Kriza energjetike do të zgjasë deri në muajin qershor të vitit 2022 | Qeveria nuk di si të përballet me krizën

    EMV-ja shtetërore nesër nuk do të dorëzojë ofertë për tenderin e EVN Home për rrymë, që duhet ta marrin amvisëritë nga Viti i Ri. Edhe pse afati për tenderin e tretë skadon nesër, qeveria nuk ka marrë ende një vendim për çmimin me të cilin termocentralet shtetërore do t’i shesin energjinë Furnizuesit Universal për amvisëritë. Nga EMV për Alsat thanë se janë ende duke punuar në përcaktimin e çmimit, dhe janë në kërkim të një mundësie për të mbuluar nevojat për energji të familjeve për vitin e ardhshëm. Por, ata thonë se nuk janë të sigurt se do të arrijnë ta bëjnë.

    EMV

    “Kërkohet zgjidhje për të vendosur çmim që nuk do të shkaktojë goditje të madhe të çmimit, e që megjithatë do ta ruajë stabilitetin e kompanisë.”

    Se gjendja është më se e rëndë, tregon edhe vendimi i sotëm i Qeverisë, e cila kërkon nga deputetët që në gjashtë muajt e ardhshëm të vazhdohet gjendja e krizës me energjinë në Maqedoni. Autoritetet pranojnë se ka reduktim të prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe rrymë të shtrenjtë që e blejnë në bursa, por tani për tani nuk bëjnë të ditur se me çfarë çmimi do t’ia shesë EMV-ja shtetërore energjinë Furnizuesit Universal që përdoret nga amvisëritë.

    “Çmimet e energjisë në bursat botërore janë vazhdimisht në rritje, po ashtu ka edhe mungesë të energjisë elektrike, andaj të gjitha këto aspekte do të merren parasysh kur të merret vendimi”- deklaroi Dushko Arsovski- zëdhënës i Qeverisë.

    Qeveria nuk di si të përballet me krizën energjetike në vend, akuzon VMRO-DPMNE-ja. Opozita bëri thirrje që të sigurohen mjete për të gjitha komunat që janë përballuar me ndërprerjen e kontratës nga furnizuesit që nga fillimi deri në fund të krizës energjetike.

    “Fillimisht kërkojmë të parashikohen 250 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe kompanitë për t’u penguar tronditje tjera nga çmimet dhe inflacioni”- pohoi Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE.

    Paralajmërimet e para për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga 9% tashmë u rritën dyfish. Tani flitet për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 20%, por ende nuk ka konfirmim zyrtarë për këtë informatë. Gjithashtu spekulohet se nga janari Qeveria do e heqë edhe tarifën e lirë për energji elektrike. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    GOMARI I BABATASIT (METAMORFOZA)

    Lajmi i rradhës

    85 për qind e qytetarëve të Kinës do të flasin gjuhën mandarine deri më 2025

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë