DISA PYETJE PËR MINISTREN E KULTURËS, BISERA KOSTADINOVSKA – STOJÇEVSKA

    Ahmet Selmani

    Pas shpalljes së rezultateve për financimin e projekteve me interes nacional për vitin 2024 nga ana e Ministrisë së Kulturës të RMV-së, nuk mund të qëndrosh gjakftohtë përballë degradimit, diskriminimit, shpërfilljes dhe refuzimit të shumë projekteve të rëndësishme, në njërën anë, dhe, favorizimit të pamerituar e të turpshëm të shumë projekteve të tjera që janë miratuar.

    Pa dashur që të fyej askënd, madje duke pasur respekt të veçantë për shumë autorë, librat e të cilëve janë miratuar për botim, e ndjej të nevojshme t’i bëj publikisht disa pyetje ministres së Kulturës të RMV-së, zonjës Bisera Kostadinovska – Stojçevskës.

    E para, zonja ministre, në bazë të cilit kriter i keni emëruar dy anëtaret shqiptare të komisionit, Flutur Beluli dhe Nertila Pitarka?

    Cili është bagazhi ose kompetenca e tyre profesionale në këtë fushë?

    E dyta, zonja ministre, a e keni ditur se Flutura Beluli është kushërirë e zëvendësministres së Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Ekonomisë së Ujërave, Vjollca Berisha, profesoreshës së letërsisë në Universitetin e Tetovës e cila mbase nuk e ka problem të futet edhe në bujqësi, në pylltari dhe në ekonomi të ujërave?

    E treta, zonja ministre, a e keni të qartë se kjo anëtare e komisionit, pra kushërira e zëvendësministres në fjalë, në mënyrë të paturpshme i ka ndarë mjete pikërisht edhe shtëpisë botuese “Syth” e cila është e Vjollca Berishës, gjë që në aspektin ligjor paraqet konflikt interesi?

    E katërta, zonja ministre, a e keni të qartë se komisioni e ka degraduar e fyer rëndë një revistë letrare siç është “Juvenilja”, duke i ndarë vetëm 68,568 denarë (për katër numra), revistë e cila pa dyshim është më e mira dhe më elitarja që kanë pasur shqiptarët deri më sot? Dhe, nga ana tjetër, ka financuar plot fletushka e shkarravina që nuk meritojnë asnjë denar?

    E pesta, zonja ministre, a e keni të qartë se anëtarja e komisionit, pra kushërira e Vjollca Berishës, kryesisht i ka financuar projektet e klanit ‘Shend e verë”, pronare e së cilës është pikërisht Vjollca Berisha?

    E gjashta, zonja ministre, a e dini se çfarë degradimi i ka bërë ky komision Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve duke i ndarë shuma qesharake për projektet e tij? Ndërkaq, nga ana tjetër, ka miratuar me dhjetëra e qindra projekte që s’kanë asnjë vlerë?

    E shtata, zonja ministre, në fund po ju pyes pa asnjë modesti, në bazë të cilit kriter këto anëtare shqiptare, të cilat i keni emëruar ju, e kanë refuzuar librin tim, të cilin ka dhjetë vjet që po e shkruaj?

    Është hera e parë që, pas 30 vjetësh, pas financimit të dhjetëra librave të mi nga fusha e letërsisë, kritikës letrare, eseistikës, publicistikës dhe përkthimit, refuzohet një projekt imi pikërisht nga dy anëtaret shqiptare në fjalë, të cilat i keni emëruar pikërisht ju. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kallëzim penal për një polic që ushtroi dhunë të paautorizuar ndaj një qytetari

    Lajmi i rradhës

    Ministrat e krahut të Taravarit u shkarkuan

    Lajme tjera

    Spiuni

    EDISON YPI Diktatori ishte larg, ishte i paarritshëm, i padukshëm. Ai që të kallte tmerrin ishte hija që…
    Më tepër

    Pse njerëzit bërtasin?

    Një ditë, një mendimtar indian pyeti dishepujt: “Pse njerëzit bërtasin kur ata janë të zemëruar?”. “Bërtasin për shkak…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë