GOMARI I BABATASIT (METAMORFOZA)

    Gjergj Fishta

    Ju rrugaça sallahana
    vagabonda shakllabana
    rriçna t`ndyet, mikrobe të kqi
    qi të mjerës moj Shqipni
    kthelltë hi i keni në mushkni
    pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
    por der kur, bre batakçi!
    Bre coftina, kalbe mbi dhè
    der kur ju, tu tallë npër ne,
    do t`na qelbi fis e atdhè?
    Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
    se tash ma jemi tue u njoftë,
    se kush jini e shka jini
    se kah shkoni e se kah vini
    plang e shpi se kah i kini
    e sa pare u ban gjaku:
    se për ju, po, duhet laku,
    për me u vjerrë o kund m`do i shpat!
    Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
    me `i gjysmë setre t`pa astar,
    lshuemum krahve kalavar
    e me `i komçë t`njtitme nën grykë:
    pantallonat me “gjyslykë”
    kto edhe lidhun me nji spagë:
    shtatit rreshke e ba saragë,
    t`tanë gordec e berbalec
    pa ndo `i msim, pa ndonji dije,
    me `i fillore a nji iptadije,
    erz e shpirt qitun nën themër:
    turq a sllave a grek me zemër,
    falun barkut veç Shqipnisë,
    si ajo marrja e t`gjith njerzisë…
    tuj u shite ju për gjithë treg,
    sod na mbahi “Skandërbeg”,
    e ngërdhucë, goditë, limue,
    rrue, qethë, pipirique,
    tash n`”smoking”, tash në “bon-jour”
    ju, qi dje s`kishit as ushkuer
    me lidhë brekët me nder me thanë
    m`sahan t`huej gjithmonë me ngranë,
    rrugën krejt na e keni zanë,
    ke na shkoni pash e m`pash,
    edhe besa me “gulash”
    me “afishe” e me “sultjash”,
    me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
    “kosha gjelash” si kubure,

    “tarator”, “pilaf me kos”,
    “mish me qepe” e “majdanos”
    “shish qebap”, “brizholla viçi”,
    “kunguj t`mbushum”, “kuzuici”,
    “kabuni”- e “mualebi”.
    Barku sod ju rri ju kodër,
    kargatisë e bamun lodër:
    der sa ata burrat e dheut,
    qi për jetë e nderë t`Atdheut
    kane ra n`luftë si shqipe t`leta,
    kanë shkri gja e shpija t`veta,
    kanë tuj dekë rrugave unit,
    me iu dhimbë gurit e drunit.
    Përse, po, kta matrahulla,
    kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
    n`vend qi ju me u vu n`konop,
    a se brinjt m`jau zbru me shkop,
    a, mos tjetër, me u ngushtue
    me xjerrë zhuri kund m`ndo `i prrue
    për me shtrue ndo `i rrugë të shtetit
    a me dlirë ndo `i skelë detit,
    lavjerre buzësh, harru si viça
    kqyrin m`ju si t`ishi ogiça,
    për me u pri udhës s`qytetnisë
    e me i sjellë t`marën Shqipnisë.
    Ani kush, pra, me i pri kombit:
    ju, do pyka bijtë prej llomit
    qi “shqiptarë” vedit i thoni,
    jo pse ju Shqipninë e doni,
    jo pse ju ndo `i send kuptoni
    shka asht Atdheu e shka asht Liria,
    shka asht Vllaznija a Parasija,
    Përparimi e Qytetnia,
    por veç pse ende der më sot
    nji tyran s`po e gjeni dot,
    nën kambë t`cillit ju me u shtrue,
    se un ma tash ma jam regjë me jue,
    e jau njof shpirtin der m`palc,
    pleh i ndytë me u bartun n`shalc
    e me u qitë jashta Shqipnije.

    Lajmi Paraprak

    Thashethemet si viruset

    Lajmi i rradhës

    Kriza energjetike do të zgjasë deri në muajin qershor të vitit 2022 | Qeveria nuk di si të përballet me krizën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë