Ibrahim Kodra, piktori që edhe firma i mbetet vepër arti

    Jurgis Çyrbja

    “Incluso su firma es una obra de arte.” (Edhe firma e tij është vepër arti.) tha Pablo Picasso për Ibrahim Kodrën, piktorin më të rëndësishëm shqiptar të njohur ndërkombëtarisht.

    Ibrahim Kodra lindi më 22 prill 1918, në Ishëm, në qarkun e Durrësit, ku sot është edhe vendi i tij i prehjes. Artisti me famë botërore, krenaria e kombit tonë na la pas rreth gjashtë mijë vepra si një trashëgimi e jashtëzakonshme jo vetëm për artin shqiptar, por edhe artin botëror, pasi figura e tij emblematike konsiderohet ndër më të rëndësishmit në artin e shekullit XX.

    Ibrahim Kodra ekspozoi veprat e veta anembanë botës, në galeritë më prestigjoze përkrah gjigantëve të artit, si: Pablo Picasso, Henri Mattise, Marc Chagall, Salvador Dali, Georges Braque e shumë kolosë të tjerë të artit, me disa nga të cilët nuk ishte vetëm bashkudhëtar në rrugëtimin artistik, por kishte edhe miqësi të ngushtë dhe me ndikim.

    Ibrahim Kodra ishte post-kubist, në formimin artistik të së cilit pati shumë ndikim kubizmi i Pablo Picassos, sidomos pas miqësisë së ngushtë që lindi mes tyre në Romë në vitin 1948. Gazeta të kohës shkruanin për Picasson bashkë me Kodrën, duke e konsideruar shqiptarin si “post-kubisti i fundit në Evropë.”

    Por, arti i Kodrës ndryshonte në natyrë dhe emocion nga kubizmi tipik i figurave që e themeluan këtë stil arti, të cilët fokusoheshin më shumë në tredimensionalen dhe thellimin e perspektivës lineare e atmosferike dhe natyrën e brendshme njerëzore. Kodra e përdori kubizmin si stil bashkëkohor të ndërthurur me natyrën, traditën, ngjyrat dhe emocionet shqiptare.

    Te veprat e tij dallohen qartë kostumet dhe veshjet shqiptare, natyra karakterizuese e popullit të tij, e madje edhe peizazhet, qoftë tablo të tëra apo edhe në sfond ngjasojnë me vendlindjen e tij, Ishmin, bregun tjetër të Adriatikut, nga Italia ku ai jetonte.

    Ndaj edhe Picasso e quante ushqim për shpirtin miqësinë që ai kishte me Kodrën. “Shqiptari im” i referohej Picasso gjatë bisedave të tyre të gjata. Të gjithë artistët e mëdhenj të kohës, gjatë bisedave me Kodrën përpiqeshin ta njihnin e ta imagjinonin Shqipërinë e tij, përmes bisedave të Kodrës e padyshim përmes elementëve folklorik që gjendeshin në telajot e Kodrës të cilat ishin edhe ilustrime të kujtimeve të fëmijërisë në Ishëm dhe mallit për Shqipërinë e tij.

    Përmes artit të tij, Ibrahim Kodra u bë ambasadori i denjë i Shqipërisë në botë, pasi tablotë e tij gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti italian) në galeri e muze të njohur, dhe koleksione private në të gjithë skajet e botës.

    Poeti i madh francez, Paul Eluard, në faqet e “Unité” në vitin 1946 e quajti Kodrën “primitivi i një civilizimi të ri,” dhe me primitiv nënkuptonte art të kulluar në një botë të re e moderne. Primitivizmi që ai pikasi herët përmes stilit modern, apo mënyrën ekspresioniste të të menduarit dhe të jetuarit, nuk ishte gjë tjetër veç një primitivizëm që vinte nga rrënjët e tij, nga vendlindja e tij Ishmi.

    Origjina nga një vend mesdhetar, me bregdet e terren porsi një tavernë e Adriatikut, por me kulturë unike, thuajse një botë e re në vetvete, ishte shtysa dhe burimi nga ku rridhte një element i ri artistik që manifestohej një formë e re krijuese, ndaj edhe Eluard e vlerësoi duke shtuar se “Ibrahim Kodra është babai i një qytetërimi të ri botëror.”

    Kodra arriti ta vizitonte Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003, e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në varrin në Ishëm, në vendin që e deshi aq shumë.

    Sot, njësia Administrative e Ishmit, përveçse një mrekulli natyrore e historike, me peizazhe dhe plazhe përrallore, me vlera të jashtëzakonshme historike dhe shpirtërore, si Bazilika dhe Kalaja e Gjuricajt, Kepi i Rodonit etj., është edhe vendi i prehjes së artistit tonë të madh, i cili edhe sot thërret për një pelegrinazh artistik e frymëzues artistë bashkëkohorë të huaj e shqiptarë.

    Pak kohë më parë u takova me artistin bashkëkohor, Agron Hoti, i konfirmuar ndërkombëtarisht në qarqet krijuese me ekspozita në Nju-Jork, Paris, Shangai, Kazablanka dhe Tel-Aviv, me të cilin, teksa vizituam varrin e mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, diskutuam mbi idenë e realizimit të një ekspozitë me veprat e Kodrës, pranë vendit ku prehet në paqen e përjetshme.

    Kjo do t’i jepte edhe më shumë vlera zonës, sa i përket njohjes së Kodrës nga brezat e ri, por edhe vetë Ishmit atë vend që meriton në histori e art, duke lartësuar veprat e figurave që bënë historinë, e në veçanti Ibrahim Kodrës, figurës madhështore të artit botërore i cili vazhdon dhe na bën krenar si komb e si shqiptarë përmes emrit dhe veprave të tij që na la si trashëgimi. /Gazeta “ExLibris”/

    Lajmi Paraprak

    Manual për një karrierë të suksesshme në administratë dhe akademi

    Lajmi i rradhës

    Korrupsioni i nacionalizmit paranojak

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë