Vetëdija jonë

    Hermann Hesse

    Mendoje veten si një liqen i thellë me një sipërfaqe të vogël. Sipërfaqja është vetëdija. Atje është kthjelltësi, atje vepron ajo që ne e quajmë mendim. Por, ajo pjesë e liqenit që përfaqëson kjo sipërfaqe është jashtëzakonisht e vogël. Ka gjasa të jetë pjesa më e bukur, më interesante, sepse kur puqet me ajrin dhe dritën, uji gjallërohet, shndërrohet, pasurohet. Por, vetë pjesët e ujit që qëndrojnë në sipërfaqe ndërrojnë paprerë: ngjiten nga fundi, nga maja zbresin në humnerë, formojnë shtjella, nivelime, zhvendos je. Çdo pjesë e ujit kërkon të dalë në sipërfaqe. Ashtu si liqeni që përbëhet nga uji edhe Uni apo shpirti ynë (nuk është çështje termash) përbëhet nga mijëra e miliona pjesë, të një tabani që rritet e shndërrohet paprerë me kujtime e përshtypje.

    Ajo që arrin të shohë vetëdija jonë është vetëm një sipërfaqe e vogël. Pjesën pambarimisht të madhe të përmbajtjes, shpirti nuk arrin ta shohë. E, megjithatë mua më duket i pasur, i shndritshëm dhe i aftë për të qenë i lumtur, ai shpirt që përparon vazhdimisht drejt një shtegtimi dhe shkëmbimi nga errësira e thellë tek zona e dritës.

    Pjesa më e madhe e njerëzve ruajnë në vetvete me mijëra gjëra që kurrë nuk dalin në sipërfaqe, që kalben dhe i torturojnë brenda vetes. Për këtë arsye, këto gjëra vazhdimisht dëbohen nga vetëdija, shihen me dyshim dhe frikë.

    Kuptimi i çdo morali del drejtpërsëdrejti: kur vlerësohet si i dëmshëm nuk duhet të dalë kurrë në sipërfaqe. Por, asgjë s’është e dëmshme dhe asgjë s’është e dobishme, gjithçka është e mirë ose gjithçka është indiferente. Çdo individ mban në vetvete gjëra që i përkasin, që i bëjnë mirë, që janë të veçanta për të, por që s’mund të dalin në dritë. Po të dilnin, thotë morali, do të ishte fatkeqësi. Por ndoshta do të ishte fat! Prandaj gjithçka duhet të dalë në dritë dhe njeriu që i nënshtrohet moralit varfërohet.

    Lajmi Paraprak

    Biden do t’i bëjë thirrje ‘botës së lirë’ të qëndrojë kundër Putinit

    Lajmi i rradhës

    Retorikë e ashpër Beograd-Prishtinë – QUINT bën thirrje për përmbajtje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë