“Gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh që kur është hequr nga shkollat e mesme”

    Gjovalin Shkurtaj

    Bisedoi | Andreas Dushi

    Andreas Dushi: Si i dalë së voni nga shkolla, emri Juaj profesor më lidhet pazgjidhshëm me studimet themelore të disiplinave gjuhësore që shpesh shihen si “periferike”, kur ndërkohë janë esenciale. Fjalën e kam për Dialektologjinë dhe Sociolinguistikën. Tani kur kanë kaluar kaq vite, si e kujtoni fillimin e punës suaj pikërisht me to? Pse vendosët t’u përkushtoheshit veçanërisht atyre e jo, fjala bie, disiplinave të tjera “klasike” si morfologjiafonetikasintaksa…?

    Gjovalin Shkurtaj: Dëshira për t’u marrë me fjalën shqipe,  dialektet e të folmet, si dhe me folklorin  e etnografinë lidhet natyrisht me vitet e shkollës së lartë, sigurisht edhe në përputhje me kërkesat e atëhershme për ta njohur sa më gjerë pasurinë e gurrës popullore në fusha të ndryshme. Sapo ishte krijuar Instituti i Folklorit, që i kishte zyrat në katin e parë të godinës së Fakultetit tonë të Historisë e të Filologjisë, kurse në katin e tretë ishin zyrat e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ku punonin shumë nga ata që na jepnin lëndët kryesore të formimit filologjik (M.Domi, E.Çabej, S.Riza, A.Kostallari, K.Bihiku, J.Thomai, J.Gjinari etj.). 

    Qysh nga viti i parë, kur fillluam lëndën e Folklorit, që e ligjëronte aq bukur e me pasion prof.Zihni Sako, me nxitijen e tij dhe të Arsen Mustaqit, fillova të mblidhja lëndë etnofolklorike në vendlindje, kurse në vitin pasues, titullari i Dialektologjisë, prof.J.Gjinari, më këshilloi të merrja si temë diplome  të folmen e Kastratit. Kështu, në fakt, isha ndërdyzash: të merresha me folklorin, sikundër më udhëzonte edhe prof.Qemal Haxhihasani,  i cili,  sa herë dorëzoja fletore me fjalë të urta, me këngë kreshnikësh a përralla të Malësisë, bisedonte një copëherë me mua dhe, me dashamirësi, më udhëzonte që të vazhdoja të merresha sa më shumë me atë fushë; apo të ndiqja këshillën e shembullin e Gjinarit, i cili, ashtu si shumë dialektologë të tjerë, e kishte filluar hulumtimin e dialekteve me të folmen e vendlindjes, qytetit të Beratit. Po ashtu, me të folmen e vendlindjes si temë diplome e kishte filluar rrugëtimin shkencor edhe prof.Jani Thomai e të tjerë. Por, ndërkaq, mëdyshja ime lidhej me perspektivën e jetës, duhej menduar për një fushë studimi afatgjatë e për një vend pune të mundshëm në një institucion kërkimor shkencor ose në fakultet. Në shtator të vitit 1966 u emërova mësues në rrethin e Lezhës dhe pikërisht në Shënkollë të Bregut të Matës. Ka qenë për mua një periudhë e vështirë, sepse isha larg nga shtëpia, hekurudha Lezhë-Shkodër nuk ishte kryer akoma, ndërsa mjetet e komunikacionit ishin të rralla e të atilla që me ndonjë kamion mezi arrija të shkoja një herë në muaj në shtëpi, në Bajzë të Kastratit. Por, isha më afër Tiranës dhe munda të mbaja lidhje me Institutin e Gjuhësisë, ku prof. Jorgji Gjinari më nxiti ta përpunoja e të përgatisja për botim temën e diplomës “E folmja e Kastratit” dhe të mblidhja edhe materiale dialektore për të folmen e krahinës ku ndodhesha me punë si mësues. Iu përvesha punës për  ta  përpunuar  studimin dhe e dërgova në Institut. Pas ca javësh më njoftuan që të shkoja në Institut se punimi im ishte daktilografuar dhe shpërndarë për diskutim në redaksinë e revistës “Studime filologjike”. Diskutimi në mbledhjen e Redaksisë shkoi mbarë, më bënë vlerësime dhe disa vërejtje, si dhe më caktuan afatin për ta gatitur përfundimisht për shtyp. Pra, studimi u miratua për botim në dy numrat (2 dhe 3 të “Studime filologjike” 1967). Ky për atë kohë ishte një sukses i madh, sepse revista “Studime filologjike” ishte organi filologjik më i rëndësishëm shkencor kombëtar dhe në redaksi ishin emra të mëdhenj të gjuhësisë e të filologjisë shqiptare, si  A.Kostallari, M.Domi, E.Çabej, K.Bihiku, S.Floqi, J.Thomai,  M.Totoni etj. Me atë rast, prof.Gjinari më tha se në janar të vitit të ardhshëm (d.m.th. më 1968) në Tiranë do të mbahej edhe Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike dhe më nxiti të bëja ndonjë kumtesë për ta mbajtur në atë tubim shkencor ndërkombëtar. Ia vura veshin mirë asaj fjale dhe, pas ca ditësh, e njoftova se do të shkruaja një kumtesë me titullin “Disa tipare të së folmes së Hotit, të para në krahasim edhe me të folmet e tjera të Malësisë së Madhe”. Edhe kjo u miratua, porse unë, ndërkaq, për fat të mirë, në shtator vitit 1967 do të emërohesha  në Tiranë, kështu që, si botimin e monografisë në revistë, ashtu edhe mbajtjen e kumtesës në konferencë  do t’i përjetoja tashmë në “veshjen” e punonjësit shkencor e në kryeqytet. Kështu, fusha e kërkimit, tashmë ishte punë e kryer. Fillova punën në sektorin e gramatikës e të dialektologjisë dhe, sipas organizimit  të punës në institutet kërkimore të Akademisë së Shkencave, duhej punuar me plane pune vjetore e shumëvjeçare, kështu që fillova me hulumtimin e të folmeve të tjera të Malësisë, të Hotit, të Kelmendit, të Rranxave të Mbishkodrës, si dhe të malësorëve të Bregut të Matës, që e kisha ideuar e filluar qysh kur isha mësues në Lezhë, pastaj edhe për të folmen e qytetit të Lezhës etj. Më vonë, në vijim të detyrave e të projekteve të mëdha shkencore të Institutit do të merrja pjesë edhe si anëtar i grupit të autorëve të Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe, si dhe i i Komitetit Shqiptar të ALE-së (Atlas Linguarum Europae).

    A.D.: Në vitin 1979 ju mbrojtët shkallën e parë të kualifikimit me desertacionin me temë “E folmja e qytetit të Lezhës”. Kjo pak vite pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit dhe kanonizimit të standardit. Pse u morët pikërisht me një të folme si ajo e Lezhës, pjesë e gegënishtes, kur, sikurse dihet, Kongresi i Drejtshkrimit e shmangu nga vëmendja këtë pasuri të shqipes?

