Eqrem Çabej i dha identitet shkencor akademizmit shqiptar

    Eqrem Çabej

    Akademia e Shkencave përkujton sot me nderim e mirënjohje për kontributet e tij të jashtëzakonshme në shkencat shqiptare 115-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt: figurë përfaqësuese e vlerave më të rëndësishme të akademizmit shqiptar; protagonist e bashkëthemelues i saj, albanolog; me njohje të gjerë e vlerësim të lartë në të gjitha qendrat e studimeve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

    Eqrem Çabej, me veprën e tij, është shndërruar në personifikim e simbol të shkencave albanologjike. Me veprën e tij dhe të dijetarëve që punuan në të njëjtën epokë me të, si Aleks Buda, Dhimitër S. Shuteriqi, Mahir Domi, Selman Riza dhe të tjerë identifikohet ajo që është konsideruar si arritja më e madhe e këtyre shkencave në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar: shndërrimi i albanologjisë në dije me kryeqendër në botën shqiptare.

    Merita kryesore e Eqrem Çabejt si albanolog është stabilizimi dhe argumentimi i tezave themelore të paradigmës shkencore albanologjike: autoktonia e shqiptarëve në trojet e tyre, vazhdimësia historike-hapësinore e tyre aty ku u formuan, origjina ilire e shqiptarëve dhe tipologjia specifike e gjuhës shqipe (pa marrëdhënie filiacioni me gjuhë të tjera), etnogjeneza e ilirëve dhe rruga e formimit të popullit shqiptar, karakteri origjinal i qytetërimit të tij, marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera dhe roli dhënës i saj në gjuhët e Ballkanit, identiteti kombëtar si proces dhe arritje historike e shqiptarëve, mbijetesa e tyre në kushte restriksioni të vijueshëm përgjatë shekujve.

    Kontributet më të rëndësishme të Eqrem Çabejt lidhen me studimet etimologjike në fushë të shqipes, të cilat, mbështetur në arritjet më të rëndësishme të shkencës austro-gjermane, me përfaqësues të tillë si G. Mayer, H. Pedersen dhe N. Jokli, i kthyen shqipes shumë vlera të brendshme, deri atëherë të konsideruara huazime.

    Eqrem Çabej vuri bazat e historisë së gjuhës shqipe, duke filluar prej ligjeve të zhvillimit fonetik të saj nga burimi indoeuropian deri tek formimi i saj si gjuhë e shkruar dhe duke vijuar me sistemet kryesore të saj si gjuhë në zhvillimin diakronik e sinkronik. Historia e nyjave dhe përemrave, arkeonimia, makrotoponimia, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët fqinje në periudhën protoshqiptare, marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera për shkak të pozicionit të saj në pemën gjenealogjike të gjuhëve indoeuropiane, shqipja në kuadër të lidhjes gjuhësore ballkanike, historia e shqipes së shkruar dhe e dialekteve, janë vetëm disa prej fushave prioritare të studimeve të tij.

    Vepra e Eqrem Çabejt shtrihet me dinjitet edhe në disiplinat fqinje me gjuhësinë historike: në antropologji e etnologji, në studimet letrare dhe në folkloristikë, në kërkimet dialektologjike dhe në stabilizimin e zhvillimeve dialektore në atlasin dialektologjik të gjuhëve të Europës.

    Gjuhëtari Shaban Demiraj, një nga bashkëpunëtorët dhe vazhduesit e punës së E. Çabejt, në veprën e tij monografike Eqrem Çabej (1990), përcakton si arritjet më cilësore të saj për periudhën e parë sa u takon studimeve thjesht gjuhësore”:

    Tekste italo-shqiptare (1935).

    Elemente dialektore nga Italia.

    Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes.

    Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike.

    Atlasi gjuhësor shqiptar.

    Në këtë monografi, nga kontributet më të rëndësishme të Eqrem Çabejt në studimet për folklorin dhe letërsinë përmenden:

    Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare.

    Zakone dhe doke të shqiptarëve.

    Konstandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut.

    Për gjenezën e literaturës shqipe.

    Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan.

    Nga studimet me karakter të përzier (gjuhësor, letrar dhe folklorik) veçohen sidomos “Studime italo-shqiptare” dhe teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (me pjesë të zgjedhura).

    Veprimtaria shkencore e Çabejt mori një zhvillim shumë të madh në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, kur ai nisi punën pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe njëkohësisht edhe si pedagog në UT.

    Si punonjës shkencor, krahas punës së madhe që bëri për zhvillimin e temave të planit vetjak nga fusha e gjuhësisë, ai dha ndihmesa me vlerë edhe në kryerjen e disa punimeve në bashkëpunim me gjuhëtarët të tjerë. Këtu duhet përmendur, në radhë të parë, bashkëpunimi i tij i frytshëm me profesor Aleksandër Xhuvanin për hartimin e monografive “Parashtesat e gjuhës shqipe” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), që janë dy nga studimet shkencore më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare.

    Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra të tjera kolektive, si në përgatitjen e “Fjalorit serbokroatisht-shqip” (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme.

    Nga fusha e fonetikës dhe të gramatikës historike Çabej ka botuar një mori artikujsh e studimesh si: Mbi disa rregulla të fonetikës historike të shqipes”, Disa aspekte të fonetikës historike të shqipes në dritën e gjuhës së Gjon Buzukut”, “Për historinë e zanores “ë” në gjuhën shqipe”, “Trajtimi i zanoreve iniciale te Gjon Buzuku”, “Diftongje dhe grupe zanoresh të shqipes”, “Për historinë e konsonantizmit në gjuhën shqipe”, “Disa mendime mbi nazalizmin e shqipes, që janë ribotuar më 1988 në një vëllim më vete nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me titullin Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe. Ndërsa nga fusha e gramatikës historike vlejnë të përmenden për rëndësinë e tyre studimet “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe”, Problemi i nyjave të shqipes”, “Çështja e gjinisë asnjanëse” etj.

    Një punë të madhe bëri ai sidomos për studimin e gjuhës së Gjon Buzukut, veprën e të cilit edhe e ribotoi të transliteruar dhe të traskribuar. Veç kësaj, ai ka botuar edhe artikuj studimorë mbi gjuhën e autorëve të vjetër shqiptarë e arbëreshë. Nga këta duhen përmendur sidomos: Hyrja e gjatë në pjesën e parë të veprës Meshari Gjon Buzukut” (I-II), Tekstet e vjetra shqipe dhe disa kritere rreth botimit të tyre”, “Pjetër Budi dhe gjuha e tij etj.

    Eqrem Çabej njihet si një gjuhëtar që është marrë kryesisht me probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe si rrjedhim nga një masë e gjerë pak njihet puna e tij për shqipen e sotme letrare. Por, po të shihet nga afër veprimtaria e tij shkencore, sidomos në periudhën e dytë, bie në sy se ai është interesuar dhe ka punuar mjaft edhe për gjuhën e sotme letrare. Prandaj këtu do t´i përmendim vetëm disa nga artikujt dhe kumtesat e tij për këtë çështje, siç janë, ndër të tjera: “Mbi disa çështje të shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes dhe Për pastërtinë e gjuhës shqipe”.

    Marrë nga faqja: VËREJTJE DHE RREGULLA GRAMATIKORE

    *Përkujtuar dje nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

        Lajmi Paraprak

        Ndryshimet klimatike ulin përgjysmë rendimentet e grurit

        Lajmi i rradhës

        Ngjarjet në Kosovë “bashkojnë” djathtistët serbë dhe europianë

        Lajme tjera

        Bashkohu

        Informohu në kohë