SHËNIME NGA TETOVA
Kujtim Shabani
Liseci është ndër katundet më të vogla të Malësisë së Tetovës. Banorët po e braktisin atë duke formuar koloni të tij në qytet ose duke u arratisur në emigracion. Po ndosh që të ndalojë një veturë me targa Bujanoci në Teqe, ku e ka lajthitur navigatori, dhe të të pyesin nga i bie Liseci. Janë nisur për drekë në një restorant aty, të shtrirë në një shpat dhe të shpërndarë në ishuj pylli, ku mund të hash në natyrë të virgjër dhe të shijosh ujin e kulluar të bjeshkës.
Ky është restorant i dytë i këtij modeli udhës për në Kodrën e Diellit në Tetovë. I pari, në rrëzë të kësaj rruge, Gajre, tani më ka kaluar në histori. Ai vetëm dha një ide për një biznes interesant. Një biznesplan të gatshëm. Ndërkohë janë hapur e pakta katër restorante të tjerë kësaj udhe, me pothuajse të njëjtin koncept. Oferta e tyre kryesore është pamja e Tetovës si në pëllëmbë të dorës dhe periferia malore.
Në fillim të 90-tave, me rënien e sistemit të vjetër, njërit i shkrepi një ide: Ta shembë murin e një dhome të shtëpisë rreth rruge dhe ta bëjë dyqan. Për punë muajsh, të gjithë ata që e kishin shtëpinë rreth një rruge me qarkullim, e flijuan një sallon a një dhomë gjumi dhe hapën një shitore. Për një ekzistencë përtej sistemit dhe përtej emigracionit. Kjo ethe i përfshiu edhe blloqet! Ata që banonin në katin e poshtëm identifikuan një mundësi, e bënë haram një dhomë dhe u doli për hair!
Nga mesi i viteve 90-të udhëve të Tetovës lëvruan ca makina të vogla taksie. “Zoki”! Ai shpiku një ofertë të lirë dhe të thjeshtë transporti. Një gjetje! Për zor e për qejf, tetovarët formonin numrin e tij. Nxënësit filluan të shkojnë me veturë në shkollë! Me këtë shërbim u shkurtuan distancat në Tetovën edhe ashtu të vogël. Nuk ngeli njeri në këmbë. Nuk vonoi dhe tregun e taksive në Tetovë e përmbytën firma të tjera me flota të mëdha veturash. Për nga numri dhe për nga modeli. Konkurrentët e rinj e zhdukën “Zokin” nga skena. Veturat e tij tani janë “makina epokë”.
Kush kish grumbulluar ca kapital investoi në blloqe banimi. Banesa. Edhe investotorë me kapital më modest ia gjetën fijen. Ngreh një bllok me dhjetëra banesa me parimin e kompensimit, ku betonieri, xhamaxhia, tullaxhia… marrin nga një banesë dhe nismëtarit i ngel një banesë falë! Këta i ranë qarit. Po me këtë sulje pa asnjë ndjeshmëri shoqërore dhe estetike i kryen Tetovës një shërbim të keq. Një kontribut të shquar për kaosin urbanistik! E shëmtuan qytetin, i zunë frymën me betonin pa karar. Pa parkingje. Pa zona sado modeste të gjelbra për banorët. Për fëmijët!
Hapësirat e hapura i kanë shkatërruar edhe shtëpitë. Barqet e tyre të rritur i kanë spostuar avllitë. Bahçe nuk ka. Amviset përgadisnin shurup nga trëndafilat e oborrit. Poezi në kupë! Jargavanët përkuleshin jashtë avllive dhe flirtonin me kalimtarët me gjuhën e aromës dhe të hijes. Jargavanët jargaviteshin nga lezeti i syrit që i shihte dhe dorës që i prekte. Lagjeve binte erë Parajse. Sot jargavanit nuk ia dinë emrin! Në një vend me diell të bollshëm dhe ujë qelibar, që shpenzohet për të ujitur betonin.
Dasmat u spostuan nga oborret e shtëpive në restorante. Pronarët u mbuluan vrik me kërkesa për këto sheshe, ku dasmori e hap derën, arkën dhe zemrën për krushq e miq që do t’i urojnë jetë të lumtur. Ku terajqitë e valles do t’i hedhin në erë mbathjet e këmbëve për vallen e Pajdushkës vëllazërim-bashkuese në fund. Tredi i hapjes së salloneve të dasmave nuk ka mbaruar. Ato shtrihen edhe rrugës Banjës, apo Kodrës së Diellit. Ato nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjera. Të përbashkët e kanë shijen modeste të akitekturës dhe inventarit kiç.
Bashkë me këtë, një konjunkturë të mirëfilltë kanë njohur edhe sallonet e flokëve dhe ondulimit. Kohëve të fundit vërej në çdo qoshe një dyqan duhani. Në Tetovë një restorant kishte goxha nam edhe për faktin se ishte i vetmi, i cili qëndronte hapur ditë e natë. Tani mësoj se janë bërë e pakta tre të tillë që nuk flenë kurrë.
Duket sikur njerëzit në Tetovë kanë më shumë pare se ide. Më parë se të studiojnë dhe të provojnë, janë të prirur t’i kopjojnë idetë e suskesshme të të tjerëve. Nganjëherë, pa i ndërruar asnjë detaj shembullit të tyre. Kjo është krejt legjitime. Vetëm se për model merret vetëm çka përreth në një rreze të shkurtër. Bota? Larg!
Ku i bie nga Prizreni, rrugës së vjetër, në çdo lak sheh një restorant malor. Mbase kështu do të bëhet edhe Kodrës së Diellit. Gjithsesi kur të ngjitesh kësaj rruge dhe të zësh vend këto restorantet atje, bën mirë shikimin ta hedhësh larg në horizontin ku toka puthet me qiellin dhe merr ngjyrën e tij. Kjo të sfidon dhe të fisnikëron. Bën mirë të mos e mprehësh fort shikimin në qytetin që të shtrihet gjerë e gjatë përpara. Sepse mund të të pritet buka dhe mos të të pihet uji.
Tetova është më e bukur në borë dhe në natë.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.