotërinjtë janë në teatër dhe e pyeta përse ka ardhur i vetëm. Sytë i ndrisnin mnershëm dhe ai dukej se s’qe rruar qëmoti”. Ai tha zëulët: “Lajmërojini se ajo është sëmurë”. Unë e pyeta: “Po ku jeni vendosur?”. Ai tha: “Në po atë vend”, – dhe mandej: “Kjo s’ka rëndësi. Nesër në mëngjes do të vij vetë”. “Unë i propozova të presë, po ai nuk u përgjigj, ktheu shpinën dhe iku”. Kështu, Çorba qe kthyer mu në burimet e kujtimeve të tij. Ky qe një tundim i ëmbël e torturonjës, të cilit tashmë po i vinte fundi. Mbetej të kalonte gjithëqysh një natë në atë dhomë të natës së parë të martesës, dhe pastaj, nesër, – tundimi do të ketë kaluar dhe imazhi i saj do të bëhet i përfunduar. Dhe ndërsa kthehej mbrapsht në hotel, për bulevardit, ku nëpër gjithë stolat, në terrin blu, po rrinin figura të mjegullta, ai kuptoi papritmas që, pa marrë parasysh lodhjen, ai s’do mundë të flejë i vetëm në atë dhomë me llampën lakuriqe dhe qoshet pëshpëritëse. Ai doli në shesh dhe brodhi nëpër rrugën kryesore, – e tashmë e dinte se ç’duhej bërë. Por s’e kërkoi gjatë: qyteti ishte i qetë, i papërlyer, – dhe ajo rruginë e errët, ku shitej dashuria, qe e njohur për Çorban. Dhe vetëm pas një ore harrakatjesh të pashpresa, prej së cilave i digjnin thembrat dhe i zhaurinin veshët, rastësisht në atë rruginë, ai ia qëlloi dhe saora iu avit një femre që iu gjegj:

    – Mbrëmani, – nëpërdhëmbi Çorba.

    Femra vajisi kokën mënjanë, koloviti çantëzën dhe iu gjegj:

    – Njëzetë e pesë.

    Ai tundi kokën. Vetëm shumë më vonë, duke e këqyrur atë rastësisht, Çorba pikasi me indiferencë se ajo s’ishte copë e keqe, megjithëse shumë e shkëlyer dhe që flokët i kishte me një prarim bjond e të prera.

    Ajo kishte qenë disa herë me burra të tjerë në këtë hotel ku qëndronte Çorba, – dhe lakeu i zbehtë e hundak që po zbriste shkallët, ia shkeli syrin miqësisht. Ndërsa përshkonin korridorin, dëgjohej se si prapa njërës prej dyerve, ritmikisht dhe rëndshëm gërvinte krevati, mu sikur dikush të sharronte një tra. Pas disa dyersh, prej një tjetër numri vinte jehu i një tingulli po të tillë shtërzues, dhe – teksa kalonin përskaj, femra me një koketëri të ftohtë, i hodhi sytë Çorbas. Ai, heshturazi, e shpuri atë në dhomën e tij dhe menjëherë, me parangjërimin e thellë të gjumit, zuri të shkopsitë xhupin. Femra iu avit puthitshëm dhe e pyeti me buzagaz:

    – Po për dhuratën e vockël?

    Çorba e këqyri përgjumësh dhe hallakatshëm dhe me vështirësi iu kujtua se ku i rrihte asaj. Me të marrë paratë, ajo i futi me kujdes në çantë dhe, pasi fshani lehtazi, iu avit rishtaz dhe shpupurisi flokët:

    – Të zhvishem?

    – Po, shtrihu, – bërbëliti Çorba, – në mëngjes do të të jap prapë.

    Ajo nisi të shkopsitë nxitimthi komçat e këmishës dhe gjithë kohës kundronte vjedhurazi me bisht të syrit Çorban, duke u habitur paksa me zymtësinë e tij të hallakatur. Me t’u zhveshur, ashtu, shpejt e shkujdesshëm, ai u shtri në çarçafë dhe u kthye nga muri.

    “Ky, si duket, qenka me një dërrasë mangut”, – mendoi vagullt femra. Ngadalë, paltoi këmishën dhe e vendosi në karrige. Tashmë, Çorba po bënte gjumë të rëndë.

    Femra bënte vara-vinga nëpër dhomë dhe, me të pikasur që kapaku i sëndukut që qëndronte rrëzë dritares ishte paksa i hapur, u lëshua kacipup dhe kërkoi me sy cepave. Duke lëvizur dhe shkuar dorën me kujdes, ajo preku një fustan, një palë çorape, dofarë cohash të mëndafshta, të paluara disi dhe që kundërmonin aq erandshëm, sa e kaploi trishtimi. 

    Ajo drejtoi shtatin duke gromësirë, kruajti brinjët dhe, ashtu siç qe, cullake, vetëm në çorape, iu avit dritares dhe mënjanoi perden. Tej perdes flegra e dritares qe e hapur dhe në honin e kadifenjtë të rrugës dukej qoshku i operës, supi i zi i Orfeut të mermertë që spikaste në sfondin blu të natës, sikundërse dhe një varg dritash nëpër fasadën e mjegullt, që humbisnin kërthazi në mugëtirë. Atje, në largësi, shtresave gjysmë të rrumbullta të shkallareve të Kishel-it, duke shkarë përskaj dritave të forta ndanë dyersh, siluetat e imëta e të errëta rrëshqisnin drejt shkallëve, duke lodruar nën fanarë e duke shkëndritur poshtë çative të lëmuara të automobilëve. Dhe vetëm kur mori fund kjo shpërndarje dhe dritat u shuan, femra lëshoi perden dhe, me të fikur dritën, u shtri në shtroje përbri Çorbas. Duke e marrë gjumi, ajo ndërmendi se kishte qenë dy herë, pikërisht në këtë dhomë: ndërmendi tablonë trëndafilí në mur.

    Ajo fjeti jo më shumë se një orë: e zgjoi një klithmë e mprehtë dhe e llahtarshme. Klithte Çorba. Ai u zgjua në mesnatë, u kthye në brinjë dhe shqoi gruan e tij që shtrihej përbri. Ai klithi mnershëm me gjithë barkun. Hija e bardhë e femrës brofi nga shtrojet. Kur gjithë duke u dridhur ajo ndezi dritën, Çorba qëndronte në çarçafët e bërë shuk me shpinë nga muri dhe, përmes gishtave që i mbulonin fytyrën, me një shkëlqim të çmendur, vetëtinte njëri sy. Mandej, ai prajshëm shploi fytyrën, prajshëm njohu femrën. Ajo duke u lebetitur lemerishëm, veshi nxitimthi këmishën. 

    Dhe Çorba, i lehtësuar, fshau dhe kuptoi që ankthi mori fund. Ai u zhvendos në divan dhe, duke ndrydhur me pëllëmbë pulpat leshtore, me një buzagaz shpërfillës këqyrte femrën. Ky buzagaz e rrënqethi atë më shumë dhe, me t’u kthyer, ajo kapi mbërtheckën e fundit, lidhi këpucët dhe ngjeshi beretën.

    Dhe në këtë grimëherë, në korridor kumbuan zëra dhe çape. 

    – Po ai është bashkë me damën e tij… – përsëriste trishtueshëm zëri i lakeut.

    Por zëri i mllefosur e grykor këmbëngulte:

    – Mor po, jua përsëris që ajo është ime bijë.

    Hapat u ndalën pas derës. Mandej jehuan të trokiturat. Atëherë femra rrëmbeu çantën nga tavolina dhe vendosmërisht hapi derën. Para saj qëndronte një zotëri i vjetër e i hutuar me një cilindër dalëboje, me një margaritar mbi këmishën e bardhë në gjoks, – prapa supit të tij kundronte një damë topolake me sy të skuqur nga të qarët e me vual flokëve dhe, në fund fare, një lake shtatpakët e i zbehtë që ngrihej majë gishtash, duke zgurdulluar sytë e duke i bërë me dorë asaj gjeste që të dilte. Femra e kuptoi shenjën e tij dhe kërceu në korridor, përskaj plakut, i cili gjithëpo me atë hutesë, ktheu kokën nga ajo dhe mandej, bashkë me damën, kapërceu pragun. Dera u hap. Femra me lakeun qëndruan në korridor, – të frikësuar vështronin shoshoqin dhe, duke u përkulur, vunë veshin. Në dhomë qe heshtje. Dukej e pabesueshme, që atje, pas derës, kishte tre njerëz. /Exlibris.al/

    As edhe një tingull nuk vinte prej andej. 

    – Ata heshtin, – pëshpëriti lakeu dhe vuri gishtin ndër buzë.

    Përktheu nga origjinali Agron Tufa

    Lajmi Paraprak

    120 minuta lojë, Athletic Bilbao fiton trilerin e pesë golave ndaj Barcelonës dhe kalon në çerekfinale

    Lajmi i rradhës

    Kënga e supës

    Lajme tjera

    Ekspertët

    Faik Konica Në një shtet të ri, të çarë nga partitë dhe nga interesat vetjake, siç ka qenë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë