Arlind Qori
Vërtet gjithçka është çështje imazhi! Vetëm se…a thua imazhi të kuptohet sipas rezonancës thuajse hegjemone të ligjërimit politik zyrtar, për të cilin ka vlerën e buzëkuqjes së të dukurit trendy? Po ja nis mërzitshëm, d.m.th. teorikisht. Që prej Platonit, filozofikisht imazhi ka gëzuar rëndom namin e keq e të qenurit kopje e pabesë e dredharake e realitetit. Madje kritikë të sistemeve politiko-shoqërore shtypëse kanë zbuluar rrënjët e manipulimit propagandistik në humnerën që ndan realitetin nga imazhi që krijohet prej sundimtareve për t’u vetëlegjitimuar. Kështu, imperativ kritik dhe emancipues do të ishte gërryerja e imazhit çorientues e shikimi i realitetit, thuajse gjithmonë shtypës, në sy. Kjo është njëra rrugë, por jo e vetmja e mbase jo më ndihmësja në kuptimin e rolit dhe fuqisë dyjare të imazhit, pra si forcues i situatës politiko-shoqërore shtypëse nga njëra anë dhe potencialit çlirues në të kundërt.
Afërmendsh, imazhi nënkupton mënyrën si dukemi, e në rastin e shoqërisë si ngjan kjo e fundit jo vetëm në sytë e të tjerëve, por edhe e mbi të gjitha të vetes. Më politikisht, imazhi nënkupton tërësinë e botëkuptimit shoqëror mbi vlerat, besimet, ardhmërinë politike etj që shoqëria sheh në vete e i paraqet të tjerëve në të njëjtën kohë. Imazhi ndërtohet përmes praktikave ligjërimore me anë të së cilave shoqëria identifikohet dhe i jep kuptim rolit të saj, sidomos atij politik. Meqenëse praktikat ligjërimore përcaktojnë elementet simbolike e konceptuale që i mundësojnë shoqërisë të vetëkuptohet, imazhi që kjo e fundit ka për veten nuk mund të mendohet thjesht si pasqyrim herë i rremë e herë autentik i bërthamës identitare, por si mënyrë e përkufizimit të realitetit, e ndërtimit të tij. Meqë thelbi nuk mishëron gjë tjetër veç zbrazëtisë, kjo e fundit është e çelur për t’u mbushur me çdo imazh botëformues. Në këtë kuptim, imazhi i shoqërisë kushtëzon e përcakton realitetin e ekzistencës së vet, çka i ngjason atyre rasteve në filmat vizatimorë ku personazhi që kapërcen pragun e humnerës vazhdon ecën horizontalisht mbi zbrazëti deri në çastin kur sheh poshtë që s’ka asgjë nën këmbë. Ky është roli real i imazhit si dukje apo vetëdukje, ku rrethanat materializohen vetëm kur një prej figurave pushton këndvështrimin.
Prandaj ligjërimi politik zyrtar në Shqipëri, kur shqetësohet për prishjen e imazhit të vendit është në shinat e duhura, megjithëse ecja në to nuk tregon gjë mbi kahun e lëvizjes botëkuptimore. Le ta shqyrtojmë për pak çaste kahun e ligjërimit që i frigohet prishjes së imazhit të Shqipërisë. Për ideologjinë hegjemone zyrtare (enkas përmend mbiemrin zyrtar e jo shtetëror, pasi një konceptim i tillë i imazhit nuk reduktohet vetëm në qëndrimin e qeverisë, por herë pas here rrezatohet edhe prej kundërshtarëve të saj), imazhi që Shqipëria duhet të ketë, e që prej 21 janarit është vënë në diskutim, është tejet konservator, d.m.th. ruajtës i status quo-së së situatës. Kjo e fundit nënkupton se shoqëria duhet të duket e qetë, të mos thyejë rregullat e ligjet. Njëkohësisht të ketë besim në përgjegjësinë elitare në hartimin apo kritikën e ligjeve pa e marrë ndonjëherë seriozisht shqyrtimin vetjak të tyre sa kohë kjo është punë ekspertësh, edhe të huaj madje. Po ashtu, secili duhet të merret me punët e tij private e të kujtohet për t’u zgjuar nga gjumi politik një ditë në katër vjet se për çdo ditë tjetër kujdestarët elitarë do të administrojnë punët publike. Është ky botëkuptim i rolit apolitik të shoqërisë që i mundëson kësaj të fundit të ndërtojë një imazh ekzotik e paqësor njëkohësisht jashtë vetes duke jetësuar kështu shpresat e mirëqenies turistike. Madje nëse mesianizmi turistik kërkon dishepuj argëtues ekzotikë, atëherë “e mira publike” kërkon që shoqëria të krijojë imazhin tregtarisht të leverdisshëm. P.sh. nëse na duhet të ngopim kureshtjen e spektatorit-turist, pse të mos i ngjasojmë asaj tribusë amazonike që megjithëse nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme për t’u treguar antropologëve perëndimorë, kureshtinë e para-skematizuar të tyre vendosi ta ngopë duke shpikur aty për aty vallëzime luftarake thuajse kanibaleske. E kështu në fund të fundit secili mund të luajë rolin e tij në teatrin turistik për të përfituar bakshishin që vjen si rezultat i krijimit të një imazhi që ndërton vetëdije shoqërore apolitike, ruajtëse të situatës, përshtatëse ndaj fenomeneve, të merakosur për t’i pëlqyer tjetrit (të huajit), pra në thelb reaksionare, të paktën në kuptimin niçean të kësaj fjale ku veprimi nuk niset prej vullnetit për vetërealizim, por si reagim i kushtëzuar nga ajo çka pësohet.
Nën këtë dritë, që prej 21 janarit, kur ngjau dalja në pah dhe braktisja e të përjashtuarve, imazhi konservë u plasarit. U çel mundësia e “marrjes peng ” të lokomotivës e drejtimit të saj në kah të kundërt përmes krijimit të një hapësire të re të ndërtimit të imazhit. Prej zanafillës, ky imazh nuk mëton të jetë reaksionar. Pra dukjen ndaj tjetrit ia nënrendit, pa e shpërfillur krejt, vetëdukjes. Është imazhi që bashkëpjesëmarrjen e sheh jo vetëm si mënyrë të përfitimit të së mirave, por mbi të gjitha si formë të vetërealizimit përmes vetëvendosjes bashkë me të tjerët; imazhi i autonomisë ku zgjimi politik e kapërcen në kohë e cilësi heteronominë e gjumit elektoralist; imazhi i kapërcimit të idiotësisë së privates kah kuptimi bashkëshoqëror e politik i kësaj të fundit. Po ashtu, është imazhi i shoqërisë që përmes rezistencës lufton për të krijuar forma të bashkëjetesës shoqërore ku askush nuk përjashtohet, madje ku problematika e të përjashtuarve shtrohet si parësore përmes dhënies zë të këtyre të fundit; imazhi i shoqërisë ku fati i çdokujt, sidomos i më të “pafatit” nuk shihet më si çështje fati a fataliteti, por si çështje parimi universalizues në të drejta e përfitime; imazhi i të kuptuarit të mirëqenies jo vetëm si rezultat i aftësive vetjake e fatit të së rastisurit në një grup shoqëror më pak a më shumë të privilegjuar, por si mundësi që jetësohet mbi të gjitha prej strukturës shoqërore që krijon lehtësi e përfitime për të gjithë. Deri më sot, duke brendësuar imazhin e ligjërimit politik zyrtar, i përjashtuari përjashtimin nuk e konsideron si padrejtësi që buron prej pengimit e pambështetjes, por si fat të keq ose më tëhuajsueshëm si ndëshkim të merituar të mangësive në raport me të tjerët. Në të kundërt, imazhi emancipues e nxjerr të përjashtuarin jashtë burgut privat të vetëfshikullimit kah pjesërmarrja politike që edhe kërcënueshëm kërkon të drejta, jo vetëm për veten, por për këdo si vetja për të pamundësuar veten, në kuptimin e zbrazjes së kategorisë së të përjashtuarve duke bërë që e vetmja shfaqje e përjashtimit të jetë ajo muzeore, e ngjashme me veglat prej guri.
Kudo e kurdoherë të përjashtuarit kanë ekzistuar si kategori empirike, pra si fakt sociologjikisht i matshëm apo i objektifikueshëm. Që ata të marrin pozicionin e një të vërtete politikisht subjektivizuese nuk mjafton të jenë hegelisht vetëm në vetvete, por të shndërrohen në subjekte për vetveten. Për të mos u sendëzuar, imazhi emancipues, që e parashtron fuqishëm çështjen e emancipimit e çlirimit prej përjashtimit, përbën mënyrën e ndërtimin të një të vërtete të re, kuptimi i së cilës nuk është pranimi apo vëzhgimi i pafuqishëm i situatës, por thyerja e ndryshimi i saj përmes bashkëveprimit politik me qëllim përfshirjen universale.
Romantizmi politik rilindas mishërohet në kuptimin rigjenerues të së shkuarës së lavdishme në të ardhmen përpara zymtësisë së të sotmes, çka më së miri paraqitet në “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Sikur në vend të pyetjes përmbajtësore të së qenit të Shqipërisë të vendosim atë të imazhit të saj, atëherë përgjigjja emancipuese nuk do ta merrte të shkuarën si idealin e ritrupëzueshëm në të ardhmen. Në rast se e shkuara jonë është ndërtuar përmes imazhit të pësimit e përshtatjes ndaj situatës, pjesë e së cilës është edhe imazhi konservë i së sotmes, lufta bëhet për hegjemoninë e imazhit të së ardhmes, madje për atë pjesë të afërt të së ardhmes që gati shkrihet me të tashmen për ta ndryshuar atë. Nëse ky imazh merr tiparet e emancipimit universalizues e gjithëpjesëmarrës, atëherë në mënyrë prapavepruese edhe të shkuarën do ta lexojmë si tentativë për çlirim e të tashmen si gjeneruese të mundësive për ndryshim. Vetëm kështu 21 janari, shfaqja e të pashfaqurve e dhënia zë e të pazëve, do të kapërcejë statusin e një ndodhie dimri që do të harrohet në ecejaket kompromisaxhie të partive që në dy kahet përfaqësojnë status quo-në, për t’u kthyer në Ngjarjen që shembi një herë e përgjithmonë murin e përjashtimit. Mbase atë ditë, të huajit, perëndimorit, do të rreshtim së dukuri si çiraku piktoresk që i lezeton pasditen me kryeuljen e tij, për t’i ngjarë si bashkëqytetar i lirë e i barabartë që ndan shqetësimin e përpjekjen e lënies pas të një bote më të mirë.
E botuar në blogun Saktivista.