    Gj.Sh.: Për hir të së vërtetës, pavarësisht nga sa i është përfolur padrejtësisht politikës gjuhësore për caktimin e bazës dialektore të shqipes së shkruar e të njësuar (që tashti quhet shqipja standarde apo thjesht standardi), më duhet të pohoj se mbledhja e fjalës së rrallë në të gjitha krahinat shqiptare të Jugut e të Veriut ka qenë detyrë e madje qe shpallur “aksion kombëtar”, në të cilin kanë marrë pjesë jo vetëm punonjësit shkencorë të Institutit të Gjuhësisë, po edhe arsimtarët e gjuhës shqipe në mbarë vendin. Po ashtu, ka pasur një plan për pasurimin e kartotekave të leksikologjisë, të dialektologjisë e të onomastikës me lëndë të mbledhur në të gjitha krahinat e Shqipërisë, madje edhe një fond të caktuar pagese për fjalët e toponimet që mblidheshin nga bashkëpunëtorë të jashtëm dhe, bile, sektorët shkencorë të leksikologjisë dhe sektori ynë i gramatikës e i dialektologjisë e kemi pasur si detyrë t’i nxitnim e t’i mbanim afër ata që mblidhnin leksik dialektor dhe toponime. Disa prej tyre, duke pasur edhe dëshirë për të ndërmarrë studime a kumtesa, jo vetëm kanë mbledhur e dorëzuar lëndë gjuhësore në kartotekat e Institutit, po edhe kanë shkruar e botuar artikuj e studime dialektologjike e leksikologjike në faqet e revistës “Studime filologjike’’ apo në përmbledhjet studimore të botuara si vëllime më vete. Mund të përmend se kemi pasur bashkëpunëtorë që edhe kanë bërë emër të mirë e kanë botuar monografi dialektologjike për të folme të krahinave  të Veritu e të Jugut, si Shefqet Hoxha për të folmet e Arrnit e të tjera të krahinës së Kukësit, Fatos M.Rrapaj për të folmet e  krahinës së Labërisë e të Çamërisë, Fatmir Muça për të folmen dhe toponiminë e Konispolit; Petrit Zeneli, që ka botuar disa fjalorë dhe monografi të gjera dialektologjike për të folmet e Tropojës e të Malësisë së Gjakovës. Dhe shumë të tjerë. Ishte koha kur në shumë rrethe qenë krijuar dhe bërthama shkencore të arsimtarëve, që jo vetëm mblidhnin leksik krahinor, po edhe organizonin sesione shkencore, në të cilat  merrnin pjesë edhe punonjës shkencorë dhe drejtues të Institutit të Gjuhësisë e të Letërisë. Përmendim bërthamën shkencore të Malësisë së Madhe, që drejtohej nga mësuesi Llesh Rushaj, bërthamën e Manzës  në rrethin e Durrësit, si dhe në rrethin e Mirditës, të Kolonjës etj.  Nga radhët e arsimtarëve të dalluar si mbledhës dhe studiues të fjalës shqipe e të dialekteve ka pasur edhe delegatë në Kongresin e Drejtshkrimit.

    A.D.:  Gjithnjë e më tepër vërehet një çelje e riçelje e debatit për standardin. A mendoni se ka ardhur koha që ai të rishikohet, jo veç nga prizmi i pasurimit me elemente të gegënishtes, por edhe nga të tjera këndvështrime?

    Gj.Sh.: Kam dëshirë që për këtë pyetje të jem i qartë. Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej, sepse përbën treguesin  themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen:  brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë,  në trojet shqiptare ballkanike (në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi etj.) dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë. Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare), ashtu si e kemi sot,  ka dëshmuar qartë e bindshëm se i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë  për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga krahina dhe mjedise të ndryshme shqiptare. Kam qenë dhe jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si  mbërritje  me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të  kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam  i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme  gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem  ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se çdo njeri “mundet me e dredhe g-juhën” sipas rasteve dhe mjediseve të caktuara. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që sipas terminologjisë sociolinguistike po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë, natyrisht edhe ndryshojnë; po, edhe gjuha e përbashkët, gjuha e njësuar zyrtare  (standarde) përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde, por edhe mund të mbetën jashtë saj. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.Siç shprehej aktori i shquar italian Vitorio Gazman, secili njeri mendon në dialekt, por shprehet në gjuhën e përbashkët e të njësuar. Sepse, çdo njeri, së pari, flet gjuhën e nënës së vet, që  e fillon qysh nga belbëzimet e para, pastaj, dalëngadalë e zgjeron hapësirën  e prurjeve, duke marrë nga ligjërimi i farefsit, i fqinjëve, i bashkësisë krahinore (a lagjes) përkatëse; pastaj, kur mbush moshën e caktuar, shkon në shkollë dhe aty,pikë së pari, mëson shkrim e lexim në gjuhën zyrtare.

    Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde  duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh. Rregullat e drejtshkrimit dhe të gramatikës së shqipes, ashtu si në çdo vend  që ka shtet e organizim shtetëror të mirë, vlerësohen e mbrohen si “kushtetuta”. Qysh në lashtësi, latinët thoshin “Caesar non supra gramaticos” -Cezari nuk është përmbi gramatikanët. Pa marrë parasysh pushtetin dhe autoritetin e tij, as mbreti (e lëre më ndokush tjetër) nuk mund të jetë përmbi gramatikanët. Sigurisht, kur mbrojmë dhe mbështesim gjuhën e shkruar e të njësuar, gjuhën e përbashkët për të gjithë shqiptarët, kemi parasysh dhe shkallën e lartë të përpunimit e të pasurimit të shqipes së sotme.Kemi parasysh atë që në latinishten quhej ars dicendi ( arti i të thënit, mjeshtëria e të folurit) dhe ars loquendi (mjeshtëria e fjalës së bukur (të shkruar e të folur). Kemi pasur e kemi probleme jo me gjuhën e normat e saj, por me mungesën e kulturës dhe me mungesën e dëshirës për ta nxënë e për ta shkruar e folur shqipen; ka mjedise që nuk  i zbatojnë rregullat e drejtshkrimit e normat morfosintaksore,ashtu si nuk i zbatojnë as  rregullat e mirësjelljes gjuhësore apo të asaj që quhet etnografia e komunikimit modern. Pra, për ta thënë shkurt e qartë: kemi një gjuhë të bukur, të cilën duhet ta ruajmë, ta mbrojmë e ta vlerësojmë si tiparin kryesor të përbashkësisë e të njësisë kombëtare  shqiptare; natyrisht, edhe ta pasurojmë e ta përpunojmë pareshtur e me përkushtim atdhetar  e kombëtar shqiptar. Shqipja standarde është etnolekti i të gjithë atyre që shkruajnë e flasin shqip në Shqipëri e kudo në hapësirat e mejdiset shqiptare dhe arbëreshe.

    A.D.: Si i kujtoni debatet e diskutimet e atëhershme rreth kësaj çështjeje, jo veç mes gjuhëtarëve por edhe në popull… Për njerëzit e thjeshtë, ata që në përditshmëri gjuhën e përdornin si të vetmin mjet komunikimi, paraqiste vështirësi përqafimi i standardit të ri?

    Gj.Sh.: Sivjet në muajin nëntor mbushen plot 50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimti të Gjuhës shqipe. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe me institutet kërkimore shkencore albanologjike e me fakultetet filologjike të Shqipërisë e të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut e të diasporës arbëreshe, do të organizojnë  një konferencë përkujtimore dhe vlerësuese për këtë ngjarje të madhe e të rëndësishme të kulturës kombëtare shqiptare. Natyrisht, me atë rast, mbas kumtesave e diskutimeve për dukuri të ndryshme konkrete të zbatimit (përkat. moszbatimit) të ndonjë prej rregullave të drejtshkrimit sipas fushave të ndryshme botuese e shkrimore, adminstrative etj. do të ketë edhe një Rezolutë, në të cilën të do të parashtrohen edhe propozime për ndonjë përmirësim  a ndreqje të pjesshme, si p.sh. ato që janë diskutuar nga Këshillin Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, si: Përdorimi i shkronjave të mëdha në emrat e tipit Zoti, Hyji, Perendia, Pashkët, Krishtlindjet, Bajrami etj. Të shkruarit me shkronjë të madhe  të emrave e ditëve të javës, të muajve të vitit dhe të etnikave si Shqiptar, Italian etj.(Sipas propozimeve të Këshillit Ndërakademik). Problemi i shkrimit të anglezizmave dhe i pranimit (ose jo) të shkronjës /w/, si shkronja e 37-të e alfabetit të shqipes. Për këtë konferencë Akademia jonë ka ideuar një platformë që parashikon se duhet punuar me shumë kujdes e duke i bashkërenduar sa më ë forcat e atyre që do të përgatisin referatin kryesor, si dhe  të një grupi pune që të kenë përvojën e duhur për të ideuar e nyjëtuar një mënyrë pune të atillë që të mbërrihet në përfundime të vlefshme, të arsyetuara mirë dhe që të mos lënë shteg për ankesa nga kushdo që do të dëshirojë të japë ndihmesën e vet në këtë tubim të rëndësishëm përkujtimor të Kongresit të Drejtshkrimit në 50-vjetorin e tij.

    Dhjetë vjet më parë, me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Universiteti i Korçës në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërisë dhe Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT-së etj.kanë organizuar një veprimtari përkujtimore interesante, por, sidoqoftë, rrezatimi i asaj veprimtarie ishte relativisht i kufizuar. Konfreneca e sivjetme do të jetë mbarëkombëtare dhe sa më gjithëpërfshirëse.

    Por, përtej (dhe pavarësisht prej) diskutimeve e mendimeve të ndryshme për ndonjë zgjidhje drejtshkrimore apo edhe për hapësirat e dialekteve  e të standardit, krysorja është të pohojmë se për gjendjen e pamirë të shqipes së shkruar e të folur në mjedise e për qëllime zyrtare, publike fajtorë janë përdoruesit e jo norma gjuhësore apo drejtshkrimore. Rregullat e drejtshkrimit të shqipes dhe normat e tjera të shqipes së njësuar e të përbashkët janë mjaft të thjeshta e të lehta për t’u mësuar dhe për t’u zbatuar.Sigurisht, ashtu si në të gjitha vendet e kombet e qytetëruara të botës, kërkohet edhe vullneti e puna e nevojshme për të zbatuar edhe politikën gjuhësore që kërkon të mësohet shkrimi e leximi i shqipes qysh në shkollën fillore, madje, me mjetet e në kushtet e  sotme, qysh në sistemin parashkollor.

    Zbatimi i drejtshkrimit dhe i rregullave të shqipes standarde nuk është punë dëshirash personale, nuk është as “kompetencë” e rrjeteve sociale. Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit dhe i shqipes së njësuar në shkollë e në të gjithë praktikën shkrimore e botuese të vendit është detyrë shtetërore.  Punonjësit e administratës shtetërore, gazetarët dhe botuesit duhet ta nxënë dhe ta përdorin drejt gjuhën shqipe, të mos bëjnë gabime drejtshkrimore, të jenë të kujdesshëm për pastërtinë dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Shqetësimi kryesor i tyre duhet të jetë ruajtja dhe zbatimi i rregullave të shqipes së njësuar e të përbashkët. Dialektet trashëgohen gojarisht nga nëna te fëmijët e mbahen gjallë duke i folur në shtëpi, në sheshet e mjediset vendore poërkatëse, kurse gjuha e shkrimit (standardi) si kudo në botë, qëkur ka dalë sistemi shkollor, duhen mësuar e nxënë në shkollë, duhen lexuar gramatikat e fjalorët. E kanë theksuar edhe kolegë të tjerë. Sot kemi probleme jo me shqipen si gjuhë, por me kulturën e mangët të atyre që shkruajnë e flasin.Mungon  ose nuk është në masën e duhur ajo që dikush e quan “disiplina gjuhësore” e shteti apo, si e thotë edhe më bukur akad.Shaban Sinani, mungon “higjiena gjuhësore”.

    Jam i bindur se të gjithë sa jemi e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur. Ka pasur raste që shfaqet mungesë dëshire për ta nxënë e përvetësuar formën e shkruar të shqipes së njësuar.Ka shpërthime të shprehjeve të pakrehura e të pakuptueshme deri në këngët e muzikës së lehtë, ndaj të cilave me të drejtë ka pasur edhe reagime kritike të ashpra.

    E kemi thënë edhe shumë herë të tjera dhe nuk do të reshtim së thëni. Shteti dhe krejt shoqëria shqiptare  duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe  si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

    Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 109 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

     “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1] Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit[2].

    Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht se shqipja e njësuar dhe e përbashkët (standardi) është përkrahur me entuziazëm edhe në Republikën e Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i  Evropës”,  për fatin e bardhë të popullit shqiptar, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të  Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese  edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sivjet në muajin nëntor, me rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, do të përmendet me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshi   gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, akademik Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës (prill 1968) nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”. (Shih edhe Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1966-1974) Ditar, I, Botimet Toena, Tiranë, 2014, f.96-98)

    Rasti e solemniteti i përkujtimit të  Kongresit të Drejtshkrimit në 50-vjetorin e tij, e lyp që të pohojmë e ta  lëvdojmë pikërisht  rolin e madh dhe ndihmesën themelore që kanë dhënë edhe forcat intelektuale të Kosovës, gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, arsimtarët  dhe veprimtarët kulturorë për zbatimin në ballë të gjerë e pa asnjë mëdyshje të  drejtshkrimit të njësuar dhe të përudhjes së shqipes letrare të përbashkët e të standardizuar njësoj si në Shqipëri, po me atë moto kombëtare që kishte nisur qysh në Konsultën e Prishtinës.

    Kemi vënë re me kënaqësi se, edhe Qeveritë e Republikës së Kosovës, në të gjitha botimet dhe në krejt praktikën shkrimore zyrtare u janë përmbajtur me mjaft kujdes normave të shqipes së përbashkët dhe mund të thuhet se, për sa i përket shqipes standarde, të dyja anët ecin krahas e paralelisht, duke shënuar ngjashëm edhe mbërritje të lakmueshme, po edhe ndonjë të metë të rritjes e që shpresojmë e besojmë të jenë, si këndej ashtu edhe andej,  në të anët kalimtare  e të kapërcyeshme.  

    Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të  mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë  anglishten e gjuhë të tjera të huaja. Kjo duhet  vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si  flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës  së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa  mëtojmë (dhe arrijmë  përherë e më shumë) të flasim  dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

    Dhe, krejt në mbyllje, po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë, duke vepruar  ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.Detyrë e ndikim të rëndësishëm në modelin e të shkruarit e të folurit të shqipes kanë gaztaria e shkruar dhe mediat elektronike dhe teatri e kinemaja. Gjuha e mediave është kështjellë e fuqishme e shqipes dhe e shqiptarisë, prandaj, quajtja e televizioneve a radiove  “kombëtare” nuk ka të bëjë me sasinë e atyre që i ndjekin dhe që pajtohen në sistemet  e përhapjes së tyre, por në radhë  të parë, me të shkruarit dhe të folurit në gjuhën shqipe, duke e pasur si detyrë të përhershme e të dorës së parë zbatimin e rregullave të drejtshkrimit, të drejtshqiptimit dhe kujdesin për pastërtinë e pasurimin e gjuhës shqipe.

    Kam vlerësuar gjithmonë se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emetohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten dikur shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes. Natyrisht, kjo i ngarkon të gjithë edhe me përgjegjësinë që ta kenë kurdoherë të qartë se të shkruarit e të folurit e tyre shërben edhe si model për të gjithë ata që i lexojnë gazetat e revista, apo që i dëgjojnë e i shikojnë programet radiotelevizive.

    A.D.: Duket sikur gegënishtja e nëndialektet e saj ju ka magjepsur gjithmonë. Lidhet kjo vetëm me origjinën tuaj, apo ka edhe ndonjë arsye tjetër?

    Gj.Sh.: Malësia e Madhe, për një mrekulli që dëshmon hershmërinë e njësinë e qëmoçme mbarëshqiptare, ruan edhe një të folme që përputhet fort e fort me fazat shumë të hershme kur dialektet e shqipes kanë qenë shumë më të njëjta se sa janë sot; gjejmë aty tipare tepër karakteristike, si p. sh. togjet e zanoreve ua, uo, ye, krejt njësoj si në toskërishten dhe në veprat më të hershme të shqipes së shkruar, duke i përthekuar kështu të dy dialektet e shqipes. Kujtojmë, p. sh. emra si: grua, krua, ftua, prrua, pastaj pjesoret e foljeve në-oj: shkua, marua, gzua, pajtua, shkua etj.Kam pasur gjithnjë mendimin, (i cili tashmë më është kthyer në bindje të plotë), se kaq të mëdha e parësore janë dukuri të tilla të të folmeve të Malësisë sonë, saqë, djemtë dhe vajzat e trevave malësore, kur shkojnë në shkolla e i vihen të nxënit të gjuhës letrare të njësuar, mbërrijnë më shpejt, po edhe shumë më lehtë, të rrafshohen me trajtat e sotme të standardit, ani pse ai, siç dihet, është ngritur kryesisht mbi bazën e toskërishtes letrare.

    Kujtojmë, ndër të tjera se, edhe onomastika e Malësisë sonë, na jep dorë për shpjegime të vyera rreth etimologjisë dhe evolucionit fonetik të shqipes. Albanisti i madh vjenez, Norbert Jokli, pastaj edhe nxënësi i tij, studiuesi ynë i madh, Eqrem Çabej, në shqyrtimet rreth kalimit historik nga një /o/ në togzanor apo diftong ua / ue (grua / grue), kanë pasur parasysh pikërisht paraforma të fiksuara në shkrim të toponimit Gruomira, e cila, në Kadastrën Veneciane të Shkodrës, gjendet në formën Grovemira.Kanë qenë pikërisht këto vlera gjuhësore, etnologjike dhe përgjithësisht shpirtërore- kulturore të Malësisë së Madhe që kanë tërhequr qysh herët interesimin e albanologëve të huaj, pastaj edhe të atyre vendas. Po përmendim, ndër të tjerë, etnografin dhe arkeologun e shquar Franc Nopça, i cili në dimrin e ftohtë të 1910-1911 kalonte “Aus Shala und Klementi” (nga Shala në Kelmend) dhe festonte Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në malet tona flokëbardha, në besë të trimit Kolec Marku, një malësor këlmendas nga Bregu i Matës, në bukë e në bujarinë e pashoqe të trevave tona.E mahnitur nga vlerat etnologjike e kulturore të Malësisë së Madhe, mis Edit Durhami, studiuese e famshme angleze, do të bëhej “robinë” e maleve tona. Ajo përshkroi me aq zell e besnikëri çka pa në ato vise dhe malësorët e deshën dhe e quajtën me adhurim “Kralica e Malësisë”.Albanisti i madh vjenez, Maksimilian Lamberci, që njihte dhe vlerësonte me zotësi e me dashuri të veçantë eposin shqiptar dhe dialektet e gjuhës shqipe, na ka lënë një vepër të tërë me titullin “Die folksepik der Albaner” (Epika popullore e shqiptarëve), në të cilën ai bën më të bukurat shpallime rreth kësaj mrekullie të kulturës gojore të popullit shqiptar. Me shumë përkushtim e plot hulumtime me vlerë për të historinë e traditat e Shqipërisë së veriut e pikërisht të Kelmendit, Hotit, Kastratit etj.është edhe vepra e George von Hahn-it “Albanesische Studien”, Jena, 1854. Porse, në qoftë se përmendëm më së pari albanologët e huaj dhe vlerësimet e tyre të larta për Malësinë e Madhe si visar shqiptarie e djep i lashtë i pasurisë etnokulturore të shqiptarëve, do të ishim të padrejtë po të mos theksonim, gjithashtu, se Malësisë sonë të Madhe i takon edhe nderi të ketë nxjerrë prej gjirit të saj edhe më të parin autor të njohur shqiptar, themelvënësin e gjuhës së shkruar shqipe. E kam fjalën pikërisht për Gjon Buzukun, autorin që, duke përkthyer në shqip për herë të parë ”Mesharin” më 1555, vuri themelet e gjuhës shqipe të shkruar dhe na la një dëshmi aq të pavdirë për studimet filologjike e historiko-gjuhësore.

    Prof. Eqrem Çabej, pastaj edhe shumë gjuhëtarë të tjerë shqiptarë e të huaj, qysh nga zbulimi i një kopjeje të librit të Buzukut në Bibliotekën e Vatikanit, kanë ndërmarrë shqyrtime të hapëta filologjike dhe kanë vënë re afëri shumë të mëdha si dhe pika takimi madhore e krejt përfushë ndërmjet gjuhës së Mesharit dhe të folmeve të Malësisë së Madhe. Ato dukuri, bashkë me mbiemrin e autorit, Buzuku, si dhe të dhënat, qoftë edhe të mangëta, që dihen rreth jetës së tij, na dëshmojnë se ai ishte me origjinë pikërisht nga trevat e veriperëndimit, diku në qendrat e Malësisë e të Rranxave të Mbishkodrës apo, në mos tjetër, nga viset ku ishin shpërngulur malësorët, si p. sh. nga Malësia e Krajës apo edhe më larg nga Arbneshi i Zarës. Për t’u vënë re, mbi të gjitha, togjet e zanoreve uo dhe ua, që ndeshen krejt njësoj si te Buzuku (kujtuom, në së shkruomit shenjt) ashtu edhe në të folmet e Malësisë sonë (grua, gruos, e martuome, kruos).

    Veçori të tilla themelore dhe shumë të spikatura të gjuhës, të folklorit, të veshjeve, të mendësisë, të dokeve dhe të zakoneve ka pasur parasysh Çabej, ky dijetar i përmasave aq të mëdha, kur shprehej se në to ngërthehet “palca e kombit shqiptar”. Prandaj, edhe njëherë, gjej rastin të përsëris se Malësia jonë është quajtur “e Madhe” jo nga përmasat hapësinore gjeografike, sepse në të vërtetë ka malësi të tjera që mund të jenë edhe më të hapëta e më të mëdha se ajo; është quajtur “e Madhe” pikërisht pse ka qenë e tillë në kulturën dhe vetitë e saj, në të gjitha ato që, shkurt, i përmendëm më lart.

    Dhe, së mbrami, dua të kujtoj se Malësia e Madhe ka qenë nga të paktat vise shqiptare që nuk u shkel kurrë e tëra nga pushtuesit e huaj dhe, për këtë arsye, mbeti, si të thuash, “virgjine” në doket e zakonet e saj, rrojti e papërzier në bëmat e shpirtin e saj iliro-shqiptar, qysh në agim me takime me Perëndimin, për të cilin na dëshmon edhe besimi katolik i ritit roman, që është zbatuar gjithmonë e gati pa asnjë shmangie në skajin verior të atdheut tonë, qysh nga Përroni i Thatë në jugperëndim e deri në Bjeshkët e larta të Vermoshit e të Dukagjinit në verilindje. Për shumë vjet ka qenë lënë në të errët, por le ta themi më mirë vonë se kurrë që Malësia e Madhe ka qenë, gjatë gati të gjithë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, arë e pëlleshme kërkimesh etnolinguistike e folklorike- historike, ku kanë derdhur djersën ajka e hulumtuesve dhe e shkrimtarëve të shquar shqiptarë që vinin nga radhët e klerit katolik të Shkodrës. Përmendim se aty, në Rapshën e Hotit, shërbeu si meshtar dhe gjeti heronjtë e “Lahutës së Malcis” Atë Gjergj Fishta, i quajtur me të drejtë si Homeri shqiptar pikërisht sepse pasqyroi në poemat e tij atë që kishte lënë pa kryer historia shqiptare: mbrojtjen e pashembullt të trojeve të veta nga malësorët trima të Maleve shqiptare. Në Malësinë tonë mblodhën ajkën e “Visareve të Kombit” etënit e nderuar Donat Kurti e Marin Sirdani, që aq mizorisht e për bind, (në vend që të vlerësoheshin me mirënjohjet më të larta për atë ndihmesë shumë të vyer që i kishin bërë kulturës kombëtare, duke shkruar, redaktuar e botuar kolanën e pasur të epikës heroike shqiptare), si “shpërblim” do të gjenin ferrin e burgjeve komuniste e të kampeve të punës nëpër kënetat ku lanë edhe rrashtat pa asnjë faj. Ndër malet e Malësisë së Madhe jetoi për shumë vjet edhe Dom Nikollë Gazulli që na ka lënë, ndër të tjera, veprën “Fjaluer i ri”, që përbën më të parin fjalor dialektor të gegërishtes, në të cilin pasqyrohen gjerë e me besnikëri leksiku e frazeologjia e pasur e të folmeve të Malësisë. Fjalori i Gazullit është një vepër që u ka bërë shërbime të mëdha kërkimeve e shpjegimeve etimologjike rreth gjuhës shqipe. Mjafton të përmendim se sa dendur e me fryt i është referuar atij fjalori Eqrem Çabej në veprën e tij të madhe “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Prej anëve të Malësisë sonë të Madhe vinte në letërsinë shqiptare edhe “humusi” epik e burrëror i veprave të Dom Ndoc Nikajt. Deri në vitet ’60 kur u realizua çmenduria ateiste e mbyllja e kishave, në Bajzë të Kastratit e gjetkë në Malësi pat shërbyer edhe Atë Benedikt Dema, njëri nga hulumtuesit më të hershëm të dialekteve tona, ideues, ndër të tjera, edhe i një “Atlanti gjuhësor të shqipes”. Po përmend, me këtë rast një dëshmi të freskët për të: Atë Zef Pllumi, në kohën kur redaktova librin e tij të famshëm “Rrno vetëm për me tregue”, më ka treguar në raftet e tij dorëshkrimin e një ”Fjalori enciklopedik shqiptar” si dhe shumëçka tjetër nga krijimtaria shkencore e Atë Benediktit, të cilave unë u hodha vetëm një sy dhe uroj që, sa më parë, të dalin në dritë e t’ua shohë vlerat lexuesi e studiuesi ynë i sotëm. Dhe, jo pa qellim, lashë për në fund  emrin më simpatik të fratit shqiptar, Padër Gjonin, famullitarin e Vuklit, personazh i gdhendur aq mjeshtërisht nga Fishta në ”Lahutën e Malësisë”. Kujtoni këngën me titull “Ndërmjetësia”, e cila, përveçse një pjesë e shkëlqyer e trimërisë malësore, mund të merret edhe si simbol madhështor i frymës së pajtimit e të mirëkuptimit midis popujve, ithtar i së cilës ishte pikërisht një frat katolik i Malësisë, Padër Gjoni.

    A.D.: Qysh nga ’79, keni udhëhequr përgjatë viteve të dhjetra kandidatë për gradën doktor shkencash si dhe, qysh akoma më heret, keni dhënë mësim në universitet. Është një pyetje që ja drejtoj gjithmonë pedagogëve të cilët kam fatin t’i intervistoj: A vëreni një rënie të interesit për gjuhësinë dhe disiplinat filologjike në përgjithësi? Nga mendoni se vjen kjo?

    Gj.Sh.: Secili prej atyre që ka si profesion mësuesinë, qoftë kur është mësimdhënës në shkollën fillore, qoftë kur është liegjërues në shkollat e larta, vepron sipas idesë së mbjellësit, dëshiron e synon të ketë pas vetes ndjekës, ithtarë e që dituritë e fituara gjatë shkollimit t’i shtojnë e t’i shumojnë gjatë gjithë jetës.Si thoshte edhe Naim Frashëri: “Mësojini fëmijët që të bëhen më të ditur se ju, sepse ata i përkasin një kohe më të re.” Kam pasur shumë studentë të zellshëm, mjaft prej tyre  jo vetëm kanë dalë me nota shumë të mira, por edhe kanë ndjekur studimet e pasuniversitare e kanë fituar grada e tituj të lartë shkencorë. Shumë nga profesorët e profesoreshat  që drejtojnë sot katedrat e shqipes në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Tiranë e në universitete të rretheve janë graduar me studime të punura nën udheheqjen time dhe, tashti, kanë në dorë drejtimin e katedrave e të institucioneve kërkimore në të gjithë vendin, po ideojnë e realizojnë projekte studimore interesante dhe, pa dyshim, duhen vlerësuar e uruar të jenë të suksesshëm. Natyrisht, këshilla ime, ashtu si edhe e kolegëve të tjerë tashmë në moshë pensioni, do të ishte që të mos nguten e të mos jenë dorëlëshuar në qëndrimin ndaj vlerave të gjuhës e të traditave arsimore e shkencore të derisotme. Ndonjëherë ka pasur rendje  e ngutje jo vetëm për t’i fituar gradat e titujt,po edhe  në botimin e teksteve e librave, duke  mos i kushtuar kujdesin e duhur përpunimit gjuhësor e sidomos me përdorim të panevojshëm të fjalëve të huaja e të mënyrave të të thënit  të kalkuara nga anglishtja dhe që nuk janë në natyrën e shqipes. Prandaj, duke iu kthyer metaforës së mbjellësit, mund të thuhet se mbetet në fuqi thënia urtake e hershme e me vlerë të prhershme çfarë të mbjellësh do të korrësh. Kur lexoj studimet e mira të ish-studentëve apo atyre që i kam drejtuar në temat e doktoraturës  gëzohem e më duket se kam edhe unë pjesën time, sikundër, më vjen keq  e trishtohem, në rastet kur ndonjë prej atyre që e kisha menduar se do të bëhej më i mirë, i lejon vetes të botojë shkrime a libra të dobët. Mburrem, p.sh. mjaft prej atyre që sot kanë titullin profesor, që i kam pasur studentë, ose që kam qenë udhëheqës shkencor i doktoraturave të tyre. Dhe, hera e mbarë e ka prurë të kem pasur doktorantë nga gati të gjitha hapësirat shqiptare, si Tirana (Aljula Jubani, Kledi Shegani, Ardian Doka, Adriatik Derjaj), nga Shkodra (Mimoza Priku, Anisa Kosteri) nga Elbasani (Albert Riska), nga Vlora (Migena Balla, Darina Minga, Zamira Alimenaj), nga Korça (Elona Biba), nga Gjirokastra (Valbona Kalemi), nga Durrësi (E.Troplini), nga Kosova (Zeki Morina, Fridrik Dulaj), nga Shkupi (Izmit Durmishi), si dhe nga Selaniku (Spiro Trikos), nga Italia (Alessia Bergamin) dhe, madje, si qershia mbi tortë, kam kënaqësinë se kam pasur doktorant edhe prof.dr.Basil Schaderin nga Zvicra, njohës i mirë i shqipes, pedagog e metodist i mirënjohur dhe për kontributet e tij për mësimin plotësuses të shqipes në shkollat e emigrantëve shqiptarë në Zvicër, si dhe përkthyes, i cili ka mbrojtur në Universitetin e Tiranës me studimin “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër” (473 faqe). 

    A.D.: Në 1998, Shtëpia Botuese e Librit Universitar ka botuar një tekst tuajin aq sa pasqyrues, thuajse dhe profetik: Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur ku trajtohen shqetësime, mendime dhe vërejtje për kulturën e gjuhës në shtypin dhe në letersine shqiptare. Për të dua t’ju drejtoj dy pyetje, e para nëse ato vërejtje janë marrë parasysh dhe këmbanat janë dëgjuar nga ato për të cilët kanë rënë dhe e dyta, sot kur kanë kaluar njëzetekatër vjet, a janë shtuar shqetësimet e vërejtjet?

    Gj.Sh.: Kam thënë disa herë në bisedat e mia në TV dhe në artikujt për kulturën e gjuhës: shtetarët, që nga më i ulëti e deri tek kreu i shtetit, të gjithë sa janë: deputetë, ministra, drejtorë drejtorish, diplomatë etj. nuk duhet të flasin dosido. Ata përfaqësojnë shtetin, përfaqësojnë elitën e një vendi, prandaj, kurdoherë, para se të flasin (a të shkruajnë) duhet të maten e të vlerësojnë jo vetëm çfarë do të thonë, po edhe se si do ta thonë. Latinët e kanë lënë fjalë: “Non licet Jovi quod licet bovi”. Njerëzve të thjeshtë mund t’ u lejohet të flasin edhe “larë e pa larë”, kurse atyre që përfaqësojnë shtetin u takon të kenë një gjuhë të zgjedhur, të peshuar e zyrtare. Mania e sotme e disa prej politikanëve shqiptarë për të folur me fjalë të huaja (të panevojshme e të pakuptueshme) është tregues i cektësisë dhe i përfryrjes së pamirë mendore dhe kulturore. Rendja pas anglicizmave e italianizmave e ka shëmtuar keqas gjuhën e politikës shqiptare. Po kështu edhe të gazetarisë sonë. Pritet një këndellje e ndërgjegjes kombëtare, pritet që shoqëria dhe shteti ta marrin në dorë me përparësi punën e gjuhës, ta shpëtojnë atë nga “bdarrja e bastardimi”.

    Para do kohësh kam botuar te “Spektri” një shkrim bukur “të hidhur” ku, duke parafrazuar Konicën e madh, jam shprehur kundër “analfabetëve me diplomë”. Më duket se është koha për të lëshuar kushtrimin për mbrojtjen e gjuhës. Sigurisht, është fjala për të mbrojtur atë që mund të mbrohet e jo për teprime a “purizëm”. Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka një shtet që mban marrëdhënie me të gjithë botën; populli ynë është tashmë në lidhje e takime të drejtpërdrejta e që shkëmben vizita me njerëzit e vet e me miq të shumtë në botë. Me fjalë të tjera, jemi bërë një shoqëri e hapur. Edhe gjuha shqipe është e do të jetë edhe më tej një gjuhë e hapur, ka marrë dhe do të marrë edhe më tej hua nga gjuhët e mëdha të Evropës, po edhe do të përtëritet nga gurrat vetjake. Kam parasysh sidomos prurjet e mirëpritshme të elementit verior e verilindor gjatë dhe pas shndërrimeve në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. E kam thënë edhe disa herë të tjera: e ardhshmja e gjuhës letrare shqipe, siç e kishte shestuar qyshkur Selman Riza, s’ është tjetër veçse “toskërishtja e folur prej gegëve”. Këtij mendimi i qëndroj fort. Dhe, disa herë kam shkruar për këtë temë dhe kam trajtuar disa dukuri që mendoj se është e domosdoshme t’ i hetojmë në ballë të gjerë e të tregojmë kujdesin e duhur për t’i çelur shtigje prurjeve të bukura nga leksematika dhe frazeologjia krahinore e trevave të Veriut.

    Shikoni si e shkruajnë (dhe si e flasin) shqipen disa nga personalitetet letrare e shkencore të Kosovës. Ata i zbatojnë me rreptësi normat drejtshkrimore e drejtshqiptimore, u përmbahen normave morfologjike dhe sintaksore, por edhe sjellin shumë pasuri e mjete leksiko-frazeologjike të anëve të Kosovës, posaçërisht të vendlindjes së tyre. Kam shkruar disa vjet më parë për vlerat e gjuhës në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kam përmendur edhe dukuri e prirje të sotme të ligjërimit të krijuesve të trrojeve verilindore, por duhet të shkruajmë më shumë për gjuhën e ligjërimin e disa prej krijuesve të atyre trevave, sidomos për poezinë e Azem Shkrelit, metaforika dhe figuracioni spontan e i vetvetishëm i të cilit janë një mrekulli.Po rilexoja një ditë librin “Rrënjë të gurta” me poezi të zgjedhura dhe mbeta shakull nga forca e disa krijimeve të tij krejt origjinale e për të parën herë në shqipen, si p.sh. foljezimi i emrave të përveçëm: Bajramcurrem “bëhem hero si Bajram Curri”(“Nuk po e dij, për Zotin, për kokë të fjalës, Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male”.).Të njëjtën procedurë poetike shohim edhe në rastin e shëngjergjet shtati i bimëve me domethënien “çelin lule e mbushen me gjethe bimët e pemët” (“Bimëve në Shkodër po u shëngjergjet shtati”). Gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe që na kanë lënë të parët, ajo na përbashkon e na paraqet të njëjtë e të njësuar faqe gjithë Evropës e botës.Kush ruan, përpunon dhe mbron gjuhën e vet i bën nder kombit e atdheut të vet. Ashtu duhet të veprojë çdo intelektual që mëton t’ i shërbejë kombit e vendit të vet.

    A.D.: Së fundi, pak kohë më parë, keni botuar librin tuaj të fundit, “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”. Burimet e leksemave të përfshira në të janë të shumëllojshme, nga ata të marrë drejtpërdrejtë prej banorëve, deri edhe nga veprat letrare. Në promovimin e tij pranë Akademisë së Shkencave, referuesit këtë vepër e quajtën enciklopedi. Ju personalisht çfarë mund të thoni për të?

    Gj.Sh.: Fjalorët janë vepra që hartohen me vështirësi dhe që duan shumë kohë për ta mbledhur lëndën, po edhe një punë të mundimshme për të kryer hartimin, redakimin e përfundimin e dorëzimin e dorëshkrimit për ta radhitur e shtypur.  Kam filluar të mbledh fjalë, frazeologjizma dhe lëndë tjetër me karakter onomastik e etnolinguistik në Malësi të Madhe,qysh nga viti 1962,kur kam  qenë student dhe punoja për të grumbulluar lëndën temën e diplomës për të folmen e Kastratit, vendlindjes sime. Si punonjës i Institutit të Gjuhësisë, ashtu si dhe kolgëve të tjerë, sipas fushave përlatëse, na ishte caktuar edhe zona apo krahinat ku do të hulumtohej dhe mua, mbas Kastratit, sikundër e theksova më parë, m’u caktua të merresha me hartimin e studimeve monografike për të folmet e tjera të Malësisë së Madhe. Kam kryer ekspedita kërkikmore gjithandej në Malësi dhe kam botuar monografitë për të folmet e Hotit, të Kelmendit, të Rrancave të Mbishkodrës, të malësorëve të Bregut të Matës, të qytetit të Lezhës dhe për të folmet e malësorëve të Malësisë së Madhe që kanë mbetur jashtë kufijve politiktë të shtetit shqiptar (në Traboin-Hot, Grudë,Triesh, Krajë e Ulqin etj.). Të shkruash një monografi të plotë dialektologjike në fakt do të thotë të japësh një pamje të thukët të historisë dhe të etno-lkulturës  së krahinës, pastaj të bëhet një përshkrim i sistemi fonetik, morfologjik e sintaksor dhe i leksiskut  të krahinës përkatëse. Me fjalë të tjera, duhet shkruar një gramatikë e vogël  dhe një fjalor  a fjaloth që të paraqeës tiparet kryesore të së folmes dhe një sasi leksemash që të tregojnë pasurinë dhe lariminë e leksikut e të frazeologjisë.

    Kjo, dikujt mund t’i duket punë e thjeshtë, por ata që janë marrë me hartim fjalorësh e gramatikash e kanë vlerësuar se ajo është punë shumë e vështirë. Jo më kot Dudeni, autor i më së mirës gramatikë të gjuhës gjermane, në ballinën e librit ka shkruar këtë thënie në latinisht” “Due res longue sunt difficilimae: lexicon scribere et grammatikam”(Dy gjëra janë përherë të vështira: të shkruash fjalor e gramatikë).

    Botimi i Fjalorit tim në kolanën e Akademisë sonë të Shkencave, si dhe tubimet përuruese në Akademinë e Shkencave më 23 prill në kuadrin e Panairit të Librit Akademik, si dhe në Albanian University më datën 5 maj,  krahas shuarjes së “mallit të shtampës”, më kanë dhënë edhe një kënaqësi të papërshkrueshme e që nuk e prisja. Për Fjalorin u thanë fjalë shumë të mira në ditët e përurimit, po edhe është ndjekur dalja e kësaj vepre me një numër të mirë artikujsh e shkrimesh nga kolegë gjuhëtarë nga Shqipëria,  Kosova,  Mali i Zi etj. Më kanë dhënë gëzim e kënaqësi, së pari e kryekreje, fjalët vlerësuese  të recensuesve zyrtarë: prof.dr.Valter Memishaj, drejtor i Institutit  të Gjuhësisë e të Letërisë, prof.dr.Tefë Topallit;  vlerësimet e akad.Shaban Sinanit dhe dr.Tonin Çobanit  e prof.dr.Artur Lamajt në ditën e përurimit të parë në Akademinë e Shkencave, të cilët, (siç do të thuhej në të folmen e Malësisë) “më  shtien borxh” e më nxisin të punoj derisa të kem frymë për të vënë në letër sa kam mbledhur e regjistruar në rrjedhë të viteve në Malësinë e Madhe e përgjithësisht për të dialektet e shqipes. Gjatë periudhës njëmujore, qëkur ka dalë Fjalori nga shtypi janë shkruar edhe një numër artikujsh e recensionesh vlerësuese në organe të shtypit si te “Koha Jonë”(nga dr. Tonin Çobani ), te “Koha ditore” dhe ?? (nga Gjekë Gjonaj nga Ulqini), te “Nacional” (nga prof.dr.Tefë Topalli). Po ashtu, kanë shkruar e botuar recensione të gjera vlerësuese prof.dr.Bahtiar Kryeziu nga Universiteti i Gjilanit (Kosovë) dhe prof.dr.Qemal Murati nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

    A.D.: Ekspeditat kërkimore kanë qenë përherë një punë në të cilën jeni angazhuar. Nuk e di, sot si e kujtoni periudhën e ekspeditave? Dhe a trishtoheni kur shihni se, ngadalë, të moshuarit po ndërrojnë jetë e bashkë me ta humbet edhe një pjesë e vlefshme e pasurisë jo vetëm gjuhësore, por mbi të gjitha antropologjike e kombit tonë?

    Gj.Sh.: Po ju përgjigjem duke nisur me një parafrazim të vargjeve të poemës “Kënga e sprasme e Balës” që thotë: ” Mori bijë, bijë e lalës…pse më shpie në monë e shkuom?” Ekspeditat për mbledhjen e fjalës shqipe e të pasurive etnofolklorike kanë qenë një nga pjesët më të vlefshme të formimit të studentëve në degën tonë të gjuhës shqipe, që i fillonim zakonisht në vitin e dytë të fakultetit. Zakonisht shkohej në grupe me një drejtues, pedagog i lëndës së leksikologjisë apo dialektologjisë e folklorit, po edhe në grupe të vogla e të drejtuara nga ndonjë prej punonjësve shkencorë të Instituteve të Akademisë, që ishin si pedagogë të jashtëm. Ishte një përvojë konkrete se si duhej mbledhur materiali, si duheshin drejtuar pyetjet dhe si duheshin mbajtur shënim fjalët e frazeologjizmat,duke përdorur edhe snenjat plotësuese (diakritike)  për gjatësinë e zanoreve dhe hundorësinë në gegërishten, për zanoret më të hapura apo më të mbyllura etj. Të shkosh në ekspedita është si të pish ujë në krojet e burimet e ftohta të bjeshkëve, sepse duke folur me burra e gra të krahinave të ndryshme mund të njohësh e të thithësh atë që ka më të bukur të folurit popullor, etnografinë e ligjërimit dhe metaforikën e pakundshoqe të folësve të shqipes. Shumë nga thëniet e bukura urtake i mbaj mend dhe sa herë i përdor më kujtohen edhe emrat e atyre që m’i kanë thënë.Gjon Nik Leka i Jeranit për të theksuar karakterin relativ të diturisë e njohjessi proces mendor e filozofik thoshte: “Gjithkush ban e din çka ban, po edhe ai çi ban, nuk e din  çka ban”, kurse Lekë Martini për të vlerësuar kujdesin e madh që duhet pasur në veprimet e jetës thoshte shprehjen paradoksale: “Kur të ruhesh mos u ruaj!” Një zonjë e moshuar arbëreshe nga Shën Mitër Korona thoshte ”Ai çë të do mirë bët e klashë, ai çë të do ljig bën të qeshësh”(Ai që të kritikon të bën më mirë se ai që të nxit të bësh gabime.), kurse në Horën e Arbëreshëve në faqen e parë të revistës “Mondo Albanese” botuesi Zef Skiro i Majit shkruante urimin e hershëm të arëbëreshëve:”Gjithë lumenjtë rrjedhshin,por kroi yt mos shteroftë!” dhe “Nëng ha buk frisku ai  çë nëng ka furrin e vet.”(Nuk ha bukë të ngrohtë ai që nuk ka furrën e vet.) dhe, gjithandej, urojnë “Rrofshin gjuha e katundet e tona sa buka e vera!”

    Gjatë viteve të punës në Institutin e Gjuhësisë kam kryer ekspedita të shumta, herë në grupe pune  për anketimet për Atlasin Dialektologjike të Gjuhës Shqipe, ku e kishim si parim që disa pika të ishim të gjithë anëtarët e grupit të dialektologëve (J.Gjinari, B.Beci, Gjh.Shkurtaj, Xh.Gosturani), kurse në pjesën më të madhe të anketimeve kemi qenë në grupe dyshe. P.sh. në ekspeditën e parë te arbëreshët e Kalabrisë kam qenë bashkë me leksikologun Miço Samara, një herë tjetër me Jorgji Gjinarin dhe Spiro Shkurtin, si dhe me kolegë të tjerë, sipas rastit. Në ekspeditat brenda Shqipërisë kam qenë shpesh me të ndjerin Xheladin Gosturani, po edhe me kolegët e tjerë, kurse për hulumtimet në të folmet e Malësisë së Madhe dhe të qytetit të Lezhës kam qenë vetëm, por gjithandej më kanë shoqëruar arsimtarët vendas ose që ndodheshin atje për arsye të detyrës si mësues.  Kanë qenë vite të vështira, sidomos në disa prej krahinave anësore e të largëta, ku nuk kishte hotele a bujtina si sot dhe kemi fjetur në shtëpitë e fshatarëve  ose në ndonjë fjetore traktoristësh a gjeologësh, por, gjithandej, kemi qenë të pritur me bujari e ruaj kujtime shumë të bukura. Sigurisht, ka ndodhur që edhe kemi pasur ndonjë peripeci, sidomos në vende ku nuk shkonte makina dhe ishim të detyruar të ecnim me këmbë ose me kamiona të rastit. Një herë, mbasi kisha kryer anketimin në fshatin Bogë, u vonuam dhe autobusi i fundit që zbriste nga Thethi për në Shkodër kishte kaluar. Bashkë me një mik, shkrimtarin R.Lika që më shoqëronte, i jemi lutur një shoferi që kishte kamionin të ngarkuar me trungje e që ishte rreptësisht e ndaluar të merrte pasagjerë, deri në Zagorë kemi hipur  e kemi qëndruar në pjesën midis trungjeve e kabinës, duke rrezikuar jetën. Por, atë mbrëmje, për të festuar se shpëtuam, në shtëpinë e Likajve kemi bërë një festë të madhe deri gati në mëngjes. Por, si thotë fjala e urtë latine: “per aspra ad astra” (nëpër vështirësitë te yjet). Pa dyshim, ekspeditat më të bukura,po edhe më të frytshme e me kujtime të paharrueshme, kanë qenë ato që kemi bërë në Kosovë, në vitet 1972-1980 në kuadrin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Kemi shkuar  në shumë katunde të Kosovës dhe kemi mbledhur leksik e material dialektologjik shumë interesant. Kemi bërë edhe disa ekpsedita të përbashkëta me studiues nga Kosova në disa zona të Shqipërisë, si në Vrrith të Malësisë së Madhe (qershor 1980), në  Poshnjë e disa pika të tjera në rrethin e Beratit.

    Në vitin 1973 pranë Institutit të Kulturës Popullore erdhën për një periudhë njëmujore dy studiues danezë: Mina Schafte Jensen, studiuese e eposit homerik dhe përgjithësisht e epikës popullore evropiane, dhe Biarne Bafse, një studiues i ri, i cili kishte interesa kryesisht filologjike dhe donte të mësonte gjuhën shqipe. Në fillim ata i shoqëronte dikush tjetër, por pastaj më caktuan mua që t’i shoqëroja në qytetin e Shkodrës. Mina kishte interes të takonte ndonjë rapsod nga Veriu, sepse kishte ndërmend të bënte një krahasim tematiko-tipologjik ndërmejt eposit homerik dhe epikës legjendare shqiptare. Për këtë shkuam në Shkodër dhe atje, sipas adresës që na kishte dhënë Qemal Haxhihasani, në afërsi të Konviktit “Tom Kola” gjetëm Mirash Ndoun, një nga rapsodët më të mirë. Mirashi ishte nga Gjocajt e Shoshit (Dukagjin) dhe Qemali e kishte njohur vite më parë atje, ku kishte qëndruar me javë të tëra, pastaj kishte zbritur në qytet, meqë ishte i vetëm, pa fëmijë dhe nuk kishte se çfarë të bënte më në malësi. Ato ditë që Mina punoi në Shkodër me rapsodin Mirash Ndou më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë për disa arsye. Së pari, sepse pata edhe një rast më shumë për të qëndruar dy javë të tëra duke dëgjuar dhe regjistruar këngë kreshnikësh që Mirashi i këndonte me lahutë e me një mjeshtëri të rrallë. Sa herë më merr malli për të hap kompjuterin dhe gjej në internet këngën “Ajkuna qan Omerin” ose “Ashik Imeri e Begzadja e bardhë”, që Mirashi i këndonte aq bukur e duke i shoqëruar me lahutë, së cilës i binte në mënyrë shumë shumë origjinale. Së dyti, sepse Mina nuk ishte një studiuese dosido, por një njohëse e thellë e eposeve të popujve të ndryshëm dhe kishte edhe një metodë kërkimore shumë të rreptë e interesante. Ajo kishte studiuar për shumë vjet Eposin Homerik dhe kishte fituar me atë studim medaljen e artë të Universitetit të Kopenhagës. Në vijim të studimeve krahasuese për eposin evropian e më gjerë, kishte ardhur të studionte nga afër eposin shqiptar, sidomos këngët e kreshnikëve dhe synonte të mbërrinte edhe në disa përfundime e përgjithësime nga përsiatja e krahasimi i tyre. Para dy a tri vjetësh, Mina, krejt lëndën që kemi regjistruar gjatë asaj ekspedite,të shoqëruar me tejshkrimin që kemi bërë së bashku i ka futir në internet dhe përbëjnë një burim të vlefshëm e të rëndësishëm për Eposin e Kreshnikëve.

    Dhe, për ta mbyllur, mund të them se ekspeditat janë me kujtimet më të paharrueshme dhe sa herë shfletoj fletoret e shënimeve të asaj kohe, kujtoj emrat dhe fytyrat e personave që na kanë treguar pa ngurrim fjale e frazeologjizma dhe që na kanë pritur me bujari e respekt të madh.

    A.D.: Në biseda me miq, vërej se mes tyre, tipare gjuhësore të anglishtes janë futur dhunshëm në mënyrën se si flasin, në disa rafshe, kryesisht në atë leksikor dhe sintaksor. Mendoni se shqipja mund të përmbushë nevojat e komunikimit në epokën e sotme, pa pas’ nevojë të marrë ad literarum fjalë nga gjuhë të tjera si dhe, a shihni një kërcënim të identitetit tonë gjuhësorë kur në vend të “Mund të më sjellësh një kafe?” dëgjoni se thuhet “Mund të kem një kafe?”, përkthim drejtpërdrejtë i “Can I have a coffe?”  të anglishtes?

    Gj.Sh.: Po ju përgjigjem duke parafrazuar fjalët e këngës popullore shkodrane që thotë: “Ke me u pendue, por athëherë ka me kenë vonë…”. Shoqëria shqiptare po e paguan shtrenjt lirinë e shprehjes dhe kjo duket sidomos në dy aspekte të qëndrimit ndaj shqipes: gojështhurja dhe rendja pas fjalëve të huaja, të panevojshme, po shpesh edhe të pakuptueshme. Gjuha e reklamës i ka eklipsuar fjalët e bukura shqipe dhe është zëvëndësuar me fjalë të huaja. Hap televizorin (në të gjitha kanalet) dhe përballesh me një shqipe që nga dita në ditë po mbushet me fjalë të huaja   e gjithnjë e me pak fjalë shqipe.Televizionet të duket sikur janë venë në garë t’i zëvendësojnë  fjalët e bukura shqipe me fjalë të huaja, madje edhe të vështira, aq sa shpesh edhe i shqiptojnë gabim.

    Shtimin e gazetave  dhe të kanaleve të reja radio-televizive, gjuhësia shqiptare i ka përshëndetur dhe i ka vështruar gjithmonë më dashamirësinë dhe me dëshirën e mirë që ato, të gjitha sa janë, veç e veç e së toku, pavarësisht nga dallimet në idetë, pikëpamjet dhe problematikat që trajtojnë, përsa i takon gjuhës, pasurisë, pastërtisë dhe përpunimit të kujdesshëm të saj, që të gjitha, njësoj sikur të ishin një organ i vetëm, duhet të jenë në të njëjtën vijë përbashkuese e përnjësuese. Dëshira e gjuhëtarëve, po edhe e çdo shqiptari të ndershëm, që e do gjuhën e vet dhe ka dëshirë që shqipja e shqiptaria të rrojnë në jetë të jetëve, krahas e në harmoni me gjuhët e kulturat e tjera, lakmon dhe kënaqet nëse në faqet e gazetave e revistave që blen çdo ditë do të ketë lajme dhe shkrime  të atilla që shpien në hullinë e komunikimit pa shtrembërime, pa mllefe të tepërta dhe, mbi të gjitha, sa më pranë shpirtit dhe problemeve të njerëzve e të thëna shqiptarisht.Kur them shqiptarisht kam parasysh jo vetëm të shkruarit shqip e bukur, por edhe të shprehurit duke zbatuar traditën e moçme e gjithmonë të pavjetërueshme të etnografisë së të folurit të shqiptarëve: me fakte, por pa sharje, me prova, por pa mllefe e teprime, pa fjalë të huaja të panevojshme, po edhe pa fjalor rruge, pa zhargone e mënyra të thëni të pakrehura që e tëhuajësojnë lexuesin. Natyrisht, në gazetë do të flitet edhe për problemet e rrugës, për ndodhitë e lajmet që u përkasin shqetësimeve e bëmave të njerëzve të thjeshtë, kur është rasti edhe për ata që kryejnë krime, por jo me gjuhë rruge. Do të jetë në të mirën e kulturës sonë kombëtare që të gjithë ata që drejtojnë dhe punojnë në organet e shtypit shqiptar, bashkë me politikën, institucionet shtetërore dhe private të mendojnë më shumë para se të shkruajnë e të flasin, të kenë kujdes dhe përgjegjësi për drejtshkrimin e kulturën e gjuhës. Të mendojmë se çfarë do të thonë, por edhe se si do ta thonë. Naim Frashëri, bilbili i shqipes, na porosiste: “Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”, ndërsa sovrani i gazetarisë dhe i stilit të bukur, Faik Konica, i lutej Zotit me këto fjalë që nuk vyshken kurrë: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë  përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”

    Tiranë, 17 maj 2022


    [1]   ”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.

    [2]  Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.

    Lajmi Paraprak

    Nesër pritet të ulen çmimet e ushqimeve bazë për shtatë denarë

    Lajmi i rradhës

    Diplomacia kulturore, si një zgjidhje për imazhin e rrënuar të Shqipërisë

    Lajme tjera

    DËSHIRA PËR JETËN

    Poezi nga: Aboul-Qacem EchebbiPërktheu: Maks Rakipaj Nëse, ndonjë ditë, njerëzve do t’u vijë dëshira për jetënatëhere edhe fati…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë