Kumbari i Revolucionit

    Tek fillimi i veprës së tij më të famshme, “Manifesti i Partisë Komuniste” në vitin 1848, Karl Marksi shkruante një profeci shqetësuese: “Një hie po bie mbi Evropë. Eshtë spektri i komunizmit”. Në të vërtetë, bëhej fjalë për një ekzagjerim: komunistët në atë kohë ishin pak, kudo që t’i kërkoje dhe nuk ishin ata që udhëhiqnin revolucionet që, atë vit shpërthyen në Francë, Gjermani, në Perandorinë Austro-Hungareze dhe gjetkë. Vetëm në vitin 1917, me rënien e Carit Nikolla II dhe marrjen e pushtetit nga ana e bolshevikëve në Rusi, komunizmi marksist u bë një forcë me të cilën bota duhej të bënte hesapet. Dhe pas revolucionit të Maos në Kinë në vitin 1949, për një farë periudhe më shumë se gjysma e racës njerëzore u udhëhoq nga parimet që të paktën formalisht, buronin prej Marksit.

    Fytyra e tij krenare mjekërroshe, e ka parë botën nga piktura të pafundme, postera dhe statuja, sikur të dojë të thotë: “Unë kam qenë sebepi i gjithë sa ka ndodhur… ose të paktën unë kam shpjeguar përse ishte historikisht e pashmangshme që të ndodhte. Shkoni dhe ndiqni shembullin tim”. Dhe masa të mëdha ndjekësish e kanë bërë vërtetë. Si dhe përse Marksi u bë një prej mendimtarëve më me ndikim të istorisë, ky është një argument që meriton një reflektim.

    Që në rini, Marksi dallohej për vendosmërinë, ambicien dhe dëshirën e fortë për ta bërë më të mirë jetën e të gjitha qenieve njerëzore. Në vitin 1869, teksa ndodhej në Hanover, gjatë një loje të shoqërisë viktoriane që quhej “Rrëfime”, ai përshkroi se karakteristika e tij kryesore ishte “përqëndrimi në një qëllim të vetëm”. Studio fillimisht juridik në Bon, më pas filozofi në Berlin, dhe vizioni i tij mbi botën u ndikua thellësisht prej filozofit më të famshëm të kohës, Hegelit.

    Në vitin 1843 e gjejmë si gazetar radikal në Këln. Në 1844-1845, pjesërisht për shkak të ndikimit të Friedrich Engelsit – një tjetër hegelian, i destinuar të shndërrohej në partnerin intelektual të jetës së tij – aderoi në komunizëm, duke e konsideruar atë si të vetmen zgjidhje të mundshme ndaj të këqiave të proletariatit industrial, që po shfaqej në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera. Pak më vonë, ai dhe Engelsi parashtruan “konceptin materialist të historisë”, që shpjegonte se si kishte lindur kapitalizmi dhe përse sistemi i pronës private dhe përqëndrimit të pasurisë, ishte çelësi për të kuptuar të gjitha shoqëritë njerëzore.

    Megjithatë, në vitin 1848, jetët e të dyve u tronditën nga vala e revolucioneve që ndau të gjithë kontinentin. Marksi u arrestua (me akuzën se kishte financuar lëvizjen revolucionare) dhe fillimisht mërgoi në Bruksel e Paris, ndërsa më pas u vendos në Londër, ku mbërriti në qershor 1849 dhe qëndroi deri kur vdiq. Në mërgim, jetoi për shumë vite në lagjen e Sohos në varfëri ekstreme, aq sa shpesh i duhej të mbështetej në ndihmën e mikut Engels, i cili jetonte në fabrikën e pambukut të babait të tij në Manchester.

    Bashkëshortja e tij tejet besnike, Jenny von Westphalen i “dhuroi” shtatë fëmijë, katër prej të cilëve nuk i mbijetuan fëmijërisë. Mendohet se ka patur edhe një fëmijë të paligjshëm me Helene Demuth: vogëlushi, i quajtur Frederick Demuth, u dha për adoptim dhe ishte Engelsi që pretendoi atësinë, në përpjekje për të shpëtuar reputacionin e Marksit nga shumë kritikë që e sulmonin.

    Punëtorët e vdekur nga lodhja

    Marksi kaloi pjesën më të madhe të 34 viteve që jetoi në Londër, për të bërë kërkime dhe shkruar tekstin e tij më të rëndësishëm “Kapitali” (në gjermanisht Das Kapital), i shkruaj pothuaj i gjithi nën kupolën e madhe të sallës së leximit të British Museum, i cili kish hapur dyert në vitin 1857.

    Pjesa më e madhe e përmbajtjes së librit, botuar në vitin 1867, nuk vinte nga përvoja personale e Marksit, por nga “Librat blu”, të cilët përfshinin rezultatet e inspektimeve në fabrika të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar. Aty përshkruhej përparimi i sektorëve industrialë dhe minierave, tregtisë dhe bujqësisë, shpesh me detaje që vinin në pah gjatësinë e orarit të punës dhe kushtet e tmerrshme të punëtorëve.

    Marksi përdori gjithashtu gazetat – në një moment të caktuar ai transkriptoi historinë tragjike të Mary Anne Walkley, një banore e Londrës, e cila vdiq nga rraskapitja në moshën 20-vjeçare, pasi kish punuar për tridhjetë orë pa pushim – dhe raportet mjekësore, duke përfshirë një të vitit 1875, sipas të cilit jetëgjatësia mesatare e klasës së mesme e të lartë të Mançesterit ishte tridhjetë e tetë vjet, ndërsa ajo e klasës punëtore ishte shtatëmbëdhjetë. Ai gjithashtu luajti një rol aktiv në komunitetin e punëtorëve emigrantë gjermanë në Londër dhe një rol gjithnjë e më dominues në Shoqatën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një institucion i themeluar në vitin 1864, i cili do të numëronte qindra-mijëra aderues në të gjithë Evropën. Kur në fund të Luftës Franko-Prusiane (1870-1871), një revoltë e klasës punëtore i dha jetë Komunës së Parisit, emri i Marksit u shoqërua nga shumë njerëz me këtë të fundit dhe me gjakderdhjen që pasoi, aq shumë sa, për një kohë të shkurtër ai u bë – sipas fjalëve të Engelsit – “njeriu më i urryer dhe më i neveritur i kësaj epoke”.

    Megjithë kritikat, Marksi nuk u ndal kurrë së besuari në veten e tij, edhe pse besimi i tij i jashtëzakonshëm kishte një tjetër anë: impulsin për të ditur absolutisht gjithçka për një temë para se të mund të shkruante për të. Vepra e tij zvarritej mes kllapave boshe edhe për vite të tëra, të domosdoshme për të mësuar gjuhë të reja (veçanërisht rusisht) dhe për të mbajtur një sasi të pafund shënimesh. Për më tepër, në moshë të thyer Marksi vuante nga hemorroidet, reumatizma, mëlçia dhe çrregullime të lëkurës e pagjumësi: të gjitha probleme që e mbajtën larg nga tryeza e punës, edhe për periudha të zgjatura. Ishte pa dyshim për këtë arsye që ai nuk e arriti famën botërore sa ishte gjallë: kur vdiq, në vitin 1883, emri i tij nuk ishte veçanërisht i njohur.

    Socializmi i shfrenuar

    Sidoqoftë, menjëherë pas vdekjes së tij, me Evropën nën kthetrat e krizës ekonomike dhe përhapjes në shkallë të gjerë të socializmit, u formua një kult i vërtetë rreth figurës së tij, dhe brenda njëzet vjetësh vizionin e tij për një një botë në të cilën forcat e reja të prodhimit mund të ushqeheshin, të visheshin dhe të kishin një shtëpi dhe një standard jetese më të mirë, nga shumica e klasës punëtore mori një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Tashmë mendimi i tij ishte vendosur mbi atë të çdo teoricieni tjetër socialist, përfshirë Robert Oëen, Charles Fourier dhe Henri de Saint-Simon. Marksi është varrosur në Londër në varrezat e Highgate, në një varr mbi të cilin, nën një skulpturë të kokës së tij është gdhendur: “Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” dhe “Filozofët vetëm e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme, por detyra e vërtetë e filozofisë është ta ndryshojë atë ”(citim nga një nga veprat e tij të para, “Tezat mbi Feuerbach”).

    Bëhet fjalë sigurisht për epitafe, që i shkojnë për shtat: Marksi kishte qenë gjithmonë një njeri i veprimit, me objektivin kryesor të shpëtonte proletariatin – domethënë në një shoqëri industriale, pjesën dërrmuese të racës njerëzore – nga lakmia dhe efektet çnjerëzore të kapitalizmit. Ideja themelore, për të cilën Marksi ishte thelluar në 1848, ishte në vetvete mjaft e thjeshtë: kapitalizmi prodhon kriza periodike, në të cilat më të pasurit arrijnë të mbijetojnë dhe madje të pasurohen më tej – duke shitur me koston e prodhimit ose edhe më pak se ajo, nëse është e nevojshme – ndërsa më të varfërit detyrohen të fundosen.

    Pra, pasuria ka prirjen të përqëndrohet duke ndjekur këtë skemë, ndërkohë që klasa punëtore zbret në nivele mbijetese, apo edhe më poshtë.

    Në fund të fundit, sipas mendimit të Marksit, do të vinte domosdoshmërisht një krizë në të cilën klasa punëtore, më në fund e vetëdijshme për alternativën e ofruar nga socializmi dhe e bashkuar nga solidariteti i vetëdijes së klasës (pjesërisht falë edhe natyrës gjithnjë e më sociale dhe bashkëpunuese të prodhimit në shkallë të gjerë në fabrika), do ta përmbyste sistemin me iniciativën e vet.

    Pas rënies së borgjezisë – apo klasës së mesme kapitaliste – klasa punëtore do i jepte formë një shoqërie të re në një fazë tranzicioni, që Marksi ndonjëherë e quante “diktatura e proletariatit”, në të cilën punëtorët e krahut (që më epokën e vonë viktoriane përbënin 85% të popullsisë), do të merrnin kontrollin e demokracisë. Prodhimi për fitim do të zëvendësohej nga prodhimi për nevojë, organizuar nga forma të planifikimit qendror, dhe të gjithë punëtorët do të marrnin atë që kishin hak, në bazë të parimit: “Secilit sipas aftësisë dhe nevojave!”

    Shteti pushon së ekzistuari

    Sipas filozofisë marksiste, faza e fundit e shoqërisë komuniste do të shihte rënien përfundimtare të çdo forme të autoritetit shtrëngues. Prodhimi dhe arsimi do të integroheshin me njëri-tjetrin dhe punën e të tjerëve do ta mbikëqyrnin drejtorë të zgjedhur e të zëvendësueshëm, të cilët do të merrnin pagë mesatare. Sapo të shfaroseshin plotësisht klasat sociale, shteti do të pushonte së ekzistuari. Për më tepër, futja e makinerive të reja do të garantonte më shumë kohë të lirë për të gjithë, duke bërë të mundur zhvillimin njerëzor të çdo individi dhe jo vetëm më të pasurve.

    Në moshë të thyer, Marksi tërhoqi pohimet e tij më të forta të bëra në rini, mbi idenë e “tjetërsimit” të procesit të prodhimit, duke preferuar të vinte më shumë theksin në rritjen e kohës së lirë dhe mundësinë e arsimimit të cilitdo, por ai kurrë nuk vuri në dyshim as virtytet e as arritshmërinë e qëllimit final: fundit të shfrytëzimit njerëzor.

    Kishin kaluar tridhjetë vjet nga vdekja e tij, përpara se teoritë e Marksit të testoheshin në botën e vërtetë, dhe kur kjo ndodhi – në Revolucionin Bolshevik që përfshiu Rusinë në vitin 1917 – ndikimi ishte më i madh nga sa mendohej. Në fund të jetës së tij, Marksi pranoi se revolucioni mund të kishte ndodhur në një vend të pazhvilluar, veçanërisht në Rusi. Ky pohim, megjithatë, përbënte një problem, pasi Marksi kishte zhvilluar teoritë e tij duke marrë si model një vend me standarde jetese shumë më të larta.

    Sidoqoftë, ai që e shkëputi realisht revolucionin bolshevik nga parashikimet Marksiste ishte fakti që drejtohej nga një parti pakice, e cila më pas u ndie e detyruar të mbante frenat e pushtetit. Nuk ka dyshim se Marksi as nuk e kishte parashikuar dhe as shpresuar diktaturën që u shfaq në Rusi me Leninin, Stalinin dhe policinë e fshehtë famëkeqe, aq më pak të paramendonte shpejtësinë me të cilën bolshevizmi do të shtynte zbatimin e ideve të tij, në të gjithë planetin.

    Në librin “Imperializmi: forma supreme e kapitalizmit” (1916), Lenini e çoi në një nivel krejt të ri teorinë marksiste të shfrytëzimit, duke lënë të kuptohej se ajo mund të zbatohej në cilëndo zonë të botës, që ishte e pushtuar. Pas vitit 1945, duke shfrytëzuar shansin që ofroi falimentimi i pothuaj të gjitha fuqive të mëdha evropiane, miliona njerëz filluan të asociojnë emrin e Marksit me vetëvendosjen politike, pavarësinë kombëtare dhe rikthimin e tokës atyre që e kultivonin. Marksi u shndërrua në një far të barazisë, dinjitetit dhe mirëqenies potenciale për të gjithë racën njerëzore: objektiva që duheshin arritur jo me konkurrencë dhe antagonizëm, por në një klimë solidariteti, harmonie dhe mbështetjeje reciproke.

    Në fillim, regjimet që u reshtuan nën emrin e Marksit arritën vërtetë shumë në këtë drejtim: në Kinë, miliona qytetarë u çliruan nga varfëria, varësia nga opiumi dhe dominimi i egër i pronarëve të tokave; Bashkimi Sovjetik arriti të industrializojë vendin brenda vetëm dy gjeneratave (edhe pse me një kosto të tmerrshme), kontribuoi jo pak për mposhtjen e Hitlerit, dhe pavarësisht shkatërrimeve të pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, arriti një standart më të lartë jetese, duke kaluar madje për pak kohë edhe SHBA në garën hapësinore, kur Juri Gagarini u bë njeriu i parë që erdhi rrotull në orbitë, në prill të vitit 1961.

    Zhgënjim masiv

    Gjatë Luftës së Ftohtë, një pjesë e madhe e racës njerëzore u gjet e ndarë, midis tërheqjes nga demokracitë e pasura kapitaliste perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe kritikës Marksiste-Leniniste dhe Maoiste, që shpallte se duke pasur parasysh fuqinë e tepruar të klasave dhe korporatave më të pasura, kapitalizmi thjesht nuk mund të jetë demokratik. Njerëzit në mbarë botën duartrokitën përpjekje të ndryshme për të fituar lirinë nga zinxhirët e sundimit kapitalist ndërkombëtar, veçanërisht në Kubë, ku Che Guevara u bë simbol i i epokës së revoltave të studentëve, dhe në Vietnam, ku Shtetet e Bashkuara dukej se u reshtuan në mbështetje të një regjimi të korruptuar dhe reaksionar.

    Në vitet gjashtëdhjetë, ndodhi rizbulimi i shkrimeve të rinisë së Marksit dhe në veçanti teoria e “tjetërsimit” në Letrat Pariziane të 1844 ndihmoi në formësimin e të menduarit për “Të Majtën e Re”, dhe për ta bërë vetë Marksin një anti-Stalinist. Por, shtetet komuniste nuk arritën të zbatojnë një kontroll efektiv të popullit mbi elitat e pushtetit, gjithnjë e më të privilegjuara dhe të fosilizuara, dhe shpesh u reduktuan në persekutimin e çdo forme të disidencës.

    Kur përpjekjet për të çliruar veten nga modeli sovjetik në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968 ndeshën në një shtypje të ashpër, ajo që ndodhi ishte një zhgënjim i vërtetë masiv: komunizmi tani dukej, sipas fjalëve të udhëheqësit studentor francez, Daniel Cohn-Bendit, “Diçka e vjetëruar”.

    Në Kinë, Revolucioni Kulturor vuri në shënjestër njerëzit më të arsimuar, duke vrarë mijëra dhe dëbuar edhe më shumë nga vendi, për plot një dekadë. Pastaj, me rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991, kryesisht e motivuar nga pamundësia e mbajtjes së ritmit në garën e armatimit me Shtetet e Bashkuara, dështimi i modelit Marksist dukej i plotë: në luftën midis ideologjive të botës moderne, kishte fituar qartësisht kapitalizmi, dhe Marksi dukej i destinuar të bëhej një shënim anomal në katalogun e sipërmarrjeve njerëzore. Megjithatë, dhjetë vjet pas krizës financiare të vitit 2008, rinovimi i interesit për Marksin është i dukshëm.

    Rritja e përqëndrimit të pasurisë nga njëra anë, dhe rritja eksponenciale e varfërisë nga ana tjetër, po i bën sërish të ndjekura analizat e tij, mbi të gjitha për një brez që është rritur mes masave të kursimit dhe që gjendet përballë një perspektivë jo dhe aq rozë, se sa ajo e brezit të mëparshëm.

    Ky artikull i Gregory Claeys, Docent i Historisë në Royal Holloëay është marrë nga History today dhe sjellë në shqip nga bota.al

    Lajmi Paraprak

    RMV, kjo kategori e nxënësve mund të përjashtohet nga mësimi me prani fizike

    Lajmi i rradhës

    Nesër nis shqyrtimi i Listës Zgjedhore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë