“Pak dhembje zemra le ta ketë”

    Petrit Ruka

    – kujtimit të Motrës –
    Pa bie një mall më dredh në zemër,
    Se paç një Motër që më iku,
    Sa zë me të e luaj në ëndërr,
    Më zë një vesë, laget qerpiku.

    Si në një lojë me mbyllje sysh,
    Diku u fsheh dhe me s’u gjet…
    Oh, sa herë shoh shoqet e saj
    Një dhembje çan si thikë e mprehtë.

    Më mori malli, Motër xhani,
    Ti ç’bën akoma, eja pak,
    Të shoh se si çel mani,
    Se si qershia u përflak.

    Të shkojmë atje mes malesh tutje,
    Ku ti më thoshje se është deti,
    Ku është një peshk i madh, i kuq,
    Sa një pallat i madh qyteti.

    Ç’e doje detin aq shumë, Motër,
    Ç’ia kishe kaltërsinë në sy,
    Dhe unë sa herë tek deti shkoj
    Pak det me vete marr për ty.

    Po ti më ike, shoqe e bukur,
    Moj leshraverdha, dritë e hënës,
    Ti jetëshkurtra sa një flutur,
    U bëre rrudhë në ballë të nënës.

    Ka zënë kjo dhembja të më meket, –
    Tretet, shuhet… po a ka fund,
    Se malli ende trazon degët,
    Si bli i gjelbër degët tund.

    Po ndoshta unë vetë nuk dua…
    Pak dhembje zemra le ta ketë,
    Se pa atë, Motër moj,
    Ç’do ishim vallë në këtë jetë?!

    Lajmi Paraprak

    Dhjetë “urdhëresat” e Niçes

    Lajmi i rradhës

    Lufta në një botë që nuk mbron asnjë parim apo ideal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë