Ilaçi është varfëria

    Goffredo Parise

    Ky artikull është marrë nga rubrika që mbante autori në gazetën “Corriere della sera” nga 1974 deri më 1975. Gjendet në antologjinë “Dobbiamo disobbedire”, nën kujdesin Silvio Perrella-s, shtëpia botuese Adelphi. Ky artikull, i botuar më 30 qershor 1974, përfaqëson për ne sot – përfshirë mediat që nuk mirëpresin me rreshta të tillë kundër rrymës – një shpullë ndaj inercisë sonë.

    ***

    Kësaj radhe nuk do të përgjigjem ad personam, do t’u flas të gjithëve, por në veçanti lexuesve që kanë qortuar ashpërsisht dy fjali të miat: “të varfrit kanë gjithmonë të drejtë”, e shkruar muaj më parë, dhe “ilaçi është varfëria, të kthehemi mbrapa. Po, le të kthehemi mbrapa”, e shkruar në artikullin tim të fundit.

    Herën e parë më shkruan që jam thjesht “komunist”, ndërsa disa lexues të majtë me akuzuan për të dytën herë që bëj lojën e të pasurve dhe inatosen me mua për urrejtjen time ndaj konsumizmit. Thonë që edhe klasat me pak të pasura kane të drejtë “të konsumojnë”.

    Lexues të tjerë, që po i quaj të djathtë, përdorin logjikën vijuese: pa konsum nuk ka prodhim, pa prodhim ka papunësi dhe rrënim ekonomik. Si nga njëra anë dhe nga tjetra, për arsye demagogjike dhe pseudo-ekonomike, të gjithë janë dakord që konsumi është mirëqenie, e unë u përgjigjem me titullin e këtij artikulli.

    Vendi ynë është mësuar të besojë që është (pa qenë në të vërtetë) shumë i pasur në të gjitha nivelet sociale, sepse konsumi dhe shpërdorimi nivelojnë klasat dhe ndryshimet sociale zhduken, kësisoj zhduket edhe kuptimi më i thellë dhe historik i “klasave”. Ne nuk kufizohemi te konsumimi obsesiv: ne sillemi si të uritur neurotikë që sulen drejt ushqimit (konsumit) në mënyrë të neveritshme. Spektakli i restoranteve është i padurueshëm. Sasia e ushqimit është e pamasë, ashtu si rritja e çmimeve. “Ideologjia” jone nacionale, sidomos në Veri, është e përberë prej kapanonëve plot me njerëz që sulen mbi ushqimin. Kriza? Ku shihet kriza? Dyqanet e rreckave janë plot, e nëse benzinës do t’i dyfishohej çmimi, të gjithë do ta blinin. Flitet për të blerë me shumicë ushqime e rroba. Kjo është sot ideologjia jonë. Dhe tani, shkojmë te varfëria. Varfëria nuk është mjerim, siç mendojnë lexuesit e mi të majtë. Varfëria nuk është “komunizëm”, siç mendojnë kundërshtuesit e mi të djathtë.

    Varfëria është një ideologji, politike dhe ekonomike. Varfëri është të gëzosh të mira minimale dhe të nevojshme si ushqimi i nevojshëm dhe jo i tepërt, rrobat e nevojshme, shtëpinë e nevojshme dhe jo të tepërt. Varfëri dhe nevoje kombëtare janë mjetet publike të bartjes (të lëvizjes); i nevojshëm është shëndeti i këmbëve në mënyrë që të eci, e tepërt është makina, motoçikleta apo barkat e famshme dhe budallallepsëse.

    Varfëri do të thotë, mbi të gjitha, të kuptosh (edhe në mënyrë ekonomike) atë se çfarë po blen, raportin e cilësisë me çmimin: domethënë të dish të zgjedhësh mirë dhe me kujdes atë që po blen sepse është e nevojshme të njohësh cilësinë dhe përbërjen e objekteve të nevojshme. Varfëri do të thotë të refuzosh blerjen e plehrave, gënjeshtrave, gjerave që nuk durojnë e nuk janë bërë për të duruar në kohë falë ligjit budallalepsës të modës e të ndërrimit të konsumeve për të mbajtur apo shtuar prodhimin.

    Varfëri do thotë të shijosh (jo thjesht të gëlltitësh në mënyrë neurotike e të bindur) një ushqim: bukë, vaj, domate, makarona, verë, që janë produktet e vendit tonë; duke mësuar të njohësh këto produkte, mëson të dallosh gënjeshtrat e të protestosh, të refuzosh. Varfëri do thotë, me pak fjalë, edukim elementar mbi gjërat që janë të nevojshme e të këndshme për jetën. Shumë vetë nuk dine të dallojnë leshin nga najloni, linin nga pambuku, viçin nga lopa, budallain nga inteligjenti, simpatikun nga antipatiku, sepse kultura jonë është njëtrajtshmëria e sheshtë  e fytyrave dhe zërave të gjuhës televizive. I gjithë vendi ynë, që ishte bujqësor e zejtar (domethënë i mençur), nuk di më të dallojë asgjë, nuk ka edukatën elementare të gjerave sepse nuk ka më varfëri.

    Vendi ynë vetëm blen. Beson në mënyrë idiote një program në televizion (shih programin e fli gjumë, është lutja jonë) dhe nuk u beson syve të vet, mendjes së vet, shijes së vet, duarve të veta apo parave të veta. Vendi ynë është thjesht një treg i madh neurotikësh, të gjithë njësoj, të pasur e të varfër, që blejnë, blejnë pa njohur asgjë e pastaj e hedhin poshtë e blejnë sërish. Paraja nuk është më mjet ekonomik, i nevojshëm për të blerë apo shitur gjera të nevojshme për jetën, për t’u përdorur me nikoqirllëk e dorështrënguar. Jo. Paraja është diçka abstrakte e fetare në të njëjtën kohë, qëllim, investim, si të thuash: kam para për të blerë rroba, sa i zoti jam, sa e arrirë qenka jeta ime! Këto para duhet të shtohen, duhet të bien nga qielli ose nga bankat që deri dje e jepnin hua në një vorbull hipotekash (dikur i quanin borxhe) e japin iluzionin e pasurisë që në të vërtetë është skllavëri. Vendi ynë është plot me njerëz që gëzohen nga hyrja në borxh sepse valuta do të zhvlerësohet dhe borxhet do të kushtojnë më pak me kalimin e kohës.

    Vendi ynë është dyqan leckash të panevojshme (sepse janë lecka edhe pse janë të modës së fundit), të kushtueshme dhe të detyrueshme. Le ta ngulin mirë në kokë kundërshtuesit e majtë e të djathtë, “te etiketuarit” që etiketojnë e më shkruajnë në terma gjuhësorë komplet të njëjtë, që kjo gjë vlen edhe për ideologjitë.

    Asnjëherë nuk kemi pasur kaq shumë shpërdorim të kësaj fjale, e reduktuar – për shkak të mungesës së veprimit – jo vetëm në ajër sa për t’i dhënë frymë gojës, por edhe në objekt të një konsumi të tepërt.

    Të rinjtë blejnë ideologjinë në tregun e leckave ideologjike njësoj si blejnë blue jeans-e në tregun e leckave sociologjike (domethënë për detyrim, për diktaturë shoqërore). Të rinjtë nuk njohin asgjë, nuk njohin cilësinë e gjerave të rëndësishme sepse prindërit e tyre e përbuzën në euforinë e mirëqenies. Të rinjtë e dinë që kur arrin një farë moshe (e tyre) ekzistojnë detyrime shoqërore e ideologjike të cilave, natyrisht, është detyrim t’u bindesh, nuk ka rëndësi cila është cilësia apo nevojshmëria e tyre reale; e rëndësishme është shpërndarja. Ka të drejtë Pasolini kur flet për një fashizëm të ri që nuk e ka njohur historia. Në tregun e neveritshëm të shpërdorimit ekziston edhe snobizmi ideologjik e politik që shërbehet e vetëshpallet si elitar, si diferenca dhe diferencimi nga tregu ideologjik i masave që përfaqësohet nga partitë tradicionale në qeveri apo në opozitë. Detyrimi mondan imponon butikun ideologjik e politik, lëvizjet, këto budallallëqe si Franca e 1968. Sot, më snobët ndër ta, janë disa kriminelë pa dallim, bij të varfër e të dëshpëruar të konsumizmit.

    Varfëria është e kundërta e gjithë kësaj: është të njohësh gjërat për nevojshmëri. E di që po bëhem heretik për masën e deleve konsumatore të gjithçkaje duke thënë që varfëria është edhe shëndet fizik e shprehje e vetes, edhe liri e pëlqim estetik: të blesh një objekt sepse të emocionon cilësia e përbërjes së tij, forma që zë në hapësirë.

    Për ideologjitë vlen i njëjti rregull. Zgjedhim një ideologji sepse është më e bukur (përveçse me korrekte, siç thotë gjuhësia e tregut të rreckave gjuhësore). Madje e konsiderojmë të bukur sepse është e drejtë dhe është e drejtë sepse i njohim cilësinë reale. Uniforma e Ushtrisë së Kuqe e projektuar nga Trocki në 1917 me pardesynë prej leshi të ngjeshur deleje gri me jeshile, bereta me majë dhe ylli i kuq i qepur me dorë në ballë jo vetëm që ishte e drejtë (atëherë) dhe revolucionare e popullore, por ishte edhe më e bukur se çdo uniforme që kanë pasur ndonjëherë sovjetikët. Sepse ishte e bukur dhe e nevojshme.

    Varfëria është një cilësi e veçantë një mijë herë me e pasur se pasuria. Më mirë të mos e nxjerrim në shitje edhe atë, si blue jeans-et me copa të ngjitura te të prapmet që kushtojnë një thes me para. Le ta mbajmë si një të mirë personale, pronë private, pasuri, kapital: i vetmi kapital kombëtar që, jam thellësisht i bindur, do ta shpëtojë vendin tonë.

    Hyrja dhe përkthimi: Paula Grabovaj

    Marrë nga Globalist

    Lajmi Paraprak

    Dy anët e lirisë

    Lajmi i rradhës

    Momenti kur gazetarja e BBC ‘pushtohet’ nga bora derisa po raportonte në Washington DC

    Lajme tjera

    Varret pa të vdekur

    Tregim nga Binak Kelmendi Dielli sa nuk kishte perënduar, s’e kishte as një konop samari për t’u fshehur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë