Nga: Aziz Nesin
Përktheu: Edmond Andrea Shallvari
Hesht, mos fol, është turp, ndale zërin tënd, hesht,
Dhe për më tepër, nëse fjala është argjend, heshtja është ar.
Fjalët e para, fjalitë e para, që dëgjova si fëmijë,
qaja, qeshja, luaja, dhe më thoshin: “Pusho!”
Në shkollë më fshehën gjysmën e së vërtetës,
dhe më thoshin: “Ty ç’të duhet? Hesht!”
Më puthte djali i parë që dashurova dhe më thoshte:
“Shiko të mos thuash asgjë dhe hesht!”
Ndale zërin tënd dhe mos fol, hesht.
Dhe kjo zgjati deri në të njëzetat e mia.
Fjala e të mëdhenjve, heshtja e të vegjëlve.
Shihja gjak në trotuar,
“Ç’të duhet ty?” më thoshin,
“Do gjesh belanë, asnjë fjalë, hesht”
Më vonë, shefat bërtisnin:
“Mos e fus hundën kudo,
bëj sikur nuk kupton dhe hesht”
U martova dhe bëra fëmijë dhe i mësova të heshtnin.
Burri im ishte i ndershëm dhe punëtor dhe dinte të heshtte.
Kishte një nënë të urtë, që i thoshte: “Hesht”
Në kohë të vështira, fqinjët më këshillonin:
“Mos u përziej, bëj sikur nuk pe gjë dhe hesht”
Nuk kishim ndonjë miqësi të madhe,
por na bashkonte, “Hesht”
“Hesht” njëri, “Hesht” tjetri,
“Hesht” ata lart, “Hesht” ata poshtë,
“Hesht” i gjithë pallati dhe e gjithë lagjja.
Hesht rrugët vertikale dhe rrugët paralele.
E gëlltitëm gjuhën tonë. Goja është, por zëri mungon.
Krijuam shoqatën e “Heshtjes” dhe u mblodhëm shumë,
një qytet i tërë, një fuqi e madhe, por e shurdhër!
Arritëm shumë dhe shkuam lart, na dhanë edhe medalje,
Dhe të gjitha shumë lehtë, vetëm me, “Hesht”.
Një mjeshtëri e madhe kjo, “Hesht”.
Mësoje atë te fëmijët e tu, te gruaja dhe te vjehrra,
Dhe nëse ndien nevojën të flasësh, shqite gjuhën tënde dhe bëje të pushojë.
Prije nga rrënja. Hidhe te qentë.
Organ i pavlerë, që nga momenti kur nuk e përdor si duhet.
Kështu nuk do të kesh makthe, pendesa apo dyshime.
Nuk do të të vijë turp nga fëmijët e tu dhe do të shpëtosh
Nga barra e të folurit pa folur, duke thënë:
“Keni të drejtë, jam me ju”
Ah! Sa do doja të flisja, i gjori unë.
Por jo, nuk do të flasësh, do të bëhesh llafazan,
Do të llomotitësh në vend që të flasësh.
Prije gjuhën tënde, prije menjëherë.
Nuk ke më hapësirë. Bëhu memec.
Meqë nuk do të flasësh, më mirë guxo.
Prije gjuhën tënde, që të jesh të paktën i drejtë.
Në planet dhe ëndrrat e mia,
mes ngashërimeve dhe shpërthimeve, e mbaj gjuhën time,
sepse besoj se do vijë çasti kur nuk do duroj më,
kur do shpërthej, nuk do kem frikë dhe do shpresoj.
Dhe në çdo moment,
do ta mbush fytin tim me një tingull,
me një pëshpëritje, me një belbëzim,
me një britmë që do më thotë:
“Fol!”